Prej 5 gushtit Himara do të ketë kryetarin e ri të Bashkisë duke thënë fund ngërçit 15 mujor: Vangjel Tavo mundi me një diferencë të thellë votash kandidatin e opozitës. Fitorja e thellë me 1477 vota e Vangjel Tavos ndaj Petro Gjikurisë, mund të ketë befasuar këdo në Tiranë e Athinë, opozitën e kritikët, por jo himarjotët. Report Tv bisedoi me qytetarë të Himarës, tashmë që ata kanë krye bashkiakun e ri. Fitorja e Tavo ata nuk i ka gjetur të surprizuar:
“E prisja edhe më shumë” tha një qytetare.
“E votoi populli, e donte populli, kur të do populli, ai zgjedh punëtorin jo dembelin.”
Për ftesën, që kryetari i ri i Bashkisë Himarë, i bëri rivalit të tij Petro Gjikurisë për të qenë nënkryetar, kjo qytetare e komenton kështu:
“Unë të isha si ai do ikja me vrap”
Ndryshe nga sa perceptohet në politikën e Tiranës apo edhe asaj në Athinë, se kryetari i ri i Bashkisë së Himarës Vangjel Tavo u zgjodh për të sheshuar tensionet që lindën me Greqinë, qytetarët e Himarës i lidhin kërkesat e tyre drejtpërdrejtë me të përditshmen e tyre. Çështja e pronave dhe infrastruktura janë të parat që artikulojnë:
“E para është çështja e tokave, kane kaluar kaq shume vite e nuk kemi akoma një dokument”
“Kërkesën për Tavon, të na bëjë rrugën njëherë, ai që sot në mëngjes është në zyrë, kaq punëtor është, pastaj ai është dhe politikan 40 vjeçar dhe vlente të ishte kryetar bashkie. Nëse do të ishte infrastruktura mirë në çdo vend të vërë dorë do bëhen mrekulli në Himarë”
“Do i bëjë të gjitha ato që ka thënë, se është burrë e mban fjalën. Në fillim të pastrohet bashkia nga punonjësit e para, dhe pastaj të bëjë një nga një, çështja e pronave është ajo që mundon himarjotët, pastaj të shtrohen të gjitha këto rrugicat.
Sytë nga kryebashkiaku i ri i kanë edhe për zhvillimin e mëtejshëm të turizmit, të cilin himarjotët e kanë burimin kryesor edhe të të ardhurave.
“Himara do bëhet si Vlora dhe si Shkodra që po bëhet tani, meqenë se ka bukuritë e veta dhe do bëhet më e mirë, do vijnë 2-3 fishi i turistëve me Tavon.”
“Do të rrisë turizmin se kishte rënë pak në këto muaj që nuk kishte kryetar”
Sfida kryesore e kryebashkiakut të ri të Himarës, i zgjedhur në mesin e sezonit turistik, duket të jetë pikërisht turizmi, që do ta vërë edhe përpara sprovës së besimit të qytetarëve himariotë.
Bravo populli i Himares
Përgjigju