Kronikë

Zjarri në Dukat, ministri Vengu zbret në terren: Do të jenë orë të vështira, shkak temperaturat dhe era e fortë

20 Korrik, 16:00| Përditesimi: 20 Korrik, 16:23

  • Share

Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu dhe drejtori i Emergjencave Civile, Haki Çako, kanë shkuar në Dukat të Vlorës ditën e sotme për të parë nga afër situatën me zjarrin problematik që kërcënon Parkun Kombëtar të Llogarasë.

Ministri Vengu thotë se për shkak të terrenit të vështirë malor, është aktivizuar ndihma nga ajri përmes helikopterëve Cougar të ushtrisë, për të parandaluar përhapjen e zjarrit.

Sipas Vengut, orët në vijim do të jenë të vështira për shkak të erës së fortë dhe temperaturave të larta. Të paktën 50 efektivë janë në terren duke punuar për shuarjen e zjarrit.

“Gjendemi këtu në lartësitë e Dukatit, ku prej disa ditësh në fakt kemi një situatë dhe një brez zjarri i cili ka rrezikuar në fakt një përhapje domethënëse. Që prej orëve të para të mëngjesit, kemi një ndërhyrje nga ajri dhe mbështetje nga toka me efektivë të Forcave të Armatosura, të Bashkisë Vlorë, të Pyjores së Vlorës, praktikisht 50 persona që janë në operacion e sipër sot në këtë zonë, në mënyrë që të krijohet një perimetër dhe të mund të parandalohet kalimi i këtij fronti zjarri në anën tjetër të Parkut të Llogarasë. Do jenë orë të vështira për efekt jo vetëm të termometrit, por edhe të erërave të forta që ka zona, ndaj duhet të ruajmë vigjilencën maksimale. Operacioni i mbështetjes nga ajri me helikopterët Cougar do të vijojë gjatë gjithë ditës në mënyrë që të kemi të gjithë instrumentet në dispozicion”, tha ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu.

Ndërsa kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako, thekson se synimi është që të mos lejohet avancimi i zjarrit drejt Parkut Kombëtar të Llogarasë.

“Kemi disa ditë në fakt me këtë vatër zjarri, e cila u fik para 2 ditësh, por u riaktivizua për shkak të ndezjes nga era të trungjeve. Kemi punuar edhe me banorë të zonave, me specialist të vjetër të Pyjores. Angazhimi është për ta mbajtur zjarrin në kontroll që është relativisht shumë e vështirë në aspektin e gjeografisë, pasi është pjesë e Malit të Çikës, një pjesë e Qafës së Shëngjergjit del në lumin e Vlorës, por që një pjesë e konsiderueshme është djegur dhe shpresohet të mbahet nën kontroll për të mos vijuar më pas në afërsi të fshatit të Dukatit apo ndonjë rrezik evident në drejtim të Parkut Kombëtar të Llogarasë. Do të vazhdojmë ta monitorojmë me të gjitha kapacitetet”, u shpreh kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako.

Kjo vatër zjarri, që ka nisur para më shumë se 1 jave, u riaktivizua të shtunën (19 Korrik), pasi ishte fikur dy ditë më parë.


Lajmi kryesor:

Zjarri në Dukat rrezikon Parkun e Llogarasë, aktivizohet edhe helikopteri i ushtrisë! Ministri Vengu zbret në terren: Orë të vështira


V.GJ /ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Akademi për trajnimin e administratës lokale, si e vlerësoni?