Samiti III i Diasporës, 'mbledh në një, Shqipërinë dhe shqiptarët'! Rama: Do ngrihet Muze për Arbëreshët në Kalanë e Skënderbeut! Sylvinho nderohet me 'Shqiponjën e Artë'

22 Nëntor 2023, 09:18| Përditesimi: 22 Nëntor 2023, 20:44

  • Share

Në Pallatin e Kongreseve në Tiranë çeli sot punimet dyditore Samiti i 3-të i Diasporës duke bërë bashkë përfaqësues dhe figura të njohura të komunitetit arbëresh në Itali, studiues e historianë në Ditën e Arbëreshëve.

Në nisje të fjalës së tij kryeministri Edi Rama tha se ky samit mbledh në një, Shqipërinë dhe shqiptarët. Për arbëreshët u shpreh se edhe pse janë integruar plotësisht në bashkësinë italiane, kanë ruajtur me fanatizëm vlerat dhe zakonet e tyre, ndërsa dha lajmin e mirë se në Shqipëri do të ngrihet një muze për ta në Kalanë e Skënderbeut.

“Lindi edhe ideja e muzeut arbëresh në Shqipëri. Ne nuk e  kemi një muze, ndërkohë që komiteti arbëresh, ka ruajtur me fanatizëm reliket të jashtëzakonshëm dhe përfaqësuesit e atij komuniteti janë më shumë se sa të dëshiruar që ta kenë në Shqipëri muzeun e Arbëreshëve, të cilit i kemi gjetur vendi dhe ku tjetër, përveçse në Kalanë e Skënderbeut”, tha ai.

Në ditën e dedikuar arbëreshëve, Presidenti Bajram Begaj u shpreh se Shqipëria është me fat të ketë një komunitet të tillë unik në Itali, ndërsa kërkoi një kapitull të ri të bashkëpunimi.

“Është mbresëlënëse dhe unikale çdo element që reflekton dashurinë për atdheun, te arbëreshët ne shikojmë veten në pasqyrën e historisë. Ata përbëjnë një thesar të paçmuar për të mësuar jo vetëm se kush ishim, por edhe për të kuptuar se kush jemi. Eksodi i tyre ishte dramatik, por historia e tyre është një histori suksesi. Ata janë shembull i integrimit dhe i zhvillimit të një marrëdhënie organike midis dy popujve fqinjë, shqiptarë me origjinë dhe tashmë italianë, arbëreshët ruajtën me krenari traditat dhe gjuhën e të parëve. Ata ndërtuan gjithashtu institucione ku u shkolluan dhe u diplomuan personalitete të rilindjes shqiptare dhe personalitete të rëndësishëm për Italinë”,-tha Begaj.

Gjatë samitit personalitete të shquara janë nderuar me “Shqiponjën e Artë”. Një ndër ato ka qenë edhe trajneri i Kombëtares, Sylvinho, të cilit “Shqiponja e Artë” i është dorëzuar nga Kryeministri Rama. Ky i fundit e quajti rajnerin e kombëtares “një shqiptar që po lind”, i cili shpejt pritet të marrë edhe pasaportën shqiptare.

Punimet e ditës së parë të Samitit të Diasporës dedikuar arbëreshëve që kanë ruajtur zakonet, traditën dhe gjuhën shqipe, edhe pse janë integruar tërësisht në Itali, u  përmbyllën me nënshkrimin e një deklarate të përbashkët, mes krerëve më të lartë të politikës shqiptare dhe përfaqësuesve të komunitetit arbëresh, për të gjetur rrugë të reja për trashëgimin e kulturës arbëreshe.

Të pranishëm në samit kanë qenë përfaqësues të lartë të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe mbi 2 mijë bashkatdhetarë nga diaspora. 

Ora 19:33
Samiti i Diasporës, nënshkruhet deklaratë për ruajtjen e trashëgimisë kulturore arbëreshe

1700678429_dddddssss.JPG

Për të gjetur rrugë të reja për trashëgimin e kulturës arbëreshe, punimet e ditës së parë të Samitit të Diasporës u përmbyllën me nënshkrimin e një deklarate të përbashkët, mes krerëve më të lartë të politikës shqiptare dhe përfaqësuesve të komunitetit arbëresh.

Përmes kësaj deklarate, Shqipëria dhe arbëreshët angazhohen për të gjetur rrugë dhe instrumente të reja që nxisin jo vetëm transmetimin ndër breza të gjuhës, artit dhe kulturës arbëreshe, por edhe për të vendosur dhe konsoliduar lidhjen mes arbëreshëve dhe komunitetit më të ri të shqiptarëve të Italisë.

DEKLARATA E PLOTË 

Të mbledhur sot, më 22 nëntor 2023, në Tiranë, në Ditën e Arbëreshëve-Samiti III i Diasporës, nën kujdesin e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, përfaqësues të rajoneve italiane ku shtrihet komuniteti arbëresh: Puglia, Calabria, Basilicata, Abruzzo, Sicila, Molise dhe Campania, përfaqësues të komunave arbëreshe në të gjithë territorin italian, akademikë, studiues, publicistë, gazetarë, artistë dhe shkrimtarë, aktorë publikë dhe privatë, sipërmarrës dhe shumë qytetarë italianë arbëreshë, diskutuam dhe celebruam Ditën Arbreshe, këtë thesar të paçmuar të popujve dhe vendeve tona, me dëshirën dhe synimin për t’u angazhuar më fort dhe për të gjetur rrugë të reja që do të duhet të përshkojmë, që kjo pasuri të trashëgohet, ruhet dhe zhvillohet me dashuri dhe përkushtim për brezat që do vijnë, dhe i drejtohemi: Presidentit të Republikës italiane, Sh.T.Z. Sergio Mattarella, Presidentit të Senatit të Republikës Italiane, Senator Ignazio La Russa, Presidentit të Dhomës së Deputetëve të Republikës Italiane, te Nderuarit Lorenzo Fontana, Presidentit të Këshillit të Ministrave të Republikës Italiane, Sh.S.Znj. Giorgia Meloni.

Miqësia dhe bashkëpunimi i ngushtë mes Shqipërisë dhe Italisë rrjedh nga një marrëdhënie historike mes popujve tanë, ku një vend të pazëvendësueshëm zënë Arbëreshët e Italisë. Ky shkëmbim i vazhdueshëm në shekuj mes kulturave dhe qytetërimeve shqiptare dhe italiane është mbështetur dhe frymëzuar gjithmonë nga drita e shejzave arbërore, e cila, edhe në kohët më të errta për kombin shqiptar, rrezatoi duke ngjallur shpresë e dashuri për mëmëdheun. Shqiptarë për nga origjina dhe italianë prej më shumë se 500 vjetësh, “gjaku ynë i shprishun” ruajti me krenari gjuhën e të parëve, traditat arbërore, figurën e Gjergj Kastrioti Skënderbeut dhe ritet fetare, duke dhënë, në të njëjtën kohë – me kurajo dhe idealizëm – një kontribut të rëndësishëm ne lindjen dhe bashkimin e Italisë, dhe po aq ne Rilindjen dhe Pavarësinë e Shqipërisë. Falë kujdesit dhe vëmëndjes se shtetit italian, Arbërishtja renditet mes gjuhëve të mbrojtura nga Kushtetuta. Ne vlerësuam Ligjin 482/1999 për pakicat gjuhësore në Itali dhe çështjet për zbatimin e tij në rastin e gjuhës arbëreshe.

Përshëndesim dhënien e hapësirës në RAI, të transmetimit të emisioneve radiofonike dhe televizive në gjuhën arbëreshe, dhe e vleresojmësi hap tjetër domethënës në mbrojtje dhe promovim të kulturës arbëreshe. Me synim konsolidimin e lidhjeve me botën arbëreshe, diskutuam mbi angazhimin e Qeverisë shqiptare për hartimin e një marrëveshje të posaçme me Qeverinë Italiane dhe rajonet italiane ku jeton minoranca gjuhësore arbëreshe, në zbatimin e mëtejshëm të Ligjit për pakicat gjuhësore, për të mbështetur mësimin e gjuhës arbëreshe dhe ruajtur trashëgiminë kulturore, për t’i dhënë rrugë formimit të mësueve të gjuhës arbëreshe, me synimin që ajo të shndërrohet në gjuhë kurrikulare në shkolla dhe për promovimin e kulturës arbëreshe në çdo familje, përfshirë ato të komunitetit më të ri të shqiptarëve. Bashkëpunimi akademik dhe universitar duhet të shkojë përpara për të forcuar katedrat e gjuhës dhe letërsisë shqipe në të gjitha universitet, laboratorë të mirëfilltë të shkencës albanologjike, dhe për çeljen e qendrave të tjera. Sistemi ynë arsimor duhet të kontribuojë për të mundësuar krijimin e një shkolle për të mbajtur gjallë gjuhën dhe kulturën tonë të përbashkët. Bashkëpunimi mes aktorëve të shoqërisë civile është një vektor tjetër që synohet të orientohet drejt forcimit të lidhjeve mes Arbërisë italiane dhe Shqipërisë dhe hapësirës shqipfolëse në Ballkan.

Shqipëria dhe arbëreshët do te angazhohen për të gjetur rrugë dhe instrumente të reja që nxisin jo vetëm transmetimin ndër breza të gjuhës, artit dhe kulturës arbëreshe, por edhe për të vendosur dhe konsoliduar lidhjen mes arbëreshëve dhe komunitetit më të ri të shqiptarëve të Italisë. Synohet koordinimi i veprimit të akademive të shkencave të vendeve të rajonit të Ballkanit për zhvillimin e një programi të përbashkët, po ashtu, edhe ndërveprimi i Dhomave të Tregtisë dhe industrisë me ato arbëreshe, si dhe turizmi historik, kulturor, shkencor, etj. Le të konsiderojmë bashkëpunimin e deritanishëm mes institucioneve dhe mjediseve akademike për regjistrimin e iniciativës “Moti i Madh” në listën e UNESCO-s, si hapin e parë të këtij angazhimi që do të formësohet me një marrëveshje të posaçme dhe do të vijojë edhe më marrëveshje të tjera bashkëpunimi në të gjitha sektorët me interes për të dyja palët.

Ora 18:44
Samiti i Diasporës, Petta: Mbështesim nismat që forcojnë identitetin unik arbëresh! Të projektojmë së bashku ide dhe vizionin drejt së ardhmes

1700675210_Screenshot231696x394.jpg

Në Samitin e Diasporës në Tiranë, Kryetari i bashkisë së 'Piana degli Albanesi' në Itali, Rosario Petta, njëkohësisht anëtar i Këshillit Koordinues të Diasporës, shprehu mbështetjen për nisma të tilla që forcojnë identitetin unik arbëresh ndërsa përcolli përshëndetjet e komunitetit arbëresh të Italisë. Ai nënvizoi se është me rëndësi të dizenjojmë të ardhmen duke ruajtur pikat e referencës, identitetin gjuhësor e kulturor arbëresh”.

“Arbëreshët kanë ruajtur dita-ditës me përkushtim e pasion gjuhën dhe traditat e tyre. Ky Samit pa dyshim që është një përgjegjësi e thellë, por në të njëjtën kohë është një mundësi të punojmë së bashku në interes të komuniteteve tona dhe të projektojmë ide dhe vizionin drejt së ardhmes, por të orientuar në origjinën arbëreshe dhe rrënjët unike. Një objektiv ky që ne gjithmonë e kemi promovuar dhe e promovojmë. Arbëreshët në shekuj kanë ruajtur gjuhën, kulturën, si dhe traditat historike e fetare. Në Itali kemi më në fund një ligj që na jep mbrojtje. Besoj dhe jam i sigurt që këto objektiva do të arrihen falë punës së qeverisë shqiptare, të Këshillit të Diasporës dhe diasporës shqiptare kudo ndodhen në botë”, tha Petta.

Ora 18:27
Rama i jep trajnerit të kombëtares 'Shqiponjën e Artë' në Samitin e Diasporës: Shqiptar mund të lindësh, shqiptar mund të bëhesh

  

Kryeministri Edi Rama i ka dorëzuar “Shqiponjën e Artë” trajnerit të kombëtares shqiptare, Sylvihno në Samitin e Disaporës në Tiranë. Ndwrsa trajneri po ngjitej nw skenw, Rama nuk i ka kursyer batutat, duke u shprehur se shqiponjën e ka për një shqiptar në lindje e sipër. 

"Duhet të ndërroj regjistër për të kaluar te kjo shqiponjë. Nuk e kam as për një shqiptar as për një arbëresh. Shqiptar mund të lindësh shqiptar mund të bëhesh. Dhe këtë shqiponjë e kam për një shqiptar në lindje e sipër. Ftoj trajnerin e kombëtares tonë Sylvinho", tha Rama.

Pasi u ngjit në podium, trajneri i kombëtares foli në gjuhën shqipe, ndërsa të pranishmit i përshëndeti me fjalën “mirëmbrëma”.

“Mirëmbrëma. Shumë faleminderit. Faleminderit të gjithëve”, tha Sylvinho.

"Dua të falenderoj të gjithë skuadrën e Kombëtares, janë të fortë, sigurisht edhe stafin e Federatës. Faleminderit të gjithëve, faleminderit të gjithë skuadrës pasi pa ato nuk do të isha në këtë mbrëmje që për mua është një nder i madh", shtoi ai.

Ora 18:13
Samiti i Diasporës, Rama: Mbledh në një Shqipërinë dhe shqiptarët! Po punojmë për binjakëzim me komunat arbëreshe

 

Në Samitin e Diasporës në Ditën Arbëreshe në Pallatin e Kongreseve kryeministri Edi Rama thotë se kjo është një ditë e veçantë që mbledh në një Shqipërinë me shqiptarët.

“Të nderuar miq dhe të ftuar, të dashur vëllezër dhe motra nga Arbëria. Mirë se na erdhët. Është një privilegj përveçse një kënaqësi e posaçme, që tu drejtohesh stërnipërve dhe stërmbesave të Skënderbeut. Ky samit mbledh në një, Shqipërinë me shqiptarët. Në kapërcim të vitit 1466, Gjergj Kastrioti udhëtoi për herë të fundit në Itali. Gjatë ndërrimit të vitit, mbajti një lutje për Arbërinë në kishë. Në Romë kaloi krishtlindjen me Papa Palin e II. Ai u rehatua nga një mik arbëresh në Trejo. Kronikat e kohës tregojnë për gjuhën e pazakontë, zakonet e panjohura të tij. Kurora e thurura me gjuhën, kulturën me zakonet e ruajtura me shekuj, e ruan sot e gjithë ditën rrezatimin, parfumin, fuqinë tërheqëse të saj. Puna mua më ka çuar në shumë vende dhe mes shumë kulturash, por emocioni i vizitës së arbëreshëve që më ka mbetur në një raft të veçantë të kujtesës. I kam të pashlyeshme mbresat e sheshit të vogël të qytezës së parë ku zbritën vallen dhe këngët e fëmijëve arbëresh që na uruan mirëseardhjen, të moçmit e asaj qyteze që qëndronin nëpër ballkone dhe na shikonin. Kishën arbërore ku na mik pritën hirearkët e lartë të saj me pasionin dhe merakun për gjuhën që na e shprehin në të gjitha takimet.

Atje lindi ideja e kësaj dite të veçantë arbëreshe dhe për herë të parë në 100 e 11 vjet, Arbëria dhe arbëreshët nuk janë thjesht për të plotësuar një panoramë folklorike por janë të pranishëm përmes një përfaqësie të tyre dhe përmes kësaj përpjekje të përbashkët për të vendosur një gur në një rrugë që duhet ta vazhdojmë së bashku. Lindi ideja e një duar-shtrëngimi për të ndërtuar një proces duke ecur dorë përdore, në funskion të një mbështetje që shteti Shqiptar duhet t’i japi këtij thesari. Edhe pse arbëreshët janë integruar tërësisht në bashkinë  e madhe italiane, të gjitha të mirat nuk u a kanë tretur pasionin dhe fuqinë e atij amaneti që po sfidohet nga koha e cila po sjell shumë furtuna të natyrës demografike dhe të reja të paimagjinueshme, deri dje për fëmijët që po kthehen në një shqetësim botëror për mësimin dhe lartësimin e gjuhës së vendit ku jetojnë, jo më të gjuhës së kjo që është një nga gjërat e rralla të kësaj bote. Vetë gjuha shqipe këtu në Shqipëri është e kërcënuar nga deformimet, nga humbja e thellësisë së saj si rezultat i disa arsyeve. Imagjinoni sa të vështirë e kanë arbëreshët", tha Rama.

Teksa vlerësoi arbëreshët se kanë ruajtur me fanatizëm vlerat dhe zakonet e tyre shefi i qeverisë, tha se në Kalanë e Skënderbeut do të ngrihet muzeu i Arbëreshëve.

“Lindi edhe ideja e muzeut arbëresh në Shqipëri. Ne nuk e  kemi një muze, ndërkohë që komiteti arbëresh, ka ruajtur me fanatizëm reliket të jashtëzakonshëm dhe përfaqësuesit e atij komuniteti janë më shumë se sa të dëshiruar që ta kenë në Shqipëri muzeun e Arbëreshëve, të cilit i kemi gjetur vendi dhe ku tjetër, përveçse në Kalanë e Skënderbeut”, tha ai.

Ai tha gjithashtu se po punohet për të arritur një binjakëzim të bashkive shqiptar me komunat arbëreshe në mënyrë që bashkëpunimi mes tyre të jetë më i madh.

"Kemi vendosur të hapim këtë proces me komunat arbëreshe që doi të vazhdojë me një binjakësim të të gjitha vashkive tona me të gjitha komunat arbëreshe, jemi pak a shumë me numra të përafërt, ne kemi pak më shumë. Do të ndërtojmë një program të posaçëm të mbështetur nga qeveria për bashkitë për ti dhënë jetë këtij binjakëzimi dhe për ta kthyer në një urë që të krijojmë mundësi komunikimi të vazhdueshëm mes komunitetit arbëreshë dhe Shqipërisë."

Ora 17:03
Begaj në Samitin e Diasporës: I kemi të gjitha mundësitë për të shkruar një kapitull të ri me arbëreshët! Ruajtën me krenari gjuhën e të parëve

 

Presidenti Bajram Begaj, mori pjesë sot në Kuvendin Arbëresh të mbajtur në Tiranë si pjesë e Samitit të Diasporës. Gjatë fjalës së tij Kreu i Shtetit theksoi nevojën e hapjes së një kapitulli të ri bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe arbëreshëve të Italisë.

"Veprimi ynë duhet të jetë imediat dhe përgjegjësi historike, sepse pasojat do të prekin edhe brezat e ardhshëm", - deklaroi Presidenti i Republikës, i cili theksoi nevojën emergjente të angazhimit për ruajtjen dhe lëvrimin e arbërishtes, si një gjuhë që për shqiptarët është çështje identitare. Kreu i Shtetit theksoi rëndësinë e një platforme gjithëpërfshirëse për projekte konkrete në shërbim të forcimit të identitetit kombëtar, të ruajtjes dhe të përcjelljes së trashëgimisë tonë kulturore ndër breza.

Gjithashtu, vlerësoi krijimin e Qendrës për Studime dhe Publikime për Arbëreshët dhe apeloi për mekanizma që krijojnë kushte për zgjerimin e studimeve albanologjike. Presidenti i përgëzoi nismat e përfshirjes së arbërishtes në shkolla, në programet e Rai Kalabria dhe iniciativën e Radio-Televizionit Publik Shqiptar për hapjen e një kanali televiziv për Diasporën, ku sigurisht do të promovohet edhe gjuha dhe kultura arbëreshe.

"Natyrisht, një marrëdhënie e strukturuar duhet të përfshijë të gjithë aktorët në Shqipëri dhe Itali, si: institucionet akademike, shoqërinë civile, organet e pushtetit vendor dhe qendror dhe aktorë të jetës së përditshme kulturore arbëreshe, sepse sfidat janë të tilla, që kërkojnë bashkëpunim dhe bashkërendim".

Begaj përgëzoi profesorët Francesco Altimari dhe Matteo Mandala për përkushtimin e tyre në hartimin e dosjes "Moti i Madh", të dorëzuar për aplikim në UNESCO.

"Natyrisht, në kuadrin e bashkëpunimit nuk duhet të neglizhohet edhe bashkëpunimi ekonomik, i cili mund të zgjerohet në fusha, si: turizmi, kultura, bujqësia, industria ushqimore apo në fusha të tjera me interes të ndërsjellë".

Si pjesë të bashkëpunimit të ri Presidenti propozoi edhe hapjen e një muzeu për Arbëreshët në Shqipëri.

"Ne shqiptarët kemi nevojë për të mos harruar. E kaluara, sidomos kur i mbijeton historisë dhe arrin në aktualitet, duhet mësuar. Shembulli i arbëreshëve duhet të jetë nxitje që sot të bëjmë më shumë për Shqipërinë, jo të përkëdhelim ndërgjegjen duke u krenuar me bëmat e brezave paraardhës. Ata e bënë të tyren. Tani është radha jonë".

Gjatë fjalimit, Presidenti Begaj ndau me të pranishmit edhe përshtypjet e vizitës së tij zyrtare disaditore në Kalabri, ku përmendi virtytet e komunitetit, si: mikpritjen, atdhedashurinë dhe ruajtjen e traditës, të cilat shpërfaqen në të gjitha ngulimet arbëreshe. 

Ora 16:48
Samiti i Diasporës, Hasani: Moment domethënës në marrëdhëniet mes shtetit shqiptar dhe arbëreshëve

1700666989_hasani.jpg

Gjatë Samitit të 3-të të Diasporës në Pallatin e Kongreseve ministri i Jashtëm, Igli Hasani shprehet se ky është një moment domethënës për marrëdhëniet mes shtetit shqiptar dhe komuniteteve arbëreshe.

Hasani shprehu mirënjohjen ndaj Italisë për vëmendjen e jashtëzakonshme ndaj komuniteteve arbëresh.

Fjala e Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme

Kam kënaqësinë e veçantë t’ju uroj mirëseardhjen në Ditën Arbëreshe. Faleminderit të gjithëve që jeni sot këtu me ne. Kjo ditë shënon një moment shumë domethënës në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe komuniteteve arbëreshe në Itali.  Është po ashtu, një rast për të kujtuar me mirënjohje kontributin e jashtëzakonshëm që kanë dhënë arbëreshët në ruajtjen e gjuhës e kujtesës tonë kombëtare. Ishin komunitetet arbëreshe vatrat ku u ndezën fillimisht shkëndijat e mendimit patriotik të Rilindjes Kombëtare. Vatra si kolegji i Shën Benedetit të Ulanos apo i Shën Adrianit, ku mori udhë rizgjimi i vetëdijes sonë kombëtare. 

Të dashur miq,  Zgjodhëm ta mbajmë Ditën Arbëreshe sot, në Ditën e Alfabetit, sepse 22 nëntori mbart një simbolikë të veçantë. Shkëndijat e rizgjimit të ndërgjegjes kombëtare që erdhën nga arbëreshët, forcuan përpjekjet e patriotëve dhe dijetarëve tanë edhe për përcaktimin e alfabetit të gjuhës shqipe në Kongresin e Manastirit, 115 vjet më parë. 

Kongresi i Manastirit është pa dyshim, një monument i historisë së popullit shqiptar, i lidhur ngushtë me procesin e formimit të ndërgjegjes dhe të unitetit kombëtar.  

Prandaj është me vend që sot të nderojmë punën e palodhur të arbëreshëve për gjuhën e kujtesën, këtë traditë që vazhdon edhe sot falë përkushtimit të katedrave të gjuhës dhe letërsisë shqipe në Itali, nga l’Orientale e Napolit e deri në Palermo, nga Kozenca e deri në Romë e Venecie, nga Salento e deri në Bolonjë. Këto katedra janë laboratorë të mirëfilltë të kërkimit shkencor për gjuhën shqipe e asaj arbëreshe në veçanti. Drejtuesit e tyre meritojnë vlerësimin tonë maksimal dhe një falënderim të sinqertë nga zemra.  

Më lejoni po ashtu, të shpreh falenderimet e mia edhe për të gjithë ata kryetarë të komunave arbëreshe, këshilltarë, organizata, për Fondacionin Solano, Fondacionin e Komunave Arbëreshe të Kalabrisë, Federatën e Shoqatave Arbëreshe dhe të gjithë ato gra e burra që punojnë me ide dhe nisma konkrete për të promovuar zhvillimin kulturor, gjuhësor, ekonominë dhe turizmin e Arbërisë italiane. 

Ne jemi me ju dhe ne duam të punojmë bashkë me ju për t’ju mbështetur në ruajtjen dhe forcimin e gjuhës, të identitetit e kulturës arbëreshe, që përbëjnë një pasuri të çmuar të të gjithë shqiptarëve. Dita Arbëreshe është një ftesë për të eksploruar bashkërisht mënyrat sesi mund të bëjmë më shumë në çdo fushë, që nga gjuhësia, historia e kultura, e deri tek shkëmbimet apo partneritetet mes institucioneve e organizatave të shoqërive tona civile.   

Si mund të punojmë së bashku në projekte të një rëndësie të veçantë siç është regjistrimi i “Motit të Madh” në listën e UNESCO-s, –  ku Shqipëria ulet sot në Bordin Drejtues – për të gjetur format më efikase të ndërveprimit mes bashkive tona e komunave arbëreshe, apo për të vendosur e konsoliduar lidhjet mes komuniteteve arbëreshe e komunitetit shqiptar të emigruar ndër vite në Itali.  

Është kjo mbështetje dhe investim tek lidhjet e gjithanshme njerëzore, institucionale, ekonomike, akademike e të shoqërisë civile, garancia më e mirë e ruajtjes të gjuhës dhe kulturës arbëreshe për brezat që do të vijnë. Breza që nuk do të na e falnin nëse ne nuk veprojmë sot me ide e projekte të qarta për të ruajtur këtë thesar me të cilin krenohemi kudo që jemi. 

Shqipëria ka sot mundësi reale të bëjë atë që për pjesën më të madhe të ekzistencës së tij nuk ka pasur mundësinë ta bëjë: t’ju mbështesë me forma e mënyra konkrete. Sigurisht në bashkëpunim e partneritet të ngushtë me Italinë e cila, historikisht ka treguar për komunitetet arbëreshe një vëmendje e kujdes të veçantë, dhe për këtë meriton mirënjohjen tonë. Jam i bindur që diskutimet që janë mbajtur sot në panele do t’i shërbejnë këtij synimi të përbashkët dhe ju siguroj për angazhimin e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme për të qenë kurdoherë pranë jush. 

SI.E.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • @tiMëmaYn!: 22/11/2023 23:27

    Rroftshin e qofshin gjithmonë Arbneshët e Arvanitët,Arnautët..., Rroftë Gjuha Mëmë Shqipja e ZanaFillës!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?