VLORË – Helikopterë të ushtrisë janë angazhuar nga ajri për të shuar zjarrin në zonën e Dukatit në Vlorë.
Vatra e zjarrit, që fillimisht nisi më shumë se 1 vit më parë, është riaktivizuar të shtunën pasi ishte fikur dy ditë më parë.
Për shkak të terrenit të vështirë malor, u desh ndërhyrja nga ajri për të mbajtur nën kontroll flakët.
Zjarri, që deri tani ka shkrumbuar me qindra pisha dhe bredha, rrezikon Parkun Kombëtar të Llogarasë.
Për këtë arsye, të paktën 50 efektivë po punojnë për të parandaluar përhapjen e flakëve drejt Llogarasë.
Për të ndjekur situatën nga afër, ka shkuar në terren edhe ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, së bashku me ministrin e Emergjencave Civile, Haki Çako.
Sipas ministrit Vengut, orët në vijim do të jenë të vështira për shkak të erës së fortë dhe temperaturave të larta. Të paktën 50 efektivë janë në terren duke punuar për shuarjen e zjarrit.
"Do jenë orë të vështira për efekt jo vetëm të termometrit, por edhe të erërave të forta që ka zona, ndaj duhet të ruajmë vigjilencën maksimale. Operacioni i mbështetjes nga ajri me helikopterët Cougar do të vijojë gjatë gjithë ditës në mënyrë që të kemi të gjithë instrumentet në dispozicion”, tha ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu.
Ndërkohë, kujtojmë se në mbarë vendin, gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar gjithsej 32 vatra zjarri, nga të cilat 9 mbeten ende aktive.
Zjarret janë përqendruar kryesisht në sipërfaqe me shkurre dhe bimësi, me një total prej mbi 90 hektarësh të djegur.
Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu dhe drejtori i Emergjencave Civile, Haki Çako, kanë shkuar në Dukat të Vlorës ditën e sotme për të parë nga afër situatën me zjarrin problematik që kërcënon Parkun Kombëtar të Llogarasë.
Ministri Vengu thotë se për shkak të terrenit të vështirë malor, është aktivizuar ndihma nga ajri përmes helikopterëve Cougar të ushtrisë, për të parandaluar përhapjen e zjarrit.
Sipas Vengut, orët në vijim do të jenë të vështira për shkak të erës së fortë dhe temperaturave të larta. Të paktën 50 efektivë janë në terren duke punuar për shuarjen e zjarrit.
“Gjendemi këtu në lartësitë e Dukatit, ku prej disa ditësh në fakt kemi një situatë dhe një brez zjarri i cili ka rrezikuar në fakt një përhapje domethënëse. Që prej orëve të para të mëngjesit, kemi një ndërhyrje nga ajri dhe mbështetje nga toka me efektivë të Forcave të Armatosura, të Bashkisë Vlorë, të Pyjores së Vlorës, praktikisht 50 persona që janë në operacion e sipër sot në këtë zonë, në mënyrë që të krijohet një perimetër dhe të mund të parandalohet kalimi i këtij fronti zjarri në anën tjetër të Parkut të Llogarasë. Do jenë orë të vështira për efekt jo vetëm të termometrit, por edhe të erërave të forta që ka zona, ndaj duhet të ruajmë vigjilencën maksimale. Operacioni i mbështetjes nga ajri me helikopterët Cougar do të vijojë gjatë gjithë ditës në mënyrë që të kemi të gjithë instrumentet në dispozicion”, tha ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu.
Ndërsa kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako, thekson se synimi është që të mos lejohet avancimi i zjarrit drejt Parkut Kombëtar të Llogarasë.
“Kemi disa ditë në fakt me këtë vatër zjarri, e cila u fik para 2 ditësh, por u riaktivizua për shkak të ndezjes nga era të trungjeve. Kemi punuar edhe me banorë të zonave, me specialist të vjetër të Pyjores. Angazhimi është për ta mbajtur zjarrin në kontroll që është relativisht shumë e vështirë në aspektin e gjeografisë, pasi është pjesë e Malit të Çikës, një pjesë e Qafës së Shëngjergjit del në lumin e Vlorës, por që një pjesë e konsiderueshme është djegur dhe shpresohet të mbahet nën kontroll për të mos vijuar më pas në afërsi të fshatit të Dukatit apo ndonjë rrezik evident në drejtim të Parkut Kombëtar të Llogarasë. Do të vazhdojmë ta monitorojmë me të gjitha kapacitetet”, u shpreh kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako.
Kjo vatër zjarri, që ka nisur para më shumë se 1 jave, u riaktivizua të shtunën (19 Korrik), pasi ishte fikur dy ditë më parë.
Një zjarr i përmasave të konsiderueshme ka përfshirë zonën e Shashicës në Vlorë, shumë pranë rrugës së re të Bypass-it.
Gazetari i Report Tv, Armand Xhelili, mëson se flakët po përhapen me shpejtësi dhe rrezikojnë seriozisht zonën përreth.
Në vendngjarje ndodhet zjarrfikësja, që po punon për të vënë situatën nën kontroll.
Drejtuesit e mjeteve që kalojnë aty pranë këshillohen të tregojnë kujdes.
Rreziku për përhapje të mëtejshme është i lartë për shkak të erës dhe temperaturave të larta.
Vijon prej më shumë se 14 orësh operacioni për shuarjen e zjarrit që ka përfshirë një sipërfaqe pyjore me pisha dhe lisa në fshatin Shkopet, të Kurbinit. Flakët u shfaqën mbrëmjen e së shtunës në një Zonë të Mbrojtur Natyrore, duke shkaktuar rrezik për përhapje të mëtejshme, ndërsa është punuar deri në orët e vona të mbrëmjes për vënien nën kontroll të zjarrit.
Ndërkohë që prej orës 06:00 të mëngjesit të së dielës, forcat tokësore kanë intensifikuar punën për izolimin dhe shuarjen e vatrave aktive, duke ndërhyrë në mënyrë të përqendruar në të dy krahët e vatrës së zjarrit dhe duke hapur korridore mbrojtëse mes zonës së prekur dhe asaj të paprekur. Për shkak të afërsisë me banesat dhe bizneset pranë rrugës nacionale Milot–Burrel, mjetet zjarrfikëse janë pozicionuar në këtë aks për të mbrojtur objektet e rrezikuara.
Në operacion janë angazhuar:
Rreth 50 forca bashkiake të Bashkisë Kurbin, të drejtuara nga nënkryetari;
30 trupa të Forcave të Armatosura dhe 2 efektivë të Policisë Ushtarake, me 4 mjete dhe 1 mjet shoqërimi;
3 mjete zjarrfikëse (nga Kurbin, Mat dhe një autobot nga Mirdita);
3 përfaqësues të AdZM;
Struktura të Drejtorisë Rajonale Veriore të AKMC dhe Institucioni i Prefektit të Qarkut Lezhë.
Përpjekjet në terren po përqendrohen në krehjen e plotë të zonës së djegur dhe në eliminimin e trungjeve dhe kërcunjve ende të ndezur, për të shmangur rindezjen e vatrave.
Një zjarr ka rënë në lagjen Granicë të Gjirokastrës ditën e sotme, ku disa shkurre e barëra u përfshinë nga flakët.
Gazetari i Report Tv në Gjirokastër, Piro Nase, raporton se zjarri u konstatua në afërsi të përroit dhe flakët rrezikonin të avanconin drejt banesave në atë zonë.
Në vendngjarje shkuan menjëherë zjarrfikësit, duke bërë të mundur vënien nën kontroll të flakëve dhe shmangien e rrezikut të avancimit drejt zonës së banuar.
Autoritetet policore kanë nisur hetimet për të identifikuar zjarrvënësin/it.
Ndërkohë, situata po monitorohet për çdo mundësi riaktivizimi të vatrës së zjarrit.
Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar gjithsej 32 vatra zjarri, nga të cilat 9 mbeten ende aktive.
Vatrat janë evidentuar në bashkitë: Dibër, Mat, Bulqizë, Mallakastër, Roskovec, Vlorë, Himarë, Tepelenë, Përmet, Kurbin, Mirditë, Elbasan, Korçë, Selenicë, Kavajë, Kamëz, Tiranë, Shijak, Krujë dhe Malësi e Madhe.
Aktualisht aktive mbeten këto vatra zjarri:
* Qarku Dibër: Në “Liqeni i Luleve”, Parku Kombëtar Lurë, zjarri po zhvillohet në dy vatra të ndara – një në “Fusha e Pelave” aktive dhe tjetra mbi fshatin Gurë-Lurë nën monitorim.
* Bulqizë: Në “Livadhi i Peladhisë”, njësia Zerqan, një vatër aktive mbi fshatin Krajkë, në terren të vështirë me shkurre dhe dushqe.
* Mat: Në Zall Gjoçaj (“Përroi i Zi”), zonë e mbrojtur me pisha dhe ah; relievi i thyer e vështirëson ndërhyrjen.
* Dibër: Në Dovolan (Maqellarë), zjarri është riaktivizuar dhe po përhapet drejt Pejkës dhe zonës pranë Drinit të Zi.
* Mallakastër: Në fshatin Belishovë, zjarri i ardhur nga Drenova vijon aktiv.
* Vlorë: Në “Qafa e Shëngjergjit”, mbi Dukat (Orikum), është riaktivizuar një vatër në majën e Paliskës. Janë angazhuar forca vendore, FA dhe helikopteri.
* Tepelenë: Në afërsi të Beçishtit, pranë antenave celulare, zjarri është nën monitorim.
* Kurbin: Në Shkopet (Milot), pavarësisht përpjekjeve, nuk është arritur izolimi i zjarrit; janë djegur rreth 65 ha pyje.
* Elbasan/Librazhd: Në kufirin mes fshatrave Shmil dhe Gurakuq, zjarri ka përfshirë pyll gështenje me përmasa të mëdha.
Zjarret janë përqendruar kryesisht në sipërfaqe me shkurre dhe bimësi, me një total prej mbi 90 hektarësh të djegur.
Forcat e angazhuara : Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë përfshirë 44 automjete zjarrfikëse dhe 620 forca operacionale, ndërsa Forcat e Armatosura kanë kontribuar me 110 efektivë, 5 mjete zjarrfikëse dhe 2 helikopterë. Ditën e sotme janë angazhuar 167 trupa të FA-së, 21 automjete me ekuipazh dhe 1 helikopter.
Kushtet atmosferike dhe rreziku i zjarreve Sipas IGJEUM, sot nuk priten reshje. Niveli i rrezikut për zjarre në pyje është “I LARTË” në qarqet Lezhë, Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Korçë dhe Gjirokastër, ndërsa në qarqet e tjera parashikohet rrezik i moderuar.
Komente
