Përleshja e tifozëve ultras në derbin Partizani 1-1 Tirana

Sport

Dhuna në derbin e kryeqytetit, FSHF: Përgjegjëse policia, s'është hera e parë që nuk bashkëpunojnë! Mund të pezullojmë garat

10 Shkurt, 18:36| Përditesimi: 10 Shkurt, 19:10

  • Share

TIRANË - Federata Shqiptare e Futbollit ka reaguar duke akuzuar Policinë e Shtetit për incidentet dhe sherrin mes tifozëve në derbin e së dielës (9 shkurt 2025) mes Partizanit dhe Tiranës (1-1) në "Arenën e Demave".

Sipas FSHF, policia nuk ishte në stadium në kohën e duhur dhe ka gjithë përgjegjësinë e sherrit mes ultrasve, aty ku një polic mbeti i plagosur, u arrestuan tre tifozë dhe u proceduan pesë të tjerë.

FSHF kërcënon se në rast se kjo situatë do vijojë dhe institucionet nuk bëjnë punën e tyre, organizmi i futbollit mund të marrë edhe masën ekstreme të pezullimit të garave kombëtare të futbollit për një afat të pacaktuar.

Ndërkohë policia e Tiranës njoftoi sot (10 shkurt) se ka arrestuar tre persona dhe proceduar pesë të tjerë për sherrin. Mes të proceduarve janë edhe Sekretari i Përgjithshëm i Partizanit, Gerald Burba dhe delegati i FSHF-së, Marjus Sulejmani.

Reagimi i plotë i FSHF-së:

Federata e Futbollit dëshiron të sqarojë opinion publik në lidhje me sjelljen dhe qëndrimin e Policisë së Shtetit në ndeshjen e kategorisë “Abissnet Superiore”, Partizani-Tirana të luajtur në stadiumin “Arena e Demave” të dielën.

Federata ka ndjekur të gjitha procedurat dhe protokollin standard për organizimin e ndeshjes, duke vënë në dijeni përmes shkresave Policinë e Shtetit dhe në bashkëpunim me klubin e Partizanit, që ishte pritës, ka marrë masat përkatëse për sigurinë e ndeshjes dhe me shoqërinë private të sigurisë fizike.

Dëshirojmë të sjellim në vëmendje se Ligji për Sportin Nr. 105/2020 i ndryshuar në nenin 51 thotë se “ruajtja e rendit dhe e sigurisë publike në mjediset sportive është detyrë institucionale e organeve të Policisë së Shtetit”.

Përveç ligjit për sportin, vitin e kaluar është firmosur një memorandum bashkëpunimi mes Federatës së Futbollit dhe Ministrisë së Brendshme, që e bën të qartë se Policia e Shtetit “merr përsipër ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në stadiumet dhe mjediset sportive”.

Sipas këtij memorandumi, Ministria e Brendshme, në bashkëpunim me FSHF-në, harton dhe zbaton masa shtesë sigurie për të garantuar sigurinë e të gjithë pjesëmarrësve, spektatorëve dhe palëve të interesuara, nëpërmjet Policisë së Shtetit.

Për t’u kthyer te derbi i të dielës, Policia e Shtetit ka mbërritur me vonesë në stadiumin e Partizanit, duke lënë hapësirë për përplasjen e tifozerive jashtë stadiumit, siç duket qartë pa asnjë plan masash, që zakonisht bëhet publik gjithmonë para ndeshjeve derbi. Madje, Policia nuk mori përsipër fillimisht për të shoqëruar ekipin e Tiranës drejt stadiumit, gjë që solli edhe shtyrjen e ndeshjes me 30 minuta.

Siç u pa, në momentin që forcat e policisë erdhën në stadium dhe morën kontrollin e situatës, duke bërë detyrën e tyre, nuk pati incidente mes tifozëve. Gjithashtu, u konfirmua se stadiumi i Partizanit është i përshtatshëm për të pritur ndeshje të këtij niveli dhe mjafton që policia të kryejë detyrën e vet funksionale që ia ngarkon ligji për të siguruar rendin në mjediset sportive.

Federata shpreh keqardhje për incidentet dhe për lëndimin e disa tifozëve dhe efektivëve të policisë, por thekson se këto incidente erdhën si pasojë e mungesës së përgjegjësisë nga ana e zyrtarëve të policisë.

Ky në fakt nuk është rasti i parë kur Policia e Shtetit refuzon të bëjë detyrën dhe të bashkëpunojë me klubet dhe Federatën, pasi edhe në raste të tjera nuk ka pranuar të marrë përsipër sigurinë e ndeshjeve për arsye të pabazuara. Dhe pavarësisht se përmes shkresave kanë refuzuar të bëjë detyrën, sërish efektivët e Policisë së Shtetit janë paraqitur para ndeshjeve dhe kanë marrë kontrollin e rendit dhe sigurisë.

Federata është e gatshme të bashkëpunojë me të gjitha institucionet për mbarëvajtjen e aktiviteteve dhe garave sportive. Por nëse kjo lloj qasjeje do të vazhdojë edhe në të ardhmen, Federata është e detyruar të rishikojë qëndrimin e saj dhe të marrë masa ekstreme deri në pezullimin e garave kombëtare të futbollit për një afat të pacaktuar.

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Polic #: 10/02/2025 22:04

    Jo çdo fushë futbolli mund të quhet stadium!!!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A është veprim i duhur nga SPAK arrestimi i Veliajt 3 muaj para zgjedhjeve?