Autori i vrasjes Elvis Shkambi, Gjon Shkambi dhe gjyqtari Astrit Kalaja

Kronikë

Vrasja e gjyqtarit Kalaja, arrestohet autori e xhaxhai! Në pranga edhe roja e sigurisë, policia: Detektori sinjalizoi prezencën e metaleve por s'ushtroi kontroll

7 Tetor, 08:19| Përditesimi: 7 Tetor, 10:14

  • Share

TIRANË – Elvis Shkambi, xhaxhai i tij Gjon Shkambi dhe roja e sigurisë së Gjykatës së Apelit në Tiranë, Banush Koxhaj janë arrestuar për ngjarjen e rëndë të ndodhur mesditën e së hënës, ku mbeti i vrarë gjyqtari Astrit Kalaja dhe u plagosën dy të tjerë, babë e bir, Ragip dhe Ervis Kurtaj, palë në proces. 

30-vjeçari Elvis Shkambi qëlloi me armë zjarri tre herë ndaj gjyqtarit Kalaja pasi lexoi vendimin kundër xhaxhait të tij për godinën e ish-Shkollës së Rezervave në lagjen "Skanderbeg", që ai pretendon se është pronë e tij, dhe ku jetojnë 31 familje që prej 1992. Kurtajt kishin paditur zyrën përmbarimore në Shkodër kundër vendimit për të liruar pronën që Shkambi thotë se është trashëgimtar.

Report TV zbardh dëshminë e autorit, i cili pretendon se nuk e ka menduar përpara vrasjen.

"Më kishte ardhur në majë të hundës me gjyqet. Dëgjova që mori vendimin në favor të palës tjetër. Unë nuk e kam menduar përpara vrasjen por aty m'u mbush mendja për ta vrarë kur dha vendim kundër nesh.", ka thënë 30-vjeçari.

Policia thotë se gjatë kohës që Elvis dhe Gjon Shkambi dhe kanë kaluar nga pajisja e detektorit rreth orës 13:42, ekrani ka sinjalizuar me dritë të kuqe prezencën e  metaleve por punonjësi i sigurisë Banush Koxhaj ka qëndruar i ulur në karrige dhe nuk i ka kontrolluar. Punonjësi gjithashtu nuk ka kryer as regjistrimin e tyre në librin e protokollit ku evidentohen të gjithë personat që hyjnë dhe dalin nga gjykata.

30-vjeçari dhe xhaxhai 56-vjeçar kanë qëndruar në hollin e pritjes deri në orën 15:29 dhe më pas janë futur brenda sallës së gjyqit. Në orën 15:35, në momentin që gjyqtari Kalaja ka shpallur vendimin, Elvisi ka nxjerrë pistoletën nga brezi dhe ka qëlluar disa herë drejt gjyqtarit. Më pas, ai ka drejtuar armën edhe ndaj babë e bir, Ragip dhe Ervis Kurtaj, me të cilët ishin në konflikt, duke i lënë të plagosur.

Pas masakrës, 30-vjeçari ka dalë nga salla e gjyqit dhe i ka drejtuar armën edhe një nëpunësi gjyqësor që ndodhej në një tjetër sallë. Pasi ka dalë në oborr është prangosur nga policia. Ndaj të riut rëndojnë tre akuza: e vrasjes së funksionarëve publikë kryer në bashkëpunim, vrasje në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave e mbetur në tentativë, si dhe armëmbajtje pa leje. 

Po ashtu, edhe ndaj 56-vjeçarit Shkambi rëndon akuza e vrasjes së funksionarëve publikë e kryer në bashkëpunim si dhe vrasje në rrethana të tjera cilësuese mbetur në tentativë pasi dyshohet se ka pasur dijeni për planin e nipit por nuk ka ndërmarrë asnjë veprim. Roja e sigurisë akuzohet për shpërdorim detyre. Gjon Shkambi kishte paralajmëruar veprime për këtë konflikt. Një 6 tetor të një viti më parë, në një emision televizi ai thote se do t'i hidhte të gjithë në erë për shkak të konfliktit për pronën.

Në Apel, ku ndodhi ngjarja, janë pezulluar seancat gjyqësore të ditës së sotme, dhe flamuri është ulur në gjysmë shtizë. Sot do të mbahet një ceremoni private për gjyqtarin e ndjerë, ndërkohë që nesër do të mbahen nderimet shtetërore në Pallatin e Kongreseve. Kalaja do të përcillet për në banesën e fundit në Shkodër.

Sherri për pronën, motiv i vrasjes

Konflikti në Shkodër lidhet me një godinë trekatëshe në lagjen "Skënderbeg", ku disa familje janë strehuar që nga viti 1992. Në vitin 2012, Gjon Shkambi, që pretendon të jetë trashëgimtar i truallit, mori certifikatë pronësie duke ushtruar të drejtën e parablerjes nga Ministria e Financave dhe Bashkia e Shkodrës. Familjet pretendojnë se ai falsifikoi dokumentesh, ndërsa Shkambi i konsideroi zaptues.

Në 2015, Gjykata e Shkallës së Parë njohu Shkambin si pronar, por vendimi nuk u ekzekutua për shkak të kundërshtimit nga banorët, të cilët apeluan. Në 2018, Apeli riktheu çështjen në Shkallë të Parë për mungesë akt-ekspertimi. Prej atëherë, procesi vazhdon me gjyqe të shumta dhe përplasje të vazhdueshme, përfshirë edhe seancën e djeshme pasi familjet u gjobitën nga përmbarimi që nuk ekzekutoi dot vendimin.

Akuzat ndaj tre të arrestuarve:
Elvis Shkambi, 30-vjeç - “Vrasja e funksionarëve publikë” e kryer në bashkëpunim, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave” e mbetur në tentativë dhe e kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;
Gjon Shkambi, 56 vjeç, “Vrasja e funksionarëve publikë” e kryer në bashkëpunim dhe “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave” e mbetur në tentativë dhe e kryer në bashkëpunim;
Banush Koxhaj, 63 vjeç,“Shpërdorim detyre”

Lajmi në përditësim...

Ora 10:01
Vrau gjyqtarin Kalaja, zbardhet dëshmia e autorit: Më kishte ardhur në majë të hundës me gjyqet

Report Tv me gazetarin Sokol Dema kanë zbardhur dëshminë e autorit të vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja. Elvis Shkambi mësohet se ka deklaruar se i kishte ardhur në majë të hundës me gjyqet. Ai pretendon se nuk e kishte menduar më parë vrasjen, por kur gjyqtari dha vendimin në favor të palës tjetër, iu mbush mendja për ta vrarë.

“Më kishte ardhur në majë të hundës me gjyqet. Dëgjova që mori vendimin në favor të palës tjetër. Unë nuk e kam menduar përpara vrasjen, por aty mu mbush mendja për ta vrarë kur dha vendim kundër nesh”, ka dëshmuar ai.

Ora 09:19
Gjykata e Apelit skenë krimi, pezullohen të gjitha gjyqet! Nesër homazhe në Pallatin e Kongreseve në nder të gjyqtarit Astrit Kalaja

Të gjitha gjyqet në Gjykatën e Apelit janë pezulluar që prej ditës së djeshme ku në sallë të gjyqit u qëllua për vdekje gjyqtari Astrit Kalaja për shkak të detyrës. Shumica e seancave të ditës së sotme ishin të caktuara për dhënien e masave të sigurisë me gjyqtar Astrit Kalaja.

Ndërkohë ditën e nesërme në ambientet e Pallatit të Kongreseve do të mbahen homazhe në nderim të gjyqtarit Kalaja. Ceremonia do të nisë në orën 09:00 dhe pritet të zgjasë deri në orën 11:00.

Astrit Kalaja do të përcillet për në banesën e fundit më datë 8 tetor në vendin e lindjes në Shkodër.

1759824136_77d05161cd60431c841441cf8a8d75da.jpg

Ora 09:13
Vrasja e gjyqtarit Kalaja, policia: Skaneri sinjalizoi prezencën e metaleve kur kaluan Elvis e Gjon Shkambi, por punonjësi i sigurisë nuk ushtroi kontroll fizik

1759769246_klevisshkambiastritkalaja.jpg

Policia ka zbardhur dinamikën e ngjarjes së një ditë më parë në Gjykatën e Apelit të Tiranës, ku u vra gjyqtari Astrit Kalaja. Në pranga është vënë autori Elvis Shkambi, xhaxhai i tij Gjon Shkambi dhe roja e sigurisë Banush Koxhaj. Ky i fundit nuk ka ndërmarrë asnjë veprim gjatë momentit që nipi dhe xhaxhai kaluan te detektori edhe pse u sinjalizua me të kuqe prezenca e metaleve. 

Po ashtu , policia thotë se 56-vjeçari Gjon Shkambi dyshohet se ka qenë në dijeni të planit të nipit dhe se nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për ta ndaluar. Ndaj autorit rëndojnë tre akuza: e vrasjes së funksionarëve publikë kryer në bashkëpunim, vrasje në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave e mbetur në tentativë, si dhe armëmbajtje pa leje. 

Po ashtu, edhe ndaj 56-vjeçarit Shkambi rëndon akuza e vrasjes së funksionarëve publikë e kryer në bashkëpunim si dhe vrasje në rrethana të tjera cilësuese mbetur në tentativë pasi dyshohet se ka pasur dijeni për planin e nipit por nuk ka ndërmarrë asnjë veprim.  Roja e sigurisë akuzohet për shpërdorim detyre. 

Njoftimi i policisë: 

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë

Përmbyllen veprimet hetimore lidhur me ngjarjen e ndodhur më datë 06.10.2025, ku rreth orës 15:35, u vra me armë zjarri gjyqtari A. K., nga shtetasi E. Sh., brenda ambienteve të Gjykatës së Apelit, Tiranë, zbardhet i plotë mekanizmi i vrasjes. 

Së bashku me  autorin e vënë menjëherë në pranga pas ngjarjes, arrestohen edhe shtetasit G. Sh. dhe B. K.

Më datë 06.10.2025, rreth orës 15:38, është marrë njoftim në sallën operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë se në ambientet e brendshme të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë është qëlluar me armë zjarri gjyqtari A. K., i cili po zhvillonte seancë gjyqësore me objekt “Kundërshtimin e veprimeve përmbarimore”, me palë paditëse shtetasin R. K, i shoqëruar nga djali i tij E. K., si dhe palë të paditur përmbaruesi gjyqësor T. M., Zyra Përmbarimore Shkodër, dhe palë të treta shtetasin G. Sh, i shoqëruar nga nipi i tij E. Sh.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbime të shumta policie kanë mbërritur në vendngjarje duke marrë masa për shoqërimin e autorit si dhe të gjithë shtetasve të dyshuar ose që kishin dijeni për ngjarjen.

Njëkohësisht, grupi hetimor i përbërë nga oficerë të Policisë Gjyqësore dhe ekspertë kriminalistë, nën drejtimin e Prokurorisë, kanë vijuar me veprimet hetimore si këqyrja e vendit të ngjarjes, administrimi dhe këqyrja paraprake e pamjeve filmike, marrja e deklarimeve nga dëshmitarët duke bërë të mundur zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të dinamikës së kësaj ngjarjeje, si më poshtë:

Në orën 13:42, në ambientet e sallës së pritjes për publikun të Gjykatës janë futur dhe kanë kaluar nga pajisja skaner (detektor), njëri pas tjetrit, shtetasit E. Sh. dhe G. Sh. Në ekranin e detektorit është sinjalizuar prezenca e metaleve duke ndezur dritat e kuqe, por shtetasi B. K., me detyrë punonjës sigurie pranë Gjykatës së Apelit Tiranë, ka qëndruar i ulur në karrige dhe nuk ka kryer asnjë veprim për kontrollin fizik të këtyre shtetasve apo regjistrimin e tyre në librin e protokollit, ku duhet të evidentohen të gjithë personat që hyjnë dhe dalin nga ambientet e Gjykatës.

Të dy këta shtetas, E. Sh. dhe G. Sh., qëndrojnë në hollin e pritjes së Gjykatës deri rreth orës 15:29, dhe më pas futen në ambientet e sallës së zhvillimit të seancës gjyqësore (salla nr. 3). Në orën 15:35, palët ngrihen në këmbë dhe, menjëherë pasi gjyqtari A. K. shpall vendimin, shtetasi E. Sh., që ndodhej në sallë, nxjerr nga brezi një armë zjarri pistoletë dhe qëllon disa herë në drejtim të gjyqtarit A. K., i cili, si pasojë e dëmtimeve të marra dhe pas ndihmës së parë mjekësore, ka ndërruar jetë gjatë transportit për në spital.

Njëkohësisht, pas këtij veprimi, shtetasi E. Sh. i drejton pistoletën dhe qëllon një herë në drejtim të shtetasve R. K. dhe E. K., duke i plagosur të dy, të cilët aktualisht ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën.

Gjithashtu, nga hetimet ka rezultuar se shtetasi G. Sh. nuk ndërmerr asnjë veprim për të ndërprerë veprimet kriminale të nipit të tij, çka krijon dyshimin e arsyeshëm se ai ka qenë në dijeni të planit për ekzekutimin e gjyqtarit të çështjes, në rolin e shtytësit dhe/ose ndihmësit.

Pas ngjarjes, shtetasi E. Sh. ka dalë nga salla dhe i ka dorëzuar armën shtetasit B. P., me detyrë nëpunës gjyqësor, për mbikëqyrjen dhe mbarëvajtjen e proceseve gjyqësore, në një tjetër sallë. Autori E. Sh., pas daljes në oborr, është neutralizuar dhe prangosur menjëherë nga punonjësit e Policisë.

Në përfundim të të gjitha veprimeve proceduriale, u bë arrestimi në flagrancë sipas veprave penale si më poshtë:
    •    E. Sh., 30 vjeç, si i dyshuar për veprat penale të “Vrasja e funksionarëve publikë” e kryer në bashkëpunim, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave” e mbetur në tentativë dhe e kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;
    •    G. Sh., 56 vjeç, si i dyshuar për veprat penale të “Vrasja e funksionarëve publikë” e kryer në bashkëpunim dhe “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave” e mbetur në tentativë dhe e kryer në bashkëpunim;
    •    B. K., 63 vjeç, si i dyshuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”;

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një armë zjarri pistoletë me tre fishekë, e përdorur nga autori, si dhe prova të tjera materiale të gjetura gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, që i shërbejnë dokumentimit të kësaj ngjarjeje.

Materialet iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Ora 07:35
Mbeti i plagosur së bashku me të birin nga të shtënat në gjykatë, del foto e 65-vjeçarit që fitoi gjyqin në Apel

1759814777_ragipkurtaj.jpg

Ragip Kurtaj

Report Tv ka siguruar foton e Ragip Kurtaj, i cili mbeti i plagosur ditën e djeshme në sallën gjyqit të Gjykatës së Apelit. Ragip Kurtaj 65 vjeç së bashku me djalin e tij, Ervis Kurtaj 45 vjeç i cili gjithashtu mbeti i plagosur lehtë, ishin palë kundërshtare në gjykatë me autorin, Elvis Shkambi.

Kurtaj mori plagë të lehta në kraharor dhe këmbë ndërsa djali në dorë. Të dy u transferuan në Spitalin e Traumës për ndihmë mjekëosre ku ndodhen jashtë rreziku për jetën.

Sakaq, viktimë e ksaj ngjarje mbeti gjyqtari Astrit Kalaja, i cili u qëllua me tre plumba teksa po ushtronte detyrën.

Ora 07:29
Nipi vrau gjyqtarin Astrit Kalaja, paralajmërimi i Gjon Shkambit një vit më parë për konfliktin: Do t'ju hedh në erë! Pronën time do e minoj në të 4 qoshet

1759760966_gjonshkambi.png

Detaje tronditëse dalin në dritë pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja në Gjykatën e Apelit në Tiranë. Xhaxhai i autorit, Gjon Shkambi kishte paralajmëruar publikisht për konfliktin për pronën gjatë një emisioni televiziv duke kërcënuar se do të hidhte në erë godinën e ish-Shkollës së Rezervave në lagjen "Skanderbeg".

Për ironi të fatit, emisioni "Shihemi në Gjyq" është transmetuar në 6 tetor të vitit të kaluar, si sot një vit më parë.

“Ja gjej unë formën se si me e liru. Si ta minoj në 4 qoshet se është prona ime. E kam me certifikatë. Të gjithë do t’ju hedh në erë. Po ju paralajmëroj, të gjithë do t’ju hedh në erë.”, thotë Shkambi gjatë përballjes me personin që po fliste lidhur me këtë çështje.

Ngjarja e rëndë u shënua mesditën e së hënës, ku 30-vjeçari Elvis Shkambi qëlloi me tre plumba gjyqtarin pasi mori vendim kundër xhaxhait të tij. Ai qëlloi me armë edhe ndaj palës kundërshtare në gjyq, babë e bir, Ragip dhe Ervis Kurtaj. Pas krimit, ai iu dorëzua patrulës së policisë në dalje të gjykatës. Mister mbetet se si u thye siguria e gjykatës duke u futur brenda një person i armatosur.

K.B/Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Anonymous: 07/10/2025 10:14

    Shiko keq eshte se i mori jeten ama dhe ai gjyqtar i korruptuar kujdiet sa jet ka mar ne qaf qe skan pas lek e i ka plas ne burg. Kshuqe ndonje dit shifni kur ti hyjn politikanve se mjaft vujtem ne dor te ktyre plerave

    Përgjigju
  • Alex: 07/10/2025 10:13

    Para nje jave kisha nje gjyq ne Korce , e njejta situate , detektori binte nuk kontrollohej njeri . E vetmja gje qe me kerkoi roja tek detektori ishte Telefoni . Mund te kaloje cte doje ne sallen e gjyqit.

    Përgjigju
  • Toma: 07/10/2025 08:57

    Shoqi ka paralejmruar dotju hedhi në erë dhe drejtësia e la të lirshëm dhe rrezultati me një gjygjtarë të vrarë.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e gjyqtarit në sallë, sa të mbrojtur janë njerëzit e drejtësisë?