Kronikë

Dy zjarre në vend, Mbrojtja: Nën kontroll zjarri në pyllin e Akërnisë në Vlorë, operohet dhe me një helikopter! Aktive edhe vatra në Bogovë të Skraparit

27 Gusht, 07:44| Përditesimi: 27 Gusht, 19:50

  • Share

Nga 14 vatra zjarri të raportuara në orët e fundit, vetëm dy prej tyre janë ende aktive. Ministria e Mbrojtjes bën me dije se situata nga zjarri në pyllin e Poros në Akërni të Vlorës paraqitet nën kontroll, ndërsa operacioni vazhdon që në orët e para të mëngjesit, ku janë angazhuar forcat zjarrfikëse, bashkiake, ushtria, përfaqësues të AdZM dhe një helikopter nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Vatra është përqendruar në zonën e kënetës Godull dhe ish-fazanerisë, ku ka tym të shtuar për shkak të djegies së pishave dhe trungjeve. Sipas ministrisë, aktualisht nuk vlerësohet si e nevojshme ndërhyrja me skrepa apo avionë Canadair.

Kjo është dita e tretë e zjarrit në këtë pyll, edhe pse ka pasur ndërhyrje me helikopter. Një ditë më parë zjarri mori përmasa të mëdha, ndërsa banorëve iu kërkua të evakuohen. 

Edhe pse gjatë gjithë natës vatrat e zjarrit në pyllin e Poros, pranë hidrovorit, janë mbajtur nën monitorim, rreth orës 11:30 të ditës së sotme flakët janë riaktivizuar sërish. Në terren ndodhen forca të shumta zjarrfikëse, si dhe 40 trupa të Forcave të Armatosura që po asistojnë në monitorimin dhe shuarjen e zjarrit, i cili po mbahet nën kontroll.

Në zonën e Bogovës, Bashkia Skrapar, zjarri ka pasur intensitet më të ulët, por nuk është izoluar plotësisht gjatë natës. Aktualisht mbahet në monitorim dhe janë djegur rreth 18 hektarë pyll, pa rrezik për banesa. 

Ndërsa në zonën e Pezë Helmësit në Tiranë, vatrat janë të izoluara dhe pa rrezik të shtuar. 

Lajm në përditësim…

Ora 19:47
Zjarri në Devoll/ Përgjegjësi i Sektorit të Menaxhimit të Pyjeve: Situata është nën kontroll, ndërhyrja e vështirë për shkak të terrenit (VIDEO)

Orgest Cenolli, përgjegjësi i Sektorit të Menaxhimit të Pyjeve ka folur për sitiatën nga zjarri që ka përfshirë një sipërfaqe pyjore në një zonë mbi fshatin Miras në Devoll. Ai tha se janë djegur rreth 5 hektarë me pisha dhe dushqe.

Cenolli deklaroi se për shkak të terrenit të vshtirë malor ka qenë e vështirë ndëryrja nga forcat zjarrfikëse.

‘U lajmëruam rreth orës 13:30. Së bashku me forcat zjarrfikëse dhe drejtorinë e shërbimeve erdhëm të gjithë në ndihmë. Situata duket pak serioze. Jemi angazhuar që të gjithë në shuarjen e zjarrit, jemi në gatishmëri. Gjithashtu kemi pasur ndërhyrje dhe nga banorët e zonës të cilët kanë ndihmuar në shuarjen e zjarrit. Sipërfaqja e deritanishme mund të jetë rreth 5 ha, me pishë të zezë, dushqe të llojit qar. Situata është nën kontroll deri më tani por besoj se do të zgjasë, deri nesër do të jetë zjarri aktiv. Nuk mund të themi që zjarri do të shuhet brenda kësaj nate.

Për shkak të terrenit shumë të thyer ne dhe zjarrfikësit e kemi patur shumë të vështirë të ndërhyjmë. Ndërhyrja është bërë me mjete rrethanore. Jemi munduar me të gjitha mënyrat, me breza, me kundra zjarre por për shkak se bimësia është shumë e dendur dhe sipërfaqja është e mbuluar me bimësi barishtore, është e vështirë edhe fikja dhe hapja e brezave që mund të parandalojnë zjarrin.

Mesa dimë deri tani është vetëm një vatër, origjinën e vatrës ku ka nisur zjarri nuk mund ta përcaktojmë pasi kërkon rreth 30 min të arrijmë në vatër për shkak të terrenit. Ka rrezik pasi fshati më i afërt është Sinica dhe nëse zjarri merr përmasa më të mëdha, edhe mund të rrezikohet por besoj se deri nesër do të shuhet', tha ai.

Ora 16:00
Devoll/ Zjarr në një sipërfaqe pyjore në fshatin Miras, forcat zjarrfikëse në terren (VIDEO)

Një zjarr ka përfshirë një sipërfaqe pyjore në një zonë mbi fshatin Miras në Devoll.

Mësohet se në vendin ku ka rënë zjarri ndodhen momentalisht 10 zjarrfikës me dy mjete dhe rreth 20 forca nga drejtoria e shërbimeve dhe ajo e pyjores.

Vatra e zjarrit duket se po merr përmasa për shkak të favorizimit të erës, dhe dendësisë së bimësisë dhe pishave brenda pyllit. Po ndërhyhet me mjetet zjarrfikëse dhe me mjete rrethanore, ndërsa terreni mbetet i vështirë.

Ora 11:56
Zjarri në Pish Poro mbahet nën monitorim, por ka riaktivizim flakësh për shkak të erës! Kapaj: Ka dhe rrezik që vatra të kalojë Hidrovorin

Edhe pse gjatë gjithë natës vatrat e zjarrit në pyllin e Pish Poros, pranë hidrovorit, janë mbajtur nën monitorim, rreth orës 11:30 të ditës së sotme flakët janë riaktivizuar sërish.

Në terren ndodhen forca të shumta zjarrfikëse, si dhe 40 trupa të Forcave të Armatosura që po asistojnë në monitorimin dhe shuarjen e zjarrit. Deri më tani, flakët kanë qëndruar të ndezura për gati 48 orë, duke shkrumbuar një sipërfaqe të konsiderueshme të pyllit me pisha.

Shefi i zjarrfikëseve, Luan Kapaj, shprehet për situatën dhe monitorimin, se nga momenti në moment mund të ketë riaktivizim të vatrave për shkak të erës.

“Zjarri që ka rënë prej 48 orsh sot është nën kontroll pasi ka forca të shumta në terren, Ushtria, Zjarrfikësit dhe forca të tjera, përfshi edhe nga ajri. Dëmet ishin të mëdha dhe u bë e mundur të kontrollohej zjarri. Sot mbahet nën kontroll nga forcat e ushtrisë, që të mos përhapet, edhe pse ka vatra ende. Por rreziku i riaktivizimit ekziston për shkak të erës. Nuk mund ta japim me hektarë ende, por pas monitorimit do dali dëmi. Por nga ajo që shihet duket se ka goxha dëm”, tha Kapaj.

Ai shpjegoi edhe rrezikun e flakëve si pasojë e erës që bëhet më e fortë në mesditë.

“Në mesditë nis rreziku për shkak të erës që fryn, ndaj po e mbajmë nën monitorim. Më me rrezik është ajo e kanalit të hidrovorit, për shkak të pyllit të dendur, dnaj po e ndajmë zonën dhe monitorojmë. Bohçet e pishës e nxisin më shumë zjarrin, ndaj jemi me mjete e forca të shumta, për ta mbajtur nën kontroll”, shpjegoi kreu i zjarrfikëseve.

Gazetari i Report Tv, Armand Xhelili, informon se ndërkohë, pjesa tjetër e pyllit vijon të mbahet në vëzhgim të rreptë, pasi ekziston rreziku që flakët të kalojnë kanalin e hidrovorit dhe të përhapen në zonën tjetër të pyllit, e cila është e dendur dhe e vështirë për ndërhyrje.

Ora 09:57
Situata nga zjarret, Mbrojtja: 11 vatra u evidentuan gjatë orëve të fundit, 2 mbeten aktive! 1 nën monitorim

1756232238_zjarretnevend.jpg

Situata e zjarreve në vend paraqitet nën kontroll, megjithëse disa vatra vijojnë të jenë aktive.  Gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 14 vatra, nga të cilat 11 janë shuar plotësisht, 2 mbeten ende aktive dhe 1 tjetër është nën monitorim.

Në zonën e Akërnisë në Vlorë situata është e qetë dhe nën kontroll, me angazhimin e zjarrfikësve, forcave bashkiake, punonjësve të shërbimit pyjor, Forcave të Armatosura dhe një helikopteri të Emirateve të Bashkuara.

Për momentin nuk vlerësohet i nevojshëm ndërhyrja me skrepa apo avionë Canadair. Vatra është përqendruar në zonën e kënetës Godull dhe pjesërisht në zonën e ish- fazanerisë. Vatra ka tym të shtuar për shkak të djegies së trungjeve dhe pishave në terren.

Në Bogovë të Skraparit, ku deri tani janë djegur rreth 18 hektarë pyll, vatra nuk është izoluar plotësisht, por nuk ka rrezik për banesat.

Ndërsa në Pezë Helmës të Tiranës, zjarret janë të izoluara dhe të minimizuara, pa përbërë rrezik.

Xh.D/A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Aksidentet e rënda rrugore, a duhen ashpërsuar dënimet në Kodin Penal?