DORTMUND - Kombëtarja shqiptare e futbollit është e fokusuar 100 përqind në ndeshjen kundër Spanjës, e vlefshme për raundin e tretë dhe të fundit në Grupin B të Euro 2024.
Nesër në 21:00 në stadiumin e Dusseldorfit të shumtë do jenë tifozët kuqezi në mbështetje të ekipit, teksa tri pikë na bëjnë punë për kualifikimin. Ekipi, i drejtuar nga Sylvinho ka zbritur në fushën stërvitore të "Kaiseraut" në Dortmund për stërvitjen gjenerale.
Në orën 15:30 të gjithë kanë qenë të gatshëm për stafin teknik, ndërsa nuk kanë munguar as tifozët në mbështetje të ekipit. Veç tyre, edhe kreu i FSHF-së Armand Duka ka zbritur në fushë për të motivuar lojtarët. Duhet kujtuar se sulmuesi Mirlind Daku nuk do jetë i gatshëm për trajnerin, pas dënimit me dy ndeshje nga UEFA.
Pas stërvitjes së sotme ekipi do udhëtojë drejt Dusseldorfit ku në orën 18:45 trajneri Sylvinho dhe kapiteni Gjimshiti do flasin për mediat. Ashtu si në ndeshjen kundër Kroacisë në Hamburg, edhe në këtë duel stërvitja finale nuk do jetë në stadiumin e ndeshjes, kjo për të ruajtur tapetin e fushës për 90 minutat e së hënës mbrëma.