Kryetari i Partisë Demokratike zhvilloi sot (18 prill) një takim elektoral në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, në bizneset e Tregut Artizanal të Krujës. Teksa prezantoi edhe programin e PD-së dhe ADSHM, i shoqëruar edhe nga ish-prokurori i shkarkuar nga vettingu, Arjan Ndoja, njëkohësisht kandidat për deputet në qarkun Durrës dhe 'deputeti me kobure' Gent Strazimiri, gjithashtu kandidat, ai tha se do ndihmojë tregtarët duke kthyer mbrapsht një pjesë të mirë të parave të vjela nga TVSH-ja dhe taksat, me qëllim zgjerimin e vendeve të punës, subvencionimin, minimumin jetik, rrogat dhe pensionet.
Por ai nuk i la pas akuzat ndaj qeverisjes socialiste, teksa në fillim të fjalës as emrin tha se nuk donte t’ia përmendtte kryeministrit, por më pas e përmendi disa herë.
“Emri i Krujës vjen nga Krue, Kruje, apo Kroi, që do të thotë ujë dhe ujë nuk ka. U ngjit ai njëherë atje..., emrin nuk ia vëmë, por u ngjit ai atje e piu një gotë ujë dhe uji nuk erdhi më në Krujë. Kruja ëhstë betonizuar, këta e kanë mendjen vetëm te betoni dhe asfalti. Do ulim taksat, bashkisë kufirin te thana”, u shpreh kreu i selisë blu.
Ai e cilësoi të turpshme shprehjen e kryeministrit se “shqiptarët nuk vdesin për bukë”.
“Çmimet janë rritur, deri edhe tek buka. Buka është malli më i çmuar dhe këta thonë se nuk vdes njeri për bukë. Njerëzit edhe në varfëri e kanë ndarë kafshatën, e dimë këtë, por ky i ka varfëruar shqiptarët, teksa sheh në Malin e Zi që është shumë më mirë. Por ai e ka mendjen te vjedhja dhe vetëm vjedhja. Çfarë do të thotë kjo, s’vdes njeri për bukë, shprehje e pamoral, e turpshme, problemi nuk është se njeriu vdes për bukë, por të ketë gjërat bazë, pa dhimbje, të mos detyrohet t’i përzërë fëmijët nga sofra. Qëndrim i papërgjegjshëm. Do ju ndihmojmë me minimumin jetik, rrogat dhe pensionet, një pjesë të TVSH-së që vjelim do ua kthejmë juve nëpërmjet rritjeve”, tha Berisha.
Dhe teksa më sipër u shpreh se nuk ia përmendte emrin kryeministrit, pjesa tjetër e fjalës së tij pothuajse në çdo paragraf kishte kryefjalën “Edi Rama”, madje duke bërë ironi dhe sarkazmë me kryesocialistin për mençurinë dhe krutanët.
“Kjo situatë ka moralin e Edi Ramës, emrin e narkoshtetit, krimit, narkokrimit dhe që vjedh me shtetin. Edi Rama ka ardhur inaguroi rrugën e Sari Salltikut, por harron se ajo rrugë është bërë nga ne, është inaguruar nga ne, por nuk e di ai se krutanët i japin atij ujë në bisht të lugës. Të kishte pasur ai mençurinë sa një e katërta e krutanit, Shqipëria do ishte tjetër sot”, nënvizoi ai.
Berisha akuzoi kreun e qeverisë edhe për skandalin e fondeve të BE-së për bujqësinë dhe fermerët.
“Edi Rama u kap me presh në duar, ministrja e tij, me fondet e vjedhura të bujqësisë. Por çfarë bëri Edi Rama, ai e emëroi këshilltare ministren Krifca, sepse e dinte ajo se ishte Rama pas vjedhjes”, vijoi Berisha.
Ai premtoi ulje taksash dhe çmimesh, subvencione dhe ndihmë për fermerë e bujq në kultivim dru-frutorësh dhe mbështetje financiare biznesit, pa harruar edhe rimbursimet me medikamentet.
“Nuk sigurojmë dot shumë gjëra të tjera, por gjërat bazë do i sigurojmë ne. Nuk tolerojmë që të sëmurë rëndë nuk kanë ilaçe, nuk gjejnë dot ilaçe, vdesin për to. Dhe Rama del e thotë krim ndaj njerëzimit, kujt ia thotë ai këtë, të sëmurët nuk kanë ilaçe apo i blejnë shtrenjtë. Të sëmurëve u thuhet “nuk ke ilaçe për dy muaj”. Situata është alarmante. Një frymë fitoreje anembanë Shqipërisë”, akuzoi kreu i PD.
Madje e përforcoi diskursin e tij me faktin se Rama nuk po bën as fushatë elektorale, sepse është mbyllur. E akuzoi për grabitje të tokës, dosje e cila nuk u pranua të hetohej nga SPAK, duke ia kthyer Prokurorisë së Tiranës, por një gjyqtar guximtar sipas tij e riktheu në SKAP. Berisha tha se Ramën e mbron Dumani, të cilin kryeministri e quan edhe “hero”, sepse e mbrojti edhe nga çështja e fundit e ndërtimit pa leje të shtëpisë.
“Nuk del më para gazetarëve, se iu morën vesh vjedhjet te djegësi. Nuk përballet, është mbyllur në zyrë. E Keni parë, nuk del më të bëjë fushatë. Na ka ndërtuar një shtëpi atje pa leje, e ka privatizu tokën mijëra metra katrorë. Ka një shtëpi që as diktatori Enver Hoxha nuk e kishte. Diktatori nuk i regjistroi në emër të vetë ato, as në emër të tij, por në emër të shtetit. Në atë kohë shtëpia lejohej të regjistrohej. Ky tani ka një oborr 8300 metro. Jo vetëm kaq, por tokën e ka marrë në kundërshtim me çdo ligj. Këto e kapën. SKAPI ia kaloi Prokurorisë së Tiranës. Këta i thanë me të drejtë, jo nuk është në kompetencën tonë, e kthejnë. Por SKAP-i bëri të njëjtën gjë, e riktheu. Një gjykatës guximtar vendosi ta dërgonte përsëri në SPAK dosjen. U bë alarmante, u bënë mbledhje urgjente në SKAP. Dhe ky del tani e thotë Altin Dumani është hero! Sepse e mbrojti. O Ramë, po le ta kthejnë o, toka përsëri mbetet aty, nuk ikën (qesh). Por jo vetëm ajo se ka edhe dhjetëra afera të tjera. Është i pashpresë, aktet që ka bërë me Lubi Ballukun e të tjerë, janë të pafalshme, janë e përbëjnë një dënim të përjetshëm”, u shpreh Berisha.
Në fund ai paralajmëroi ata që kërcënojnë për votën, duke thënë se do bëjë ligj për dënime shembullore dhe për t’i shpallur terroristë.
“Mbani shënim personin që ju vjen ju kërcënon për votën. Denoncojeni dhe ne do e shpallim terrorist dhe do ndëshkohet si terrorist. Mos guxoni, ne do bëjmë ligjin”, pëfundoi kreu i PD-së.
Vizita e Sali Berishës në tregun artizanal të Krujës pati edhe momentet e saj pikante.
Nga kritika e ish të burgosurit politik për mosmbajtjen e premtimit, shoqërimi i tij në fushatën e kësaj zone nga ish-prokurori Arjan Ndoja, kandidat i PD për Durrësin dhe i lakuar për lidhjet me krimin, ‘deputeti me kobure’ Gent Strazimiri, tek dhuratat, veshja e kreut demokrat si krutan me xhubletë kombëtare dhe plis, dhurata e bufit të skalitur prej druri që sipas tij ‘po çmend Edi Ramën’ dhe deri te “tallja semantike” që një prej tregtarëve i bëri.
Ndërsa takoi biznesmenin lokal dhe po i shpjegonte programin ekonomik, Berisha i tha se “do ulej tavani”, kurse tregtari në formë ironike, sikur nuk kuptoi qëllimin, pa me sytë lartë nga tavani i dyqanit të tij i habitur, duke e shoqëruar me një frazeologji habitore:
“Ça tavani...?!”
Berisha që vijoi me të tijën, për ta korrigjuar dhe fokusuar kuptimin ekonomik dhe elektoral, i tha:
-“Tavanin e biznesit...!”.
Dhe teksa kontrollon tavanin me sy nëse ka problematika të strukturës ndërtimore, pasi dëgjon shpjegimin e Berishës, e shoqëron me një pohim:
-“Aha...!”, ia kthen tregtari.
Teksa shoqërohej edhe nga ‘deputeti me kobure’ Gent Strazimiri dhe ish-prokurori Arjan Ndoja, i akuzuar për lidhje me krimin, (që të dy kandidojnë për qarkun Durrës më 11 maj), në takimin e tij elektoral në Tregun Artizanal të Krujës ditën e sotme, Sali Berisha u surprizua edhe nga një tregtare.
Ajo i preu rrugën dhe i tha se në pamundësi për t’ia dhënë dhuratën te dyqani më parë, po ia jepte tani.
“Doktor, në pamundësi për ta dhënë te dyqani qëparë nga shitësja, po ta sjell këtu...!”, i tha qytetarja.
Pasi e dalloi se çfarë ishte, një buf i vogël i gdhendur në dru, Berisha e shoqëroi me pasthirrmë dhe koment-batutë duke e mbajtur dhuratën lart në dorë:
“Aaaaaa... Simboli i mençurisë, e çmendi Edi Ramën! E çmendi! Eheeee...!”.
Kryetari i PD-së akuzoi gjendjen e rrënuar të sigurisë dhe rendit nga qeveria socialiste si shkak të ngjarjeve të rënda kriminale që ndodhin në Shqipëri, teksa pati një reagim publik nga Kruja për vrasjen në Lezhë dhe atentatin e Tiranës me 4 të plagosur.
“Mbrëmë rrugët e Tiranës u skuqën, 4 vetë morën breshëri dhe gjer tani narkoshteti nuk është në gjendje të thotë se çfarë ishin ato, por kurrë nuk mund të gjuhej mbi një 11-vjeçar. Mirëpo njeriu që i ndërsen dhe u thotë hani kokën njëri-tjetrit, por më shërbeni mua, krijon këtë situatë. Ne do bëjmë ligjin dhe ata të cilët përzihen, i lutem shumë çdo qytetari të mbajë shënim personin që u bën presion dhe u kërcënon për votën, absolutisht do shpallet terrorist pas këtyre zgjedhjeve. Pas këtyre zgjedhjeve ai do listohet si terrorist dhe do trajtohet si terrorist. Ne do bëjmë ligjin!”, tha Berisha.
Teksa vizitoi Tregun Artizanal të Krujës, Berisha u ‘qau’ hallet tregtarëve, duke vënë në dukje situatën e mjerueshme ekonomike, premtuar mbështetje, por edhe teksa u ‘shpërblye’ me dhurata modeste.
Tregtarët e veshën Berishën si krutan, duke i dhënë xhubleta tradicionale dhe një plis (qeleshe).
Komente
