Kronikë

Zjarret gjunjëzuan edhe Vlorën këtë verë, Kapaj për Report Tv: Të qëllimshme, shumica për hapje kullotash! Dëme më të mëdha se vjet

19 Gusht, 14:55| Përditesimi: 19 Gusht, 15:17

  • Share

Vlora është një nga zonat më të prekura nga zjarret gjatë verës.

Temperaturat e larta dhe erërat e forta kanë favorizuar përhapjen e disa vatrave zjarri në territorin e bashkisë. Zjarret kanë përfshirë sipërfaqe të gjera pyjore dhe toka me bimësi të dendur, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në mjedis dhe në disa raste edhe në pronat private të banorëve.

Shefi i shërbimit zjarrfikës, Luan Kapaj, ka theksuar edhe problematikat gjatë kësaj vere në territorin e bashkisë, ku zjarri më i madh u shënua në zonën e Dukatit, por edhe në Shashicë e Tragjas, ku dëmet ishin të konsiderueshme, teksa veç forcave zjarrfikëse është dashur edhe ndërhyrje nga ajri dhe nga forcat e armatosura në terren.

Problematika sipas Kapaj lidhet me faktin se zjarret janë të qëllimshme për hapje kullote, duke sjellë më pas edhe një përhapje të tyre, duke shkaktuar dëme.

“Kjo periudhë përkon me temperaturat e larta, sidomos këtë vit ka qenë më nxehtë dhe për pasojë pati shumë vatra zjarri të rrezikshme, kryesisht në Bashkinë Vlorë, që ka marrë përmasa të mëdha e kanë dalë jashtë kontrollit. Mes tyre në Dukat apo në Shashicë, ku pati edhe dëme dhe përmasa të mëdha zjarri. Krahasuar me vitet e kaluara janë djegur sipërfaqe më të mëdha me bimësi, pyje e shkurre, po për fat të mirë jo në gjë të gjallë e njerëz. Mendojmë se zjarret në këto raste që përmenda janë zjarre të qëllimshme, edhe nga hetimi i vatrës kryesore ku ranë flakët dhe shkak i vendosjes mendojmë se ka qenë hapja e kullotave të reja”, tha Kapaj.

Ai shpjegoi edhe rreziqet dhe vështirësitë e situatës.

“Ajo në Dukat ishte më e vështirë sepse mori 20 ditë, por edhe ajo e Shashicës që rrezikoi përhapjen edhe në Kaninë, duke rrezikuar banesa dhe bagëti, ku u desh edhe angazhimi i Ushtrisë me mjete ajrore dhe tokësore, duke e lokalizuar dhe shuar”.

Nuk mungoi edhe një apel drejtuar qytetarëve, pasi për çdo situatë duhet kujdes maksimal:

“U bëj apel kujtdo që të mos ndezi zjarre dhe të bëjnë kujdes, pasi zjarri mund të marrë përmasa e të dalë jashtë kontrolli si në rastet që përmenda. Madje të informojnë dhe denoncojnë për çdo situatë të parregullt që hasin".

Një tjetër situatë shqetësuese mbeten edhe zjarret në banesa, ku vetëm në ditët e fundit janë regjistruar disa të tilla. Zjarre që kryesisht shkaktohen nga pakujdesia, por duke rrezikuar jo vetëm dëme në banesa, por edhe jetën e banorëve.

"Kurse për zjarret në banesa ditët e fundit në Vlorë mund të themi se shkaktohen kryesisht nga pakujdesia dhe harrimi ndezur i pajisjeve, kryesisht nga persona të moshës së tretë apo të thyer, ndaj të kenë kujdes”, vijoi Kapaj.

Situata aktualisht mbetet nën monitorim për vetë periudhën me temperatura të larta, ndërsa nga institucionet do të ketë edhe një verifikim të dëmeve të shkaktuara nga zjarret.

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se takimet e Trump me Putin e Zelenskyn do sjellin paqen në Ukrainë?