Kronikë

Zjarret shkrumbojnë 56 ha me pyje e ullishte, Vlora më e prekura! Digjet tregu në Durrës, prefekti: S’kishte kushte teknike

30 Qershor, 10:16| Përditesimi: 30 Qershor, 14:33

  • Share

Vendi u përball gjatë fundjavës me një situatë kritike për shkak të zjarreve. Në Durrës, flakët shkatërruan një ditë më parë tregun industrial në zonën e plazhit. Sot tregtarët po largojnë sendet e djegura, ndërsa administratori ka nisur punën për riparimin e llamarinave. Askush nuk flet publikisht për dëmet, ndërsa për shkakun policia tha se ka qenë një shkëndijë elektrike në çatinë e njërit prej dyqaneve. S’ka ende asnjë person përgjegjës, ndërsa vijojnë hetimet. Për Prefektin e Durrësit, Emilian Jani, ku treg nuk plotësonte asnjë kusht sigurie.

“Tregu industrial lë për të dëshiruar, nuk zbaton asnjë kusht prandaj ishte kaq masiv zjarri. Është treg i privatit që funksion prej shumë vitesh. Dëmet janë materiale. Shyqyr që s’kishte dëme në njerëz”, tha Jani.

Në këtë treg ushtronin aktivitetin gjatë verës rreth 50 tregtarë, ndërsa nuk dihet nëse do të rihapet pas flakëve.

Rreth 30 hektarë tokë me bimësi, shkurre si dhe 600 rrënjë ullinj u dogjën një ditë më parë fshatrat e Vlorës, Hoshtimë, Kërkovë dhe Bestrovë. Banorët lanë banesat e tyre, për t’u rikthyer pas mesnate kur situata u normalizua.

“Janë rreth 30 hektarë në total të djegura. Nuk pati pasoja për banorët, megjithëse në momentet e para të përhapjes së flakëve u bë e nevojshme evakuimi i disa familjeve nga shtëpitë e tyre,” u shpreh Vreshtazi, duke theksuar se paralelisht me menaxhimin e situatës do të nisë edhe një hetim për të zbuluar shkakun e zjarrit.

Zjarret janë shuar dhe në fshatrat e Lezhës por kanë lënë pas dëme të mëdha në sipërfaqe pyjore dhe pemëtari.

Sipas Emergjencave Civile, gjatë fundjavës janë regjistruar 26 vatra zjarri në mbarë vendin, ku janë djegur 56 hektarë me pemë. Po kështu është djegur një banese dhe një biznes. Në operacione u angazhuan 400 efektive, dhjetëra mjete zjarrfikëse, përfshirë dhe një helikopter Cougar. Për ditën e sotme, nga parashikimet e Institutit të Gjeoshkencave pritet rrezik i lartë për zjarre në qarqet Lezhë, Durrës, Tiranë, Berat dhe Fier.

Raportuan gazetarët, Armand Xhelili, Elvis Hila dhe Aldo Mustafa

Ora 14:12
Lezhë, 20 vatra zjarri gjatë 48 orëve të fundit! Prefekti Malshi: Dy raste dyshohen të qëllimshme, iu dërguan Prokurorisë për hetime

1751285347_zjarrshengjinlezhe.jpg

Qarku i Lezhës është përballur me një situatë të vështirë nga zjarret gjatë 48 orëve të fundit. Sipas të dhënave zyrtare të Mbrojtjes Civile, janë regjistruar 20 raste gjithsej, nga të cilat 17 në bashkinë Lezhë, 2 në Kurbin dhe 1 në Mirditë.

Por falë angazhimit të strukturave në terren, është bërë e mundur shuarja e të gjitha vatrave, por zjarret kanë lënë pas dëme të konsiderueshme në sipërfaqe pyjore dhe në pemëtari. Prefekti i Qarkut Lezhë, Taulant Malshi, thotë se për dy raste janë referuar materiale në Prokurori, pasi dyshohet se kemi të bëjmë me zjarrvënie të qëllimshme.

Prefekti Malshi thotë se “janë marrë të gjitha masat për të përballuar situatat që mund të krijohen gjatë muajve korrik dhe gusht”, ndërsa apelon për “kujdes maksimal, pasi temperaturat  kanë arritur deri në 38°C, duke rritur rrezikun për zjarre”.

Aktualisht në Qarkun e Lezhës nuk ka asnjë vatër zjarri aktive, por strukturat e emergjencave vijojnë të jënë në gatishmeri për t’i paraprirë dhe përballuar me sukses çdo situate që mund të krijohet.

Ora 11:45
Situata e zjarreve/ Temperaturrat rrisin rrezikun, Ministria e Mbrojtjes: 26 vatra në 24 orët e fundit, u shuan të gjitha! Rreth 56 ha të djegura, në aksion edhe helikopteri ‘Cougar’

Rritja e menjëhershme e temperaturave ka shtuar edhe vatrat e zjarri që bien në të gjithë vendin në rrethana dhe shkaqe që lidhen kryesisht me to.

Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 26 vatra zjarri, të cilat sipas Ministrisë së Mbrojtjes dhe Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, janë neutralizuar të gjitha, pas një pune të pandërprerë të forcave operacionale në terren.

Këto vatra zjarri janë evidentuar në qarqet e Vlorës, Gjirokastrës, Lezhës, Shkodrës, Dibrës, Korçës, Tiranës, Kukësit, Durrësit e Beratit.

“Kryesisht zjarret kanë rënë në sipërfaqe me bimësi, ku si pajojë janë djegur rreth 56 hektarë sipërfaqe me pemë, shkurre e barishte. Në dy raste zjarret janë evidentuar në një biznes dhe në një banesë, ku janë shkaktuar dëme materiale”, bëri me dije MM.

Në bashkinë e Durrësit, një vatër zjarri e rënë në tregun industrial sezonal në plazh shkaktoi një dëm të konsiderueshëm në mallra dhe pajisje, pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë të forcave. Një tjetër vatër u evidentua gjithashtu në dy puse nafte, në fshatin Kozare, njësia administrative Kozare, bashkia Kuçovë.

“Në vendngjarje shkuan Shërbimi vendor i MZSH të bashkisë Kuçovë me 2 automjet zjarrfikës dhe 8 efektivë, MZSH Berat me 2 automjete zjarrfikëse me 7 efektivë, 4 foca policore dhe 6 forca bashkiake, të cilët punuan për shuarjen e tij. Si pasojë, u dëmtuan 2 elektromotorrë të 2 puseve të naftës. Shkaku i rënies së zjarrit është bërë këputja e telave të tensionit të ulët”, njoftoi Mbrojtja Civile.

Në të gjitha operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 64 automjete zjarrfikëse dhe 449 forca operacionale. Gjithashtu, nga Forcat e Armatosura u angazhuan 2 automjete zjarrfikëse me 14 efektivë dhe 1 helikopter Cougar.

“Për ditën e sotme, nga parashikimet e Institutit të Gjeoshkencave pritet nivel rrezik “i lartë” në qarqet  Lezhë, Durrës, Tiranë, Berat dhe Fier, ndërsa në qarqet e tjerë pritet nivel rrezik “i moderuar”. Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile është në ndjekje të situatës dhe në gatishmëri për të ofruar mbështetje të menjëhershme nëse do të jetë e nevojshme”, mbyllet reagimi zyrtar i Ministrisë së Mbrojtjes për situatën.

Ora 11:27
Zjarri te tregu sezonal i plazhit të Durrësit dëmtoi 35 stenda, Policia: Shkak shkëndija elektrike në çatinë e një prej dyqaneve, era ndihmoi përhapjen!

Zjarri i rënë ditën e djeshme në tregun sezonal të plazhit të Durrësit dyshohet se ka ardhur në rrethana aksidentale, nga një shkëndijë elektrike mbi çatinë e një prej dyqaneve dhe më pas është përhapur duke shkaktuar dëme materiale në të paktën 35 stenda apo tezga të vendosura aty.

Policia vendore dha informacionet paraprake mbi ngjarjen e djeshme (29 qershor), ku zbuloi edhe disa detaje nga dinamika e saj. 

“Pasditen e djeshme është njoftuar Policia e Durrësit, se në tregun sezonal, në lagjen nr. 13, ka rënë zjarr. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe ato zjarrfikëse, të cilat kanë mundësuar shuarjen e zjarrit. Nga veprimet e deritanishme hetimore dyshohet se zjarri është shkaktuar nga një shkëndijë elektrike në çatinë e njërit prej dyqaneve dhe është përhapur si pasojë e erës”, informon policia.

Grupi hetimor mbetet në pritje të ekspertimit piroteknik që do përcaktojë përfundimisht shkakun e këtij zjarri. Gazetari i Repor Tv, Aldo Mustafa, informoi se po kryhen veprimet hetimore dhe ato administrative, sikurse pastirmi i tregut nga materialet e djegura. Paralelisht po hetohet edhe për përgjegjësitë e rastit nëse do të gjenden shkelje proceduriale apo të kushteve të sigurisë.

Do jenë institucionet vendore që do përcaktojnë dhe vendosin për rihapjen e tij. Një pjesë e mirë e tregtarëve arritën ta shpëtojnë malli në kohë pas zjarrit, teksa 35 stenda janë dëmtuar rëndë nga flakët.

Si pasojë e flakëve pati vetëm dëme materiale, ndërsa ndërhyrja e shpejtë bëri edhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme të flakëve. Tregtarët do presin vendimin e institucioneve për të rinisur aktivitetin aty apo në një zonë tjetër të përshtatshme.

“Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, me qëllim dokumentimin e rrethanave dhe përgjegjësive në lidhje me këtë rast”, njoftoi policia.

Forcat zjarrfikëse erdhën edhe nga Kavaja e Shijaku. Nuk raportohet për dëme në njerëz, por u dëmtuan tezgat e tregtarëve ambulantë. Shumica e tregtarëve në këtë treg arritën të zhvendosin në kohë mallin e tyre, duke e shpëtuar nga flakët.

Xh.K/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Nis gjyqi për aferën Partizani, a besoni se do ketë drejtësi?