Sali Berisha

Politikë

Pas humbjes së thellë, Berisha porosi drejtuesve politikë të PD: Zgjedhjet u vodhën! Keni detyrë faktimin e universit kriminal nëpër qarqet përkatëse

14 Maj, 16:54| Përditesimi: 14 Maj, 21:37

  • Share

Pasi fundosi thellë në humbje Partinë Demokratike në zgjedhjet e 11 majit, Sali Berisha, thirri në një takim të jashtëzakonshëm drejtuesit politik të 12 qarqeve, ku u kërkoi faktimin e krimeve elektorale në qarqet përkatëse.

"Detyra numër një në këtë fazë dhe prandaj ju kam thirrur sonte këtu, ju kam shkëputur nga puna, është mbrojtja e votës duke paraqitur dhe faktuar të gjithë universin kriminal të qarqeve tuaja, të gjitha ndërhyrjet kriminale në qarqet tuaja, çdo evidentim, pasi beteja jonë për ruajtjen e votës së shqiptarëve është betejë për fatin vendimtar të Shqipërisë dhe demokracisë shqiptare. Është betejë të cilën ne do ta fitojmë, sepse sot nuk ka shqiptar që e ndjen veten të tillë dhe nuk pa me sytë e tij e si me vendime qeverie u grabitën zgjedhjet. Nuk ka shqiptar që mund të pranojë për standard shpërndarjen e 100 eurove për person për të blerë votën, shpërndarjen e miliona bimëve kanabisi për të blerë votën",-tha Berisha ndër të tjerave.

Kryedemokrati tha se protesta e 16 majit, pranë samitit të Komunitetit Politik Europian, ka për qëllimin vetëdijësimin e liderëve europianë për praninë e tyre në një narkoshtet, siç e quajti ai Shqipërinë.

"Më datë 16 fillon protesta për një sensibilizim të udhëheqësve europianë që vijnë në Shqipëri se ndodhen në një narkoshtet që nuk respekton asnjë rregull, asnjë parim të votës së lirë dhe kjo s’është se e themi ne, por se e thonë katër rezoluta ndërkombëtare të partive që qeverisin botën",-tha Berisha.

Partia Demokratike, udhëheqëse e koallicionit Aleanca për Shqipërinë Madhështore, ka pësuar një disfatë të thellë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, duke siguruar vetëm 50 deputetë dhe qindra mijëra vota më pak në krahasim me zgjedhjet e vitit 2021.

Teksa pritej që mbledhja të niste, drejtuesit politikë të saj hynë një e nga një për takimin e thirrur, ku vetëm disa prej tyre komentuan duke e gjetur përgjegjësin për humbjen tek vjedhja e votave nga qeveria e Ramës, si alibi politike e deklaruar kjo edhe nga Sali Berisha dy ditët e fundit.

Kurse kandidati i PD-së për deputet në qarkun e Tiranës, Klevis Balliu, akuzoi bandën e Xhabaftëve, sikurse edhe kreu i partisë, duke shtuar se kjo humbje i prekte të gjithë.

“Patjetër që edhe ne duhet të shohim veten tonë, por nuk duhet të shpërqendrojmë vëmendjen nga vjedhjet e Xhabaftëve. Nuk besoj se Xhabaftët janë justifikim, e thashë që edhe ne duhet të shikojmë se ku çalojmë. Është një humbje që na prek të gjithëve. Nuk duhet të shohim gjërat e vogla para të mëdhave. Sepse kemi përballë po të njëjtët njerëz”.

Ivi Kaso deklaroi se duhet të mbaronte njëherë procesi për të dalë tek analiza e humbjes, nga forumet tek baza e demokratëve.

Të mbarojë njëherë procesi, të përfundojë një herë numërimi e do kemi kohë për të gjitha. Do bëhen të gjitha analizat e nevojshme, njëherë me forumet dhe pastaj me demokratët.

Edhe drejtues të tjerë politikë të qarqeve dhe strukturave dhanë komentin e tyre në hyrje të selisë blu, duke bërë përgjegjës qeverinë për vjedhjen dhe blerjen e votës. Bujar Leskaj, Xhelal Mziu, Tomor Alizoti, Tritan Shehu, Gazment Bardhi e cilësuan "vjedhje" rezultatin zgjedhor, teksa vetëm disa prej tyre u shprehën se do bënin analiza për humbjen, duke parë edhe përgjegjësinë.

Ora 21:34
‘Regjimi do përmbyset, mos u shqetësoni...!’ Tritan Shehu nuk komenton humbjen e PD dhe gjen fajtorin: Rrugë tjetër nuk ka, lëvizje popullore dhe pastaj votë e lirë!

Tritan Shehu, kreu politik i qarkut të Gjirokastrës, teksa hynte në selinë e PD-së për mbledhjen e thirrur nga Berisha, akuzoi “regjimin” për humbjen e zgjedhjeve të 11 majit, duke thënë se “ai përmbyset me lëvizje popullore”.

“Përshëndes të gjitha strukturat e Gjirokastrës dhe t’i falenderojë banorët e Gjirokastrës, drejtuesit, komisionerët, numëruesit që u përballën me një regjim. Regjimi nuk përmbyset me votë, por përmbyset në fillim dhe pastaj i hapet rrugë votës së lirë”, tha Shehu.

Ndërsa u pyet nga gazetarët se si fitohen zgjedhjet, Shehu iu drejtua se “bënte pyetje të çuditshme”.

“Regjimi përmbyset vetëm me lëvizje popullore, rrugë tjetër nuk ka! Do përmbyset, mos u shqetësoni”.

Ora 21:26
Bardhi nuk ka fjalë për humbjen e PD-së: Sonte nuk kam asnjë koment, mirënjohje qytetarëve të Fierit që na votuan!

Drejtuesi politik i qarkut të Fierit, Gazment Bardhi, ka mbërritur në selinë blu së bashku me drejtuesin politik të qarkut të Lezhës, Agron Gjekmarkaj, ku janë thirrur urgjentisht nga Berisha për mbledhje në selinë blu pas humbjes së zgjedhjeve të 11 majit.

Bardhi u shpreh i lumtur që takoi gazetarët, teksa kishte ‘humbur’ prej disa ditësh, ndërsa shprehu mirënjohje për 40 mijë qytetarët e Fierit që e votuan.

“Mirëmbrëma jam shumë i lumtur që po ju shoh pas kaq shumë kohësh. Përveç mirënjohjes me zemër për 40 mijë qytetarë të qarkut të Fierit që pavarësisht terrorit në të gjitha drejtimet, qëndruan dhe zgjodhën alternativën më të mirë për Shqipërinë, sonte nuk kam asnjë koment. Mirënjohje, dhe vetëm mirënjohje”, tha ai shkurtimisht, duke mos bërë asnjë koment për rezultatin.

Ora 21:20
‘Jam bërë vegjetarian, vetëm sallatë me një çik Ramë...!’ Alizoti komenton humbjen dhe shpjegon se tani ‘nuk do hajë njerëz të gjallë’: Vjedhje totale

Kreu politik i PD-së për qarkun e Elbasanit në këto zgjedhje, Tomor Alizoti, u pa i tensionuar në hyrje të selisë së PD-së para nisjes së mbledhjes së thirrur nga Berisha, ndërsa rezultati në qarkun e tij ishte një humbje e thellë.

Ai pretendoi se ishte një vjedhje totale nga qeveria dhe se tani ishte bërë vegjetarian e nuk hante më njerëz të gjallë, duke iu referuar deklaratës që bëri në Elbasan gjatë fushatës.

“Jo humbje, vjedhje totale! Totale...! Jam bërë vegjetarian, kështu thuaji...! Më fal vetëm sallatë, sallatë me një çik Ramë!”, u shpreh ai duke u përpjekur të ironizonte ehde kryeministrin.

Ora 21:11
Leskaj: Humbja si pasojë e makinerisë shtetërore, është shndërruar në regjim! Rama një Putin i vogël që duhet luftuar

Kreu politik i PD-së për qarkun e Vlorës, Bujar Leskaj, teksa pranoi se humbja ishte e thellë dhe do bëhej analiza me përgjegjësi e korrektesë, vuri theksin te makineria shtetërore e qeverisë Rama për të ndryshuar vullnetin e zgjedhësve.

Pak para nisjes së mbledhjes së thirrur nga Berisha në PD, ai e cilësoi kryeministrin “një Putin të vogël” që e ka shndërruar në një regjim vendin dhe që duhet luftuar.

“Kjo është humbje si rrjedhojë e makinerisë elektorale të përdorur nga Rama. Ne do ta analizojmë, mandatin e katërt e humbëm për shkak të votës së diasporës. Do ta analizojmë me përgjegjshmëri, ndershmëri dhe korrektesë. Por mos harroni se Rama ka prishur çdo çdo raport institucional në Shqipëri. Ka shkatërruar institucionet e shtetit, i ka vënë në shërbim, në shërbim të zgjedhjeve, të një fushate jo të drejtë dhe të ndershme. Kjo është rrezikshmëria më e madhe për shqiptarët. Unë jam krenar për ata demokratë qëndrestarë që mbrojtën votën dhe vijojnë ta mbrojnë e punojnë”, tha Leskaj në fjalën e tij.

Ai pretendoi se PD i ka denoncuar të gjitha makinacionet e qeverisë para zgjedhjeve dhe u përpoqën që t’i luftonin.

“I dinim këto para zgjedhjeve, i kemi deklaruar, i kemi shkruar, u përpoqëm për t’i luftuar. U përpoqëm, kemi luftuar, të gjithë duhet të luftojmë kundër sektit Rama që të mos shndërrohet, por ai tashmë është shndërruar në regjim, por që të mos na nënshtrojë të gjithëve duhet të bashkohemi të gjithë, edhe ju si gazetarë. Ky është një Putin i vogël ndaj ne duhet të luftojmë të gjithë. Edhe Putinin e madh e takon Makroni, por në duhet të luftojmë të gjithë bashkë”, tha deputeti i PD-së.

Kurse i pyetur për të rinjtë demokratë që kaluan me PS në Vlorë, ai e argumentoi me ndërhyrjen korruptive të kryesocialistit:

“Të rinjtë i bleu Rama me një proces korruptiv!”.

Ora 20:55
Mziu komenton humbjen para mbledhjes: Çfarë të bënim ne, 300 euro vota! I dënoncuam, por Policia dhe Prokuroria u vunë në shërbim të ndarjes së parave

 

Deputeti demokrat Xhelal Mziu, para se të hynte në selinë blu për analizën e zgjedhjeve dhe mbjedhjen e thirrur me urgjencë nga Sali Berisha, dha një koment për humbjen e thellë më 11 maj.

Ai nuk pranoi asnjë përgjegjësi të strukturave drejtuese, duke e parë shkakun e humbjes tek blerja e votës nga qeveria, duke iu referuar edhe rasteve të pretenduara gjatë fushatës në ditët e fundit.

“Ne nuk jemi badiguardë. Nga humbja në humbje se një votë 300 euro, ça të bëjmë ne? Kur policia vihet në shërbim të ndarjes së parave, kur Prokuroria nuk reagon kur ne i kapim me para. Në Kavajë nuk ka patronazhistë, në Fushë-Krujë janë dy grupe kriminale brenda. Bandë kriminale është Edi Rama”, tha Mziu.

Ora 20:47
Humbja e thellë e PD, Noka akuzon qeverinë: U blenë mijëra karta që qytetarët të mos shkonin në votime, u paguan deri në 10 mijë euro!

Flamur Noka duket se nuk e ka kapërdirë dot këtë humbje të thellë të PD-së në zgjedhjet e 11 majit, duke ngritur akuza për blerje të votave, madje tha se njerëzit u paguan që të mos dilnin në votime.

Ai solli një rast të treguar nga një përfaqësues i strukturës në vendlindjen e tij, ku tha se ishin paguar deri në 10 mijë euro një fisi vetëm e vetëm që të mos shkonte në votime.

Noka nuk dha prova, por këmbënguli se qeveria bëri gjithçka që t’i fitonte zgjedhjet, duke përdorur edhe “asfaltin elektoral” apo faljen e gjobave dhe bonusin e pensionistëve.

“Krim pa fund, qeverisja shkon zero dhe këta shtojnë vota. Kanë blerë dhjetëra mijëra karta për të ndenjur qytetarët në shtëpi. Më treguan se u kishin dhënë deri në 10 mijë euro që të mos dilnin në votime, për fisin, ku keni parë kështu? O ka prova këtë herë për vjedhjet, o nuk ka pasur herë tjetër. U dhanë 100 euro për pensionistët, çfarë ishin ato? A nuk ishte blerje vote? Po falja e gjobave nuk ishte blerje vote? A i keni parë fletët e votimit, janë me një laps të mbushura, me një stil dhe një dorë”, tha Noka.

Noka këmbënguli para gazetarëve për vjedhjet nga qeveria, duke thënë se përgjegjësi ka edhe hajduti dhe jo vetëm “i zoti i lopës”.

K.M/A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • spe: 14/05/2025 21:13

    Me $ 6 million qe paguat La Civita mund te kishit blere 20,000 vota. Sa para paguat per ato 50 mandate qe moret?

    Përgjigju
  • Tepelena: 14/05/2025 18:55

    Thirre edhe Fredi Belerin ne revolucion. Thone se ai ka eksperience ne luften kunder shtetit shqiptar.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A do ndikojë vota diasporës në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve?