KOSOVË- Situata në veri të Kosovës vijon të jetë e tensionuar. Policia e Kosovës komunikoi pasditen e sotme se serbët në veri kanë lënduar një efektiv të policisë, si pasojë e sulmeve me mjete të forta.
Sipas komunikatës, protestat e serbëve lokalë në komunat veriore, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç, kanë qenë të qeta, por në orët e pasdites disa persona të dyshuar kanë hedhur gurë drejt makinave policore.
Policia ka përmendur se gjatë ditës disa “grupe kriminale” i kanë penguar disa gazetarë në kryerjen e detyrave të tyre dhe automjetet e tyre janë sulmuar. Edhe makinës së grupit të xhirimit të Report TV që ndodhej në Zveçan i janë shpuar gomat (shiko fotogalerinë) Policia e Kosovës u kanë bërë thirrje protestuesve të shmangin dhunën.
Në një intervistë për median italiane “La Repubblica”, komandanti i KFOR-it, Angelo Michelle Ristuccia, ka deklaruar se po të mos ndërhynte KFOR-i në veri, ‘tani do të ishim duke mbajtur zi për të vdekurit’. Ai ka thënë se në Zveçan ka pasur njerëz të cilët ‘me qëllim e kanë nxitur turmën’ e banorëve serbë, të mbledhur prej 4 ditësh para Komunës.
‘Kokëfortësia e autoriteteve vendore shqiptare për të mos vepruar sipas indikacioneve të marra nga partnerët perëndimorë, ka dobësuar shumë ekuilibrin’, tha Ristuccia.
Ai garantoi se asgjë nuk ka ndryshuar për KFOR pas përleshjeve të 29 majit. “Mandati i rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së mbetet i pandryshuar. Dhe ne jemi gati për çdo rast”, tha komandanti Ristuccia.
Kreu i Listës Serbe u përpoq të negocionte me ushtarët e KFOR në mënyrë që të shtrinin perimetrin e sigurisë jo vetëm në rrethimin e komunës, ku ndodhi incidenti ditën e hënë por edhe në dy kryqëzime të tjera, në mënyrë që policia e Kosovës mos afrohej dhe të përshkallëzoheshin tensionet.
Ushtarët e KFOR refuzuan dhe përforcuan masat e sigurisë duke vendosur tela me gjemba. NATO shtoi edhe 700 forca për sigurinë në veri dhe një batalion tjetër është në gjendje gatishmërie të lartë.
Protestuesit shpalosën një flamur gjigant të Serbisë rreth 200 metra të gjatë ndërsa në sfond ishin këngë nacionaliste.
Përfaqësuesit e listës serbe u shfaqën në sheshe me simbole etnike dhe me këngë nacionaliste serbe. Mes atyre që këndonin ishte edhe Goran Rakiç, kryetari i Listës Serbe. Ata shprehen se do të vijojnë të protestojnë deri në plotësimin e kërkesave të tyre, tërheqjen e kryetarëve shqiptarë dhe largimi i njësive speciale. Ata shprehen se do të vijojnë të protestojnë deri në plotësimin e kërkesave të tyre, tërheqjen e kryetarëve shqiptarë dhe largimi i njësive speciale.
“Kurti të mos pushtojë veriun, kërkesat e listës janë të njëjta. Të largohen trupa policor të Kosovës, të mos paraqiten në zyrë kryetarët dhe të lirohen të arrestuarit”, ishte mesazhi i tyre.
Simbole u shfaqën edhe për KFOR ku një protestuese mban një bluzë ku shkruan "KFOR-i vrasësi", para objektit të komunës në qytetin e Zveçanit. Gjatë natës janë arrestuar dy serbë në veri të Kosovës pasi gjatë kontrollit të policisë në automjetin që drejtonin janë gjetur pajisje të kundërligjshme, emblema me simbole nacionaliste, dokumentacione etj. Pjesë e sulmeve kanë qenë edhe gazetarët shqiptarë që ndodhen atje për të raportuar zhvillimet. Një prej gazetarëve të Kosovës goditet me grusht në bark.
Për këtë situatë në veri, ka pasur reagime edhe nga ndërkombëtarët. Presidenti i Francës, Emmanuel Macron foli në Forumin e Sigurisë në Bratislavë, ku mbajti anën e Serbisë duke thënë se Kosova ka përgjegjësi për trazirat.
Edhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken kërkon që palët të ulin menjëherë tensionet. Albin Kurtit i thotë t’i sigurojë kryetarëve të rinj vende të tjera jashtë komunave për të kryer detyrën dhe të tërheqë policët nga godinave ndërsa presidentit serb Aleksandër Vuçiç i thotë se duhet t’i bëjë thirrje serbëve që të përmbahen nga dhuna.
“Kosova dhe Serbia duhet menjëherë të angazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE”, shkroi Blinken ndër të tjera.
Ditën e djeshme, protestuesit serb në tre komunat në veri të Kosovës, Zveçan, Leposaviç dhe Zubin Potok nuk u përplasën me ushtarët e KFOR apo Njësinë Speciale të Policisë së Kosovës, por u raportua për sulme ndaj gazetarëve shqiptarë që ndodheshin atje të raportonin situatën.
Por një ditë më parë, mbetën të plagosur 30 ushtarë, nga të cilët 3 ishin ushtarë hungarezë të cilët janë qëlluan me armë zjarri. Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia kërkoi nga Kosova dhe Serbia që të marrin “përgjegjësinë e plotë” për ngjarjet që ndodhën më 29 maj në veri të Kosovës.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka ndarë në Facebook, foto me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen dhe liderët që ndodhen në Moldavi, për samitin e dytë të Komunitetit Politik Evropian (EPC).
Osmani ka thënë se në pritjen e organizuar nga Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, për liderët e shteteve anëtare të Komunitetit Politik Evropian, kanë diskutuar për zhvillimet e fundit në Kosovë
“Në pritjen e organizuar nga Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, për liderët e shteteve anëtare të Komunitetit Politik Evropian, diskutime me miq për zhvillimet e fundit në Kosovë”, ka shkruar Osmani në Facebook.
PRISHTINË- Gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia, komandant i kontingjentit të KFOR-it, është ndoshta njeriu më i ngarkuar në gjithë Kosovën për momentin. Telefoni i tij bie pa ndalur, teksa shkon nga një takim në tjetrin në bazën e NATO-s në Prishtinë.
‘Siç e dini, tridhjetë ushtarë të KFOR-it, 19 hungarezë dhe 11 italianë, pësuan një sulm nga protestuesit serbë të hënën më 29 maj. Jam shumë pranë tyre dhe familjeve të tyre. Nëntë nga italianët janë në strukturën spitalore të bazës Camp Villaggio Italia, një është i shtruar në Prishtinë dhe një tjetër në Shkup. Mund të them se asnjëri prej tyre nuk është në rrezik për jetën, do të shërohen shpejt”.- u shpreh ai.
Çfarë ka ndodhur para Bashkisë së Zveçanit?
“Kjo është një sallë operative me një situatë jashtëzakonisht të paqëndrueshme dhe unë e përdor këtë term me vetëdije. Situata mund të ndryshojë papritur gjatë një periudhe shumë të shkurtër kohore dhe për ngjarje që me sa duket nuk janë të rëndësishme. Të hënën kisha përgatitur paraprakisht një kontingjent të madh ushtarësh në katër komunat me shumicë serbe për inaugurimin e kryetarëve të komunave shqiptarë të Kosovës të zgjedhur së fundmi”.
Rreziku lidhej me faktin se kryeministri Kurti ka vendosur të vazhdojë me inaugurimin përkundër protestave të serbëve dhe dyshimeve të bashkësisë ndërkombëtare.
Komandanti i KFOR-it, deklaroi se po të mos ndërhynte KFOR-i në veri, ‘tani do të ishim duke mbajtur zi për të vdekurit’.
“Kokëfortësia e autoriteteve vendore shqiptare për të mos vepruar sipas indikacioneve të marra nga partnerët perëndimorë, indikacione që shërbejnë për të lehtësuar dialogun veçanërisht në dritën e progresit të bërë me marrëveshjet në Bruksel dhe Ohër, ka dobësuar shumë ekuilibrin. Për të qenë edhe më i saktë, them se nëse nuk jemi sot këtu për të mbajtur zi për të vdekurit në mesin e popullatës serbe apo në mesin e policëve etnikë shqiptarë, kjo është për shkak se KFOR-i ndërhyri dhe arriti të rivendosë qetësinë”.
Ju flisni për agresion ndaj ushtarëve të KFOR-it. Çfarë e nxiti atë?
“Fakti që pesëmbëdhjetë policë kosovarë kishin mbetur të bllokuar për orë të tëra brenda tre automjeteve të blinduara të rrethuar nga turma gjithnjë e më e trazuar. Protesta kishte dalë jashtë kontrollit të vetë demonstruesve serbë dhe po të kishte ndërhyrë policia kosovare situata do të përkeqësohej edhe më shumë. Ndaj ne ndërhymë, siç e kërkon rregullorja e angazhimit të mandatit tonë, për të lejuar largimin e tre automjeteve. Në atë moment njerëzit tanë u goditën nga shashka, që përmbanin copa hekuri dhe gozhda, kokteje molotovi dhe madje pati edhe të shtëna nga armë zjarri. Tre ushtarë hungarezë janë goditur, por janë jashtë rrezikut”.
“Paqëndrueshmëria në Ballkan i përshtatet Putinit dhe pengon anëtarësimin në BE”
Kush ishte në shesh të hënën?
“ Linja të forta, profesionistë të protestës që nxitën qëllimisht turmën”.
Nga Beogradi duket se do të vijnë përforcime, je i shqetësuar?
“Asgjë nuk ka ndryshuar për ne dhe asgjë nuk ka ndryshuar pas përleshjeve të 29 majit. Mandati i rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së mbetet i pandryshuar. Dhe ne jemi gati për çdo rast”.
Faqja izraelite "Terror alarm" që monitoron lëvizjet e grupeve terroriste dhe paraushtarake ka rilançuar lajmet se burrat e Brigadës Wagner, mercenarët rusë të Prigozhinit, thuhet se po mbërrijnë në Kosovë. A jeni në dijeni për të?
“Deri më sot nuk ka asnjë dëshmi për praninë e tyre në këtë zonë. Shpesh këto janë lajme të prodhuara nga dezinformata dhe të pa verifikuara”.- tha ai.
*Intervistë e dhënë për La Repubblica
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë për rrjetin amerikan CNN, se, pala serbe i ka zbatuar të gjitha obligimet ndërkombëtare që dalin nga Marrëveshja e Brukselit, dhe se Kosova nuk e ka përmbushur një që i ka takuar – formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Kosova dhe Serbia i kanë nisur negociatat për normalizim të marrëdhënieve, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, më 2011. Palët i kanë nënshkruar dhjetëra marrëveshje, por jo të gjitha janë zbatuar.
Vuçiç ka pretenduar se prej kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka ardhur në pushtet, janë kryer 353 sulme ndaj serbëve, të motivuara në baza entie, dhe se ky është numri më i madh i incidenteve të tilla prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
“Vetëm këtë vit, janë kryer pesë sulme me të shtëna ndaj civilëve të nacionalitetit serb. Serbët vetëm duan siguri për veten dhe familjet e tyre”, ka thënë Vuçiç.
Ai e ka mohuar akuzën e Kurtit se ai i ka shantazhuar serbët që të mos marrin pjesë në zgjedhjet lokale në Kosovë, dhe e ka pyetur nëse ka parë diku zgjedhje legjitime demokratike, me pak më shumë se 3 për qind dalje në zgjedhje.
Vuçiç ka thënë se Serbia është e kënaqur me deklaratat e bëra nga Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, lidhur me krizën në Kosovë. Sekretari Blinken ka thënë se i dënon fuqishëm veprimet e Qeverisë së Kosovës, të cilat, sipas tij, po i përshkallëzojnë tensionet në veri dhe po shtojnë jostabilitetin, derisa Macron ka thënë se Kosova është përgjegjëse për trazirat e shkaktuara. Sipas tij, Serbia nuk e ka shkelur asnjë marrëveshje ndërkombëtare, në reagimin e saj ndaj krizës.
“Ne e kemi respektuar Marrëveshjen e Kumanovës dhe Rezolutën 1244 të OKB-së. Ne nuk kemi hyrë në Kosovë me ushtarë. Deri më tani ne kemi pasur bashkëpunim profesional me trupat e NATO-s në Kosovë dhe jam i bindur se ky bashkëpunim do të vazhdojë”.
I pyetur se si i komenton protestat e qytetarëve në veri të Kosovës, presidenti i Serbisë ka thënë se është shumë e rëndësishme që të ruhet paqja dhe stabiliteti.
“E di se ata janë të vendosur që t’i mbrojnë vatrat e tyre dhe unë u bëj thirrje që të protestojnë në mënyre paqësore"./REL
Ministria e Punëve të Brendshme ka thënë se grupet e maskuara kriminale janë mbrapa sulmeve ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në Zveçan.
“Në të dyja rastet, nga të cilat janë dëmtuar dy automjete policore dhe është lënduar një pjesëtar i Policisë, nuk ka pasur asnjë provokim paraprak”, ka thënë ministria.
Mes tjerash, ministria ka pretenduar se grupet që i ka përmendur janë të orkestruara dhe të dirigjuara nga Beogradi.
“Kriminelët do të identifikohen dhe do të ballafaqohen me drejtësi”, është thënë mes tjerash në reagim.
Pak më parë, Policia e Kosovës ka konfirmuar se një zyrtar policor është lënduar në veri, si pasojë e sulmeve ndaj makinave policore me mjete të forta.
Policia e Kosovës ka thënë se të mërkurën është lënduar një zyrtar policor në veri, si pasojë e sulmeve me mjete të forta. Sipas mediave të Kosovës, janë sulmuar edhe disa gazetarë dhe operatorë. Serbët e veriut kanë sulmuar disa prej mediave të Kosovës dhe ato të shqiptare, ndër to edhe të Report Tv që i kanë shpuar gomat.
Sipas komunikatës, protestat e serbëve lokalë në komunat veriore, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, kanë qenë të qeta, por në orët e pasdites disa persona të dyshuar kanë hedhur gurë drejt makinave policore. Policia ka përmendur se gjatë ditës disa “grupe kriminale” i kanë penguar disa gazetarë në kryerjen e detyrave të tyre, dhe automjetet e tyre janë vandalizuar.
Njoftimi i policisë:
Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet e sigurisë, kanë vazhduar angazhimet në ofrimin e sigurisë dhe mbarëvajtjen e protestave të cilat janë mbajtur edhe sot pranë komunave Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.
Fillimisht protesta ishte e qetë, por në orët e pasdites në intervale të ndryshme kohore disa persona të dyshuar kanë hedhur gurë në drejtim të tri automjeteve të Policisë së Kosovës, ku dy prej tyre iu janë shkaktuar dëme materiale duke iu thyer xhamat. Si pasojë e sulmeve nga mjetet e forta një zyrtar policorë ka pësuar lëndime.
Po ashtu gjatë protestës së realizuar sot, disa media/gazetarë janë penguar e sulmuar, si dhe automjetet e tyre ishin vandalizuar nga individ/grupe kriminale. Pengimi i gazetarëve në detyrë cenon të drejtën e shprehjes, informimit dhe lirinë e shtypit.
Ne jemi të përkushtuar të hetojmë këto akte kriminale dhe të parandalojmë shfaqjen e dhunës. Njëkohësisht Policia e Kosovës u bën thirrje të gjithë protestuesve që të përmbahen nga dhuna dhe të shprehin mendimet e tyre në mënyrë paqësore
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka deklaruar se përparimi në dialog mes Kosovës dhe Serbisë, është mënyra e vetme për paqe afatgjatë dhe stabilitet në rajon dhe se Turqia është gati të kontribuojë me pjesën e tyre që u takon.
Sipas njoftimit të Drejtorisë së Komunikimeve të Presidencës turke, Erdogan ka pasur një bisedë telefonike me presidentin Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrin Albin Kurti, ku është disktuar edhe për zhvillimet në veri të Kosovës
“Gjatë telefonatave, në të cilat janë diskutuar edhe marrëdhëniet dypalëshe dhe çështjet rajonale, Erdoğan në lidhje me zhvillimet në veri të Kosovës ka thënë se e vetmja rrugë për të vendosur paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në rajon është avancimi i procesit të dialogut”
Gjithashtu Presidenti Erdoğan ka deklaruar se Turqia është e gatshme të kontribuojnë me pjesën e tyre që u takon në procesin e dialogut, njoftoi sot agjencia turke e lajmeve Anadolu.
Gjithashtu gjatë bisedës telefonike Kurti dhe Vuçiç i kanë përcjellë urimet e tyre presidentit Erdogan për rizgjedhjen në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale të mbajtura në Turqi më 28 maj.
I dërguari britanik për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, ka thënë se e ka vizituar këto ditë Kosovën, “në kohë serioze”.
Ai ka thënë se në takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti e ka dhënë një mesazh të qartë.
“Vendimi i Qeverisë së Kosovës për t’i vendosur me forcë kryetarët e komunave në ndërtesa komunale, ka qenë i pamenduar mirë dhe ka pasoja të dëmshme”.
Sipas tij, ekziston nevoja që të gjitha palët t’i ulin tensionet.
“I kam përcjell zhvillimet nga afër, dhe kam biseduar me homologët në Uashington, Bruksel dhe më tej. Këto biseda ma kanë bërë të qartë se zhvillimet e fundit e kanë dëmtuar imazhin ndërkombëtar të Kosovës dhe reputacionin e saj me aleatët”.
Ai ka thënë se Britania e ka mbështetur dhe do ta mbështesë Kosovën, por veprimet e njëanshme do ta bëjnë më të vështirë diçka të tillë.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj tha se situata në veri të Kosovës është shumë shqetësuese. Haradinaj thotë se situata është më e rëndë që nga viti 1999, duke shtuar se përgjegjës është vetë kryeministri Albin Kurti.
“Qëndrimi i Aleancës është që të iniciohet mocion mosbesimi për kryeministrin Kurti. Mocioni i mosbesimit bazohet në dy zhvillimet më të fundit. I pari është rrezikimi i sovranitetit dhe i sigurisë në veri, dhe i dyti është prishja e marrëdhënieve me SHBA-të, dhe BE-në”, është shprehur Haradinaj.
Ai shtoi se ka nisur konsultimet me partitë për mocionin.
“Kemi filluar komunikimin e ndërsjellë me kryetarët e partive në nivel të grupeve parlamentare, besoj që në të ardhmen do t’i japim edhe rezultatet e këtij komunikimi”, ka thënë ai.
NATO ka vënë në gatishmëri të lartë edhe një batalion rezervë për dislokim në Kosovë “në rast se ka nevojë”, shkaku i tensioneve në veri të vendit. Kjo është bërë e ditur gjatë vizitës së komandantit të Komandës së Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli, admiralit Stuart Munsch, në KFOR.
Ky lajm vjen vetëm një ditë pasi NATO vendosi të dislokojë forca shtesë, pasi 30 ushtarë të misionit të saj paqeruajtës në Kosovë, KFOR, u lënduan gjatë përleshjeve me protestuesit serbë në Zveçan.
“Diskutimet e tyre [Admiralit Munsch dhe komandantit të KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia] përfshinin dislokimin e 700 trupave shtesë nga batalioni rezervë i thirrur në Kosovë nga NATO për të normalizuar situatën dhe për të garantuar sigurinë, si dhe dislokimin e mundshëm të një batalioni tjetër rezervë që është vendosur në gatishmëri të lartë, në rast se nevojiten trupa shtesë”, thuhet në postimin e Komandës së Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli në Twitter.
Admirali Stuart B. Munsch, komandanti i forcave të NATO-s në Napoli, është takuar të mërkurën me komandantin e KFOR-it në Kosovë, për të diskutuar planet dhe operacionet e së ardhmes, ashtu që të sigurohet një ambient i qetë në Kosovë.
Përmes një komunikate për media, NATO-ja ka bërë të ditur se dy komandantët kanë diskutuar për 700 trupat shtesë që do të angazhohen në kuadër të KFOR-it në Kosovë, si dhe vendosjen e një batalioni tjetër në gatishmëri të lartë.
Munsch është takuar të enjten edhe me ushtarë të KFOR-it nga Hungaria dhe Italia, të cilët janë plagosur si pasojë e dhunës që ka shpërthyer më 29 maj në Zveçan, në përplasje e sipër me protestuesit serbë.
Ai është takuar edhe me ambasadorët e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara, me të cilët janë pajtuar për nevojën e dhënies fund të dhunës, dhe fokusimit në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Gjykata Themelore në Prishtinë u ka vendosur masë paraburgimi prej një muaji, dy personave me inicialet, R.P dhe D.O, të arrestuar të hënën në Zveçan.
Ata dyshohet se kane qenë pjesë e përleshjeve mes protestuesve serbë dhe pjesëtarëve të KFOR-it në atë komunë.
Sipas Prokurorisë, ata dyshohen se kanë kryer veprat penale “bashkimi për veprimtari kundër kushtetuese, me qëllim të sulmit kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, “rrezikim të personave në mbrojtje ndërkombëtare” dhe “sulm ndaj personit zyrtar”.
Avokati Dejan Vasiq ka paralajmëruar apelim të vendimit në Gjykatën e Apelit, ndonëse ka thënë se nuk ka shumë pritje.
“Sipas mendimit tim, nuk ka asnjë shpjegim për vlefshmërinë e dyshimeve. Kjo është hera e parë që kam parë dikë që e bazon dyshimin në raportime të mediave, pa ndonjë dëshmi konkrete për atë që janë akuzuar”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas qëndrimit të SHBA që e përjashtoi Kosovën nga stërvitja Defender 2023. Në një intervistë për Financial Times, Kurti ka thënë se ‘sanksionet’ e Amerikës ndaj Kosovës janë të gabuara.
Sipas tij, është koha që të sanksionohet Serbia, për të cilën thotë se po i jep përkrahje një milicie fashiste në veri.
“Ata që flasin për sanksione ndoshta duhet të mendojnë më gjerë apo më thellë”, tha Kurti në një intervistë për Financial Times. “Serbia nuk po vendos sanksione ndaj Federatës Ruse dhe po financon këtë milici fashiste në pjesën veriore të vendit tim, kështu që ndoshta ata duhet të [marrin] sanksione”.
Megjithatë, Kurti e vlerësoi Amerikën si mikun kryesor të Kosovës, duke shtuar se ka qenë në kontakt të përditshëm me ambasadorin amerikan.
Kurti deklaroi se është i gatshëm për një takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Pas situatës të tensionuar në veri të Kosovës, presidenti francez, Emmanuel Macron, ka bërë të ditur se bashkë me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, do të bisedojnë më 1 qershor me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiç.
Macron i ka konfirmuar këto biseda në një fjalim të mbajtur në Konferencën GLOBSEC në Bratislavë.
Takimet do të zhvillohen ndaras, në margjina të samitit Komuniteti Politik Evropian, që do të mbahet në kryeqytetin moldav, Kishinjev.
Për përshkallëzim të situatës në veri të Kosovës, presidenti francez ia ka hedhur gjithë përgjegjësinë autoriteteve në Prishtinë.
Gjatë ditës së nesërme, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg do të takohet me Sekretarin amerikan Antony Blinken.
Në një komunikatë të lëshuar nga NATO, njoftohet që do të ketë deklarata të përbashkëta pas takimit në një konferencë për shtyp në Osllo të Norvegjisë.
Nuk është bërë e ditur ende se cila do të jetë tema e diskutimit. Por, edhe Stoltenberg e edhe Blinken kanë qenë të zënë, dhe kanë dhënë deklarata edhe në lidhje me çështjen e Kosovës.
Sekretari Blinken i ka dënuar ashpër veprimet e Kosovës në veri, duke paralajmëruar për pasoja në raportet tona ndër-shtetërore.
Deklaratat e tij u denoncuan nga ana e kryeministrit Kurti së fundi që i quajti edhe “shumë naive” mes tjerash.
Një foto epike. Kështu e përshkruan gazetari shqiptar i Kosovës, Dukagjin Maliqi. Ai shkruan se guximi i gazetarëve përpara një grupi huliganësh dhe kriminelësh në veri të Kosovës është për t’u admiruar.
“Kjo fotografi është thjesht epike.
Veç ndaluni dhe shihni në detaje këtë fotografi. Guximin e gazetares e cila armën e vetme kundër një grupi huliganësh e kriminelësh e ka mikrofonin, nuk e kanë një pjesë e madhe e burrave që po i fyejnë këta profesionistë.
Përndryshe, Tëvë1 e ka të mbushur redaksinë e lajmeve me të tillë gazetar si Fetije Kamberi.”- shkruan Dukagjin Maliqi.
Gazetarët shqiptarë të cilët ndodhen në veri të Kosovës për të raportuar mbi protestat e serbëve, janë dhunuar sërish ditën e sotme.
Në videon e siguruar nga mediat vendase shihet momenti teksa njëri prej gazetarëve të Kosovës goditet me grusht në bark.
Gazetari i Report Tv, Ermal Qori po ndjek situatën e tensionuar nga afër në veri të Kosovës. Kreu i Listës Serbe u përpoq të negocionte me ushtarët e KFOR në mënyrë që të shtrinin perimetrin e sigurisë. Pra jo vetëm në rrethimin e komunës ku ka ndodhur incidenti ditën e hënë por edhe në dy kryqëzime të tjera. Kjo tentativë, vjen fill pasi një orë më herët rreth 200 metra kaluan 2 patrulla të policisë së Kosovës. Sipas Rakiç, prezenca e tyre do të ngrinte tensione. Ai u kërkoi ushtarëve të KFOR të shtrinin perimetrin e sigurisë, në mënyrë që policia e Kosovës mos afrohet dhe të ngrejë tensione.
Ushtarët e KFOR e refuzuan tentativën për negociatë nga Rakiç pasi sipas tyre një retorikë të tillë e patën edhe ditën e hënë por nuk mbajtën premtimet, çka shkaktoi plagosjen e 25 ushtarëve të KFOR. Ky refuzim, sipas kreut të Listës Serbe do të nxisë tensione edhe më të mëdha.
Një prej përfaqësuesve të KFOR gjatë komunikimit me Rakiç kërkoi madje që të behet një verifikim edhe më i madh ndaj qytetarëve serb.
“Do dëshiroja shumë që ushtarët e KFOR të spostoheshin, por duke marrë shkasë nga ajo që pashë të hënën jam shumë i shqetësuar. Jam shumë i shqetësuar lidhur me atë që pritet të ndodhë.
Unë dua të siguroj paqen dhe sigurinë.
Ai kërkoi që jo vetëm mos të kishte prezencë të të maskuarve serbë por të bëhej kontrolli pasi sipas tij është qëlluar me një lloj plumbi që nuk gjendet as nga ushtarët e KFOR. Pra ka një strukturë kriminale në veri.
25 ushtarë. 25 ushtarë të KFOR-it janë plagosur. Disa prej tyre kishin plagë me armë zjarri. Disa ushtarë të KFOR-it janë plagosur nga arma e zjarrit, u janë nxjerrë plumba, jo shumë larg nga aty ku folëm të hënën mbrëma. Shenjat në plumba tregojnë se është shtënë me të nga një armë, të cilën nuk e ka NATO apo KFOR-i. Armët që kanë shtënë ato plumba nuk kanë qenë këtu. Kam ushtarë të cilëve u janë nxjerrë plumba. Është absolutisht e papranueshme”- tha ai ndër të tjera.
Ekipi i Report Tv vijon të qëndrojë në zonë por disa nga përfaqësuesit e Listës Serbe kanë kërkuar që të qëndronin po nuk garantuan se do të kishte siguri për mediat. Situata pas dështimit të negociatës pritet të përkeqësohet.
Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, ka thënë se Kosova do të përballet me pasoja, për shkak të veprimeve të Qeverisë.
“Ne ia kemi bërë shumë të qartë Prishtinës se ne i kundërshtojmë veprimet e Qeverisë Kurti. Sekretari [amerikan i Shtetit, Antony] Blinken, ka qenë, po ashtu, shumë i qartë se do të ketë pasoja në marrëdhëniet me Prishtinën”, ka thënë Hill para gazetarëve në Beograd.
Ambasadori amerikan ka paralajmëruar se nuk duhet humbur fokusin, duke pasur referencë dialogun e Brukselit, formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, dhe synimet e rajonit për integrime evropiane.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, u ka bërë thirrje edhe Kosovës, edhe Serbisë që t’i kthehen dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, për normalizimin e marrëdhënieve.
Ai e ka përsëritur se vendimi i Qeverisë së Kosovës për t’i instaluar me forcë kryetarët e rinj në komunat me shumicë serbe në veri, i përshkallëzoi tensionet “në mënyrë të mprehtë dhe të panevojshme”.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kërkuar mocion mosbesimi ndaj Qeverisë Kurti si përgjigje për veprimet e saj për veriun e vendit, pas ngjarjeve të ndodhura së fundmi në atë pjesë.
Shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Besnik Tahiri, në një konferencë për media të mërkurën pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ka thënë se me qasjen e Kurtit Kosova po e humb me shpejtësi sovranitetin në veri.
“Që nga vendimi për targat, Kosova në atë pjesë të vendit pop e humb sovranitetin”, ka deklaruar Tahiri.
Ai ka shtuar se sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Kosovës e kanë goditur në themel shtetin.
“Ne nuk mund të sillem kishe nuk është duke ndodhur asgjë në këtë vend, gjendja është e jashtëzakonshëm dhe nuk mund të sillemi zakonshëm. Për AAK është me rëndësi që të nis një mocion i mosbesimit për këtë Qeveri”, është shprehur tutje Tahiri.
“Sanksionet e kanë goditur në themel funksionimin e këtij shteti. Për AAK institucionet janë të shenjta. Nuk mund t’i japim mbështetje një kryeministri që merr sanksione nga Amerika siç marrin armiqtë e saj. Një mocion i mosbesimit është përgjigjja për këtë. Për t’u integruar veriu së pari është dashtë të integrohet politika e Kosovë”, ka përfunduar ai.
Është tensionuar situata në veri të Kosovës, serbët në veri kanë goditur makinat e policisë. Gazetari i Report Tv, Ermal Qori i cili ndodhet për të raportuar në kohë reale gjendjen ka sjellë edhe pamje nga tensionet në Zveçan.
Pas takimit me Albin Kurtin, ku ishte i pranishëm edhe Miroslav Lajçak në Bratislavë, kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borell, ka thënë se situata aktuale në veri të Kosovës është e rrezikshme dhe e paqëndrueshme.
“Kemi nevojë urgjente për ulje të tensioneve dhe zgjidhje mes dialogut, për t’iu kthyer punës drejt zbatimit të Marrëveshjes së arritur”, ka thënë Borrell, duke iu referuar paktit mes Kosovës dhe Serbisë për normalizim të marrëdhënieve.
Ai i ka bërë këto deklarata, pas takimit që e ka zhvilluar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në Bratislavë.
Ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviç, arriti në garnizonin e Rashkës, afër kufirit me Kosovën, ku është vendosur një pjesë e ushtrisë së Serbisë.
Ministria e Mbrojtjes e këtij vendi njoftoi se Vuçeviç do të diskutojë për situatën aktuale të sigurisë me oficerë të lartë të Forcave të Armatosura të Serbisë.
Me urdhër të presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, ushtria serbe është në nivelin më të lartë të gatishmërisë luftarake që nga 26 maji.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka deklaruar se zhvillimet e fundit në vend duke marrë parasysh edhe sanksionet e SHBA, janë negative dhe se situata nuk ka qenë asnjëherë e tillë.
Gjatë mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, Konjufca tha se pozicioni i Kosovës nuk po kuptohet siç duhet nga SHBA-të dhe se procesi zgjedhor i mbajtur në prill ku u zgjodhën kryetarët e rinj të komunave u bë në dakordësi me aleatët amerikanë.
“Kjo nuk është e mirë për ne, është një gjë e keqe për Kosovës. Duhet ta bëjmë një dialog të hapur dhe të me aleatët tanë. Pozicionet tona nuk po kuptohen drejt nga Amerika. Kryetarët atje kanë dhënë dorëheqje pa dhunë, tash institucionet mbete ato janë pjesë e Kosovës nuk banojnë në qiell ato, atje shteti nuk pati mundësi tjetër veç se t’i shpall zgjedhjet në dakordim më SHBA-të. Pse nuk e kuptoj ShBA-në, a jemi duke dal na jashtë ligjeve tona nëse ne jemi në rregull me ligje a ka probleme më të mëdha se ligji. Kur u caktuan zgjedhjet SHBA nuk thanë që këto zgjedhje duhet të anulohe”- ka deklaruar Konjufca.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha në një bisedë me Radion Evropa e Lirë se pezullimi i Kosovës nga stërvitjet ushtarake "Defender Europe" është një fatkeqësi.
"Më lejoni të theksoj se SHBA-ja është mike, partnere e aleate e pazëvendësueshme për sigurinë dhe mbrojtjen tonë, për demokracinë dhe zhvillimin tonë”, tha Kurti.
Kujtojmë se SHBA-ja, të martën, e përjashtoi Kosovën nga pjesëmarrja në "Defender Europe" - një stërvitje ushtarake e udhëhequr nga Amerika në Evropë - me arsyetimin se Kosova i injoroi këshillat e saj për të shmangur rritjen e tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se autoritetet e Kosovës "mbajnë përgjegjësi për trazirat, të cilat janë rritur ndjeshëm" në veri të Kosovës, prej kohës kryetarët e rinj shqiptarë kanë marrë detyrën në komunat me shumicë serbe.
Macron i bëri komentet në një konferencë për sigurinë në Bratisllavë.
“Ne ua kemi bërë shumë të qartë autoriteteve kosovare se ishte gabim që të vazhdohej me këto zgjedhje në kontekstin, e keni parasysh, të mospjesëmarrjes se serbëve. Shpresoj që nesër, në margjinat e komunitetit politik europian, me kancelarin Scholz, ashtu siç bëmë në margjinat e takimit të Pragës , të arrijmë t`i shohim të ulen së bashku kryeministrin kosovar dhe presidentin serb. Është mëse e qartë se autoritetet kosovare mbajnë përgjegjësi për situatën aktuale dhe këtu ka mospërputhje me marrëveshjen e arritur vetëm disa javë më parë”, u shpreh Macron.
Komuniteti shqiptaro-amerikan bën thirrje që të veprohet menjëherë kundër Serbisë për nxitje të dhunës dhe sulm ndaj trupave të NATO-s në Kosovë.
Në një deklaratë për media të këtij komuniteti thuhet se aktet e dhunës së kryer nga grupe të organizuara pro-ruse nga Serbia ndaj policëve të Kosovës, trupave paqeruajtëse të NATO-s dhe gazetarëve në veriun e Kosovës dëshmojnë kërcënimet ndaj paqes dhe sigurisë. Sipas tyre, Beogradi ka qëllim që të shpërthejë konflikti në rajon e të përhapet edhe në vende të tjera.
“Aktet e serbëve etnikë që dhunshëm tentuan të hyjnë në objektet qeveritare, orkestruar direkt nga regjimi i Beogradit, dëshmojnë kërcënimet e përsëritura ndaj paqes dhe sigurisë në një kohë tejet të tensionuar në Evropë. Këto akte dhune nga Vuçiqi dhe falangat e tij, brenda territorit sovran të Republikës së Kosovës, nuk mund të kalojnë pa një reagim të ashpër nga komuniteti ndërkombëtar.
Qëllimi i regjimit të Beogradit, në përputhje me lojalitetin e tyre ndaj Rusisë, është që konflikti të shpërthejë dhe të përhapet në vendet fqinje, duke ndezur potencialisht luftëra të reja në Ballkan – për të hapur një front tjetër në Evropë.
Është e domosdoshme që SHBA dhe aleatët e saj të kuptojnë më në fund peshën e rëndë të situatës dhe të marrin një qëndrim të vendosur kundër shantazhit nga Serbia në vend të përkëdheljes së vazhdueshme ndaj provokimeve të saj. Është thelbësore që Serbia të kuptojë përkushtimin e Perëndimit drejt paqes dhe sigurisë në Kosovë dhe më gjerë, dhe se pasojat e veprimeve në kundërshtim me këtë do të jenë të rrepta”, thuhet në deklaratë.
Ata kërkojnë që Qeveria dhe opozita të bashkohen “kundër provokimeve të Serbisë” si dhe duan që SHBA “t'i japë fund politikës së saj të përkëdheljes ndaj Serbisë”.
“Ne inkurajojmë Qeverinë e Kosovës dhe partitë opozitare që të ndërtojnë një front të përbashkët kundër provokimeve dhe shantazhit serb, dhe të koordinohen ngushtë me aleatin kryesor të Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përkundër mungesës së fundit të masave të domosdoshme kundër Vuçiqit dhe ndërmarrjes së tij kriminale, Shtetet e Bashkuara kanë vazhduar të jenë mbështetës i fuqishëm i sigurisë dhe sovranitetit të Kosovës – përkushtuar për të mbështetur demokracinë e saj pa përjashtim.
Po ashtu, para se të bëhet vonë, i bëjmë thirrje administratës amerikane që t'i japë fund politikës së saj të përkëdheljes ndaj Serbisë dhe të insistojë që çdo dialog për normalizim të marrëdhënieve ndërshtetërore të udhëhiqet nga SHBA dhe të ketë në qendër njohjen reciproke të Kosovës dhe Sërbisë, siç është deklaruar qartë Presidenti Biden dhe katër presidentët para tij.
Duke forcuar partneritetin ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, të dy vendet mund të punojnë drejt përfundimit të ciklit të dhunës dhe arritjes së një paqeje të qëndrueshme në Ballkan, duke evituar ndikimin dhe agresionin rus dhe kinez në Evropën Juglindore”, thuhet në deklaratë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pritet të takohet me përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe të dërguarin e BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, gjatë vizitës së tij të mërkurën në Bratisllavë të Sllovakisë. Lajmi është konfirmuar për Radion Evropa e Lirë nga zyra e kryeministrit.
“Po, kryeministri Kurti po merr sot pjesë në ditën e fundit të Konferencës për Siguri Globale në Bratisllavë. Ndër tjerash, atje do të takojë përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Borrell, dhe emisarin e BE-së, Lajçak, si dhe do të jetë pjesë e disa paneleve të diskutimit. Qëndrimi i tij do të jetë njëditor. Brenda ditës do të jetë në Kosovë”, tha zëdhënësi i Qeverisë, Prparim Kryeziu.
Burime të Bashkimit Evropian e përmendën të martën Bratisllavën si vendtakim të mundshëm të Kurtit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe thanë se janë duke punuar në këtë drejtim. Të dy liderët ishin të ftuar në forumin e sigurisë që po mbahet në Bratisllavë. Nga Qeveria e Kurtit thanë fillimisht se kryeministri e ka shtyrë pjesëmarrjen, për shkak të zhvillimeve në veri të Kosovës.
Vuçiç, megjithatë, tha se nuk do të shkojë në Bratisllavë, sepse, siç u shpreh, “është më e rëndësishme të jem me popullin tim”./ Marrë nga REL
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka ndryshuar mendje dhe ka vendosur të shkojë në Bratislavë, ku po zhvillohen punimet për forumin e sigurisë.
Pamjet e tij në rrjetet sociale i publikoi Instituti sllovak, GLOBSEC, i cili po organizon forumin.
BE e cilësoi Bratislavën si pikë takimi mes Kurtit dhe Vuçiç për të diskutuar situatën në veri të Kosovës, por të dy fillimisht thanë se nuk do të merrnin pjesë se do të qëndronin pranë popullit të tyre.
Por pas vendimit të Vuçiç për të mos marrë pjesë në forum, Albin Kurti duket se ka ndryshuar mendje.
Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç, ka thënë se Serbia duhet ta pranojë që Kosova është e pavarur dhe ta pranojë përfundimisht se Kosova nuk është serbi.
“Jo Kosova nuk është Serbi, kjo është punë e kryer”, ka deklaruar ai.
“Serbia duhet ta kuptojë dhe pranojë se Kosova është e pavarur. Fatkeqësisht, kjo nuk është pranuar as nga disa anëtarë të Bashkimit Evropian”, deklaroi të martën para gazetarëve Milanoviç.
Ai ka deklaruar se në samitin e NATO-s vitin e kaluar, ai u ka bërë thirrje vendeve evropiane të cilat nuk e kanë njohur Kosovën që ta bëjnë këtë.
“Por, është si të flasësh me një mur. Disa vende nuk e kanë njohur, sepse i frikësohen precedentëve që përfundimisht, në ndonjë moment krize, në një rënie imuniteti, mund të zbatohen në vendet tyre dhe t’u merret diçka”, theksoi Milanoviç.
I dërguari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak tha se të dy shtetet do të humbin nëse nuk ka kthim në normalitet dhe nëse do të vazhdohet me këtë situatë.
Ndër të tjerash, ai tha se nuk është detyrë e Bashkimit Europian se cili është fajtor në këtë situatë të krijuar.
“Tani të gjithë mendojnë se për atë që ndodhi është faji i tjetrit. Detyra jonë nuk është të vendosim se kush ka të drejtë apo kush e filloi, por t’i bëjmë Beogradit dhe Prishtinës të kuptojnë se janë përballë një ‘situatë humbje’. Nëse nuk ka kthim në normalitet, të dy duhet të humbasin. Nuk mund të lejojmë që njerëz të vriten ose të plagosen, tani është koha për të ulur tensionet. Marrëveshjet që nënshkruam në shkurt dhe mars duhet të veprojnë si udhërrëfyes”, shtoi ai.
Si sanksion të parë për Kosovën për situatën e krijuar në veri të vendit, SHBA vendosi anulimin e stërvitjes “Defender Europe 23” ku pritej të merrnin pjesë mbi 1300 ushtarë të FSK-së krahas trupave të NATO-s.
Ndërsa së fundmi, për mediat e Kosovës, ambasadori amerikan në Prishtinë Hovenier deklaroi se duke marrë parasysh situatën aktuale në veri një tjetër sanksion që mund të ndërmerret është edhe ndalimi i vizitave të krerëve të shtetit të Kosovës drejt SHBA-ve.
“Do të befasohesha nëse në këto rrethana aktuale, në rrethanat në të cilat jemi tani, të kishte gatishmëri për vizita të nivelit të lartë, qoftë nga SHBA këtu, apo nga Kosova në SHBA”- tha ambasadori amerikan.
Gazetari: Edhe për kryeministrin Kurti?
Hovenier: Siç thashë do të befasohesha nëse në situatën në të cilën jemi aktualisht do të kishte gatishmëri për vizita të nivelit të lartë”.
Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviç e ka cilësuar të rrezikshme situatën e sigurisë në veri të Kosovës. Sipas tij, autoritetet në Kosovë janë fajtore për këtë situatë.
Në një intervistë për RTS, tha se vendimet e tyre janë “të njëanshme, të paligjshme dhe jolegjitime”.
“Ushtria e Serbisë është e gatshme të kryejë çdo detyrë, ndërsa, nga aspekti politik, Serbia e ka përcaktuar se cilat janë vijat e kuqe kur ajo gjendet në një situatë, në të cilën i kërcënohen interesat jetike kombëtare dhe shtetërore. Po flasim për - Zoti na ruajt - skenarë ku dikush vret serbë”, tha Vuçeviç.
Ai tha se Forcat e Armatosura të Serbisë do të jenë në gjendje të lartë të gatishmërisë luftarake derisa të vlerësohet se interesat kombëtare dhe shtetërore të Serbisë janë të kërcënuara dhe ka rrezik të lartë të sigurisë në Kosovë.
Mëngjesin e kësaj të mërkure, situata duket e qetë në veri të protestuesve ndonëse janë mbledhur sërish për të protestuar për kryetarët shqiptarë në komunat me shumicë serbe.
Në Zveçan kanë shpalosur një flamur gjigant të Serbisë mbi 200 metra të gjatë ndërsa vunë edhe këngë nacionaliste serbe.
Dhjetëra protestues janë mbledhur para objektit komunal në Zveçan, ku forcat e KFOR-it kanë ngritur tela gjemborë.
Sekretari i DASH, Antony Blinken ka reaguar për situatën në veri të Kosovës duke dënuar dhunën ndaj trupave të KFOR, policisë dhe gazetarëve.
Blinken thotë se Kurti duhet të sigurojë që kryetarët e zgjedhur të kryejnë detyrat në ambiente të tjera ndërsa për Vuçiç thotë se duhet të bëjnë thirrje serbëve të Kosovës që të mos përshkallëzojnë situatën.
“U bëjmë thirrje të gjitha palëve që të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të ulur tensionet. Shtetet e Bashkuara dënojnë dhunën e papranueshme dje kundër trupave të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, forcave të rendit dhe gazetarëve.
Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të detyruar hyrjen në ndërtesat komunale përshkallëzoi tensionet në mënyrë të mprehtë dhe të panevojshme. Kryeministri Kurti dhe qeveria e tij duhet të sigurojnë që kryetarët e zgjedhur të kryejnë detyrat e tyre kalimtare nga lokacione alternative jashtë ndërtesave komunale dhe të tërheqin forcat policore nga afërsia. Presidenti Vuçiç dhe Qeveria e Serbisë duhet të ulin statusin e sigurisë së Forcave të Armatosura Serbe dhe t'u bëjnë thirrje serbëve të Kosovës që të ndalojnë sfidat ndaj KFOR-it dhe të përmbahen nga dhuna e mëtejshme.
Si Kosova ashtu edhe Serbia duhet menjëherë të angazhohen në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve”, thuhet në reagimin e Blinken.
Te neveritshme disa deklarata si p.sh.Haradinaj me opoziten qe po sillen si hiena qe nuhasin gjak.Kerkojne mocion besimi per qeverine ,pikerisht kur duhet te ishin te gjithe te bashkuar.Mire thone qe armiqte me te rrezikshem te shqiptareve jane vete shqiptaret! Gjithashtu te cuditshme jane deklaratat e Macron qe ben fajtor vetem shqiptaret,apo Lajcak qe thote se BE nuk percakton kush eshte fajtori ne kete ngjarje! Z.Lajcak,derrit i thuhet derr! Pa keto mendesi te Evropes plake, nuk do te kishim dy Luftera Boterore,dhe luftera ballkanike qe me copa hapen e mbyllen nje shekull te tere.Nuk do t'u ishte dhene gjithe diktatoreve dhe autokrateve te kontinentit plak nje shans te dyte sic ju dhate ju dhe paraardhesit tuaj, Hitlerit,Musolinit,Stalinit e Milloshevicit.Dhe sa per deklaraten e z.Blinken,administrata nuk ka pse ndron adrese se na u prekekerka sedra nacionaliste serbe.Nese ndrohen adresat,atehere ky eshte kapitullim para fashisteve serbe.Sa per z.Peach qe na kerkoka largimin e policise,mos valle do te donte t'i kujtonim Irlanden e Veriut? A i largoi ndonjehere policet qeveria e tij kur kishin probleme me IRA-n?
PërgjigjuKurti nuk ka frike se nuk ashte i korruptum si keta ne shqipnin.
PërgjigjuAlbin Kurti te nise gradualisht formimin e ushtrise se Kosoves pasi ka ardh koha qe te tregojme pse kemi shqiponjen si garde elite ilire , shqiponja me dy koke kunder fallacitetit sllav ! Servus do te thote sherbetor apo Slavic ose skllav perandorise romake kurse ilir do thote i barabarte i lire! Millisllav Lajcak nuk meson dot Albin kurtin se Albin Kurti eshte ideolog dhe njeriu qe do ta beje shqiperine dhe kosoven zvicer ! Njeri i madh Albini! Tani Albini te terhiqet por me nje kusht njohje perdundimtare pasi Kosova e ka fituar luften dhe jo sllav Serbia ! Rrespekt per zotin Albin Kurti , u bofsh 100 vjec Albin , tani bej nje terheqje pas per te shtyre shigjetat perpara
PërgjigjuM fal por kjo eshte kenge me cifteli
FEUDALIZMI PERENDIMORE ESHTE LAVIRE MATERIALISTE....TE TERA NJESITE USHTARAKE SHQIPETARE TE VIOJNE ATY KU E KAN LENË-ÇLIRIMIN E TROJEVE ETNIKE SHQIPETARE.
PërgjigjuAlbin Kurti me ate gjatesi kollare do te thote diçka.Amerika dhe Europa ja varin kollaren! Bej kujdes Albin, emrin e ke te bukur, por jo llogjiken.
PërgjigjuZoti Blinken po artikulon qe te mos kete administrate kosovare dhe ALBIN KURTI duhet te lejoj pushtetin e Beogradit. Po çlogjike ka ketu? As me shume e as me pak po thote qe Mitrovica e Veriut ti dorzohet Beogradit?!?!?!Mbrojtesit e lirise nr 1 ne bote po thone keshtu..... Atehere perpara kesaj Blinkeni duhet ti kerkoj ndjese Millosheviqit te vdekur ne burgun e Hages,te demshperblej familjen e tij te vogel qe strehohet ne Moske dhe ate te madhe ne Beograd qe po udhehiqet sot nga WAGNER i Prigozhin. Shqiptaret duhet te ngrihen ku jane e ku s'jane per te mbrojtur jeten e tyre dhe tokat e te pareve qe ua kane rrembyer klyshet e Rusise.
PërgjigjuTë lumt për këtë shkrim…!
Mos ta quajm më Shqipëri????, por Shqiposerbi…!!!
PërgjigjuPrap ti pacavure e shkijeve? shko laj by..then e gojen te padroni jot Berishovic.
Flitet se kryetarjakosovare e SHIK-ut te Shqiperisen VloraHysenaj prej 10 ditesh ndodhet ne Serbi??? Ne respekt te situates renduar ne Mittovicen e Veriut a ka ndonje sqarim se çpo gatuhet nga Tirana e Beogradi per situaten e rende te mesiperme????
PërgjigjuPrapë ti me rrenat e SSB se