Në Kabul mbizotëron kaosi, në njërën anën autoritetet perëndimore nxitojnë të evakuojnë qytetarët dhe mbështetësit e tyre nga vendi dhe në anën tjetër çdo orë e më shumë talebanët po rritin presionin. Ndërsa mijëra qytetarë u përpoqën të nxitonin për t'u larguar, të paktën 4 gra u shtypën për vdekje. Talebanët si duket kanë futur në grupin e tyre edhe Hashmat Ghanin, vëllanë e ish Presidentit Ashraf Ghani që u largua nga Afganistani pasi u mbërthye nga militantët.
Deklarata e djeshme e presidentit Biden se nuk mund të parashikohet fundi i kësaj situata, e ka bërë gjendjen edhe më të pashpresë. Gjashtë ditë pasi talebanët morën pushtetin në Afganistan, fluksi i njerëzve që përpiqeshin të iknin vazhdoi të rritej. E ndërsa brenda aeroportit kaosi nuk është i vogël, situata jashtë tij vazhdon të jetë ende e rëndë.
Familjet që shpresojnë për një mrekulli mundohen të tejkalojnë në tokën e akujt mes mureve rrethues të aeroportit dhe talebanëve, të ndihmuar ndonjëherë nga trupat e mbetur të forcave speciale afgane.
Mund të dëgjohen edhe lutje të ushtarëve për tu kthyer mbrapsht por ata vazhdojnë të vijnë dhe grumbullohen jashtë aeroportit me pasaporta perëndimore në duar. Pasaporta të cilat duhet të ishin mundësi e tyre për të lënë vendin, por në fakt u goditë me shkop gome nga talebanët.
Ndërsa kombet perëndimore mundohen për të për të rritur ritmin e evakuimeve mes kaosit dhe raporteve të dhunës talebane, Presidenti amerikan Joe Biden u përball me kritikat në lidhje me tërheqjen e trupave amerikane dhe marrjen e kontrollit nga militantët islamikë.
"Ne do të bëjmë gjithçka, gjithçka që mundemi, për të mundësuar evakuim të sigurt për aleatët tanë afganë, partnerët dhe afganët të cilët mund të jenë në shënjestër për shkak të lidhjeve të tyre me Shtetet e Bashkuara," tha Biden, duke shtuar se qeveria amerikane do të sillte në vend çdo amerikan që dëshiron të largohet.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg e quajti situatën jashtë aeroportit të Kabulit si "shumë të rëndë dhe të vështirë", pasi disa vende anëtare kërkuan që evakuimet të vazhdojnë përtej një afatit të 31 gusht.
Biden nuk ka hequr dorë nga afati pavarësisht thirrjeve nga ndërkombëtarët dhe brenda vendit po ashtu për të mbajtur trupat në Afganistan për aq kohë sa është e nevojshme për të sjellë në shtëpi çdo amerikan.
Biden tha se nuk mund të parashikonte rezultatin përfundimtar në Afganistan, ku Shtetet e Bashkuara dhe aleatët kanë zhvilluar një luftë 20-vjeçare.
Në mes të kësaj situate të rëndë në Kabul ka mbërritur edhe Abdul Ghani Baradar, i treguar nga shumë njerëz si udhëheqësi i ri i qeverisë. Kreu i zyrës politike të talebanëve do të zhvillojë bisedime për të formuar një qeveri të re në Kabul.
Uashingtoni ka rreth 5.800 ushtarë që kontrollojnë aeroportin, por pohon se nuk e di me saktësi se sa shtetas amerikanë ishin në Afganistan.
Presidenti rus Vladimir Putin tha se vendet e tjera nuk duhet të imponojnë vlerat e tyre. Pekini, gjithashtu tha se bota duhet të mbështesë, jo t’i bëjë presion Afganistanit.
Kosova është një nga vendet që është bashkuar për të pranuar afganët të cilët i kanë shërbyer SHBA dhe NATO-s. Në mbledhjen e mbajtur ditën e sotme në nga qeveria e Kosovës është vendosur që të zgjerohet lista e personave që do strehohen në Kosovë. Përveç bashkëpunëtorëve të SHBA dhe NATO-s, ata do të strehojnë edhe qytetarë të tjerë afganë së bashku me familjet e tyre.
“Sipas vendimit të miratuar sot, përpos personave që janë në proces të aplikimit për Special Immigrant Visa (Vizave të Veçanta Imigruese) të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, mbrojtje të përkohshme dhe të menjëhershëm do t’i ofrohet edhe personave të kualifikuar nën grupin P2 (klasifikim i veçantë i përcaktuar nga Departamenti i Shtetit Amerikan si Prioriteti 2), përfshirë familjarët e këtyre dy grupeve”, njofton zyra e kryeministrit.
Hashmat Ghani, vëllai i Presidentit që u largua nga Afganistani është shprehur se duhet të pranohet marrja e Afganistanit nga Talebanët. Në një prononcim për median Al Jazeera thotë se pranimi i qeverisë së re është i domosdoshëm në një kohë kur të gjitha forcat e huaja do të tërhiqen përfundimisht nga Afganistani. Sipas Al Jazeera ai është takuar gjatë këtyre ditëve me udhëheqësit talebanë. Ndërsa është shprehur se ishte dakord.
Megjithëse vëllai i tij, ish-presidenti Ashraf Ghani iku nga Afganistani më 15 gusht, ai është shprehur se nuk ka ndërmend të largohet nga vendi.
"Nëse do të ikja, çfarë do të bëhej me popullin tim, fisin tim ... Rrënjët e mia janë këtu" tha Hashmat Ghani.
I pyetur për ikjen e vëllait të tij, Hashmet Ghani është shprehur se është i lumtur që ai të paktën është larguar pa u vrarë, pasi nëse do të kishte ndodhur në gjë e tillë situata do të ishte përkeqësuar.
Kujtojmë që presidenti Ashraf Ghani u largua nga Afganistani me 15 gusht me pretendimin se nuk donte të shkaktonte gjakderdhje, Fillimisht ai u zhvendos në Taxhikistan, por më pas iku në Emiratet e Bashkuara Arabe së bashku me familjen e tij. Për largimin e tij ka pasur një reagim nga ambasadori afgan në Taxhikistan, Mohammad Zahir Aghbar i cili akuzoi presidentin se kur është larguar ka marrë me vete 169 milionë dollarë. Mirëpo këto akuza janë mohuar nga presidenti i larguar.
Në 24 orët e fundit, ushtria amerikane ka evakuuar rreth 3.800 persona nga aeroporti i Kabulit. Shtëpia e Bardhë bën me dije se nga 14 gushti SHBA ka arritur të evakuojë në total 17.000 persona që nga 14 gushti, përpara se talibanët të hynin në kryeqytetin afgan.
Sipas Zërit të Amerikës, 22.000 persona janë evakuuar që nga fundi i muajit korrik .
Ndër 17.000 të evakuuar gjatë javës së kaluar 2,500 janë amerikanë, tha Gjenerali amerikan Ëilliam Taylor të shtunën në një konferencë për shtyp në Pentagon.
Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby u tha gazetarëve se ai nuk kishte një "shifër të saktë” se sa amerikanë kanë mbetur në Kabul dhe në pjesë të tjera të Afganistanit.
Nisur nga trazirat që janë krijuar ditën e sotme në aeroportin e Kabulit, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Afganistan ka lëshuar alarm për siguri, duke këshilluar qytetarët amerikanë që të shmangin rrugën drejt Aeroportit të Kabulit. Sipas ambasadës ata duhet të nisen në aeroport përveç rasteve kur ata kanë marrë udhëzime nga përfaqësues të qeverisë amerikane.
“Jemi duke këshilluar shtetasit amerikanë që të shmangin udhëtimin në Aeroport dhe të shmangin portat e Aeroportit në këtë kohë, përveç nëse merrni udhëzime individuale nga ndonjë përfaqësues i Qeverisë amerikane për të vepruar ndryshe”, është thënë në njoftim.
Ditët e fundit pamjet që vijnë nga aeroporti i Kabulit në Afganistan po prekin zemrat e të gjithë qytetarëve në të gjithë botën. Në një video që po qarkullon në gjithë rrjetin shihet sesi nënat afgane përpiqen të shpëtojnë foshnjat e tyre nga duart e talebanëve ndërsa janë ushtarët amerikanë ata që i marrin foshnjat përmes kangjellave.
Këto janë fotot që janë shkrepur në Kabul teksa të gjithë gratë afgane janë mbledhur në aeroport. Ushtarët amerikanë iu kanë ardhur në ndihmë fëmijëve të cilët presin së bashku me nënat e tyre me shpresë se një avion do t’i marrë drejt një shtëpie më të ngrohtë. Siç shihet edhe nga fotot, ushtarët kanë marrë në krahë foshnjat e porsalindura e ndërsa iu japin ujë për të pirë fëmijëve të tjerë.
Afganët e dëshpëruar janë shtypur për vdekje në aeroportin e Kabulit, në përpjekje për të lënë vendin. Ndërsa mijëra vendas u përpoqën të nxitonin për t'u larguar, të paktën 4 gra u shtypën për vdekje.
Aktorja Angelina Jolie ka përdorur rrjetin e saj social Instagram për të ngritur zërin e femrave në Afganistan. Jolie ka publikuar një letër të një vajze afgane e cila nxjerr në pah gjendjen e vajzave që prej marrjes nën kontroll të plotë të Afganistanit nga talebanët.
Jolie, e cila është edhe e dërguar speciale për Komisionerin e Lartë të OKB-së për Refugjatët, preferoi që mos ta bënte me dije identitetin e vajzës që shpreh frikën e vajzës për të jetuar në Afganistan.
Adoleshentja shkruan për vështirësitë e shkuarjes në shkollë për shkak të kontrolleve që ushtrojnë talebanët, duke thënë: "Ne të gjithë e humbëm lirinë dhe jemi përsëri të burgosur".
"Ne të gjithë kishim të drejta, ishim në gjendje t'i mbronim të drejtat tona, por kur ata (talebanët) erdhën, ne të gjithë kemi frikë prej tyre dhe mendojmë se të gjitha ëndrrat tona janë zhdukur. Mendoj se kursi do të mbyllet. Ndoshta mund të kthehemi 20 vite pas dhe përsëri nuk kemi të drejta. Jeta e të gjithëve është e errët. Ne të gjithë e humbëm lirinë dhe jemi përsëri të burgosur,” përfundoi vajza e re letrën e saj.
Në postimin e saj aktorja shkruan se qytetarët afganë po humbasin komunikimin me mediat sociale dhe kanë frikë të shprehin lirisht fjalën e tyre për shkak të talebanëve.
“Kjo është një letër që më është dërguar nga një vajzë adoleshente në Afganistan. Tani për tani, njerëzit e Afganistanit po humbasin komunikimin në mediat sociale dhe për t'u shprehur lirshëm. Prandaj vendosa të shpërndaj në Instagram historitë dhe të ngrej zërin e tyre që po luftojnë për të drejtat themelore të njeriut”, shkruan Jolie.
Bashkimi Evropian nuk i ka njohur talebanët dhe as nuk po zhvillon bisedime politike me grupin ka deklaruar ditën e sotme Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.
Von der Leyen i dha deklaratat e saj pasi vizitoi një qendër pritëse në Madrid për punonjësit afganë të institucioneve të BE të evakuuara nga Kabuli.
Ajo tha se do të propozonte një rritje të ndihmës humanitare prej 57 milionë eurosh të cilat Komisioni i kishte ndarë këtë vit për Afganistanin.
“ Më lejoni të jem shumë e qartë. Një miliard euro në fondet e BE -së të ndara për ndihmë zhvillimi për shtatë vitet e ardhshme lidhen me respektimin e këtyre kushteve: respektimin e të drejtave të njeriut, respektimin e pakicave dhe respektimin e të drejtave të grave dhe vajzave”, tha Von der Leyen.
Ndërkohë që kancelarja gjermane Angela Merkel ka pranuar se rezistenca e ushtrisë afgane kundër talebanëve ishte gjykuar gabimisht.
"Ushtria u rrëzua me një ritëm befasues," tha Merkel. "Ne kishim pritur që rezistenca të ishte më e fortë."
Në fjalën e saj ajo theksoi se fokusi ishte në shpëtimin e njerëzve nga Afganistani, por më vonë do të duhet të ketë një diskutim mbi atë që ishte apo nuk ishte arritur.
Punonjësit e qeverisë afgane në Kabul janë bllokuar nga talebanët që të mos kthehen në punë, ditën e parë të javës së punës dhe vetëm disa kompani private të telekomunikacionit kanë funksionuar ditët e fundit.
"Unë shkova në zyrë këtë mëngjes, por talebanët që ishin te porta na thanë se nuk kishin marrë asnjë urdhër për të rihapur zyrat qeveritare," tha Hamdullah, një punonjës i qeverisë.
Shtetet e Bashkuara në anën tjetër pas kaosit të krijuar në Kabul kanë këshilluar amerikanët në Afganistan që të shmangin udhëtimet drejt aeroportit në rast se ata nuk kanë marrë udhëzimet nëpërmjet ambasadës.
Talebanët e rinj braktisën pamjen e lënë pas dore të paraardhësve të tyre dhe iu kthyen veshjeve të shtrenjta, me syze dielli aviator, atlete të modeleve të fundit dhe kapele bejzbolli me logon e tyre.
Gjatë sundimit të tyre nga 1996 deri në 2001, talebanët ishin të njohur për veshjet e tyre modeste, tradicionale me mjekër të gjatë të rritur me kujdes dhe për më tepër për sjelljen e tyre të ashpër. Por luftëtarët e sotëm, të cilët me shaka i quajnë ‘talebanët 2.0’, kujdesen shumë më tepër për pamjen e tyre. Disa madje janë të rruar, duke braktisur mjekrën që kërkohet sipas ligjit të rreptë islam.
Ndërsa luftojnë kundër ndikimit perëndimor dhe nuk i lejojnë gratë të dalin nga shtëpia, e lëre të vishen me rroba firmato, ata zgjedhin rroba për veten e tyre që nuk janë asgjë tjetër veçse modeste, shkruan Daily Mail.
Atyre u pëlqen të pozojnë në pikat e kontrollit ose në rrugët e Kabulit ndërsa vazhdojnë të forcojnë pozitat e tyre në vend. Kjo ka bërë që përdoruesit e mediave sociale të tallen me luftëtarët si viktima të modës "avangarde" që punojnë me "stilistë" për të krijuar pamjen e tyre.
Për Kosovën, mikpritja e popullit afgan është një detyrim moral dhe ne duhet të bëjmë të pamundurën për tu siguruar strehë refugjatëve të cilët gjenden në të njëjtën situatë, ka deklaruar presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, në një intervistë për kanalin televiziv britanik, Sky NEWS.
Osmani ka deklaruar se autoritetet po presin informacione lidhur me datën e saktë të arritjes së këtyre personave në Kosovë.
“Është vetëm çështje ditësh. Do të varet sigurisht në atë sesi do të organizohet transportimi i tyre, sepse procesi organizohet nga Shtetet e Bashkuara. Ne do ta dimë kohën e ardhjes së tyre ndoshta deri në fund të kësaj jave”, ka deklaruar ajo.
Numri i saktë i refugjatëve afganë që do të pranojë Kosova ende nuk dihet, por presidentja Osmani ka deklaruar se po punojnë në zgjerimin e kapaciteteve për të pranuar sa më shumë prej tyre.
“Ne veçse jemi gati t’i pranojmë refugjatët e parë. Tani ne po i rrisim kapacitetet që të mund të pranojmë më shumë. Prandaj nuk mund të përmend numrin final të refugjatëve që do të vijnë derisa të përfundojë studimi i secilit lokacion që mund t’i pranojmë ata në Kosovë”, ka deklaruar Osmani.
Sipas saj, pesë qytetarë kosovarë deri më tani janë evakuuar nga Afganistani dhe Ministria e Jashtme e Kosovës ka vënë në dispozicion linja telefonike për qytetarë tjerë që mund të kenë nevojë për evakuim nga atje.
Kosova ka qenë ndër shtetet e para që i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së SHBA-së për të strehuar afganët, të cilët kanë bashkëpunuar me forcat amerikane, pasi talebanët kanë marrë kontrollin e Afganistanit.
Një nga liderët më të kërkuar taleban nga SHBA dhe OKB është fotografuar në kryeqytetin afgan Kabul, përpara bisedimeve për formimin e një qeverie të re.
Khalil Haqqani, i cili është pjesë e grupit ekstremist Haqqani, u fotografua në kryeqytetin afgan, i rrethuar nga njerëz të armatosur të veshur me uniforma ushtarake.
Në fillim të kësaj jave, Abdullah Abdullah, kreu i Këshillit të Lartë të Afganistanit për Pajtimin Kombëtar - postoi fotografi të një takimi me Haqqani dhe delegacionin e tij taleban si dhe ish -presidentin afgan Hamid Karzai.
Haqqani është një nga njerëzit më të kërkuar në SHBA dhe për kapjen e të cilit është premtuar një shpërblim prej 5 milion dollarësh (3.6 milion £).
Ai është vëllai i udhëheqësit të rrjetit Haqqani Jalaluddin Haqqani dhe xhaxhai i nënkryetarit të talebanëve Sirajuddin Haqqani.
Rrjeti Haqqani është një nga grupet militante më të fuqishme dhe më të frikshme të rajonit dhe është përgjegjës për disa nga sulmet më të dhunshme kundër forcave afgane dhe aleatëve të tyre perëndimorë vitet e fundit.
Duke folur me një fotograf të New York Times të Premten, Haqqani tha se vendi ishte në paqe dhe gazetarët dhe gratë do të ishin të sigurt.
100s of people in Kabul Pul-e-Kheshti Mosque pledge allegiance & support to Taliban at the hand of a very Senior Taliban Commander Haji Khalil ur Rehman Haqqani, brother late Jalaluddin Haqqani pic.twitter.com/RHDkWu0CQP
— Saleem Mehsud (@SaleemMehsud) August 20, 2021
Korrespondentja e CNN Clarissa Ward, një nga përfaqësueset e fundit të mediave ndërkombëtare që ende kishte mbetur në Kabul është larguar natën e mbrëmshme.
Clarissa Ward ka qenë protagoniste në ditët e fundit , me raportimet e saj të guximshme që dokumentonin kaosin në zonën e aeroportit dhe dhunën e talebanëve.
Ajo gjithashtu kishte marrë kërcënime nga ky grup edhe gjatë raportimeve live.
Ditën e parë pas marrje së kontrollit nga talebanët, imazhet e saj me dhe pa hixhab bënë një rrotullim rreth globit, si për të konkretizuar sesi do të jetë jeta e grave nën regjimin e ri.
On our flight and getting ready for takeoff pic.twitter.com/bGaYREsbxT
— Clarissa Ward (@clarissaward) August 20, 2021
Pas Turqisë e cila ka filluar ndërtimin e një muri prej 295 km të gjatë dhe 3 metra të lartë për parandalimin e një fluksi të ri refugjatësh, kryesisht nga Afganistani, edhe Greqia ka instaluar një gardh dhe sistem vëzhgimi 40 km (25 milje) në kufirin e saj me Turqinë .
“Ne nuk mund të presim duarlidhur, për ndikimin e mundshëm”, tha Ministri i Mbrojtjes së Qytetarëve të Greqisë Michalis Chrisochoidis në një vizitë në rajonin e Evros të Premten. “Kufijtë tanë do të mbeten të paprekshëm”.
Komentet e tij erdhën ndërsa Turqia u bëri thirrje vendeve evropiane të marrin përgjegjësinë për emigrantët afganë.
Në një bisedë telefonike mes Kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis dhe Presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan, deklaruan se një rritje e njerëzve që largohen nga Afganistani mund të përbëjë “një sfidë serioze për të gjithë”.
“Një valë e re migrimi është e pashmangshme nëse bnuk ndërmerren masat e nevojshme në Afganistan dhe në Iran”, tha Erdogan.
Greqia, e cila ishte në vijën e parë të krizës së emigrantëve në vitin 2015 kur më shumë se një milion njerëz që iknin nga lufta dhe varfëria në Lindjen e Mesme kaluan nga Turqia në BE, ka thënë se mund të kthejë mbrapsht çdo afgan që mbërrin ilegalisht nëpër vend.
Vitin e kaluar, Athina bllokoi përkohësisht kërkesat e reja për azil pasi Erdogan tha se Turqia kishte “hapur dyert” për emigrantët për të udhëtuar në BE.
12 vende kanë pranuar deri tani të strehojnë përkohësisht refugjatët afganë dhe të paktën 14 vende kanë pranuar të veprojnë si rrugë tranziti për të evakuuarit. Kështu ka deklaruar Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken në një deklaratë për shtyp.
Blinken tha se afganët që mund të përfitojnë nga statusi i refugjatët nuk kanë kaluar ende procesin e kontrollit për t’u vendosur në SHBA dhe do të strehohen përkohësisht në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut, Kanada, Kolumbi, Kosta Rika, Kili, Meksikë, Poloni, Katar, Ruandë, Ukrainë dhe Ugandë.
Kurse ndër vendet tranzit përfshihet Bahreini, Danimarka, Francë, Gjermania, Italia, Kazakistani, Kuvajti, Katari, Taxhikistani, Turqia, Ukrainë, Emiratet e Bashkuara Arabe, Britania dhe Uzbekistani.
“Na ka dhënë zemër fakti që vende të tjera kanë shikuar mundësinë për të ofruar ndihmë. Nuk kemi përparësi më të lartë se sigurinë e shtetasve amerikanë jashtë vendit dhe përmbushjen e premtimit ndaj partnerëve tanë afganë në rrezik", tha Blinken.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price tha se Shtetet e Bashkuara i marrin me shumë seriozitet njoftimet për friksim ose rrahje të amerikanëve në Kabul, duke shtuar se talebanët i kanë dhënë garanci Uashingtonit se do t'i lejojnë afganët që dëshirojnë të largohen nga vendi ta bëjnë këtë edhe pas 31 gushtit. Shtetet e Bashkuara deri më tani nuk kanë qenë në gjendje të sigurojnë kalim të sigurt për qytetarët amerikanë ose të tjerë, por kanë thënë se kanë marrë garanci nga talebanët, se ata nuk do t’i bllokojnë njerëzit që duan të shkojnë në aeroport.
Por njoftimet nga terreni sugjerojnë të kundërtën. Mijëra afganë që mbanin në dorë fëmijë e dokumente, vazhdojnë të mbushin aeroportin ndërsa luftëtarët talebanë me armë zjarri po urdhërojnë ata që nuk kanë dokumente udhëtimi të kthehen në shtëpi. Në aeroport dhe përreth tij, 12 persona janë vrarë që nga dita e dielë sipas zyrtarëve të NATO -s dhe grupit taleban.
Grupi i shteteve tranzit:
Bahreini
Danimarka
Franca
Gjermania
Italia
Kazakistani
Kuvajti
Katari
Taxhikistani
Turqia
Ukraina
Emiratet e Bashkuara Arabe
Mbretërinë e Bashkuar
Uzbekistani
Grupi i shteteve që ofron strehim:
Shqipëria
Kanadaja
Kolumbia
Kosta Rika
Kili
Kosova
Maqedonia e Veriut
Meksika
Polonia
Katari
Ruanda
Uganda
Në një deklaratë të përbashkët për median ministrat e NATO u bënë thirrje talebanëve të lejojnë njerëzit të evakuohen nga Afganistani dhe u zotua se aleatët do të qëndrojnë në "koordinim të ngushtë" ndërsa operacionet vazhdojnë. Deklarata e përbashkët nga 30 vendet anëtare të NATO -s u bë pas një konference konferencë urgjente të ministrave të jashtëm për të diskutuar përpjekjet e evakuimit dhe hapat e ardhshëm që duhen ndërmarrë.
Deklarata e Plotë e Ministrave të NATO
1. Ne, Ministrat e Jashtëm të NATO -s, u takuam sot për të diskutuar situatën e vështirë në Afganistan.
2. Ne jemi të bashkuar në shqetësimin tonë për ngjarjet e rënda në Afganistan dhe bëjmë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të dhunës. Ne gjithashtu shprehim shqetësime të thella për raportet e shkeljeve dhe abuzimeve serioze të të drejtave të njeriut në të gjithë Afganistanin. Ne pohojmë angazhimin tonë ndaj deklaratës së Këshillit të Sigurimit të OKB -së më 16 gusht dhe bëjmë thirrje për respektimin e normave dhe standardeve ndërkombëtare mbi të drejtat e njeriut dhe të drejtën humanitare ndërkombëtare në të gjitha rrethanat.
3. Detyra jonë e menjëhershme tani është të përmbushim angazhimet tona për të vazhduar evakuimin e sigurt të qytetarëve tanë, shtetasve të vendeve partnere dhe afganëve në rrezik, në veçanti atyre që kanë ndihmuar përpjekjet tona. Ne u bëjmë thirrje atyre që kanë autoritet në Afganistan të respektojnë dhe lehtësojnë nisjen e tyre të sigurt dhe të rregullt, përfshirë përmes Aeroportit Ndërkombëtar Hamid Karzai në Kabul.
4. Populli afgan meriton të jetojë në siguri, dinjitet dhe të ndërtojë mbi arritjet e rëndësishme politike, ekonomike dhe sociale që kanë bërë gjatë njëzet viteve të fundit. Ne qëndrojmë pranë aktorëve të shoqërisë civile të cilët duhet të jenë në gjendje të vazhdojnë të luajnë me siguri rolin e tyre domethënës në shoqërinë afgane. Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve në Afganistan të punojnë në mirëbesim për të krijuar një qeveri përfshirëse dhe përfaqësuese, përfshirë edhe me pjesëmarrjen kuptimplote të grave dhe grupeve të pakicave. Në rrethanat aktuale, NATO ka pezulluar çdo mbështetje për autoritetet afgane. Çdo qeveri e ardhshme afgane duhet t’i përmbahet detyrimeve ndërkombëtare të Afganistanit; mbrojtjen e të drejtave njerëzore të të gjithë afganëve, veçanërisht grave, fëmijëve dhe pakicave; mbështesin sundimin e ligjit; lejojnë qasje të papenguar humanitare; dhe të sigurohet që Afganistani të mos shërbejë më kurrë si një strehë e sigurt për terroristët.
5. Për njëzet vitet e fundit, ne u kemi mohuar me sukses terroristëve një strehë të sigurt në Afganistan nga e cila mund të nxisin sulme. Ne nuk do të lejojmë që asnjë terrorist të na kërcënojë. Ne mbetemi të përkushtuar për të luftuar terrorizmin me vendosmëri, vendosmëri dhe solidaritet.
6. Ne nderojmë shërbimin dhe sakrificën e të gjithë atyre që kanë punuar pa u lodhur gjatë njëzet viteve të fundit për të realizuar një të ardhme më të mirë për Afganistanin. Së bashku, ne do të reflektojmë plotësisht mbi angazhimin tonë në Afganistan dhe do të nxjerrim mësimet e nevojshme. Ne do të vazhdojmë të promovojmë Afganistanin e qëndrueshëm dhe të begatë që e meriton populli afgan dhe të adresojmë pyetjet kritike me të cilat përballet Afganistani dhe rajoni, në të ardhmen e afërt dhe më gjerë, përfshirë përmes bashkëpunimit tonë me partnerët rajonalë dhe ndërkombëtarë, si Bashkimi Evropian dhe Kombet e Bashkuara.
Megjithate ka shprese,ka drite ne fund te tunelit.Sapo lexova nje artikull te MSN/World ku thuhej qe shenjat e para te rezistences po shfaqen e po japin rezultat,distriktet e Deh Salahut,Banu dhe Pul-e-Hesar ne provincen e Baghlanit,u jane marre me lufte talebaneve dhe tani jane ne duart e rezistences.Mu kujtua shprehja qe i atribohet Skenderbeut qe lirine s'ua solla une,por e gjeta midis jush.Ndoshta vete afganet kane per t'a gjetur rrugen e shpetimit nga talebanet,por kesaj radhe nuk do te kete me kthim mbrapa.
Përgjigju