Pas temperaturave ekstreme të larta që shqetësuan të gjithë Evropën, në Shqipëri janë rikthyer reshjet e shiu dhe ulja e ndjeshme e temperaturave. Reshjet e dendura të shiut kanë ndihmuar në shuarjen e vatrave të zjarrit në gjithë vendin.
Në një komunikim për Report Tv, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Zjarrfikës, Arben Cara thotë se 90% e vatrave në të gjithë vendin janë shuar.
Situata paraqitet më e qetë. Flakët në zonat më problematike, si Vlora, Delvina, Dibra, Korça janë neutralizuar. Zjarri në Parkun Kombëtar të Prespës, në bashkinë Pustec, është neutralizuar plotësisht, po ashtu edhe zjarret e tjera të mëparshme.
Nga 52 vatra zjarri, vetëm dy janë aktive sot, por pa rrezik për zonat e banuara. Një vatër ndodhet në zonën e tunelit të Skërficës, në bashkinë Gjirokastër, ku ndërhyrja është e pamundur për shkak të terrenit të thepisur dhe bimësisë së dendur. Zjarri po monitorohet nga shërbimi zjarrfikës. Vatra tjetër aktive është në fshatin Spatharë, bashkia Skrapar, ku zjarri ka përfshirë një sipërfaqe kullote.
Edhe pse moti sot mbetet i paqëndrueshëm me reshje, për nesër parashikohet kthjellim i plotë, me temperatura që pritet të shkojnë deri në 33°C. Struktura të Mbrojtjes Civile dhe zjarrfikësit mbeten në gatishmëri për të monitoruar çdo riaktivizim të mundshëm të zjarreve, sidomos në zonat malore.
Prej më shumë se një jave vendi ynë ka qenë nën ‘pushtetin’ e flakëve, veçanërisht në jug të vendit ku situata ka qenë mjaft problematike edhe për shkak të terrenit të vështirë malor. Më 27 korrik në fshatin Kalasë, Delvinë për shkak të situatës kritike dhe rrezikut të djegies së banesave, policia nisi evakuimin e banorëve nga zona.
Ndërsa dje Emergjencat Civile raportuan se rreth 1 mijë forca, 4 helikopterë dhe një avion Canadair italian ishin në aksion për vendosjen e flakëve nën kontroll.
Ministria e Mbrojtjes publikoi gjithashtu edhe disa pamja të filmuara dronin Bayraktar i cili në këtë periudhë me zjarre thuajse në gjithë vendin, survejon dhe skanon territorin për vatra. Nga pamjet e publikuara në disa zona të vendit, shfaqen helikopterët teksa mbushnin ujë për shuarjen e flakëve.
Pas disa muajsh thatësire dhe temperaturash të larta, sidomos gjatë korrikut, Kukësi është përfshirë në 24 orët e fundit nga reshje shiu me intensitet të lartë, të shoqëruara me erë.
Gazetari i Report Tv, Benet Beqiri, informon se Komisioni i Mbrojtjes Civile pranë Prefekturës njoftoi që pavarësisht reshjeve të dendura, qarkullimi në rrugët nacionale vijon normalisht.
Reshjet e shiut janë mirëpritur nga HEC-i i Fierzës, i cili prej javësh po përballet me mungesë të prurjeve nga burimet kryesore që furnizojnë liqenin, ujmbledhësin më të madh të kaskadës së Drinit.
Sipas të dhënave zyrtare, aktualisht niveli i liqenit të Fierzës është 274.27 metra, ndërsa prurjet mesatare arrijnë vetëm 20 m³/s. Kuota maksimale e liqenit është 296 metra, ç’ka do të thotë se ai ndodhet rreth 22 metra poshtë pikës maksimale.
Në HEC-in e Fierzës janë në funksion dy agregatë, ndërsa dy të tjerë mbahen në gatishmëri. Korporata Elektroenergjitike Shqiptare bën me dije se situata është nën monitorim të vazhdueshëm. Për momentin, për të përmbushur nevojat e konsumit të brendshëm të energjisë elektrike, një pjesë e prodhimit sigurohet nga dy hidrocentralet e tjera të kaskadës së Drinit, ndërsa diferenca mbulohet përmes importit.
Degët e pemëve mbi makina, pas rrëzimit nga stuhia e erës e shiut
Ndryshimi i kushteve atmosferike dhe shiu i korrikut në mes të vapës dhe situatës kritike të zjarreve, ka prekur edhe qytetin e Elbasanit.
Gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm, një stuhi shiu, e shoqëruar edhe me erë të fortë përfshiu qytetin, duke shkaktuar edhe dëme materiale.
Dëmtimet nuk janë të mëdha, por era ka thyer degë pemësh që janë rrëzuar mbi makinat e parkuara dhe në rrugë. Aktualisht nuk raportohet për ndonjë problematikë më të madhe si pasojë e shiut dhe erës dhe as situatë kritike nga zjarret.
Rrugët e kryeqytetit u mbushën me ujë këtë të martë, si pasojë e reshjeve të shiut që nisën që prej orëve të para të mëngjesit.
Siç duket edhe nga fotot e kapura disa rrugë janë përmbytur, duke vështirësuar kështu lëvizjen e këmbësorëve.
Pas ditëve të nxehta dhe temperaturave ekstreme dita e sotme pritet të sjellë kushte atmosferike të paqëndrueshme në të gjithë territorin shqiptar.
Ministria e Mbrojtjes ka bërë me dije se gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 52 vatra zjarri, ndër të cilat 2 janë ende aktive, 4 vatra janë në monitorim dhe 46 janë shuar.
Vatrat ende aktive:
Në zonën perëndimore të tunelit të Skërficës, bashkia Gjirokastër, ku ndërhyrja nuk mundëson futjen e trupave, për shkak të terrenit të thepisur dhe bimësisë shumë të dendur. Ditën e sotme vatra e zjarrit po monitorohet nga MZSH e Bashkisë.
Në fshatin Spatharë, bashkia Skrapar, ku zjarri ka rënë në një sipërfaqe kullote. Në vendngjarje ndodhen forca nga të gjitha strukturat operacionale, që po punojnë për vënien nën kontroll të vatrës.
Në monitorim:
Në Parkun Kombëtar të Prespës, fshati Lajthizë, bashkia Pustec
Në fshatin Dishnicë, bashkia Korçë
Në fshatin Strelcë, bashkia Maliq
Në fshatin Veliq, bashkia Tropojë.
Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan:
52 automjete zjarrfikëse
722 forca operacionale.
Gjithashtu në operacionet e ditës së djeshme morën pjesë dhe 2 helikopterë nga Forcat e Armatosura, që operuan në dy zona.
Sipas informacionit të dërguar nga Instituti i Gjeoshkencave, sot priten reshje të dobëta deri lokalisht mesatare në qarkun Shkodër, Kukës, Lezhë dhe Durrës, dhe të dobëta në shumicën e qarqeve të vendit.
Për sa u përket zjarreve në pyje sot pritet nivel rreziku “I LARTË” në qarqet Elbasan, Fier, Berat dhe Korçë, ndërsa në qarqet e tjerë pritet nivel rreziku “I MODERUAR”.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal, të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr dhe të raportojnë menjëherë pranë strukturave përkatëse për çdo vatër të dyshimtë.
Reshjet e shiut fikin zjarret edhe në qarkun e Dibrës.
Gazetari i Report Tv, Mahir Jangulli, informon se katër vatrat e zjarrit në Lurë, Mali i Dejës, Zall-Gjoçaj dhe Bulqiza, tashmë janë të fikura.
Qarku i Dibrës ka qenë një nga zonat kritike të vatrave të zjarreve, ku janë shkrumbuar sipërfaqe të tëra me pyje dhe bimësi, kurse dëmet materiale janë të konsiderueshme.
Komente
