Kronikë

Zjarri në Pish Poro mbahet nën monitorim, por ka riaktivizim flakësh për shkak të erës! Kapaj: Ka dhe rrezik që vatra të kalojë Hidrovorin

27 Gusht, 11:56| Përditesimi: 27 Gusht, 16:11

  • Share

Edhe pse gjatë gjithë natës vatrat e zjarrit në pyllin e Pish Poros, pranë hidrovorit, janë mbajtur nën monitorim, rreth orës 11:30 të ditës së sotme flakët janë riaktivizuar sërish.

Në terren ndodhen forca të shumta zjarrfikëse, si dhe 40 trupa të Forcave të Armatosura që po asistojnë në monitorimin dhe shuarjen e zjarrit. Deri më tani, flakët kanë qëndruar të ndezura për gati 48 orë, duke shkrumbuar një sipërfaqe të konsiderueshme të pyllit me pisha.

Shefi i zjarrfikëseve, Luan Kapaj, shprehet për situatën dhe monitorimin, se nga momenti në moment mund të ketë riaktivizim të vatrave për shkak të erës.

“Zjarri që ka rënë prej 48 orsh sot është nën kontroll pasi ka forca të shumta në terren, Ushtria, Zjarrfikësit dhe forca të tjera, përfshi edhe nga ajri. Dëmet ishin të mëdha dhe u bë e mundur të kontrollohej zjarri. Sot mbahet nën kontroll nga forcat e ushtrisë, që të mos përhapet, edhe pse ka vatra ende. Por rreziku i riaktivizimit ekziston për shkak të erës. Nuk mund ta japim me hektarë ende, por pas monitorimit do dali dëmi. Por nga ajo që shihet duket se ka goxha dëm”, tha Kapaj.

Ai shpjegoi edhe rrezikun e flakëve si pasojë e erës që bëhet më e fortë në mesditë.

“Në mesditë nis rreziku për shkak të erës që fryn, ndaj po e mbajmë nën monitorim. Më me rrezik është ajo e kanalit të hidrovorit, për shkak të pyllit të dendur, dnaj po e ndajmë zonën dhe monitorojmë. Bohçet e pishës e nxisin më shumë zjarrin, ndaj jemi me mjete e forca të shumta, për ta mbajtur nën kontroll”, shpjegoi kreu i zjarrfikëseve.

Gazetari i Report Tv, Armand Xhelili, informon se ndërkohë, pjesa tjetër e pyllit vijon të mbahet në vëzhgim të rreptë, pasi ekziston rreziku që flakët të kalojnë kanalin e hidrovorit dhe të përhapen në zonën tjetër të pyllit, e cila është e dendur dhe e vështirë për ndërhyrje.


Lajmi kryesor:

Dy zjarre në vend, Mbrojtja: Nën kontroll zjarri në pyllin e Akërnisë në Vlorë, operohet dhe me një helikopter! Aktive edhe vatra në Bogovë të Skraparit


A.Q/SI.E./ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Aksidentet e rënda rrugore, a duhen ashpërsuar dënimet në Kodin Penal?