Dy të rinjtë, 19 dhe 20 vjeç të cilët publikonin në rrjetet sociale foto me kallashnikovë në duar, u lanë në burg nga Gjykata e Durrësit, pasi policia i kapi me bazë armatimesh në Shkallnur. Hekuran Troplini dhe Emiljano Pasho ranë në kurthin e një blerje të simuluar nga policia ndërsa shihen duke vrapuar nëpër këto toka për ti shpëtuar arrestimit.
Të rinjtë i reklamonin armët në rrjete sociale dhe nuk i preknin armët pa doreza apo mbulesë për të mos lënë gjurmë, ndërsa për ti dërguar tek blerësin i merrnin të çmontuar, duke u hequr shulin për të mos u arrestuar nëse kapeshin nga policia për armëmbajtje pa leje. Pjesa tjetër e armës i dërgohej blerësit në një moment tjetër.
Dy ditë më pas, në Sukth zbulohet një tjetër bazë armësh për shitje tek grupet kriminale. Kallshnikovë, dylbi snajperi, municione të kalibrave të ndryshëm duke arrestuar pronarin e banesës Adem Salillari. Dyshohet se dy bazat në Shkallnur dhe Sukth ishin të lidhura.
Shfaqet një tjetër nivel i krimit në vend, ku tashmë ata kanë depot e armatimit nga ku sigurojnë të gjithë logjistikën për të kryer vrasje të sakta. Më herët një bazë u zbulua në Vlorë, ku u arrestua Luçiano (Albano) Deraj.
Ndryshe nga Durrësi armët në Vlorë ishin më të sofistikuara, ku përveç kallashnikovëve, e municioneve, dylbive ditë e natë për këqyrjen e shënjestrës, kërkesat e krimit ishin për me precizion të saktë, snajpera silenciatorë e pistoleta stilolaps apo edhe logjistikë tjetër si targa të vjedhura, mina, radio për të gjurmuar Drejtorinë e Policisë së Vlorës, fenelina policie, maska silikoni në formën e kokës së njeriut. Snajperi i sekuestruar dyshohet se u përdor për vrasjen e Gëzim Sinomatit nga ballkoni i shtëpisë ku kishte dalë për të pirë cigare.
4 të arrestuar për 3 depo armatimesh vetëm në një javë, që kanë kyçur se kush fshihet pas këtij mirë organizimi për të furnizuar krimin. Vetë ministri i Brendshëm Taulant Balla tha se goditja e rrjeteve të tilla që furnizojnë grupet kriminale, është detyra kryesore e bluve.