Merz, Macron, Trump, Zelensky, Von der Leyen dhe Starmer

Bota

Europa dhe Zelensky i 'përgjigjen' Putinit: Kufijtë nuk ndryshohen me forcë! Sot video-konferenca, nesër në Shtëpinë e Bardhë! Trump synon takim deri të premten: Progres i madh me Rusinë

17 Gusht, 07:56| Përditesimi: 17 Gusht, 16:37

  • Share

Udhëheqësit evropianë që përbëjnë “koalicionin e të vullnetshëmve” do të zhvillojnë një video konferencë të dielën, përpara takimit të Volodymyr Zelenskyt dhe Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.

Por para kësaj bisede janë dhënë edhe sinjalet e para ndaj Kremlinit. Udhëheqësi ukrainas dhe liderët e BE-së "i përgjigjen" Putinit:

"Kufijtë nuk mund të ndryshohen me forcë", informon "Corriere".

Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, e bëri deklaratën në një konferencë shtypi me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, ditën e sotme (17 gusht) në Bruksel.

Shefja e Komisionit Evropian, u shpreh se garancia dhe siguria e Ukrainës është parësore, duke i bërë thirrje Kievit që të kthehet në një 'koracë çeliku' ndaj Rusisë.

“Garancitë e sigurisë duhet të jenë në vend për interesat e Ukrainës dhe të Evropës”, tha ajo.

Koalicioni, i bashkëkryesuar nga Keir Starmer, Emmanuel Macron dhe Friedrich Merz, ka për qëllim bashkimin e vendeve për të mbrojtur një marrëveshje paqeje në Ukrainë.

Udhëheqësit kryesorë të unionit do të udhëtojnë gjithashtu drejt Uashingtonit, për të qenë krah liderit ukrainas gjatë takimit me Trump.

Ky i fundit ka reaguar pak më parë nëpërmjet rrjetit të tij social 'Truth' me një fjali në gërma kapitale, ku shprehet:

 "Progres i madh me Rusinë!", por pa dhënë detaje të tjera se p1%r çfarë bëhet fjalë.

Edhe i dërguari i tij, Steve Witkoff, në një intervistë me rrjetin CNN, tha se:

"Putin ka pranuar të bëjë lëshime nga kërkesa e tij për shkëmbim territoresh në 5 rajone, dha dhe garanci për të mos sulmuar pas arritjes së marrëveshjes"

Do të marrin pjesë presidenti francez Emmanuel Macron, kryeministrja italiane Giorgia Meloni, kryeministri britanik Keir Starmer, kancelari gjerman Friedrich Merz, presidenti finlandez Alexander Stubb, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Kjo e fundit, para se të nisen drejt SHBA-së, do të mbajë një takim me liderin e Ukrainës.

Nga ana tjetër, kreu i Shtëpisë së Bardhë, sipas CNN, synon që të organizojë shumë shpejt edhe një takim tre palësh me Putinin dhe Zelenskyn nëse gjithçka do të shkojë mirë në takimin e nesërm. 

Në krye të axhendës në konferencën e së dielës do të jetë sigurimi i një angazhimi konkret nga Trump për një garanci sigurie që do të vepronte si një pengesë e fuqishme në çdo marrëveshje paqeruajtëse Rusi-Ukrainë. Ata do të diskutojnë gjithashtu se si ta bëjnë Zelenskyn pjesë të bisedimeve, pasi Trump dhe presidenti rus Vladimir Putin e lanë jashtë loje me samitin që mbajtën të premten në Alaska. 

Në një deklaratë të përbashkët dje pas samitit Trump-Putin të premten në Alaska, ku nuk u arrit asnjë marrëveshje,, udhëheqësit evropianë thanë se Zelensky duhet të luajë një rol më të madh në bisedimet e ardhshme dhe se paqja nuk mund të arrihet pa të. Pjesa e vështirë do të jetë bindja e administratës amerikane që të ndryshojë qasjen e saj, diçka që ka rezultuar pothuajse e pamundur deri më tani. 

Kur Trump u rikthye në Shtëpinë e Bardhë në janar dhe e bëri të qartë se SHBA-të nuk do të jepnin më një çek të bardhë për të mbrojtur paqen në Evropë, të tjerët vendosën se duhej të ndërmerrnin hapa dhe “koalicioni i të vullnetshmëve” u krijua në mars.

Lajm ne perditesim...

Ora 16:30
Witkoff: Putin bëri lëshime në 5 rajone në lidhje me kërkesën për ‘shkëmbime tokash’! Na siguroi se nuk do të sulmojë vende të tjera

1754460107_stevewitkoff.avif

Gjatë samitit me Vladimir Putinin, Donald Trump mori "garanci sigurie të paprecedentë për Shtetet e Bashkuara dhe Evropën", tha i dërguari special i presidentit amerikan, Steve Witkoff, në një intervistë me CNN.

"Putini na siguroi se nuk do të sulmojë asnjë vend tjetër ose asete amerikane sapo të finalizohet marrëveshja e paqes me Ukrainën”, u shpreh ai.

Gjithashtu sipas medias në fjalë, ai konfirmoi se Putin ka bërë lëshime edhe për kërkesën për “shkëmbim territoresh”.

“Rusët bënë disa lëshime në tryezë në lidhje me të pesë këto rajone”, tha Witkoff, duke shtuar se çështja do të diskutohet me Presidentin ukrainas Volodomyr Zelensky gjatë vizitës së tij në Zyrën Ovale nesër.

Po me Trump, Zelensky do diskutojë edhe për transferimin e territorit ukrainas. Zonat që pretendon Rusia dhe ku mund të bëhen lëshime janë: Donetsku, Lugansku, Khersoni, Zaporizhzhia dhe Krimea.

Ora 16:08
Sot video-konferenca/ Reagon presidenti amerikan Trump: Progres i madh me Rusinë!

1755328997_donaldtrump.png

Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar pak më parë me anë të një postimi në rrjetin e tij ‘Truth’, duke deklaruar se është bërë një ‘progres i madh’ me Rusinë dhe se zhvillimet ishin në proces e sipër.

“Progres i madh me Rusinë. Qëndroni në linjë. Presidenti DJT”, shkruan ai shkurtimisht në postim me gërma kapitale.

Por nuk dha detaje të tjera se në cilën pikë të çështjes është arritur ky progres.

Por pavarësisht bisedimeve intensive për paqe dhe mbarimin e luftës, fronti regoi një panoramë tjetër të përgjakshme ditën e sotme, me të paktën 5 ukrainas të vrarë nga bombardimet ruse. Edhe Kievi iu përgjigj Moskës me sulme në zonën e Sumy.

Postimi i presidentit Trump

 

Ora 16:02
'Palët duhet të bëjnë lëshime për paqen', Rubio: Rusia dhe Ukraina duan gjëra që nuk mund t’i marrin

1752821679_marcorubio.JPG

Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, ka thënë se Rusia dhe Ukraina do të duhet të bëjnë lëshime për të siguruar një marrëveshje paqeje.

Ai shtoi se të dyja palët duan gjëra që nuk do të jenë në gjendje t’i marrin dhe se mund të mos jetë e mundur që SHBA-të të krijojnë një skenar për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Duke folur rreth asaj se si mund të duket një marrëveshje, ai thotë se duhet të ketë disa diskutime rreth garancive të sigurisë për Ukrainën.

Ora 15:54
Von der Leyen konferencë me Zelenskyn nga Brukseli: Duhen garanci të forta sigurie, kufijtë s’mund të ndryshohen me forcë! Takimi i Trojkës i nevojshëm

Konferenca e Von der Leyen me Zelenskyn

Shefja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, ka qenë e para që ka dhënë një reagim publik para bisedës virtuale ditën e sotme me Shtëpinë e Bardhë dhe presidentin ukrainas Zelensky.

"Nevojiten garanci të forta sigurie. Kufijtë ndërkombëtarë nuk mund të ndryshohen me forcë. Një takim trepalësh është i rëndësishëm. Qoftë armëpushim apo marrëveshje paqeje, mjafton për t'i dhënë fund masakrës", tha ajo mes të tjerash, në një konferencë që mbajti në Bruksel bashkë me presidentin ukrainas.

Kryekomisionerja vuri theksin te garancia e sigurisë që duhet të japë Kremlini dhe mbi të gjitha përjashton marrjen e territoreve në tavolinë.

"Nevojiten garanci të forta sigurie. Bashkimi Evropian është gati të bëjë pjesën e vet", deklaroi Ursula von der Leyen. "Kufijtë ndërkombëtarë nuk mund të ndryshohen me forcë. Vendimet në lidhje me Ukrainën nuk mund të merren pa Kievin. Vetëm Ukraina mund të zgjedhë dhe të formësojë fatin e saj. Ne jemi gati të forcojmë sanksionet kundër Rusisë".

Më tej ajo inkurajoi Ukrainën që të tregohej si një “koracë çeliku” ndaj Moskës në frontin e luftës.

"Nuk duhet të ketë kufizime për forcat e armatosura të Ukrainës, as kufizime në bashkëpunimin me vendet e treta ose marrjen e ndihmës nga vendet e treta. Ukraina duhet të jetë një koracë çeliku. Garancitë e sigurisë duhet të jenë në vend për interesat e Ukrainës dhe të Evropës", shtoi ajo.

Presidentja e Komisionit të BE-së e bëri deklaratën në një konferencë shtypi me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, në Bruksel.

Ora 13:43
Takimi në Shtëpinë e Bardhë, edhe Starmer konfirmon pjesëmarrjen: Mbështesim bisedimet e mëtejshme për Ukrainën

1755328409_kryeministribritanikstarmer.jpg

Edhe Starmer konfirmon pjesëmarrjen në takimin në Shtëpinë e Bardhë: Mbështesim bisedimet e mëtejshme për Ukrainën

Në takimin e nesërm në Shtëpinë e Bardhë mes Donald Trump dhe Volodymyr Zelenskyt, pritet të jetë edhe kryeministri britanik Keir Starmer. Ai do t’u bashkohet udhëheqësve të tjerë të BE, Emannuel Macron, Giorgia Meloni, Ursula von der Leyen, Friedrich Merz, Alexander Stubb që u konfirmuan më herët.

Në një deklaratë të Downing Street që njoftonte pjesëmarrjen e Starmer, thuhet se kryeministri britanik "është i gatshëm të mbështesë këtë fazë tjetër të bisedimeve të mëtejshme dhe do të riafirmojë se mbështetja e tij për Ukrainën do të vazhdojë për aq kohë sa të duhet".

Ora 12:51
Takimi Trump-Zelensky, konfirmohet edhe pjesëmarrja e shefit të NATO-s, Merz, Macron, Melonit dhe Stubb

1755427992_merzmelonimacron.jpg

Zbulohen udhëheqësit e tjerë evropianë që do të jenë të pranishëm krah Volodymyr Zelenskyt në Shtëpinë e Bardhë, për takimin që do të mbajë me Donald Trump.

Emrat që janë konfirmuar deri më tani janë kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz, shefi i NATO-s Mark Rutte, kryeministrja italiane Giorgia Meloni, presidenti francez Emmanuel Macron dhe presidenti finlandez, Alexander Stubb, ndërkohë që nuk dihet nëse do të ketë udhëheqës të tjerë.

Sipas Sky News, presidenti amerikan u bëri një ftesë udhëheqësve evropianë për të marrë pjesë në takim.

Ora 11:59
Ursula von der Leyen do të shoqërojë Zelenskyn nesër në Uashington, presidentja e KE: Do të na bashkohen edhe liderë të tjerë

1755098409_ursulavonderleyen.jpg

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen do të shoqërojë Volodymyr Zelenskyy në Uashington nesër për takimin që do të zhvillojë me Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.

Lajmin e ka bërë me dije vetë Von der Leyen përmes një postimi në rrjete sociale, duke thënë se lideri ukrainas i ka kërkuar asaj që të marrë pjesë në takimin me Trumpin. Ajo thotë gjithashtu se do të bashkohen edhe liderë të tjerë evropianë, por ende nuk ka dhënë detaje se kush mund të jenë ata. Zelensky do të takohet me von der Leyen në Bruksel më vonë, përpara se të shkojnë në SHBA.

“Këtë pasdite, do të mirëpres Volodymyr Zelenskyn në Bruksel. Së bashku, do të marrim pjesë në Koalicionin e të Vullnetshmëve. Me kërkesë të Presidentit Zelenskyy, unë do t'i bashkohem takimit me Presidentin Trump dhe udhëheqës të tjerë evropianë në Shtëpinë e Bardhë nesër.”, ka shkruar Von der Leyen.

Ora 08:26
CNN: Trump dëshiron të mbajë një samit me Putin dhe Zelenskyn deri të premten

1755321771_donaldtrump.png

Presidenti amerikan Donald Trump u ka thënë udhëheqësve evropianë se dëshiron të organizojë një samit trepalësh midis tij, presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe atij rus Vladimir Putin deri të premten e ardhshme, raporton CNN.

Sipas asaj që raporton media amerikane, Trump thotë se do të punojë për të organizuar takimin nëse bisedimet e së hënës në Zyrën Ovale me Zelenskyn shkojnë mirë. 

Evropianët presin që të paktën një udhëheqës tjetër evropian t'i bashkohet bisedimeve të së hënës, por ende nuk është e qartë se kush.

Xh.D/A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Lui: 17/08/2025 12:15

    Të lumtë Donald Trump. Jo vetëm që nuk e bëre Amerikën të Madhe, por bëre Rusinë të Madhe. Sepse perceptimi në botë është që SHBA u “zvogëlua” përballë Rusisë dhe sot SHBA ka feeback-un më të ulët në dekada. E rifute Rusinë në lojë për të udhëhequr botën. Dhe kjo sipas një teorie që qarkullon, ti shpreson ta kesh Rusinë në krah kundër Kinës. Një naivitet i pashoq që do ta vuaj e gjithë bota perëndimore. Rusia ka për të qenë gjithmonë një aleat(mbase jo i ngushtë), më afër me Kinën sesa me SHBA apo Europën.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se takimi Trump-Putin do të sjellë paqen në Ukrainë?