Papa Françesku

Bota

Ndarja nga jeta e Papa Françeskut, trupi do të ekspozohet për homazhe në sheshin e Shën Pjetrit, varrimi të shtunën! Më pas Konklava

22 Prill, 07:22| Përditesimi: 22 Prill, 10:43

  • Share

Tani makineria e Vatikanit, ai mekanizëm i lashtë dhe i ndërlikuar që për dymbëdhjetë vjet ai e ka tundur, reformuar dhe sfiduar, po e shoqëron Françeskun në ritualet që pasojnë vdekjen e tij. Para se trupi i Bergoglios të transferohet në Bazilikën e Santa Maria Maggiore, aty ku ai vetë ka përgatitur varrin për një prehje të përjetshme, larg mureve të Vatikanit.

Drejt Konklavit

Që nga momenti i shpalljes së vendit vakant, pas vdekjes së Papës argjentinas, drejtimi i Kishës ka kaluar në administrim të përkohshëm në duart e kardinalëve. Pushteti do të rikthehet plotësisht vetëm me zgjedhjen e Papës së ri. E ndjeshme ndaj zbrazëtisë së pushtetit, Kisha e Shenjtë Romake ka përsosur ndër shekuj rregulla dhe procedura të qarta, që vendosin kufij të prerë dhe që, prej dje, si mbi shina të paracaktuara, po e drejtojnë Vatikanin drejt Konklavit.

Vdekja dhe ekspozimi i trupit

Bergoglio ndërroi jetë në apartamentin e tij, suita 201 e Shtëpisë Santa Marta. “Iktus, koma, kolaps i parikuperueshëm kardio-qarkullues”, janë shkaqet e konstatuara nga profesori Andrea Arcangeli, drejtor i Departamentit të Higjienës dhe Shëndetësisë në Vatikan, i cili ka qenë pjesë e ekipit mjekësor që e ka ndjekur me shumë diskrecion gjatë këtyre javëve të vështira. “Konstatimi i vdekjes dhe vendosja në arkivol”, që ndodhi mbrëmjen e djeshme në kapelën e rezidencës papnore, përbën kapitullin e parë të ritit të varrimit — një akt tashmë liturgjik që i paraprin funeralit. Së bashku me Arcangeli-n ishin të pranishëm dekani i kolegjit të kardinalëve, Giovanni Battista Re, kardinali kamarier Kevin Farrell, i cili udhëhoqi ritin me një stolë të kuqe mbi supe, mjeshtri i kremtimeve liturgjike papnore, monsinjor Diego Ravelli, si dhe “familjarë të Atit të Shenjtë”. Mbrëmjen e kaluar u vendosën gjithashtu vulat në apartamentin e Bergoglios në Santa Marta, si dhe në ambientet e tjera që i ishin vënë në dispozicion gjatë këtyre dymbëdhjetë viteve, por që ai i kishte shmangur, në Pallatin Apostolik. Dje u krye gjithashtu tanatopraksia, duke u kujdesur që “çdo gjë të ishte në rregull për ruajtjen e përsosur të trupit, në mënyrë që ekspozimi i tij të bëhej me dinjitetin dhe respektin maksimal.”

Transferimi në Shën Pjetër dhe funerali

Trupi i Françeskut ndodhet sot në kapelën ku Papa ka kremtuar meshë gjatë gjithë pontifikatit të tij, dhe që mbrëmë ka nisur një qarkullim i vazhdueshëm kardinalësh dhe bashkëpunëtorësh të kurisë romake për t’i dhënë Atit të Shenjtë lamtumirën e fundit. Që nesër pritet që trupi të transferohet në Bazilikën e Shën Pjetrit, ku do të ekspozohet për nderimin e besimtarëve deri të premten në mbrëmje.
Megjithatë, vendimi përfundimtar do të merret sot nga vetë kardinalët, të cilët ndodhen tashmë në Romë në pritje të mbërritjes së purpuratëve të tjerë nga e gjithë bota. Në orën nëntë të mëngjesit do të zhvillohet kongregacioni i parë i përgjithshëm – mbledhje përgatitore që i paraprijnë Konklavit. Edhe data e funeralit do të vendoset nga kardinalët, por sipas protokollit të përcaktuar në kushtetutën apostolike Universi Dominici Gregis, ato duhet të mbahen “midis ditës së katërt dhe të gjashtë pas vdekjes së Papës”, pra ndërmjet të premtes dhe të dielës. “Dita e zgjedhur do të jetë e shtuna, 26 prill”, ka deklaruar kryetari i bashkisë së Romës, Roberto Gualtieri – por fjala e fundit i takon Vatikanit.

Rregullat e thjeshtuara të Françeskut për lamtumirën

Edhe funeralet, natyrisht, ndjekin rregulla jashtëzakonisht të rrepta, por Jorge Mario Bergoglio ka dëshiruar t’i thjeshtojë ndjeshëm. “Po rishikoj ritin së bashku me mjeshtrin e ceremonive, në mënyrë që papët të përcillen dhe të varrosen si çdo tjetër bir i Kishës”, i rrëfeu ai gazetarit Javier Martinez Brocal në librin Il successore (Marsilio): “Me dinjitet, si një i krishterë i zakonshëm, dhe jo të shtrirë mbi jastëkë të mëdhenj.” Françesku do të kishte dashur që arkivoli të mbyllej menjëherë, por në fund u arrit një kompromis me mjeshtrin e kremtimeve: risia, e përcaktuar tashmë në librin e ri Ordo Exsequiarum Romani Pontificis, parashikon që të mos përdoret më arkivoli trefish – prej qiparisi, plumbi dhe lisi – por vetëm një arkivol i thjeshtë; nuk do të ketë as katafalk për ekspozimin në bazilikë, dhe as pastorali papnor nuk do të vendoset pranë arkivolit. Një ceremoni mortore, siç e përmblodhi monsinjor Diego Ravelli, “e një bariu dhe dishepulli të Krishtit, jo e një të pushtetshmi të kësaj bote.” Në funeral pritet të marrin pjesë udhëheqës politikë nga e gjithë bota — Donald Trump ka njoftuar tashmë pjesëmarrjen e tij, së bashku me zonjën e parë, Melania.

Etapat e tjera

Pas ceremonisë mortore, kalendari vijon sipas rregullave dhe afateve të përcaktuara me përpikëri. Për nëntë ditë me radhë do të kremtohen meshë në përkujtim të shpirtit të Françeskut – të ashtuquajturat novendiale. Më pas, sapo kardinalët të përfundojnë diskutimet për të përcaktuar profilin e Papës së ri, do të hapet Konklavi, midis ditës së 15-të dhe të 20-të pas ndarjes nga jeta të Françeskut, pra, më së voni deri më 10 maj. Por deri atëherë, eshtrat e Bergoglios do të jenë varrosur në Bazilikën e Santa Maria Maggiore. Françesku do të ishte Papa i parë i shekullit XX që prehet jashtë Vatikanit – por jo i pari në histori. Ndoshta ka menduar për holandezin Adriano VI, që jetoi në kohën e reformës luterane dhe që, siç ka vënë në dukje vetë Bergoglio, “kërkoi falje në mënyrë të shprehur për mëkatet e prelatëve të Kurisë Romake”, duke shtuar: “I guximshëm… sot do të kishte shumë punë.”/La Repubblica

Xh.D/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Diaspora po vendos, sa përcaktuese do jetë vota nga jashtë më 11 maj?