Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, i cili u shpall fitues si deputet në dy qarqet Durrës dhe Vlorë, ka zgjedhur që të mbajë mandatin e deputetit në qytetin e Durrësit.
Teuta Ramaj është deputetja e cila do të marrë mandatin në qytetin e Vlorës, pasi ishte renditur e 9 në listën e kandidatëve në këtë qark.
Sakaq më herët kryetarja e LSI Monika Kryemadhi ka pranuar mandatin e deputetes në Fier, ku kryesonte listën më 25 prill, duke "djegur" kështu Kejdi Mehmetajn që ishte renditur e dyta në këtë qark, ndërsa i ka lënë mandatin e Tiranës Petrit Vasilit.
Për zgjedhjet e 25 prillit ka përfunduar i gjithë procesi ankimor nga partitë politike dhe pritet certifikimi nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve.
Partia Socialiste nga zgjedhjet e 25 prillit doli forcë e parë duke fituar 74 mandate deputetësh. Pas Partisë Socialiste e dyta forcë politike më e madhe në vend u rendit Partia Demokratike me 59 mandate. Lëvizja Socialiste për Integrim mori gjithsej 4 mandate deputetësh, ndërkohë që Partia Social-Demokrate fitoi 3 mandate.
Përgjigja e dërguar në KQZ nga kryeministri Edi Rama
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pasi zgjodhi që të marrë mandatin e deputetit në qytetin e Durrësit, duke hequr dorë nga Vlora pas 8 vitesh. Kreu i qeverisë thotë se Vlora është dhe do të jetë deri në fund në zemrën e tij. Rama thekson po ashtu se Durrësi është vendi ku mandati i tretë do të sjellë një hop të ri, jo vetëm për atë qytet, por për krejt vendin.
‘Vlora ishte, është dhe do jetë deri në fund në zemrën time, kështu që me mandat pa mandat, unë nga Vlora nuk ndahem as sot as mot, ndërkohë në mendjen time Durrësi është vendi ku Mandati i Tretë duhet të sjellë një hop të ri, jo vetëm për atë qytet po për krejt! Shqipëria 2030.’- shkruan Rama.
Kryetarja e LSI Monika Kryemadhi ka pranuar mandatin e deputetes në Fier, ku kryesonte listën më 25 prill, duke "djegur" kështu Kejdi Mehmetajn që ishte renditur e dyta në këtë qark, ndërsa i ka lënë mandatin e Tiranës Petrit Vasilit. Vasili ishte renditur i 3 në listë dhe nuk arriti të fitonte mandat, ndërsa rezulton kandidati më pak i votuar me 362 vota.
Kryemadhi në 25 prill kandidoi në 3 qarqe, në Tiranë, Fier, Elbasan, në të treja qarqet e para në listë, por mandat mori vetëm në 2 prej tyre. Duke qenë se Kryemadhi kishte mundësi të zgjidhte mes mandatit të Tiranës dhe të Fierit, me zgjedhjen e saj do ti jepte shansin të futej në Kuvend Kejdi Mehmetajt ose Petrit Vasilit, dhe zgjodhi këtë të fundit.
Gjithsej LSI në zgjedhje mori 4 mandate. Në Fier një mandat Monika Kryemadhi, në Tiranë 2 mandate, të parin e kishte Kryemadhi(por që e pasoi te Vasili) të dytin Erisa Xhixho. Ndërsa në Shkodër mandatin e 4 të LSI e fitoi Agron Çela. Në Korçë dhe Berat LSI e humbi mandatin për pak vota.