Ilaria Sula dhe Mark Samson

Bota

Vrasja e Ilaria Sulës, rezultatet e autopsisë ‘rrëzojnë’ pretendimet e Mark Samson: U rrah para se të vritej

15 Prill, 11:39| Përditesimi: 15 Prill, 16:53

  • Share

“Një hematomë e madhe, një plagë që i atribuohet një goditjeje të marrë në harkun e vetullës së majtë, si nga një grusht apo me ndonjë send (e para ka më shumë gjasa)... një goditje tjetër në sy, një në buzë me një lloj plage dhe gërvishtje të vogla në qafë, jo nga mbytja, por sikur një goditje me thikë, plus katër plagë në qafë, plus katër të tjera. Ajo gjithashtu kishte shenja në parakrahun e saj të djathtë dhe mbi të gjitha një thua të thyer në dorën e majtë, në përputhje me një përpjekje për të mbrojtur veten.”

Gënjeshtrat e Markut

Në fund të kësaj liste të gjatë të të dhënave të para të autopsisë, prokurorja Maria Perna i drejton Mark Samsonit pyetjen që mund të rishkruajë të gjithë dinamikën e vrasjes së Ilaria Sulës, shumë përtej gënjeshtrave dhe provave në këtë kuptim që kanë dalë tashmë nga hetimet e Skuadrës Fluturuese: “A ju kujtohet nëse ka pasur një agresion, qoftë edhe të ndërsjellë, para plagëve me thikë që i keni shkaktuar në qafë? Krimineli i rrëfyer siguron se nuk e ka bërë, por edhe një herë jep një shpjegim shumë të pabesueshëm: “Ndoshta kur është rrëzuar.”

Dyshimet për të cilat është folur kaq shumë, mbi faktin që 22-vjeçarja kishte shkuar në shtëpinë e ish-it për t’i kthyer rrobat dhe kishte qëndruar për të fjetur atje, përpara se të goditej teksa priste mëngjesin në shtrat, janë të gjitha këtu, në këtë pasazh që përforcon skenarin alternativ. Hetimet e koordinuara nga prokurori i shtuar Giuseppe Cascini po mbledhin dëshmitë e reja: Ilaria kishte shkuar në via Homs për t’i kërkuar Markut se si ishte lejuar të hynte në kompjuterin e saj. Prej kësaj mund të ketë lindur një konflikt, në të cilin studentja e Sapienzas u vra me siguri mbrëmjen e 25 marsit dhe jo në mëngjesin e 26 marsit, siç pretendon Samson.

Ai gënjeu për kolegjin

23-vjeçari thotë se kishte humbur toruan për shkak të mesazheve eksplicite që Ilaria shkëmbente me një djalë tjetër dhe që ajo ia kishte treguar pa ndonjë problem, derisa më pas ia kishte rrëmbyer telefonin nga dora kur pa që ai po bëhej nervoz. Por Samson kishte gënjyer edhe më parë lidhur me rrugëtimin e tij universitar, duke ia fshehur Ilarias që kishte ndërmend të braktiste studimet në Arkitekturë, ku kishte dhënë vetëm një provim në tre vjet – gjë që kishte ndikuar edhe në vendimin e saj për t’i dhënë fund lidhjes.

'Lufta'

Por nuk mbaron këtu, sepse duke rindërtuar ato momente të supozuara tensioni, Marku, në të njëjtin seancë të marrjes në pyetje për konfirmimin e arrestit para gjykatësit hetues, tregohet i rezervuar edhe për një aspekt tjetër që do të rëndonte edhe më shumë kuadrin tashmë të rëndë të akuzave. “Keni pasur marrëdhënie seksuale?”, i kërkohet, dhe ai nuk përgjigjet. Prokurori përpiqet të anashkalojë heshtjen e tij, duke hetuar tentativën e tij të mundshme për ta marrë me forcë: “Nëse është e vërtetë që ajo ka fjetur te ti atë natë, pse nuk do të përgjigjesh për çështjen e marrëdhënies seksuale?” E paralajmëron gjithashtu se ky fakt do të dalë sidoqoftë nga autopsia, por ai përsërit se ka thënë të vërtetën. Pika tjetër për të cilën ka zgjedhur të heshtë është prania në shtëpi e nënës së tij, por kjo gënjeshtër tashmë është rrëzuar pasi gruaja ka pranuar se e ka ndihmuar të pastrojë vendin. 

Marc Samson në dëshminë e tij, ka thënë se e ka goditur Ilarian dy herë me thikë pas shpine e më pas ajo ra në tokë e vdekur, skenë e ndodhur në momentin që prindërit e tij ndodheshin gjithashtu në shtëpi. “Nuk bërtiti shumë. E godita dy herë me thikë nga pas dhe ajo nuk ndjeu thuajse asgjë. Ajo vdiq menjëherë. U gjenda në dhomën time me trupin e Ilarias të shtrirë në tokë. E futa në dy thasë që kisha në kuzhinë. Dalëngadalë po kuptoja çfarë kisha bërë. Aty mu kujtua një frazë që gjyshi im ma tha përpara se të vdiste. Për çdo gjë ka një zgjidhje, përveç vdekjes. E kontrollova disa herë nëse Ilaria ishte gjallë, por jo, ajo kishte vdekur. Trupin e saj e futa në një çantë, por zinte vetëm gjysmën. Më pas gjeta një valixhe më të madhe, e cila e zinte të tërën”, tha Samson./Corriere della Sera

Xh.D/S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni tonet e përdorura deri më tani në fushatën e 11 majit?