Kronikë

Vijon zjarri në pyllin e Poros në Vlorë për të dytën ditë radhazi, era e fortë riaktivizon disa vatra, në ndihmë edhe 2 helikopterë (PAMJE ME DRON)

26 Gusht, 07:35| Përditesimi: 26 Gusht, 20:11

  • Share

Në pyllin e Poros në Vlorë vijon për të dytën ditë radhazi zjarri që po djeg pishat pranë lagunës së Nartës.

Vatrat e zjarrit janë përhapur në një sipërfaqe të madhe pyjore, për shkak të shtrirjes së gjerë që ka kjo zonë.

Në vendngjarje ndodhen forcat zjarrfikëse, ushtria dhe efektivët e Emergjencave Civile që po punojnë për shuarjen e flakëve.

Janë angazhuar 70 forca, 3 automjete të zjarrfikëses së qytetit të Vlorës dhe 3 automjete të Forcave të Armatosura të cilat janë në terren për të bërë të mundur shuarjen e flakëve.

Ndërsa nga ajri po ndihmojnë dy helikopterë. Vatrat e zjarrit janë riaktivizuar pasditen e sotme për shkak të erës së fortë, disa prej të cilave ishin fikur më herët nga zjarrfikësit. Retë e tymit po mbulojnë zonën duke shkuar drejt qytetit të Vlorës.

Zjarri në pyllin e Poros nisi ditën e hënë. Flakët u përhapën me shpejtësi për shkak të bimësisë dhe terrenit me shtrirje të gjerë. Një ditë më parë u angazhuan 4 helikopterë në momentet e para për të shuar zjarret, ndërsa në vijim mbetën të angazhuar 2 prej tyre.

Ora 19:39
Zjarri në pyllin e Poros në Vlorë, tymi mbulon zonën! PAMJET me dron (VIDEO)

Zjarri në pyllin e Poros në Vlorë vijon që të jetë aktiv gjatë pasdites së sotme.

Në pamjet me dron të siguruara nga Report Tv, shihet se flakët vijojnë që të djegin pishat në këtë zonë. Si pasojë tymi ka mbuluar gjithë zonën. 

Ora 18:32
Pamje apokaliptike nga Vlora, helikopteri lufton me flakët në pyllin e Poros (VIDEO)

Zjarri në pyllin e Poros në Vlorë duket se ka marrë përmasa më të mëdha. Flakët po djegin pishat në këtë zonë, teksa pamjet që sjell nga vendngjarja gazetari ynë Armand Xhelili tregojnë për një situatë apokaliptike.

Tymi i dendur ka mbuluar zonën dhe është përhapur drejt qytetit të Vlorës.

Ndërkohë, nga ajri po luftojnë intensivisht dy helikopterë për të shuar zjarret.

Ora 13:18
Zjarr i madh në Markatomaj të Lezhës, flakët prekin edhe 'Orkidea Palace'

Një zjarr i përmasave të mëdha ka rënë në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra në fshatin Markatomaj në anë të superstradës Lezhë-Milot.

Pranë vatrës së zjarrit ndodhen edhe disa banesa, si dhe restoranti i dasmave "Orkidea Palace" të cilat rrezikohen nga flakët.

Forca të shumta zjarrfikëse janë angazhuar për shuarjen e zjarrit që ka dalë jashtë kontrollit.

Sipas informacioneve që sjell nga vendngjarja gazetari ynë në Lezhë, Elvis Hila, flakët kanë prekur edhe kuzhinën e restorantit.

Ekipet e zjarrfikësve ndërhynë menjëherë duke neutralizuar flakët në ambientet e këtij restoranti në pronësi të këngëtarit Zef Beka.

Megjithatë, zjarri shkaktoi dëme materiale në këtë biznes, ndërsa fatmirësisht nuk ka persona të lënduar.

Ora 09:40
Vlorë/ Vijon zjarri në pyllin me pisha në Akërni, ndërhyn helikopteri

 

Në pyllin me pisha në Akërni po vijon zjarri. Në ndihmë të zjarrfikësve dhe forcave të armatosura, ka shkuar edhe një helikopter. Report Tv sjell pamjet nga momenti i ndërhyrjes për shuarjen e flakëve.

Ora 09:15
Zjarri në Vlorë/ Me lopata dhe degë pishe, ushtria dhe zjarrfikësit në luftë me flakët!

 

Zjarri në pyllin me pisha në zonën e hidrovorit në fshatin Akërni në Vlorë vazhdon me intensitet dhe forcat në terren janë shtuar për lokalizimin dhe shuarjen e tij.

Këto janë pamjet kur një grup efektivësh të ushtrisë dhe zjarrfikës luftojnë me flakët në pyllin me pisha për t’i shuar.

Me lopata dhe degë pishe në dorë ata përpiqen që të pengojnë përhapjen e zjarrit, teksa beteja nga terreni duket e vështirë për shkak të përmasave të zjarrit. Prej orës 05:00, forcat zjarrfikëse dhe të FA-së janë mobilizuar sërish për shuarjen e flakëve.

Një ditë më parë, situata u paraqit kritike pasi për shkak të erës së fortë flakët u përhapën në sipërfaqe të mëdha. Edhe terreni e vështirësoi ndërhyrjen me mjete zjarrfikëse. Për shuarjen e flakëve nga ajri punojnë të paktën 4 helikopterë, 2 të Forcave të Armatosura dhe dy të tjerët të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Ora 07:11
Zjarr gjatë natës në Bogovë të Skraparit, flakët u favorizuan nga era dhe temperaturat! Vihen nën kontroll, rreth 100 forca në aksion

Një zjarr ka rënë gjatë natës në Bogovë në Skrapar. Zjarri nisi në pjesën e sipërme të luginës dhe është duke e përhapur me shpejtësi, i favorizuar nga era dhe temperaturat e larta.

Në zonë shkuan forcat zjarrëfikëse të Beratit, Poliçanit dhe Skraparit, forca të shumta policie dhe forca ushtarake nga Reparti i Ndërhyrjes së Shpejtë në Poshnje, të cilët bënë të mundur lokalizimin e flakëve dhe vënien e tyre nën kontroll.

“Situata po monitorohet nga forcat zjarrfikëse të qarkut”, tha Ministria e Mbrojtjes.

Forcat operacionale janë organizuar prej orës 5:30 të mëngjesit duke ndjekur vijën e zjarrit dhe siguruar perimetrin e jashtëm të saj.

Morën pjesë në aksion: 30 efektivë të FA, 22 forca dhe 7 mjete zjarrfikëse të qarkut Skrapar, Berat dhe Poliçan, 20 forca bashkiake, 5 nga Pyjorja dhe 15 nga shërbimet.

Xh.D/V.GJ /ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Aksidentet e rënda rrugore, a duhen ashpërsuar dënimet në Kodin Penal?