Misioni i OSBE-ODIHR ka vlerësuar si transparente zgjedhjet parlamentare të 11 majit në Shqipëri, pavarësisht klimës së thellë të polarizimit politik. Në konferencën për shtyp, vëzhguesit e OSBE-ODIHR prezantuan përfundimet paraprake për procesin zgjedhor në Shqipëri, ku theksuan se qytetarët treguan përkushtim ndaj demokracisë.
"Populli shqiptar tregoi angazhim të fortë ndaj demokracisë. Ata dolën, morën pjesë dhe bënë që zëri i tyre të dëgjohet. Që nga votuesit që votuan për herë të parë, deri tek votuesit nga jashtë shtetit, deri tek vëzhguesit, ata janë zemra e këtij procesi demokratik. Zgjedhjet e 2025, ishin konkurruese dhe u zhvilluan në mënyrë profesionale, ndodhën në një klimë tejet të polarizuar. Kandidatët përgjithësisht patën mundësi të zhvillonin fushatë të lirë, edhe pse disa raportuan përballje me intimidim", tha përfaqësuesja e OSBE-ODIHR.
OSBE-ODIHR vlerëson se zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 ishin konkurruese dhe u zhvilluan në mënyrë profesionale, por u mbajtën në një klimë të thellë polarizimi, ndërsa kandidatët nuk gëzuan kushte të barabarta gare. Megjithatë, kandidatët përgjithësisht patën mundësi të zhvillonin fushatë të lirë, edhe pse disa raportuan përballje me intimidim. OSBE-ODIHRthotë se administrata zgjedhore e menaxhoi procesin në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente.
Votën e diasporës për herë të parë në Shqipëri, OSBE-ODIHR e sheh si një gur themeli. Misioni i OSBE-ODIHR thotë se votimi nga jashtë vendit, i zbatuar për herë të parë në këto zgjedhje, u menaxhua mirë, pavarësisht marrëveshjes së vonshme politike dhe disa problematikave organizative.
“Vlerësoj përfshirjen e votës nga diaspora që shënon gur themeli në historinë demokratike të Shqipërisë së treti ka ende nevojë për progres për forcimin e besimit të publikut. Ne do të përgatisim raporton tonë dhe do ta prezantojmë këtë raport në asamblenë parlamentare të KiE në qershor”, tha një tjetër vëzhgues i OSBE-ODIHR.
Sipas OSBE-ODIHR, mekanizmi i ri i bashkëpunimit ndërinstitucional për të hetuar dhe ndjekur penalisht krimet zgjedhore u vlerësua pozitivisht, por është e nevojshme vazhdimi për të adresuar shqetësimet e vazhdueshme për keqpërdorime zgjedhore.
Ndërkohë, OSBE-ODIHRvuri në dukje rolin pozitiv të SPAK, i cili kontribuoi ndjeshëm në hetimin e rasteve të korrupsionit zgjedhor.
“SPAK luajti një rol pozitiv në hetimin e korrupsionit zgjedhor, ndërsa mekanizmi i ri i bashkëpunimit ndërmjet SPAK, KQZ dhe Prokurorisë së Përgjithshme u vlerësua për përmirësimin e ndarjes së informacionit mbi krimet zgjedhore dhe efektin parandalues”, tha një vëzhgues i OSBE-ODHIR.
Dita e votimit ishte përgjithësisht e qetë dhe e organizuar mirë, por u shënuan shpesh shkelje të procedurave dhe pati një numër incidentesh të intimidimit dhe ndikimit mbi votuesit, si dhe disa mangësi procedurale dhe të transparencës në numërimin e votave. Në përgjithësi, OSBE-ODIHR vlerëson se "përgatitjet teknike për zgjedhjet u realizuan në mënyrë efikase, transparente dhe sipas procedurave të përcaktuara, nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ)."
"Partia në pushtet përfitoi nga përdorimi i burimeve shtetërore dhe ndikimi institucional, përfshirë faljen e një numri të madh gjobash të njoftuara pak para ditës së zgjedhjeve. Zyrtarë të lartë shtetërorë u përfshinë në një numër të madh aktivitetesh zyrtare që shpesh përputheshin me mesazhet e fushatës, duke krijuar një paqartësi mes shtetit dhe partisë", thuhet në raport.
Pjesëmarrja politike e grave është rritur vitet e fundit, por përparimi i tyre vazhdon të pengohet nga barrierat strukturore të thella, veçanërisht për shkak të mungesës së demokracisë së brendshme në parti dhe qasjes së kufizuar në pozita drejtuese.
"Ndërsa gratë aktualisht mbajnë gjysmën e posteve ministrore, ato përfaqësohen vetëm me 36 për qind të vendeve në parlament dhe janë të nën-përfaqësuara në organet zgjedhore kryesore, duke përbërë vetëm tre nga 12 anëtarët e KQZ-së dhe 31 për qind të anëtarëve të Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor (KZAZ), me pak gra në pozita drejtuese. Në total, 38.5 për qind e kandidatëve të regjistruar ishin gra, çka plotëson kërkesën prej 30 për qind të kuotës gjinore, por tregon nevojën për vullnet më të madh politik për të nxitur pjesëmarrjen e grave", thuhet në raport.
Votimi elektronik në përgjithësi u zhvillua pa pengesa, megjithatë shumë votues dukeshin të papërshtatur me këtë proces dhe disa anëtarë të komisioneve zgjedhore nuk ishin të trajnuar në mënyrë të përshtatshme ose nuk kishin qartësi mbi rolet e tyre.
Më tej thuhet se "fushata në rrjetet sociale nuk ishte e rregulluar dhe nuk ishte caktuar asnjë autoritet për ta monitoruar atë. Pavarësisht se shumica e partive politike nënshkruan një Kod Sjelljeje mbi Fushatat Dixhitale, disa konkurrentë shpërndanë përmbajtje përçarëse ose manipuluese, ndërsa llogaritë e palëve të treta thuhet se përdorën sjellje të koordinuara joautentike në platformat online për të amplifikuar sulmet kundër opozitës. Garuesit përdorën në mënyrë aktive Facebook-un dhe Instagram-in."
Në raport thuhet se, "ndërsa disa rekomandime të ODIHR dhe të Komisionit të Venecias të Këshillit të Europës janë marrë parasysh, shumica e rekomandimeve afatgjata, përfshirë ato mbi përbërjen e komisioneve zgjedhore lokale, raportimin e përkohshëm të financave të fushatës dhe dispozitat për një ambient mediatik të favorshëm (duke përfshirë heqjen e përgjegjësisë penale për shpifje), nuk janë adresuar ende, duke treguar mungesë vullneti politik për reforma gjithëpërfshirëse".
(Kliko këtu) Për të lexuar raportin e plotë për zgjedhjet të 11 majit të OSBE-ODIHR në anglisht
Michael Gahler, vëzhgues i OSBE-ODIHR në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit komentoi edhe pjesëmarrjen në zgjedhje, 42.21%. Ai tha se është shqetësuese që 58 përqind nuk ushtruan të drejtën e votës.
“Ajo që është shqetësuese është 58 përqind që nuk votuan. Të gjithë aktorët, jo vetëm politikë pore edhe shoqëria civile dhe media duhet të adresojnë këtë çështje. Më shumë se gjysma e njerëzve nuk e shfrytëzojnë këtë mundësi atëherë është diçka gabim. Ftesa jonë në të gjitha funksionet tona do të thosha se vullneti ekziston për të qenë mbështetës. Herën tjetër shpresoj të ketë më shumë pjesëmarrje dhe besim.”, tha ai.
Lamberto Zannier, shefi i misionit të OSBE-ODIHR dha një mesazh për partitë politike.
"Mënyra se si ne operojmë është që ne nuk bëjmë një vlerësim të përgjithshëm në raport me standardet ndërkombëtare. Shohim aspekte të ndryshme të zgjedhjeve, si u zhvillua fushata, rolin e medias, ju do ta shihini që nuk është një situatë bardh e zi, ka disa hije, nuanca, ka fusha ku standardet janë më të larta, ka fusha që ka nevojë për përmirësim. Kjo sa i përket standardeve. Këshilla për partitë politike, është kjo, që të angazhohen në mirëbesim, ajo çfarë unë shoh kur vi në Shqipëri, në momentin që flet në politikë ka një lloj polarizimi shumë të fortë. Është e rëndësishme që në një moment të distancohesh pak, të pranosh, pak...edhe në media pashë mungesë debatesh mes kandidatëve, që në fund përkthehet në informacion të pamjaftueshëm për zgjedhësit. Kontribuon për një klimë më të mirë", tha Zannier.
Kreu i Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të ODIHR-it, ambasadori Lamberto Zannier, Lamberto Zannier tha në konferencën për mediat se disa rekomandime të ODIHR mbeten ende të paadresuara. Zannier u shpreh se pavarësisht ndryshimeve në sistem, ende nuk ka një reformë elektorale gjithëpërfshirëse.
“Pavarësisht ndryshimeve në sistem, rekomandimet e mëparshme të ODIHR mbeten të paadresuara. Ende nuk ka pasur një reformë elektorale gjithëpërfshirëse. Ne pamë se përgatitjet për zgjedhjet efiçente përgjithësisht dhe të menaxhuara mirë. Patëm bashkëpunim të mirë me KQZ, administrata zgjedhore ishte transparente në përputhje përgjithësisht me afatet ligjore. Në ditën e zgjedhjeve kishte zgjedhës të pafamiljarizuar që s’e dinin se si të votonin në disa qendra votimi. Trajnimi i komisionerëve mund të ishte më eficent dhe efikas. Për votimin elektronik, në disa qendra tregojnë nevojën për përmirësimin e informimit të zgjedhësve për përdorimin e këtyre zgjedhjeve. Vëzhguesit tanë mundësi të shihnin disa aktivitete zgjedhore.”, theksoi Zannier.
Fushatën e vlerësoi në përgjithësi të qetë por shtoi se ka pasur vazhdimisht sulme mes drejtuesve kryesorë. Ngriti shqetësimin për përdorimin e administratës publike, duke çuar në kushte të pabarabarta garimi. Duke u ndalur te fushata online, Zannier tha se mbetet e parregulluar. Përmendi edhe financimin e fushatës.
"Fushata përgjithësisht ishte e qetë por pati vazhdimisht sulme mes drejtuesve kryesorë që reflektojnë mjedisin politik. Rol të rëndësishëm është edhe ndërveprimi me popullatën lokale. Kemi dëgjuar vazhdimisht shqetësime për presion të nëpunësve dhe përdorim të burimeve që u pa edhe nga vëzhguesit në shumë raste apo falja e gjobave. Këto praktika i dhanë një avantazh të padrejtë partisë në pushtet duke çuar në kushte të pabarabarta garimi. Kemi marrë disa shqetësime për disa shkelje. SPAK ngriti një task forcë për hetimin e krimeve si edhe platformën online për raportimin nga publiku, kjo përfshin edhe mundësinë që prokurorët dhe hetuesit të bashkëpunojnë me autoritetet lokale. Fushata në rrjete sociale mbetet e parregulluar. Pikëpamjet e amplifikuara në rrjete sociale ishin të dukshme dhe nuk pati autoritet për të manipuluar përmbajtjen politike online. Na u ankuan për mbylljen e TikTok para zgjedhjeve. Financimi i fushatës mbetet sfidë e rëndësishme, nga 2020 ka pasur ndryshime të kufizuara lidhur me rregullat e financimit të fushatës. Pozitive është që KQZ e shpërndau në kohë fondet publike.”, u shpreh Zannier.
Ai përmendi gjithashtu incidentet gjatë votimit.
“Dita e zgjedhjeve ishte e qetë dhe transparente vëzhguesit panë se votimi në përgjithësi ishte i rregullt. Procedurat nuk u ndoqën si duhet dhe kjo çoi në disa vlerësime më negative. Pati një numër indicentesh intimidimi të vëzhguesit të partive, dhe pretendime për shitblerje vote. Aksesueshmëria për personat me aftësi të kufizuara mbetet problem. Transmetimi i të dhënave dhe rezultateve u anulua dhe pati vonesa në dërgimin e votave nga jashtë. Zyra e OSBE do të vazhdojë deri në 22 maj për të ndjekur dhe procesin e apelimeve dhe ankimimeve. Raporti përfundimtar pas disa muajsh.”
Misioni i OSBE-ODHIR mbajti këtë të hënë një konferencë për shtyp në lidhje me zgedhjet e 11 majit.
“Legjislacioni zgjedhor dhe interpretimi i tij i ngushtë nga administrata nuk parandaloi abuzimin. Krijoi autocensurë. Dy partitë kryesore ishin ato që dominuan mbulimin e gazetarëve. Pati edhe mungesë të autoritetit për të monitoruar fushatën zgjedhore online. Mekanizmi i ri ndërinstitucional për të ndaluar krimet zgjedhore është një zhvillim që mirëpritet, por është e nevojshme të ketë persistenë në ndalimin e praktikave abuzive. Pati mosrespektin të proceduarve, intimidim. Këto janë pikat kryesore. Më lejoni të flas më tej për disa gjetje dhe konkluzione të tjera. Një ditë shumë pak para datës së zgjedhjeve, u falën gjobat, vendim i 2024 dhe të tjera vendime afër zgjedhjeve.Fushata u fokusua në sulme armiqësore dhe personale, sidomos nga drejtuesit e dy partive kryesore në vend, jo debatin e ideve”,- tha ndër të tjera përfaqësuesja e OSBE.
Koordinatorja Speciale të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së për zgjedhjet në Shqipëri, Farah Karimi, në konferencën për shtyp, vlerësuan rolin e SPAK për krimet zgjedhore. Ajo tha se ka pasur një efekt frenimi.
“SPAK luajti rol pozitiv në hetimin e korrupsionit zgjedhor, ashtu edhe mekanizmi i ri koordinues që mundësuan shkëmbim më të mirë informacioni lidhur me krimet zgjedhore. Megjithatë u pa se pati një efekt të mundshëm frenimi. Me lejoni që të siguroj se do të vazhdojmë të punojmë ngushtësisht me parlamentin dhe forcat politike për interes të popullit shqiptar.” , u shpreh ajo.
Komente
