Politikë

‘Zegjineja në majë të Thanës’, Berisha mbledh shtabin e Vlorës dhe i përgjigjet kandidates së PS që e quajti 'baba-bufi': A popullarizohet ajo pisketë, që ça s’thotë nga goja? Rama si diktator

3 Maj, 22:39| Përditesimi: 3 Maj, 22:55

  • Share

Vlorë- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, pas mitingut elektoral në qytetin e Vlorës, ka mbledhur shtabin e qarkut në një takim, ku mbajti fjalim, duke iu përgjigjur edhe Zegjine Çaushit, kandidates së PS në Fier, e cila minuta më parë kishte ironizuar edhe Gazment Bardhin për pjesëmarrjen e pakët në tubimin e qytetit myzeqar, kurse kreun e selisë blu e quajti "baba-bufi".

Ai e cilësoi atë si “Zegjineja e Roskovecit, që ça nuk i thotë goja”. Dhe për këtë akuzoi kryesocialistin Edi Rama që e popullarizon dhe nuk lë kandidatët që të përballen në debate publike, pasi është diktator.

“Ne, kemi një program të shkëlqyer. Unë e thashë dhe në Fier. Më thoshte një demokrat: si t’ja bëj, unë jam martuar këtu në Fier? Po këta, njerëzit gruas thonë, nuk votojmë ne për demokratët, dhe më thuaj pak çfarë t’u them, pse të na votojmë? Dhe unë u fola në shesh për këtë. Në kemi programin. Programi është për të gjithë, nuk është për ne. Programi ynë është për çdo pensionistë, programi ynë është për çdo biznesmen, për çdo fermer, për çdo prind, për çdo nënë, për çdo motër. Është program që krijon një epokë të re. Ndan Shqipërinë nga një diktaturë”, tha Berisha, duke nxjerrë padashje edhe faktin se jo më kot Fieri cilësohet “hambari i votave” për PS-në.

Kreu i PD-së nuk la jashtë vëmendjes edhe sjelljen e kryeministrit, që sipas tij merr me vete në fushatë edhe reperin Noizy-n me “Lamorghini”.

“Ky tani, çfarë bën? Bën një fushatë më përçmuese për qytetarët. Një, kjo. Është një fushatë, me të cilën ky, përpiqet që të zhvlerësojë programin në hapësirën komunikative. Është programi me premtime në njërën anë, janë batutat, janë banalitetet e tij në anën tjetër. Dhe kjo është e njohur, nuk është se nuk është e njohur. Dhe ai, me këto mendon se, duke nxjerrë këtë Noizin, dhe thoshte: ja, ka Lamborghini. Me gjëra të tilla mendojnë se, mund të largojnë mendjen e njerëzve dhe të thotë: politika kështu është, kështu e kanë dhe këto zgjedhje, nuk ka rëndësi. E ka këtë gjë”, nënvizoi ai.

Dhe nga reperi Noizy (Rigels Rajku) kaloi te Zegjineja, e cila vetëm pak minuta më herët kishte bërë një video-postim ironizues, duke e cilësuar edhe Berishën si ‘bababufi’:

“Ne do të insistojmë te programi, se rruga e ndershme, rruga serioze, rruga qytetare, është programi.
Kërkoni prapë debat, por nuk i lë ai kandidatët e vet, se ai është diktator. Nuk i le të vijnë në debat me ju, dhe kë popullarizon? Zegjinenë. Zegjine quhet ajo e Roskovecit? Popullarizohet ajo pisketë, që çfarë thotë ajo? O gango. Që fare mirë mund t’i thuash: Zegjineja në majë të Thanës, por nuk hyjmë në ato fjalë ne, po ne kemi programin”, vijoi kryetari i PD-së.

Më tej Berisha akuzoi Ramën për varfërimin e vendit, shpopullimin, vjedhjet, ndërtimet e rrugëve me kosto 10 herë më të lartë, braktisjen e fermerëve, taksat, rrogat dhe pensionet, teksa theksoi se duhej fushatë derë më derë me qytetarët.

A.Q/E.H/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Zgjedhjet e 11 majit, a e keni vendosur për cilën parti do votoni?