Kronikë

Mali i Dukatit në Vlorë nën pushtetin e flakëve, Shqipëria aktivizon Mekanizmin Europian të Mbrojtjes Civile! Në ndihmë 4 avionë ‘Canadair’ nga Greqia dhe Italia! Lëndohen 3 zjarrfikës

21 Korrik, 10:57| Përditesimi: 21 Korrik, 19:48

  • Share

Situatë e rënduar paraqitet me zjarrin në malin e Dukatit në Vlorë, ku flakët vijonë prej disa ditësh. Për të bërë të mundur shuarjen e flakëve kanë ardhur pasditen e sotme 2 avionë ‘Canadair’ nga Greqia.  Po ashtu, pas kërkesës së Shqipërisë pranë Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Europian, Italia ka ardhur në ndihmë me trupa dhe dy avionë zjarrfikës të tipit Canadair, të cilët po operojnë në zonën e quajtur “Liqeni i Luleve”, në Parkun Kombëtar të Lurës.

Në terren ndodhen 30 efektivë të Forcave të Armatosura dhe 17 zjarrfikës. Autoritetet lokale kërkuan ndërhyrje nga ajri, për të frenuar përhapjen e flakëve drejt Parkut Kombëtar të Llogarasë.

Për këtë arsye, ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, deklaroi më herët nga Vlora, se Shqipëria ka aktivizuar Mekanizimin Europian të Mbrojtjes Civile, duke kërkuar ndihmën e BE-së. Vengu ka paralajmëruar se të enjten dhe të premten pritet të regjistrohen temperaturat më të larta, duke e bërë më të vështirë ndërhyrjen.

Ministri ka paralajmëruar gjithashtu se temperaturat e larta do të arrijnë kulmin të enjten dhe të premten.

Ndërkohë, gjatë luftës me flakët, tre efektivë zjarrfikës të Vlorës pësuan lëndime dhe u dërguan për ndihmë mjekësore në spitalin e Vlorës. Të tre zjarrfikësit kanë pasur probleme me frymëmarrjen (asfiksi), për shkak të tymit dhe betejës me flakët në malin e Dukatit dhe pas ndihmës ndodhen në gjendje të stabilizuar.

Ndërkohë, zjarrfikësi Luan Kapaj, pas marrjes së mjekimit, ka thënë për gazetarët se situata me zjarrin është e vështirë dhe duhet të merren për të mos avancuar drejt Parkut Kombëtar të Llogarasë.

"Zjarri ka përmasa dhe po spostohet në drejtim të Llogarasë. Për mendimin tim, si specialist, rrezikon parku nëse nuk do merren masa. Të merren masa që zjarri mos përparojë mbi parkun por të ndërpritet atje ku është", deklaron ai nga Spitali i Vlorës.

Në zonën kufitare të Kapshticës, flakët kanë përfshirë një sipërfaqe prej rreth 250 hektarësh me shkurre dhe bimësi të ulët. Në terren po punojnë mbi 70 forca të emergjencës, nga bashkitë e Devollit, Korçës, Maliqit dhe Pustecit, të ndihmuara nga policia, shërbimi pyjor dhe banorët e zonës. Për shkak të përhapjes së flakëve pranë kufirit, në ndihmë kanë mbërritur edhe forca zjarrfikëse nga Greqia. Po ashtu, pas kërkesës së Shqipërisë pranë Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Europian, Italia ka ardhur në ndihmë me trupa dhe dy avionë zjarrfikës të tipit Canadair, të cilët po operojnë në zonën e quajtur “Liqeni i Luleve”, në Parkun Kombëtar të Lurës.

“Zjarri nisi mesditën e së dielës dhe u përhap me shpejtësi për shkak të erës. Kemi kërkuar ndihmë nga bashkitë fqinje dhe pala greke. Janë shpëtuar disa banesa dhe një fermë bletësh në Vërnik”, tha Genti Xhafka, Drejtor i Zjarrfikëses Devoll.

Policia lokale bëri të ditur se zjarri dyshohet të jetë shkaktuar nga një 79 vjeçar, banor i fshatit Vërnik, i cili kishte ndezur zjarr për të djegur barishtet, por flakët dolën jashtë kontrollit për shkak të erës së fortë.

Sipas bilancit te Emergjencave Civile, 269 hektarë pyje dhe kullota janë djegur në të gjithë vendin. Vatra të tjera aktive raportohen në Parkun Kombëtar të Lurës, në Derjan të Matit dhe në Shmil të Elbasanit, por deri më tani nuk paraqesin rrezik për zonat e banuara.

Ora 19:40
Fiken vatrat e zjarrit në territorin e bashkisë Belsh! Italia sjell 2 avionë ‘Canadair’ për shuarjen e flakëve në Lurë

1753119756_lure.jpeg

Pas një operacioni të koordinuar dhe intensiv është bërë e mundur fikja e të gjitha vatrave të zjarrit në Njësinë Administrative Rrasë, në bashkinë Belsh. Falë ndërhyrjes së shpejtë të forcave zjarrfikëse nga MZSH Belsh, Cërrik, Gramsh, Elbasan, Peqin dhe Njësia Nerat Kuçovë si dhe angazhimit të dy mjeteve zjarrfikëse dhe efektivëve të FA u arrit të shmangej përhapja e flakëve drejt zonave të banuara.

Në operacion morën pjesë edhe dy helikopterë që ndërhynë nga ajri, duke ndihmuar në neutralizimin dhe shuarjen e zjarrit në një terren të vështirë. Aktualisht, në terren ndodhen ende efektivët e MZSH Belsh dhe punonjës të bashkisë, të cilët po kryejnë krehjen e zonës për të shmangur riaktivizimin e ndonjë vatre të fshehur.

Ndërkohë, pas kërkesës së Shqipërisë pranë Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Europian, Italia ka ardhur në ndihmë me trupa dhe dy avionë zjarrfikës të tipit Canadair, të cilët po operojnë në zonën e quajtur “Liqeni i Luleve”, në Parkun Kombëtar të Lurës. Kjo ndërhyrje synon të përshpejtojë shuarjen e vatrave aktive në këtë zonë me rëndësi të lartë natyrore. Po përmes Mekanizmit Evropian te Mbrojtjes Civile, Greqia erdhi në ndihmë me dy avionë Canadair në vatrën e zjarrit në Dukat, Vlorë.

Ora 18:34
Zjarri në malin e Dukatit, vijnë 2 avionë ‘Canadair’ nga Greqia për shuarjen e flakëve

 

Zjarri në Malin e Dukatit vijon edhe gjatë pasdites së sotme. Në ndihmë për shuarjen e flakëve kanë ardhur 2 avionë ‘Canadair’ nga Greqia. 

Ora 17:32
Zjarri në Dukat, Shqipëria kërkon ndihmën e BE-së, aktivizon Mekanizmin Europian të Mbrojtjes Civile. Ministri Vengu: Temperatura të larta ditët në vijim

 

Për shkak të situatës problematike të zjarrit në Dukat të Vlorës, Shqipëria ka aktivizuar Mekanizmin Europian të Mbrojtjes Civile, duke kërkuan ndihmën e BE-së.

Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, pasi vizitoi në Spitalin e Vlorës tre zjarrfikësit që pësuan lëndime, të cilët fatmirësisht janë në gjendje të mirë.

Avionët zjarrfikës të BE-së në ndihmë të Shqipërisë pritet të mbërrijnë gjatë orëve në vijim.

Ministri ka paralajmëruar gjithashtu se temperaturat e larta do të arrijnë kulmin të enjten dhe të premten.

“Janë ditë që do të vijojnë të jenë të vështira përsa i përket luftës kundër zjarreve, sidomos në zonat malore dhe pyjore. Kemi mobilizuar Mekanizmin Europian të Mbrojtjes Civile në mënyrë që në ditët në vijim dhe orët në vijim të kemi mbështetje dhe nga vendet partnere. Do jenë ditë me temperatura shumë të larta, me maksimumin të enjten dhe të premten, sipas parashikimeve të meteorologjisë ushtarake, ndaj në mbarë territorin jemi në gatishmëri të plotë. Do vijojmë në orët e mbrëmjes të bëjmë një raport situates përsa i përket dislokimit të të gjitha forcave këto ditët ku parashikohet piku i temperaturave të larta, të jemi në gatishmëri maksimale”, u shpreh ministri Vengu.

Zjarri në Dukat të Vlorës ka marrë përmasa të mëdha dhe rrezikon seriozisht Parkun Kombëtar të Llogarasë.

Vatra, që u riaktivizua 2 ditë më parë, u shfaq fillimisht para rreth 10 ditësh dhe për shkak të terrenit të vështirë malorë, ndërhyrja e zjarrfikësve mbetet sfidë.

Për këtë arsye, është aktivizuar disa herë nga ajri helikopteri i ushtrisë.

Ora 17:06
U lëndua nga zjarri në Dukat, zjarrfikësi Luan Kapaj: Rrezikohet Parku i Llogarasë, duhet të merren masa

 

Tre zjarrfikësit që mbetën të lënduar nga zjarri në malin e Dukatit, ndodhen në Spitalin e Vlorës në gjendje të stabilizuar.

Zjarrëfikësit Luan Kapaj, Andrea Lala dhe Dëfrim Bilali u vizituan nga afër edhe nga ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu.

Ndërkohë, zjarrfikësi Luan Kapaj ka treguar momentet e para për gjendjen e krijuar. Ai ka treguar edhe se situata me zjarrin është e vështirë dhe duhet të merren për të mos avancuar drejt Parkut Kombëtar të Llogarasë.

“Shërbimi zjarrfikës si çdo ditë mori detyrën për të ndërhyrë në situatën e zjarrit në malin e Dukatit, dhe me të shkuar atje, u shpërndanë forcat në drejtim të zjarrit për ta fikur. Në këtë moment zjarri po merrte përmasa dhe i lashë detyrë komandantit të grupit që të merrej me forcat dhe vetë u spostova në pjesën ku zjarri po merrte përmasa në drejtim të Llogarasë. Gjatë rrugës nuk u ndjeva mirë dhe kam kërkuar ndihmën e urgjencës mjekësore. Kolegët e tjerë kanë kërkuar ndihmë më vonë, nuk kanë qenë bashkë me mua, kanë kërkuar ndihmë më vonë. Për momentin jam i stabilizuar. Zjarri ka përmasa dhe po spostohet në drejtim të Llogarasë. Për mendimin tim, si specialist, rrezikon parku nëse nuk do merren masa. Të merren masa që zjarri mos përparojë mbi parkun por të ndërpritet atje ku është. Forca zjarrfikëse ishin 20 dhe rreth 30 forca të ushtrisë që po merren me izolimin e zjarrit për momentin. Terreni është shumë i vështirë, shumë i thepisur, për shkak të terrenit është e pamundur që zjarrin ta vendosësh në kontroll”, tregon zjarrfikësi Luan Kapaj.

Ndërsa ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka theksuar se efektivët tashmë janë në gjendje të stabilizuar.

Ora 15:27
Kreu i Zjarrfikëseve të Bashkisë Devoll, Xhafka: 70 forca në terren për shuarjen e flakëve në Vërnik! Kontakte dhe me shtetin grek për ndërhyrje

 

Teksa zjarrfikësit dhe forcat operacionale lokale e qëndrore vijojnë aksionin për shuarjen e flakëve në fshatin Vërnik të Devollit, i rënë prej ditës së djeshme, ka reaguar edhe Genti Xhafka, drejtor i Shërbimit Zjarrfikës në Bashki.

Ai shpjegoi se po punohet me intensitet të lartë, teksa flakët favorizohen nga temperaturat e larta dhe era e fortë. Është parandaluar përhapja e tyre drejt kufirit me Greqinë dhe punohet me shërbime ndihmëse nga forcat e Korçës, Maliqit dhe Pustecit.

"Mesditën e së dielës kemi marrë njoftim rreth orës 13:00 për një zjarr në fshatin Vërnik, në afërsi të fshatit. Më pas kanë shkuar forcat zjarrfikëse dhe aty është favorizuar shumë nga era dhe është përhapur në masë. Kemi kërkuar ndihmë edhe nga bashkitë fqinje, ku erdhën në ndihmë bashkia e Korçës, Maliqit dhe Pustecit. Kanë qëndruar gjatë gjithë natës këtu dhe sot ndodhen përsëri në terren dhe po bëjnë të mundur fikjen e zjarrit. Dje kanë qenë rreth 50 forca në terren, ku jemi munduar të bëjmë fikjen e zjarrit, ndërsa sot (21 korrik) ndodhen rreth 70 forca nga të gjitha bashkitë”, shpjegoi ai.

Xhafka shpjegon edhe bashkëpunimin me autoritetet greke nëse situata do përshkallëzojë. Gjithashtu hetimet janë ende aktive për shkaqet, teksa sipas Policisë është proceduar një 79-vjeçar për zjarr nga pakujdesia.

“Kemi folur dhe me shtetin grek për të bërë ndërhyrje nga ajri, nëse situata do të agravojë pak më shumë. Lidhur me shkaqet e zjarrit po bëhen hetime, akoma nuk kemi një konkluzion, është policia që do japë një informacion. Bëhet fjalë për një vatër me një sipërfaqe shumë të gjatë e të gjerë", tha zyrtari vendor.

Ora 13:39
Zjarri në Shkopet, flakët avancojnë drejt Mirditës. Në ndihmë të zjarrfikësve shkon edhe helikopteri i ushtrisë (VIDEO)

Zjarri i fuqishëm që nisi dy ditë më parë në zonën e Shkopetit në Lezhë ka avancuar në drejtim të territorit të Bashkisë Mirditë, duke u afruar rreth 2 kilometra nga fshati Lurth.

Gazetari i Report Tv, Elvis Hila, thotë se për shkak të erës së fortë, flakët po përhapen me shpejtësi, duke e bërë situatën problematike.

Në terren janë angazhuar forcat pyjore, grupet e zjarrfikësve dhe ato të Emergjencave Civile. Gjithashtu, në operacion janë përfshirë forcat zjarrfikëse të Matit, të Mirditës, si dhe trupa të ushtrisë.

Pas koordinimit me institucionin e Prefektit, në zonë ka mbërritur edhe një helikopter për të ndihmuar në shuarjen nga ajri.

Ora 12:14
Zjarret djegin pyje dhe bimësi, 23 vatra në 24 orët e fundit! AKMC: 7 prej tyre ende aktive, zjarre në Dukat dhe Parkun Kombëtar të Lurës

 

Zjarret në vend janë kthyer në një problem kombëtar, teksa pothuajse çdo ditë regjistrohen vatra të reja dhe hektarë me pyje e bimësi të shkrumbuara.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile bëri sot (21 korrik) bilancin e zjarreve të një ditë.

“Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar gjithsej 23 vatra zjarri, nga të cilat 7 janë ende aktive dhe 2 të tjera janë nën monitorim. 269 ha të djegura në total”, thuhet mes të tjerash në deklaratë.

Ndër vatrat më problematike aktive mbetet ajo te Liqeni i Luleve, parku Kombëtar i Lurës në Dibër. Por edhe në fshatin Derjan të Matit, ku terreni është i vështirë dhe ndërhyrja e pamundur me mjete.

Po kështu në Shmil të Elbasanit, Vernik të Devollit, Dishnicë të Korçës apo Dukat të Vlorës.

Në Dukat, mbi Orikum, vijon aksioni për shuarjen sipas AKMC, por era e favorizon zjarrin si dhe bimësia. Përveç forcave të ushtrisë, po aktivizohet edhe helikopteri “Cougar”, teksa flakët mbeten intensive.

Edhe në fshatin Shmil të Labinot-Malit në Elbasan ka vatër aktive zjarri, sikurse edhe në Orenjë të Librazhdit.

Edhe në Lezhë, në një pyll me pisha e lis, në afërsi të Shkopetit, ka vatër zjarri, ku është dërguar edhe helikopteri i ushtrisë që kreu dy misione për shuarjen.

Një tjetër vatër është në Vernik të Devollit. Zjarr ka edhe Dishnicë të Korçës, ku janë përhapur me shpejtësi për shkak të erës dhe temperaturave të larta, deri në kufirin me Greqinë në rastin e Devollit.

Agjencia e Mbrojtjes Civile shprehet se po monitoron edhe shumë vatra të tjera zjarresh që janë nën kontroll apo janë shuar. janë angazhuar 45 mjete zjarrfikëse dhe mbi 400 forca operacionale. Vetëm dje pati 157 efektivë të forcave të armatosura dhe helikopterë. Disa qarqe kanë rrezik të lartë për zjarre.

Ora 07:09
Vijon zjarri në Vernik të Devollit, rreth 250 hektarë sipërfaqe e djegur! Procedohet 79-vjeçari që e shkaktoi! Grupet në terren (VIDEO)

Mbetet aktive edhe pas 24 orësh, vatra e zjarrit që përfshiu zonën nga fshati Vërnik deri në fshatin Kapshticë. Rreth 50 forca të shërbimit zjarrfikës të bashkisë Devoll, mbështetur nga drejtoria e shërbimit pyjor, policia, policia kufitare dhe banorë të zonave, po vijojnë ndërhyrjen në terren për të mbajtur nën kontroll flakët, të cilat favorizohen nga era dhe temperaturat e lartë. 

Sipas një bilanci paraprak, sipërfaqja e përshkruar dhe e djegur arrin në rreth 250 hektarë, pjesa më e madhe e së cilës është bimësi e ulët dhe shkurre. Për shkak të temperaturave të larta dhe erës që e favorizon zjarri, në anën e Kapshticës vijon të jetë aktiv duke prekur një sipërfaqe të konsiderueshme, e cila po përfshin me ritme të shpejta të gjithë pllajën e malit. 

Forcat zjarrfikëse po punojnë edhe me mjete rrethanore për shuarjen e flakëve, por duket se situata po agravon pasi zjarri po arrin pranë rrugës nacionale Kapshticë-Bilisht. Duhet thënë që ndërhyrja është bërë në kohë, por era ka bërë që pjesa më e madhe e hapësirës nga Vërniku deri në Kapshticë të përfshihet nga flakët.
Ndërhyrja në kohë e grupeve të punës bëri të mundur shpëtimin e dhjetra bagëtive dhe një ferme bletësh në fshatin Vërnik të cilat u rrezikuan nga zjarri. Gjatë mëngjesit të sotëm, pas kërkesës së autoriteteve shqiptare, në ndihmë për shuarjen e zjarrit mbërritën edhe forcat zjarrfikëse të palës greke.


Genti Xhafka, drejtor i Shërbimit Zjarrfikës, bashkia Devoll deklaroi bëhet fjalë për një vatër me sipërfaqe të gjerë. 

"Mesditën e së dielës kemi marrë njoftim rreth orës 13:00 për një zjarr në fshatin Vërnik, në afërsi të fshatit. Më pas kanë shkuar forcat zjarrfikëse dhe aty është favorizuar shumë nga era dhe është përhapur në masë. Kemi kërkuar ndihmë edhe nga bashkitë fqinje, ku erdhën në ndihmë bashkia e Korçës, Maliqit dhe Pustecit. Kanë qëndruar gjatë gjithë natës këtu dhe sot ndodhen përsëri në terren dhe po bëjnë të mundur fikjen e zjarrit. Dje kanë qenë rreth 50 forca në terren, ku jemi munduar të bëjmë fikjen e zjarrit, ndërsa sot ndodhen rreth 70 forca nga të gjitha bashkitë. Kemi folur dhe me shtetin grek për të bërë ndërhyrje nga ajri, nëse situata do të agravojë pak më shumë. Lidhur me shkaqet e zjarrit, po bëhen hetime, akoma nuk kemi një konkluzion, është policia që do japë një informacion. Bëhet fjalë për një vatër me një sipërfaqe shumë të gjatë e të gjerë."
 

Ndërkohë që sot (21 korrik) Policia vendore njoftoi se ka zbuluar pas hetimeve edhe dinamikën dhe autorin e kësaj zjarrvënieje aksidentale, që është një i moshuar i cili u procedua penalisht në gjendje të lirë.

"Nisi procedimi dhe u referuan materialet në Prokurori për V. A., 79 vjeç, banues në fshatin Vërnik, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr, nga pakujdesia, dhe si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe toke me bimësi", njoftoi policia.

Uniformat blu gjithashtu morën nën hetim edhe dy persona të tjerë për zjarre aksidentale në Korçë.

"U proceduan E. B., 28 vjeç, banues në fshatin Dishnicë (me probleme të shëndetit mendor), pasi dyshohet se ka ndezur zjarr dhe si pasojë e flakëve është djegur një sipërfaqe toke me bimësi;  M. Q., 75 vjeç, banues në Korçë, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr për të djegur disa mbetje dhe si pasojë është shkaktuar ndotje e ajrit", tha policia. 

 

Xh.D/K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • USA: 21/07/2025 11:54

    KUJDES ME TURISTAT O SHTET PATATINASH....SEPSE KA SHUME TURISTE QE BEJNE AKTE KEQDASHESE....PO JU SDINI ME VENE KAMERA NE OPYLL.JU DINI VETEM ME VENE KAMERA NE AUTOSTRADA

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si po menaxhohet situata me zjarret?