Kombëtarja shqiptare mbërrin në Nish dhe masat e marra nga policia serbe

Sport

Kombëtarja mbërrin në Serbi, në Nish pritet nën masa të forta sigurie! Pasdite konferenca e trajnerit dhe stërvitja në Leskovac

10 Tetor, 10:37| Përditesimi: 10 Tetor, 14:03

  • Share

Në orën 13:19 'Naimi' shkeli në pistën e aeroportit të Nishit, 'Kostandini i Madh'. Me një fluturim që zgjati 49 minuta nga Tirana, Kombëtarja e futbollit tanimë është në tokën serbe në prag të përballjes kundër Serbisë, e cila luhet nesër në orën 20:45 dhe vlen për Grupin K kualifikues të Kupës së Botës 2026.

Veç futbollistëve dhe stafit, pjesë e udhëtimit ishin edhe drejtuesit e Federatës (FSHF), zyrtarë klubesh dhe gazetarë. Në Nish policia serbe ka marrë masa që ekipi kuqezi të jetë i sigurt, duke shmangur çdo tension dhe përplasje në një vend që njihet për huliganizëm.

Ekipi do vendoset në hotel dhe do pushojë për disa minuta, para se t'i drejtohet Leskovacit, qytetit të ndeshjes. Në orën 16:30 trajneri Sylvinho do flasë për mediet nga impianti i ndeshjes, ndërsa në orën 17:30 është programuar stërvitja gjenerale e kuqezinjve.

Frika më e madhe e organizatorëve është siguria dhe përsëritja e akteve të dhunës si në 14 tetorin e 2014, kur huliganët serbë u futën në fushë dhe dhunuan futbollistët shqiptarë. Gjatë gjithë itinerarit ekipi do jetë i shoqëruar nga policia serbe, si edhe gjatë gjithë kohës së qëndrimit në hotel. Edhe të shtunën paradite nuk është programuar asnjë dalje nga hoteli për ekipin tonë.

Në orët e pasdites të së shtunës skuadra do i drejtohet sërish Leskovacit për ndeshjen që merr jetë më 11 tetor në orën 20:45.

Sfida është vlerësuar si e një rrezikshmërie të madhe nga FIFA, duke dërguar dy oficerë sigurie. Veç zhvendosjes së sfidës nga Beogradi në Leskovac për shkak të frikës nga huliganët dhe klimës së tensionuar politike në Serbi, Federata Serbe e Futbollit nuk nxorri në shitje asnjë biletë.

6500 tifozët serbë në Leskovac do jenë me ftesa dhe të përzgjedhur, përfshi futbollistë nga akademitë e futbollit. Serbia është e dënuar që këtë duel ta zhvillojë me reduktim të 20 përqind të kapacitetit të stadiumit. Në bazë të një marrëveshjeje mes dy federatave, në ndeshjet Serbi - Shqipëri dhe anasjelltas nuk do ketë tifozë kundërshtarë.

Pas pesë sfidave të luajtura në Grupin K kualifikues të Kupës së Botës 2026, Anglia me 15 pikë mban kreun duke lënë pas Shqipërinë me tetë pikë. Serbia me shtatë pikë ndodhet në pozitën e tretë, por ka një ndeshje më pak. Më pas vijnë Letonia (4 pikë) dhe Andorra me zero pikë.

Dje, Ministria e Punëve të Brendshme serbe bëri me dije se në pikën e kalimit kufitar të Merdarës u arrestua një 53-vjeçar shqiptar pasi në furgon kishte pesë çanta me veshje dhe simbole kombëtare kuqezi. Sipas policisë serbe destinacioni ishte Leskovaci, por në ndeshjen e të shtunës nuk do ketë asnjë tifoz shqiptar në stadium.

Ora 13:21
Kombëtarja mbërrin në Serbi, udhëtimi nga Tirana zgjati 49 minuta

49 minuta, kaq zgjati fluturimi nga Tirana për në aeroportin e Nishit në Serbi. Ekipi kuqezi dhe stafi shoqërues lanë pistën e 'Nënë Terezës' në orën 12:30 të kësaj të premteje dhe në orën 13:19 avioni preku pistën e aeroportit 'Kostandini i Madh' në Nish. Tanimë ekipi do i drejtohet hotelit. Në orën 16:30 Sylvinho do flasë për mediet nga stadiumi i Leskovacit, ndërsa ekipi në orën 17:30 do zhvillojë stërvitjen gjenerale.

Ora 12:18
'Naimi' ngrihet në ajër në orën 12:28, Kombëtarja udhëton drejt Serbisë për 'ëndrrën amerikane'

Në orën 12:28 të kësaj të premteje avioni i pagëzuar si 'Naimi' do lërë pistën e aeroportit 'Nënë Tereza' në Rinas dhe me një fluturim direkt drejt Nishit, do dërgojë djemtë kuqezi për sfidën kundër Serbisë, e cila luhet të shtunën në orën 20:45.

Fluturimi me 'Air Albania' është charter dhe veç futbollistëve dhe stafit, në të janë edhe zyrtarët e federatës dhe gazetarët që shoqërojnë Kombëtaren. Mbërritja në Nish pritet të jetë në orën 13:15.

Të shtunën më 11 tetor në orën 20:45, kombëtarja shqiptare e futbollit luan kundër Serbisë në Leskovac, sfidë kjo e vlefshme për Grupin K kualifikues të Kupës së Botës 2026.

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Kushtetuesja pezullon dekretin për zgjedhjet në Tiranë, si e vlerësoni?