Drejt Shkëlzen Velajt i cili u ekzekutua të mërkurën në mbrëmje në derë të shtëpisë në Vlorë është qëlluar me mbi 40 plumba. Nga kati i 4, ekzekutori ka zbrazur breshëri kallashi drejt 43 vjeçarit i cili ishte në katin e 5 në derën e shtëpisë ku thërriste të ëmën që t'ia hapte derën dhe t'u shpëtonte personave që po e ndiqnin me makinë.
Report Tv mëson se ekzekutori i cili ka qëlluar drejt Velajt mbante maskë antiCOVID e kapele, ndërsa dyshohet se është ndihmuar edhe nga 2 personja të tjerë. Ata e kanë pritur Velajn pranë banesës derisa ka ardhur. Në makinën e djegur të autorëve u gjetën 2 kallashnikovë. Pas ngjarjes RENEA dhe FNSH kanë kryer disa kontrolle në Selenicë dhe Vlorë, por deri tani asnjë rezultat.
Si ndodhi ngjarja? 43 vjeçari ka qenë duke shkuar në shtëpi kur ka vënë re se po ndiqej nga një makinë e dyshimtë. Kjo ka bërë që ai të ndihej i rrezikuar për jetën e tij, pasi nuk ka fikur as makinën, por e ka lënë atë ndezur dhe ka ikur me vrap për t'u futur sa më shpejt në banesë. Aty ka trokitur në derë dhe i ka thirrur të ëmës që t'i hapë derën. Por edhe 2 autorët e kanë ndjekur nga pas dhe e kanë qëlluar. Pas ngjarjes 2 autorët janë larguar në drejtim të rrugës së lumit të Vlorë dhe në afërsi të fshatit Risili kanë braktisur makinën tip BMË pa targa të cilën e kanë djegur. Në lidhje me ngjarjen janë shoqëruar disa persona. Shkëlzen Velaj dukej se i ruhej një atentati të mundshëm, pasi në shtëpinë e tij kishte vënë kamera sigurie të cilat kanë kapur dhe momentin kur ai është ekzekutuar. Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë dhe përmes tyre pritet të zbardhë edhe ngjarjen e rëndë.
Shkëlzen Velaj nuk ishte me precedentë penal, ndërsa në familjen e tij nuk është viktima e parë pasi në 2015-n i vranë të vëllanë Ardi Velaj në "Masakrën e Çoles". Pista e hetimit të vrasjes së 43-vjeçarit është fokusuar pikërisht te hakmarrja për vrasjet seri që kanë nisur nga kjo masakër.