Këta që shihni në pamje janë të vetmit banorë të rikthyer në lagjen që dy vite më parë rrënoi tërmeti i 26 nëntorit në Thumanë. Janë nxënësit e kopshtit dhe shkollës që kanë hapur dyert më herët se sa banesat e rindërtuara.
Ndryshe nga 1-vjetori i tragjedisë me viktima në Thumanë dhe përkujtimin zyrtar të tyre, të vetmit përfaqësues jo banorë sot në zonë ishin punëtorët e kompanive të ndërtimit që po u jepnin dorën e fundit punimeve në apartamente përpara dorëzimit.
Këto dy zonja janë prej banorëve që tragjedinë e tërmetit e përjetuan fatmirësisht pa viktima, por me banesa të rrënuara. Zonja Merita Jovani, shikon nga afër banesën e saj të re. Ajo shprehet se ka jetuar prej dy vitesh te vëllai i saj në Dibër.
"Këtu është shtëpia ime e re, me tre dhoma. Kemi qenë tre pjesëtarë në familje. Do marrim shtëpinë e re, këtë kam pasur kismet, vetë e zgjodha shortin, ju falenderoj shumë. Do hyjmë kur të thotë kryeministri. Këto dy vite kam jetuar në Dibër tek vëllai im. Shtëpinë e mora me 12 nëntor. Vetëm e kemi parë për qejfin tonë."-tha një zonjë e cila së shpejti do futet në banesën e sajtë të re.
Shorti për ndarjen e banesave është hedhur më 12 nëntor, por kur do të ndahen çelësat ende nuk ka një datë. Por si janë shtëpitë e reja ku do të akomodohen banorët që prej dy vitesh u larguan sa tek të afërmit, sa me qira, e sa në hotele. E vetmja gjurmë e mbetur nga Thumana e vjetër është kjo kullë e cila nuk u prish as atëherë nga tërmeti dhe sot po kthehet në muze në respeket të viktimave dhe të tragjedisë.