Sociale

E premtja e zezë/ Mijëra besimtarë katolikë kremtojnë Udhën e Kryqit, ortodoksët procesionin e Epitafit! Përkujtohet Kryqëzimi i Krishtit

18 Prill, 19:24| Përditesimi: 19 Prill, 10:03

  • Share

Mijëra besimtarë katolikë dhe ortodoksë në mbarë vendin kanë përkujtuar sot të Premten e Madhe, një nga ditët më të shenjta të kalendarit të krishterë, që paraprin Pashkët.

Në Tiranë, katolikët u mblodhën në sheshin “Nënë Tereza”, ku kremtuan Udhën e Kryqit, një rit që përjeton vuajtjet dhe rrugën e Krishtit drejt kryqëzimit. Ndërsa ortodoksët nisën në orët e pasdites procesionin tradicional të Epitafit, duke mbushur sheshet dhe rrugët kryesore me qirinj të ndezur dhe lutje.

Këtë vit, Pashkët për katolikët dhe ortodoksët përkojnë në të njëjtën ditë, të dielën, duke e bërë këtë periudhë festive edhe më domethënëse për besimtarët.

Në qytete të ndryshme të vendit, ceremonia e daljes së epitafit është ndjekur nga shumë besimtarë. Në Korçë, pasditja e së premtes u kthye në një nga momentet më të fuqishme shpirtërore të vitit, ku nën drejtimin e At Ilia Kotnanit, mijëra besimtarë ortodoksë morën pjesë në procesionin solemn të Epitafit.

Në Tiranë, qindra besimtarë u mblodhën në Katedralen Ortodokse, ndezën qirinj dhe u lutën përpara se procesioni të niste nga katedralja, të kalonte nëpër sheshin “Skënderbej” dhe të rikthehej sërish në kishë

Në Vlorë, ceremonia u zhvillua në Kishën e Shën Theodhorit, ku qindra besimtarë morën pjesë në daljen e epitafit, duke ndjekur ritin tradicional me qirinj të ndezur dhe këngë liturgjike që përshkruan dhimbjen dhe shpresën e kësaj dite të veçantë.

Në Fier, procesioni i Epitafit nisi nga Katedralja e Shën Gjergjit në orën 19:30, i shoqëruar nga Banda Frymore e qytetit. Epitafi përshkoi rrugët kryesore, ndërsa dhjetëra besimtarë të të gjitha moshave.

E Premtja e Zezë, siç njihet kjo ditë në traditën e krishterë, përkujton kryqëzimin dhe vdekjen e Jezus Krishtit. Quhet "e zezë" për të nënvizuar dhimbjen dhe heshtjen që përshkon këtë ditë të shenjtë.

Në këtë ditë, në të gjitha kishat bëhen ceremoni shumë solemne: nuk festohet asnjë meshë e zakonshme, altarët janë të zhveshur, kambanat nuk bien, dhe atmosfera është e zymtë dhe e heshtur.

Në ritin katolik bëhet Udha e Kryqit për të përjetuar momentet e fundit të Krishtit, ndërsa në ritin ortodoks zhvillohet procesioni i Epitafit, që përfaqëson varrimin simbolik të tij. Në të gjitha traditat e krishtera, e Premtja e Zezë është një nga ditët më të shenjta dhe më të trishta të vitit.

Ora 22:23
Besimtarët ortodoksë në Fier kremtojnë të Premten e Zezë, përshkojnë qendrën e qytetit duke përcjell mesazhe paqe

Besimtarë të shumtë ortodoksë dhe qytetarë fierakë kanë ndjekur mbrëmjen e sotme të Premten e Madhe e të shenjtë, proçesionin e epitafit.

Ashtu sikundër edhe tradita e përvitshme epitafi ka dalë në qytet në orën 7:30 nga kisha katedrale e Shën Gjergjit, shoqëruar nga dhjetra besimtarë të grupmoshave të ndryshme.

Edhe këtë vit ceremonia simbolike është paraprirë nga Banda Frymore e qytetit. Epitafi ka përshkuar qëndrën e qytetit të Fierit duke përcjellë në qytet mesazhe paqeje, besimi shprese dhe ringjalljeje.

E premtja e madhe e quajtur ndryshe E premtja e Zezë është dita kur kujtohen vuajtjet dhe vdekja e Krishtit ndërsa Pashkët janë festa e Ringjalljes së tij nga të vdekurit.

Ora 22:06
Ceremonia e Epitafit në Vlorë dhe Durrës, qindra besimtarë ortodoks marrin pjesë në proçesionin e epitafit

Besimtarët ortodoksë në Durrës kanë marrë pjesë mbrëmjen e së premtes në kryerjen e Udhës së Kryqit, apo siç njihet ndryshe lëvizja e Epitafit të Krishtit nëpër qytet.

Është ky një rit fetar që kisha ortodokse e organizon në mbrëmjen e së premtes së zezë.

Ceremonia e epitafit nisi nga kisha ortodokse e Shën Astit dhe Shën Pavlit përgjatë Rrugës Tregtare për të mbërritur në qendër të Durrësit dhe përfshirë në këtë ceremoni dhe shumë qytetarë të tjerë.

Ndërkohë, edhe besimtarë të shumtë ortodoksë dhe qytetarë vlonjatë kanë marrë pjesë mbrëmjen e kësaj të premteje  në ceremoninë  e të Premtes së  Madhe e të shenjtë, në proçesionin e epitafit.

Ashtu sikundër edhe tradita e përvitshme epitafi është paraprirë nga riti i liturgjive në kishën e Shën Todrit në Vlorë.Rreth orës 19 e 30,epitafi  ka dalë në qytet nga kisha e Shën Theodhorit, shoqëruar nga dhjetëra besimtarë .Edhe këtë vit ceremonia simbolike është shoqëriar nga Banda Frymore e qytetit.

Ora 21:51
Besimtarët ortodoksë në Berat kremtojnë të Premten e Zezë, Epitafi përshkon shëtitoren e qytetit, besimtarët luten për shëndet dhe mirësi

 

Në atmosferën e shenjtë të Pashkëve, besimtarët ortodoksë beratas u mblodhën sot për të përkujtuar të Premten e Zezë, ditën që simbolizon flijimin e Jezu Krishtit në kryq.

Ceremonitë u zhvilluan në Katedralen e Shën Dhimitrit, ku qindra besimtarë ortodokse dhe jo vetëm, u bënë pjesë e këtij rituali të rëndësishëm shpirtëror.

Pas shërbesës së mbrëmjes,i udhëhequr nga Hiresia e Tij Asti së bashku me At Joan Qako dhe At Petraq Simsia,Epitafi i Katedrales së Shën Dhimitrit dhe Epitafi i Kishës së Shën Spiridonit, u shëtitën (në një proçesion solem) nëpër rrugën kryesore të qytetit të Beratit,ndërsa besimtarët luteshin për shëndet,mirësi dhe paqe.

Ky ritual i përvitshëm për besimtarët ortodoks në javën e madhe të pashkës shënon kulmin e dhimbjes për vdekjen e Krishtit por edhe fillimin e përgatitjes për gëzimin e Ringjalljes së tij në natën e Pashkës.

Ora 21:46
E premtja e zezë/ Korça mbushet me besimtarë e vizitorë, marrin pjesë në ceremoninë tradicionale të procesionit të epitafit

Pasditen e së Premtes së Madhe, qyteti i Korçës u mbush me besimtarë e vizitorë, të cilët morën pjesë në ceremoninë tradicionale të kalimit nën epitaf.

Në sheshin përpara Katedrales “Ngjallja e Krishtit” u bashkuan epitafet e gjashtë kishave të qytetit, duke krijuar një atmosferë të bukur.

Nën tingujt e këngëve kishtare dhe lutjeve të përbashkëta, procesioni u nis përgjatë bulevardeve kryesore të qytetit, i ndjekur nga qindra besimtarë dhe turistë.

Këtë vit, procesioni u udhëhoq nga At Ilia Kotnani pasi hirësia e tij Imzot Joani u zgjodh kryepeshkopi i Shqipërisë.

Ora 21:34
E premtja e zezë/ Besimtarët katolikë kremtojnë ‘Udhën e Kryqit’, përkujtohet kalvari i vuajtjeve të Jezu Krishtit

Mijëra besimtarë katolikë përkujtuan një nga momentet më të rëndësishme të kalendarit liturgjik që njihet si “Udha e Kryqit”.

“Udha e Kryqit” tregon për besimtarët katolike rrugëtimin e fundit të Krishtit mbi tokë, birit të Zotit që mbajti mbi vetë mëkatet e të gjithë njerëzimit.

E ndërtuar në 14 ndalesa, besimtarët ecin duke u lutur, me qirinj në duar e duke ndjekur rrugën e mundimeve të Krishtit para dhe gjatë kryqëzimit.

S.B/Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Fushata për 11 majin, a i besoni premtimet e partive politike?