Sport

Ndeshja kundër Serbisë, Sylvinho i kthehet gazetarit serb: Mos u merrni me të ardhmen time, nesër duam fitoren (VIDEO)

10 Tetor, 16:28| Përditesimi: 10 Tetor, 18:59

  • Share

LESKOVAC, Serbi - Nga stadiumi 'Duboçica' në Leskovac, trajneri i Kombëtares, Sylvinho dhe mbrojtësi Elseid Hysaj, folën për mediet në prag të ndeshjes kundër Serbisë. Hysaj është i vetmi futbollist i Kombëtares që vijon të jetë edhe pas 11 vitesh në ekip, pasi ka qënë në fushë gjatë trazirave në Beograd 11 vite më parë.

Dueli merr jetë të shtunën në orën 20:45 dhe vlen për Grupin K kualifikues të Kupës së Botës 2026. Tanët mbajnë vendin e dytë me tetë pikë, një më shumë se Serbia që ka një ndeshje më shumë për të luajtur. E cilësuar si një finale për vendin e dytë, atë që të dërgon në play-off e Kupës së Botës, përballja pritet me interes nga dy kampet, ndërsa siguria për këtë duel është e lartë.

Trajneri Sylvinho u tregua i qartë për atë që Shqipëria kërkon nga dy duel. Ai tha se vetëm tri pikët mund ta afrojnë ekipin me zonën play-off, teksa ka shprehur besimin te futbollistët e tij. I pyetur nga gazetarët serbë për të ardhmen, braziliani nuk ia 'ka përtuar' duke i thënë se është i lumtur me punën që ka bërë në Shqipëri.

"Ndeshja juaj më e rëndësishme në krye të ekipit?

Të gjitha ndeshjet janë të rëndësishme. Sot po, kjo ka më shumë rëndësi. Një muaj më parë ishte ajo me Letoninë, nëse nuk do fitonim kjo nesër nuk do vlente. Më pas kemi Andorrën në vazhdim. Sfida nesër është emblematike, ndihet në atmosferë dhe kjo u pa edhe në Tiranë.

Sulmi dhe golat?

Sa i takon ndeshjes, është e bukur për t'u luajtur. Kemi pasur tre ditë e gjysmë të shpejta për trajnim, për të folur dhe për të analizuar ndeshjen. Kemi punuar në dy fazat, në sulm dhe mbrojtje. Goli është pjesa e fundit e futbollit. Të gjithë lojtarët janë të gatshëm dhe nesër do zgjedhim emrat për në fushë. Nuk më shqetëson goli, është pika e fundit. Unë kam besim te futbollistët dhe e di që do bëjmë më të mirën në fushë.

Keni ndonjë surprizë për nesër? Trajneri i Serbisë tha se e di sesi do luani në fushë...

Edhe ne e dimë si do luajnë ata. Tre në mbrojtje, dy anësorë, tre në mesin e fushës dhe sulmi. Nuk do them për surpriza, kemi edhe një stërvitje.

Një ndeshje si finale, sa janë shanset për fitoren tonë?

Futbolli është i paparashikueshëm. Për këtë ne nuk vendosim baste. Unë jam një trajner që kam luajtur në nivele të larta si futbollist. Nuk kam parë një ekip që fiton para se të fillojë ndeshja. Rivalët janë një ekip i fortë që luajnë në nivele të larta. Në Tiranë (0-0) pamë që ishim në një nivel, në futboll mund të ndodhë çdo gjë.

Forma e futbollistëve kuqezi jo e duhura, a është ky shansi i fundit për ta?

Nesër kemi ndeshjen më të rëndësishme, kjo vlen për ndeshjet e radhës. Atmosfera është e mirë. Ne kemi një grup futbollistësh dhe nuk më intereson momenti i tyre, por që të futen në fushë dhe të japin më të mirën. Edhe nëse fitojmë këtu dhe nuk mbajmë ritmin, nuk vlen. Kemi mësuar në Evropian dhe unë kam besim te emrat që kam thirrur se në fushë do japin më të mirën.

Ndeshje ndryshe edhe për historinë, a ka presion në grup dhe si po përballohet? Ky duel vendos vendin e dytë në Grupin K...

Ne këtu dhe futbollistët jemi mësuar me presion. Luajmë që 15 vjeç, pastaj kemi zhvilluar edhe derbi. Kam lindur në Sao Paolo dhe kam luajtur në Londër. Jemi këtu, kemi fatin në duart tona. Kush fiton nesër shkon më pranë play-off. Jemi të qetë dhe të gatshëm për fitore.

Pikat më të forta të Serbisë dhe a keni frikë se mund të shkarkoheni me një humbje?

Pyetja e parë është e bukur, për të dytën mendoj unë për të ardhmen. Kam qenë në Brazil, me Arsenalin, me Barcelonën dhe në Shqipëri ndihem shumë i lumtur për punën time.

Serbia ka futbollistë shumë të mirë, ekip fizik, në lojën një me një kanë cilësi. Mbaj mend Brazil - Serbi në Botërorin e Rusisë 2018, keni pasur ekip të mirë sepse kam qenë pjesë e stafit të Brazilit. Unë mund të të them emrat, por kjo nuk ka rëndësi. Si Serbia dhe ne kemi shumë futbollistë të fortë dhe kjo e bën ndeshjen më të bukur kur dalim në fushë. Hoxha, Manaj, Broja, Asani, Laçi, Daku, janë shumë cilësorë.

Si janë dy skuadrat sot dhe tre muaj më parë? Si doni t'i motivoni futbollistët?

Kjo është një gjë e bukur në Kombëtare, ndryshe nga klubet. Është një metodologji tjetër, ndryshon gjithçka. Ky është një muaj kur futbollistët vijnë në momentin më të mirë, ndryshe nga qershori kur kampionatet kishin mbaruar. Tetori dhe nëntori janë muajt kur futbollistët mund të jenë në formën më të mirë, ose të dëmtohen. Për fat nuk kemi shumë lëndime. Skema si luajnë në klubet e tyre dhe ajo në Kombëtare janë ndryshe.

Motiv? E kam një letër, por nuk mund ta tregoj tani (qesh). Punojmë me ekipin edhe nga ana psikolgjike.

Keni thirrur 55 emra dhe 44 prej tyre i keni futur në fushë. Para këtij dueli, a është dikush që do të 'rrëmbjë' fanellën e titullarit nesër?

Kjo që thoni është e drejtë, kemi dyert të hapura për lojtarët. Cake dhe Gripshi janë dy afrimet e fundit. Klisman po bën mirë, Gripshi më pëlqen. Është përgjegjësi e madhe të kesh këtë ekip, unë mundohem të bëj zgjedhjet më të mira. Kemi marrë më herët edhe emra nga U-21. Dua emra që kanë përvojë këtë moment", tha Sylvinho.

Pas konferencës për mediet, Kombëtarja zbriti në fushë për stërvitjen gjenerale në impiantin ku nesër do luhet takimi.

SIGURIA DHE MASAT E FIFA-s

Ndeshja në Serbi është vlerësuar si e një rrezikshmërie të madhe nga FIFA, duke dërguar dy oficerë sigurie. Veç zhvendosjes së sfidës nga Beogradi në Leskovac për shkak të frikës nga huliganët serbë dhe klimës së tensionuar politike, Federata Serbe e Futbollit nuk nxorri në shitje asnjë biletë.

6500 tifozët serbë në Leskovac do jenë me ftesa dhe të përzgjedhur, përfshi futbollistë nga akademitë e futbollit. Serbia është e dënuar që këtë duel ta zhvillojë me reduktim të 20 përqind të kapacitetit të stadiumit. Në bazë të një marrëveshjeje mes dy federatave, në ndeshjet Serbi - Shqipëri dhe anasjelltas nuk do ketë tifozë kundërshtarë.

Pas pesë sfidave të luajtura në Grupin K kualifikues të Kupës së Botës 2026, Anglia me 15 pikë mban kreun duke lënë pas Shqipërinë me tetë pikë. Serbia me shtatë pikë ndodhet në pozitën e tretë, por ka një ndeshje më pak. Më pas vijnë Letonia (4 pikë) dhe Andorra me zero pikë.

Ora 18:57
Incidenti me gazetarët serbë, Fatjon Kodra ndërhyn dhe korrigjon përkthimin e gabuar (VIDEO)

Drejtori i Marrëdhënieve me Publikun në Federatën Shqiptare të Futbollit, Fatjon Kodra, mori pjesë në konferencën për shtyp të trajnerit Silvinjo para ndeshjes me Serbinë.

Gjatë deklaratave të teknikut kuqezi, Kodra vuri re se disa gazetarë serbë po shtrembëronin përkthimin e fjalëve të trajnerit. Ai ndërhyri menjëherë për të kërkuar që deklaratat të interpretoheshin saktësisht sipas mënyrës si ishin thënë.

Ndërhyrja kishte për qëllim të shmangte çdo keqkuptim në komunikim. Në vijim, Kodra zhvilloi edhe një bisedë në anglisht me një nga gazetarët e pranishëm, për t’i sqaruar pasaktësinë e citimit. Situata u qetësua pas sqarimit, ndërsa konferenca vijoi normalisht.

Ora 17:22
I vetmi 'i mbijetuar' i Beogradit, Hysaj pas rikthimit në Serbi: Sapo shkelëm këtu u motivuam më shumë

Ka qenë në fushë më 14 tetor 2014 në Beograd, kur huliganët serbë dhunuan futbollistët e Kombëtares. Elseid Hysaj është i vetmi 'i mbijetuar' nga ai ekip dhe 11 vite më pas pritet të jetë në fushë, këtë herë në Leskovac.

Nga Serbia, shkodrani tha se nuk ka nevojë për motivim, pasi sapo zbritën në Nish e kuptuan se si duhet të luanin në fushë.

"Po e përjetoj emocionalisht, është e njëjta gjë si 11 vite më parë për mua. Kjo është një ndeshje e vështirë dhe bukur për t'u luajtur. Masat e sigurisë? Kështu kanë qenë edhe herën e kaluar, besoj që është diçka që e kanë për sigurinë e tyre dhe na karikon ne si Kombëtare për nesër.

93 ndeshje për ju në Kombëtare dhe Botërori?

Për mua është ndër nëse do jem në fushë, që të arrij rekordin e Lorik Canës. Ne kemi objektivin e qartë si ekip, më pas shohim gjërat personale.

Motivimi?

Sa u nisëm nga Tirana, të gjithë futbollistët e kanë parë vetë sepse e kuptojnë këtu sesi është kjo ndeshje.

Mendon se kemi shanse për tri pikë?

Në Tiranë na duhet të fitonim, luajtëm më mirë, por dolëm 0-0. Futbolli është me tre rezultate, të japim 100 përqind në fushë dhe më pas e shohim. Jemi të fokusuar. Këtu kemi ardhur për fitore, të jemi më shumë se 100 përqind në fushë.

A është Shqipëria gati për një fitore këtu?

Të gjithë mendojnë si unë, ne nuk vijmë për barazim apo humbje. Ne kemi një mendje, të gjithë duam fitoren dhe na duhet dita jonë.

Rivalët?

Serbia ka lojtarë të mirë, janë të gjithë me kualitet, por edhe ne kemi cilësitë tona, frymën e grupit dhe do të dimë të përballojmë sulmin e Serbisë", tha Hysaj.

S.Dh/V.GJ /ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Kushtetuesja pezullon dekretin për zgjedhjet në Tiranë, si e vlerësoni?