Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja pasditen e sotme në sallën e gjyqit solli edhe reagimet e krerëve më të lartë të shteteve dhe ata të institucioneve të drejtësisë. I pari që reagoi për krimin e rëndë ishte presidenti Bajram Begaj, i cili e cilësoi këtë akt një sulm të tmerrshëm jo vetëm ndaj gjyqtarit, por edhe ndaj drejtësisë.
“Jam thellësisht i tronditur dhe dënoj me gjuhën më të ashpër aktin e pa tolerueshëm të vrasjes në krye të detyrës të gjyqtarit Astrit Kalaja. Ky sulm i tmerrshëm ndaj gjyqtarit të shquar, por edhe ndaj drejtësisë si të tillë, duhet të përballet nga gjithë shoqëria me përbuzjen dhe mospajtimin më të thellë, sepse ky akt është atentat makabër ndaj vetë sistemit, tek i cili ka themelet bashkëjetesa dhe paqja sociale. Në emër të shtetit i gjendem pranë familjes së të ndjerit dhe kolegëve të tij të afërt e të largët, si dhe shpreh solidaritetin e plotë të shqiptarëve me dhimbjen e pakufishme për humbjen", shkroi Begaj.
Për ngjarjen e rëndë ka reaguar edhe Kryeministri Edi Rama, i cili i ka shprehur ngushëllimet familjes së gjyqtarit, ndërsa për autorin kërkon ndëshkimin maksimal. Kryeministri thekson se siguria nëpër gjykata duhet të forcohet, ndërsa po ashtu nuk la pa përmendur as ashpërsimin e Kodit Penal për armëmbajtjen pa leje.
“Ngushëllime vëllazërore familjes së gjykatësit të ndjerë Astrit Kalaja dhe u prehtë në paqe. Agresioni kriminal mbi gjykatësin kërkon padyshim përgjigjen më ekstreme ligjore ndaj agresorit. Por kjo tragjedi kërkon një reflektim për sistemin e sigurisë së brendshme të gjykatave, e cila përveçse sipas ligjit kërkon disa pajisje teknologjike, nuk mund të mbetet një çështje zgjedhjeje mes policish private në emër të pavarësisë së gjyqësorit! ”, shkruan Kryeministri Edi Rama në rrjetet sociale.
Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu ka shprehur ngushëllimet për familjen e gjyqtarit , ndërsa thekson se nga policia janë angazhuar ekspertët më të mirë për të zbardhur ngjarjen.
“Thellësisht e tronditur nga lajmi i rëndë i vrasjes së gjyqtarit të Gjykatës së Apelit në Tiranë, Astrit Kalaja, dhe plagosja e dy qytetarëve, brenda sallës së gjykatës. Dënoj me forcë këtë akt barbar dhune dhe shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen e viktimës, kolegët e tij, duke u uruar shërim të shpejtë të lënduarve”, shkroi Koçiu.
Opozita nga ana e saj dënuan ngjarjen e rëndë dhe shprehën ngushëllimet për familjen e viktimës. Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha e cilësoi vrasjen si një akt të shëmtuar kriminal dhe dëshmi të qartë të pasigurisë dhe kontrollit të rendit nga krimi.
“Duke i shprehur ngushëllimet më të ndjera familjes, miqve dhe të afërmve të gjyqtarit të ndjerë Kalaja, dënoj me forcën më të madhe aktin e shëmtuar dhe kriminal ndaj gjyqtarit në sallën e gjyqit – dëshmi e kontrollit të rendit nga krimi dhe pasigurisë së madhe që ekziston sot në vend,” shkruan Berisha .
Presidenti i PL-së Ilir Meta e cilësoi vrasjen e Kalasë një akt terrorist që godet në zemër shtetin e së drejtës dhe rendin kushtetues.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë shprehu gjithashtu tronditjen e thellë për vrasjen e gjyqtarit Kalaja. Në një deklaratë zyrtare, Këshilli e cilësoi ngjarjen si një akt të papranueshëm dhe sulm direkt ndaj Kushtetutës, shtetit ligjor dhe sigurisë publike.
“Vrasja e një magjistrati në sallën e gjyqit është një akt i pa imagjinueshëm, që përbën jo vetëm një krim ndaj një përfaqësuesi të drejtësisë, por edhe një sulm të drejtpërdrejtë ndaj Kushtetutës, shtetit ligjor dhe sigurisë publike në tërësi”, thuhet në reagim.
Ministri i Drejtësisë Besfort Lamallari në reagimin e tij shprehet se sulmi vdekjeprurës me armë ndaj gjyqtarit është sulm ndaj çdo shërbyesi të së drejtës, institucioneve dhe shoqërisë shqiptare.
“Sulmi vdekjeprurës me armë ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Astrit Kalaja është sulm ndaj çdo shërbyesi të së drejtës, institucioneve dhe shoqërisë shqiptare.
Ky akt i rëndë kriminal duhet dënuar me të gjithë forcën e ligjit dhe siguria e jetës dhe integritetit fizik të njerëzve të drejtësisë është një vijë e kuqe që askush nuk duhet ta kalojë e që shteti do ta mbrojë me vendosmëri e me çdo çmim", tha Lamallari.
lajm ne perditesim...
Prokuroria e Posaçme ka dënuar ngjarjen e rëndë të vrasjes së gjykatësit Astrit Kalaja në krye të detyrës dhe plagosje e dy qytetarëve të tjerë.
SPAK ka shprehur ngushëllimet për familjen e gjyqtarit të vrarë, teksa e konsideron aktin e rëndë si një nevojë emergjente për të rritur sigurinë nëpër gjykata.
Po kështu SPAK kërkon rritje të sigurisë edhe për të gjithë punonjësit e drejtësisë.
“Prokuroria e Posaçme dënon me forcë vrasjen e paprecedentë të gjyqtarit Astrit Kalaja, ngjarje që ndodhi brenda ambienteve të Gjykatës së Apelit, Tiranë. I shprehim ngushëllimet tona familjes së gjyqtarit Kalaja, të afërmve dhe kolegëve të tij në këtë moment të dhimbshëm. Gjithashtu, shprehim solidaritetin tonë me të gjithë gjyqtarët, prokurorët, avokatët dhe punonjësit e sistemit të drejtësisë, të cilët përballen çdo ditë me sfida të mëdha në kryerjen e detyrës. Ky akt i rëndë duhet të shërbejë si thirrje urgjente për rritjen e sigurisë në gjykata, forcimin e masave mbrojtëse për gjyqtarët, prokurorët, avokatët dhe punonjësit e drejtësisë si edhe për një reagim të shpejtë institucional, për të ndaluar përsëritjen e akteve të ngjashme”, thuhet në reagimin e SPAK.
Foto: Ilir Meta
Një akt terrorist e ka quajtur Presidenti i PL-së Ilir Meta vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja teksa ishte në krye të detyrës. Në një postim në Facebook, ai nënvizon se ky krim meriton ndëshkim të ashpër ligjor.
“Ekzekutimi i gjyqtarit në krye të detyrës, Astrit Kalaja brenda Gjykatës së Apelit është një akt terrorist që godet në zemër shtetin e së drejtës dhe rendin kushtetues.
Ky krim shumë i rëndë, që meriton ndëshkim të ashpër ligjor nuk është rastësor, por rezultat i inkriminimit të Qeverisë me segmente të krimit, që ka sjellë dështimin për të garantuar rendin dhe sigurinë e jetës.
Duke ju shprehur ngushëllimet më të ndjera familjes Kalaja dhe kolegëve gjyqtarë, shpreh bindjen e thellë se zgjimi kombëtar për të mposhtur frikën nga krimi që ka kapur shtetin është e vetmja rrugë për të garantuar sigurinë e jetës dhe rikthyer shtetin e së drejtës”, shkroi Meta në rrjetet sociale.
Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë ka dënuar ngjarjen e rëndë të vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja në krye të detyrës.
Unioni i Gjyqtarëve thotë se vrasje e gjyqtarit Kalaja dhe plagosja e dy personave pjesë e procesit gjyqësor, është akt barbar dhe sulm i egër ndaj drejtëisë.
Unioni ngre shqetësimin edhe të masave të sigurisë në gjykata.
Reagimi i Unionit të Gjyqtarëve:
Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë shpreh tronditjen e thellë dhe dhimbjen e madhe për ngjarjen tragjike të ndodhur sot, ku një koleg ynë, gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, humbi jetën në krye të detyrës, pas një sulmi me armë zjarri, në sallë të gjyqit, nga një palë në një çështje civile, e cila plagosi dhe babë e bir nga pala tjetër ndërgjyqëse.
Ky akt barbar përbën sulmin më të egër e të drejtpërdrejtë ndaj drejtësisë, ndaj jetës e integritetit të gjyqtarëve, si dhe ndaj vetë rendit kushtetues të shtetit të së drejtës.
Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, të afërmve dhe gjithë kolegëve gjyqtarë, duke u gjendur pranë tyre në këtë moment të rëndë humbjeje e tronditjeje të thellë për gjithë trupën gjyqësore.
Ngjarja e sotme është një sinjal alarmi i qartë për mungesën e masave të duhura të sigurisë në gjykata dhe për rrezikun real, me të cilin përballen gjyqtarët në ushtrimin e detyrës së tyre.Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë kërkon marrjen e menjëhershme të masave konkrete institucionale, për garantimin e sigurisë së gjyqtarëve dhe familjeve të tyre, në të gjitha shkallët e sistemit gjyqësor.
Kjo ngjarje e rëndë ndodh në një klimë të përhershme armiqësore ndaj sistemit gjyqësor, e cila prej vitesh ushqehet dhe amplifikohet nga diskursi politik dhe mediatik, që shpesh e paraqet gjyqësorin si burim të çdo problemi në shoqëri.
Kjo qasje ka dëmtuar besimin e publikut tek drejtësia, ka frymëzuar mosrespekt, fyerje dhe sulme ndaj gjyqtarëve, duke rritur ndjeshëm rrezikun dhe presionin mbi pavarësinë e gjyqësorit.
Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë u bën thirrje për përgjegjshmëri publike të gjithëve aktorëve institucionalë, politikë dhe mediatikë, që të ndalojnë nxitjen e gjuhës së urrejtjes ndaj trupës gjyqësore. Pa respekt dhe mbrojtje reale të gjyqtarëve, nuk mund të ketë drejtësi të pavarur, shtet ligjor dhe besim të qytetarëve në drejtësi.Në nderim të kolegut tonë të ndjerë, Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë do të vijojë të kërkojë me forcë respektimin, mbrojtjen dhe dinjitetin e çdo gjyqtari, që shërben me integritet për drejtësinë dhe shoqërinë.
Gjithashtu, Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë siguron të gjithë publikun se, diskursi armiqësor dhe sulmet fizike nuk do të mundin të frikësojnë gjyqtarët në Republikën e Shqipërisë, të cilët do të vazhdojnë të punojnë me përkushtim për t’i shërbyer publikut, duke i ofruar drejtësi, për të cilën dha jetën e tij, në krye të detyrës gjyqtari, babai, familjari e njeriu i mirë, kolegu ynë i paharruar Astrit Kalaja.
Foto: Ulsi Manja
Ish-ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka reaguar pas vrasjes së gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Tiranë, Astrit Kalaja, duke e cilësuar ngjarjen si një akt barbar dhe një sulm të drejtpërdrejtë ndaj shtetit dhe sistemit të drejtësisë.
Postimi i plotë:
Një humbje që trondit drejtësinë!
Sot, dora e krimit u ngrit mbi togën e zezë, duke marrë jetën e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Tiranë, Astrit Kalaja.
E kam njohur dhe kam punuar me të në ditë të vështira për rendin dhe sigurinë në Shkodër (2002–2007) — ai si gjyqtar, unë si prokuror. Astrit Kalaja ishte, me plot kuptimin e fjalës, një familjar dhe qytetar model, një gjyqtar me integritet të lartë dhe shtetar i përgjegjshëm.
Si ish-koleg dhe Kryetar i Komisionit të Ligjeve, e dënoj me forcë këtë akt barbar, që është sulm i drejtpërdrejtë ndaj shtetit dhe drejtësisë shqiptare.
Vrasja e një gjyqtari në detyrë kërkon ndëshkim shembullor dhe duhet të shërbejë si këmbanë alarmi për sigurinë e të gjithë punonjësve të drejtësisë përballë dorës së krimit.
Ngushëllimet më të sinqerta për familjen dhe miqtë e shumtë që Astriti kishte kudo.
U prehtë në paqe njeriu dhe gjyqtari që nderoi togën e zezë!
Dhoma e Avokatisë ka shprehur ngushëllimet për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja dhe dënuar këtë ngjarje, duke e konsideruar si goditje për të gjithë sistemin e drejtësisë.
Në reagim, Dhoma e Avokatisë ngre alarmin për sigurinë në gjykata.
Dhoma e Avokatisë u bën thirrje edhe avokatëve që të ndërgjegjësojnë palët në proceset penale, civile dhe administrative.
Reagimi i Dhomës së Avokatisë:
Të tronditur thellësisht nga ngjarja, lidhur me vrasjen në ambjentet e gjykatës të gjyqtarit të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Pergjithshëm, kolegut dhe mikut tonë Astrit Kalaja, trupa e avokatëve i përcjell familjes ngushëllimet më të thella. Kjo ngjarje është gjithashtu një goditje për të gjithë sistemin e drejtësisë dhe shtetit të së drejtës. Kjo ngjarje, për këdo është një thirrje alarmi për sigurinë, së pari të jetës dhe shëndetit të kolegëve, gjyqtarëve dhe prokurorëve, dhe njëkohësisht një thirrje edhe për avokatët për thellimin e punës për ndërgjegjësimin e palëve në procese penale, civile dhe administrative për ç'ka atyre ju takon ligjërisht dhe për pritshmëritë në proceset ku ata përfaqësojnë palët.
Kryetari Dhomes Avokatise Shqiperise
Prof Dr. Maksim HAXHIA
Gjykata e Lartë ka reaguar pas vrasjes së gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja. Në një reagim për mediat, Gjykata e Lartë thotë se kjo ngjarje e rëndë është një sinjal alarmi për gjendjen e sigurisë në të cilën ushtrojnë funksionin gjyqtarët e Republikës. Gjykata e Lartë thekson se në një shtet të së drejtës, gjyqtari duhet të ndjehet i mbrojtur.
“Trupa gjyqësore e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë shpreh tronditjen dhe dhimbjen e thellë për ngjarjen tragjike që solli humbjen e jetës së gjyqtarit të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Astrit Kalaja, dhe përcjell ngushëllimet më të sinqerta për familjen, të afërmit dhe kolegët e tij.
Kjo ngjarje e rëndë është një sinjal alarmi për gjendjen e sigurisë në të cilën ushtrojnë funksionin gjyqtarët e Republikës dhe për gjendjen shqetësuese të infrastrukturës në të cilën funksionojnë shumë prej gjykatave shqiptare.
Në një shtet të së drejtës, gjyqtari duhet të ndjehet i mbrojtur dhe i respektuar në ushtrimin e detyrës së tij, jo vetëm nga pikëpamja fizike e infrastrukturore, por edhe përmes një klime publike të respektit dhe përmbajtjes në gjuhën që përdoret ndaj figurës së tij. Çdo formë denigrimi apo përbuzjeje ndaj gjyqtarit cenon autoritetin e drejtësisë dhe besimin e qytetarëve në shtetin ligjor.
Gjykata e Lartë vlerëson se garantimi i sigurisë fizike e institucionale të gjyqtarëve është një përgjegjësi e drejtpërdrejtë shtetërore, që kërkon veprim të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm.
Mbrojtja e gjyqtarëve është mbrojtje e vetë drejtësisë dhe e besimit të publikut tek shteti i së drejtës”, thuhet në deklaratën e Gjykatës së Lartë.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë e konsideron ngjarje tepër të rëndë dhe të paimagjinueshme vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit në Apelin e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Në reagimin për mediat, KLP thotë se kjo ngjarje është sulm i drejtpërdrejt ndaj Kushtetutës dhe sigurisë publike në tërësi.
“Këshilli i Lartë i Prokurorisë është thellësisht i tronditur nga ngjarja e rëndë që goditi sot sistemin e drejtësisë dhe gjithë shoqërinë shqiptare, ku gjyqtari i Gjykatës së Apelit, z. Astrit Kalaja, u vra me armë zjarri brenda sallës së gjyqit, gjatë ushtrimit të detyrës së tij.
Vrasja e një magjistrati në sallën e gjyqit është një akt i pa imagjinueshëm, që përbën jo vetëm një krim ndaj një përfaqësuesi të drejtësisë, por edhe një sulm të drejtpërdrejtë ndaj Kushtetutës, shtetit ligjor dhe sigurisë publike në tërësi. Në këto çaste zie, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, dëshiron të përcjellë ngushëllimet më të ndjera familjes, të afërmve dhe kolegëve të gjyqtarit Astrit Kalaja, duke shprehur solidaritetin e plotë me gjithë trupën e drejtësisë.
Kjo tragjedi na kujton domosdoshmërinë e një uniteti të fortë institucional dhe përgjegjësie të përbashkët shtetërore, për të mbrojtur çdo përfaqësues të drejtësisë që shërben në emër të ligjit”, thuhet në reagimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Pas vrasjes së gjyqtarit të Gjykatës së Apelit, Astrit Kalaja, ka ardhur një reagim edhe nga Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari.
Përmes një reagimi, ai e ka cilësuar këtë si një akt të rëndë kriminal, i cili duhet që të dënohet me gjithë forcën e ligjit. Ai tha se do të ketë një ashpërsim të dënimit për armëmbajtjen pa leje.
Reagimi i Ministrit të Drejtësisë, Besfort Lamallari:
'Sulmi vdekjeprurës me armë ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Astrit Kalaja është sulm ndaj çdo shërbyesi të së drejtës, institucioneve dhe shoqërisë shqiptare. Ky akt i rëndë kriminal duhet dënuar me të gjithë forcën e ligjit dhe siguria e jetës dhe integritetit fizik të njerëzve të drejtësisë është një vijë e kuqe që askush nuk duhet ta kalojë e që shteti do ta mbrojë me vendosmëri e me çdo çmim. Vrasja e gjyqtarit Kalaja në krye të detyrës është një akt kriminal që meriton ndëshkimin më të ashpër me të gjithë forcën e ligjit. Ne nuk do të lejojmë që sulme si ky dhe i asnjë forme tjetër të cënojnë besimin e publikut te drejtësia e as të errësojnë përpjekjet tona të vijueshme për forcimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri.
Paralelisht me nevojën e rishikimit e sistemit të sigurisë së brendshme nëpër gjykata, pashmangshmërisht duhet të ashpërsojmë dënimin për armëmbajtjen pa leje në Kodin e ri Penal, për të cilin tashmë kemi nisur konsultimin publik. Armëmbajtja pa leje si vepër penale nuk do të trajtohet më siç është trajtuar deri më sot. Siguria e njerëzve të drejtësisë është një vijë e kuqe që askush nuk duhet ta kalojë. Asnjë akt kriminal si ky i sotmi nuk do të mundet kurrë të frikësojë drejtësinë e as misionin e magjistratëve. Ministria e Drejtësisë qëndron në krah të institucioneve të drejtësisë.
Në këto momente të vështira, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen e gjyqtarit të ndjerë Astrit Kalaja, për të afërmit, kolegët e tij dhe për të gjithë trupën gjyqësore. I uroj shërim të shpejtë dy personave të tjerë të mbetur të plagosur nga ky akt kriminal. U prehsh në paqe i nderuar gjyqtar Kalaja!
Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu ka dënuar ngjarjen e rëndë të vrasjes me armë të gjyqtarit Astrit Kalaja në ambientet e brendshme të Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm të Apelit, Tiranë.
Në reagimin e saj, ministrja Koçiu e konsideron akt barbar vrasjen e gjyqtarit dhe plagosjen e dy qytetarëve të tjerë, të cilët ishin palë në procesin gjyqësor me familjen Shkambi, të autorit.
Ministrja e Brendshme ka shprehur ngushëllimet, ndërsa thekson se nga policia janë angazhuar ekspertët më të mirë për të zbardhur ngjarjen.
“Thellësisht e tronditur nga lajmi i rëndë i vrasjes së gjyqtarit të Gjykatës së Apelit në Tiranë, Astrit Kalaja, dhe plagosja e dy qytetarëve, brenda sallës së gjykatës. Dënoj me forcë këtë akt barbar dhune dhe shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen e viktimës, kolegët e tij, duke u uruar shërim të shpejtë të lënduarve.
Forcat e Policisë së Shtetit - të cilat duhet sqaruar për opinionin publik se në bazë të ligjit nuk kanë asnjë përgjegjësi për kontrollin e hyrje-daljeve dhe sigurinë brenda godinave të gjykatave - kanë ndërhyrë menjëherë në vendngjarje.
Autori është ndaluar menjëherë dhe kemi angazhuar ekspertët më të mirë për të kqyrur në bashkëpunim me prokurorët, përmbushjen e detyrave të ligjit nga ana e punonjësve të sigurisë të gjykatës”, thotë ministrja Koçiu.
Autori Elvis Shkambi është arrestuar tashmë nga policia, si dhe është sekuestruar arma e krimit.
Kryetari i bashkisë së Shkodrës ka reaguar pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja i cili tronditi mbarë opinonin publik.
Përmes një postimi në rrjetet sociale Beci shprehet se është i tronditur nga kjo tragjedi.
“I tronditur nga lajmi i ndarjes tragjike nga jeta të gjyqtarit Astrit Kalaja ,bir i Shkodrës dhe profesionist i përkushtuar, me një karrierë të gjatë në sistemin gjyqësor shqiptar.
I diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë në vitin 1993, ai e nisi rrugëtimin e tij si gjyqtar në qytetin e lindjes, për të vijuar më pas si anëtar i Gjykatës së Apelit dhe i Kolegjit Zgjedhor.
Në çdo detyrë që mbajti, u veçua për integritetin, përkushtimin dhe seriozitetin me të cilin i shërbeu drejtësisë.
Ngushëllime të sinqerta familjes, kolegëve dhe miqve të tij”, shkruan Beci në rrjetet sociale
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka reaguar për ngjarjen e rëndë të vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, në ambientet e brendshme të Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm të Apelit, Tiranë.
Në reagimin e tij në rrjetet sociale, Berisha dënon ngjarjen e rëndë dhe ka shprehur ngushëllimet për familjen e viktimës.
Kryedemokrati bën thirrje për dënimin më të rëndë ligjor për autorin dhe porositësit.
“Ekzekutohet me armë zjarri gjyqtari i Apelit Astrit Kalaja. Mediat njoftojnë se një person i armatosur ka qëlluar me armë zjarri sallen e gjyqit, në detyrë, gjyqtarin e Apelit Astrit Kalaja, i cili humbi jetën nga plagët brenda pak kohe.Duke i shprehur ngushëllimet më të ndjera familjes, miqve dhe të afërmve të gjyqtarit të ndjerë Kalaja, dënoj me forcën më të madhe aktin e shëmtuar dhe kriminal ndaj gjyqtarit në sallen e gjyqit, dëshmi e kontrollit të rendit nga krimi dhe pasigurisë së madhe që ekziston sot në vend. Kërkoj dënimin më të rreptë ligjor për ekzekutorin dhe porositësit e këtij krimi shumë të rëndë”, shkruan Sali Berisha.
Autori Elvis Shkambi është i arrestuar tashmë. Nga ngjarja mbetën të plagosur edhe dy persona të tjerë, Ragip dhe Ervis Kurtaj (babë e bir), palë në këtë proces.
Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetet sociale për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja në ambientet e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, gjatë një seance gjyqësore të zhvilluar ditën e sotme.
Krahas ngushëllimeve për familjarët e gjyqtarit të ndjerë, kreu i qeverisë shkruan se tragjedi kërkon një reflektim për sistemin e sigurisë së brendshme të gjykatave.
Gjithashtu, Rama këmbngul se kjo ngjarje tragjike është argumenti më i pakundërshtueshëm, për të mbështetur ashpërsimin domethënës në Kodin Penal të dënimit për armëmbajtjen pa leje.
REAGIMI I KRYEMINISTRIT EDI RAMA:
Ngushëllime vëllazërore familjes së gjykatësit të ndjerë Astrit Kalaja dhe u prehtë në paqe
Agresioni kriminal mbi gjykatësin kërkon padyshim përgjigjen më ekstreme ligjore ndaj agresorit.
Por kjo tragjedi kërkon një reflektim për sistemin e sigurisë së brendshme të gjykatave, e cila përveçse sipas ligjit kërkon disa pajisje teknologjike, nuk mund të mbetet një çështje zgjedhjeje mes policish private në emër të pavarësisë së gjyqësorit!
Ndërkohë, kjo ngjarje tragjike besoj se është argumenti më i pakundërshtueshëm, për të mbështetur ashpërsimin domethënës në Kodin Penal të dënimit për armëmbajtjen pa leje dhe ngushtuar maksimalisht hapësirën për lojra me afatet në dëm të mbrojtjes prej zjarrit të armëve të paligjshme!
Lutem gjithashtu që ky moment kaq tronditës të nxisë edhe një reflektim për lehtësinë me të cilën trajtohet rëndom armëmbajtja pa leje në proceset gjyqësore
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka reaguar për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja në Gjykatën e Apelit në Tiranë gjatë një seance gjyqësore të zhvilluar ditën e sotme.
"Jemi thellësisht të tronditur dhe të hidhëruar nga të shtënat me armë brenda Gjykatës së Apelit në Tiranë, që i morën jetën gjyqtarit Astrit Kalaja dhe plagosën dy persona të tjerë.
I shprehim ngushëllimet tona familjes dhe kolegëve të gjyqtarit Kalaja dhe u urojmë shërim të shpejtë të plagosurve.
Prezenca e OSBE-së dënon me forcë këtë akt të dhunshëm. Sulmet kundër gjyqtarëve janë sulme të drejtpërdrejta ndaj shtetit të së drejtës dhe institucioneve demokratike.
Ndërsa rrethanat e plota të sulmit janë ende nën hetim, ne mirëpresim arrestimin e shpejtë të autorit të dyshuar dhe theksojmë rëndësinë e garantimit të vendosjes së drejtësisë përmes një procesi ligjor të plotë e të shpejtë.
Prezenca solidarizohet me komunitetin gjyqësor të Shqipërisë dhe mbetet e përkushtuar të mbështesë përpjekjet që forcojnë sigurinë dhe pavarësinë e sistemit gjyqësor",- thuhet në reagim.
Foto: Gazment Bardhi
Kryetari i Grupit Parlament të PD Gazment Bardhi, ka reaguar pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja. Sipas tij ky akt shokues duhet të marrë dënim maksimal të parashikuar nga ligji.
Bardhi thekson gjithashtu se kjo është ngjarja më e rëndë në 35-vite demokraci, dhe se një gjyqtar në detyrë nuk mund të cënohet për shkak të ushtrimit të detyrës.
Postimi i plotë:
Tronditëse ngjarja e rëndë kriminale në Gjykatën e Apelit, ku mbeti i vrarë gjyqtari Astrit Kalaja. Ky akt i pashoq është prej atyre që të lënë pa fjalë.
Duke i shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes, komunitetit të gjyqtarëve dhe profesionistëve të drejtësisë, apeloj që autori i këtij akti shokues të marrë dënimin maksimal të parashikuar nga ligji.
Sot është dita për të theksuar me zë të lartë që vetëgjyqësia ndaj vendimeve gjyqësore, që ka nisur nga sulmet e hapura të Kryeministrit ndaj gjyqtarëve/prokurorëve për vendimet që nuk i pëlqejnë, nuk ka vend në një shoqëri demokratike. Nxitja për vetëgjyqësi është po aq e dënueshme sa edhe vrasja e një gjyqtari në krye të detyrës.
Ky është rasti i parë në historinë e 35 viteve ku një gjyqtar qëllohet në krye të detyrës vetëm se guxon të jap vendim sipas bindjes së tij dhe ligjit, për pasojë sot është dita për një reflektim të thellë nga e gjithë shoqëria shqiptare.
Kjo është ngjarja më e rëndë në 35 vite demokraci. Ministri i Drejtësisë Besfort Lamallari dhe Ministri i Brendshëm Albana Koçiu që janë titullarët e institucioneve që duhet të garantojnë sigurinë në gjykata duhet të japin urgjentisht dorëheqjen, si akt përgjegjshmërie për dështimin në garantimin e sigurisë së profesionistëve të drejtësisë në vendin e tyre të punës.
Një gjyqtar/prokuror në detyrë nuk mund të cënohet për shkak të ushtrimit të detyrës. Kjo do pamundësonte ushtrimin e lirë dhe pa frikë prej tyre të detyrës së shenjtë të dhënies së drejtësisë.
Të bëhemi të gjithë bashkë për të ndëshkuar maksimalisht këtë akt të rëndë që ky akt i paprecedentë të mos kthehet në normalitet.
Komente

PO E GJITHE POLITIKA E DENON AKTIN...POR JU TE POLITIKES I KINI MARRE PRONAT E JUAJA..,,,KURSE PRONAREVE ME TAPI I VIDHNI..NUK I KTHENI PRONEN QE JU TAKON,,,.I KERKONI PARA ,SI PUNA E KETIJ GJYQTARIT...DHE I LEGALIZONI ZAPTUESIT E PALIGJSHEM SI RASTI I KETIJ SHKEMBIT NE SHKODER...///
PërgjigjuJa keni pir gjakun njerezve....
Përgjigju