Vrasja e ndërtuesit në Vlorë, Report Tv siguron VIDEO-n! Si nisi sherri mes djalit të anëtares së KLP-së dhe inxhinierit (PAMJE TË RËNDA)

8 Gusht 2023, 16:13| Përditesimi: 8 Gusht 2023, 17:06

  • Share

VLORË- Një pronë u bë shkak i vrasjes së 55-vjeçarit Armando Meshau në Vlorë, inxhinierit që u dhunua për vdekje nga Rei Meta, djali i anëtares së KLP-së Nurihan Meta.  Report Tv ka siguruar videon ekskluzive të ngjarjes tronditëse që ndodhi mesditën e së hënës (7 gusht) në lagjen ‘Hajro Cakërri’ në Vlorë. Siç duket nga sekuencat mjaft të rënda, mjaftoi vetëm 1 minutë e 9 sekonda që Armando Meshau të dergjej i vdekur në karrigen e një qendre interneti, pas u dhunua për vdekje nga Rei Meta.

Çdo gjë nisi për një pronë që Rei Meta e donte me patjetër, ndërsa Armando Meshau pretendonte se nuk kishte asnjë detyrim ndaj tij. Ishte ky konflikt i pazgjidhur, që e çoi Rein Metën në sallën e internetit duke i qëndruar shumë pranë viktimës ku debatuan me tone shumë të larta.

Nga dëshmitë e para të dala nga punonjësit e kinkalerisë/qendrës së internetit por edhe nga policia thuhet se Rei Meta nuk i është larguar nga karrigia viktimës derisa të merrte aprovimin se prona do të ishte i tij.

Mes sharjeve dhe fyerjeve me njëri-tjetrin, 55-vjeçari çohet dhe e godet me grusht, kaq mjaftoi që Rei Meta t’i kthehej dhe ta godiste më shumë se 7 herë me grusht në fytyrë duke e lënë të vdekur.

Por edhe pse tashmë është bërë e qartë dinamika e ngjarjes dhe janë siguruar pamjet filmike, është ende e paqartë sesi ka ndërruar jetë 55-vjeçari. Dyshimet e para janë se Rei Meta duke e qëlluar me grusht disa herë në fytyrë mund t’i ketë prekur ndonjë nerv, sidoqoftë pa patur një raport mjeko-ligjor është e vështirë të përcaktohet fiks se çfarë e shkaktoi vdekjen ndërtuesit.

Nga ana tjetër, ende nuk dimë nëse 55-vjeçari vuante nga ndonjë sëmundje kronike gjë që mund të ketë ndikuar në vdekjen e tij.

Kujtojmë se vrasja ndodhi ditën e djeshme në një sallë interneti në Vlorë. Shkak i sherrit u bë borxhi për një pronë, që Rei Meta pretendonte ndaj Armando Meshaut. Dyshohet se Rei Meta shpesh luante rolin e sekserit për çështje të pronave në qytetin e Vlorës dhe influencën e tij e shtrinte duke përdorur emrin e së ëmës, Nurihan Seiti, prej vitesh anëtare Këshilli të Lartë të Prokurorisë. Ditën e sotme para hetuesve, 33-vjeçari u shpreh se nuk kishte qëllim ta vriste Armando Meshaun.

G.MO/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?