Vlora nën ujë! Kolektorë të bllokuar dhe pompa të amortizuara, kush ka përgjegjësi për përmbytjet?! Çuçi: Verifikojmë çfarë nuk funksionoi

5 Tetor, 10:23| Përditesimi: 6 Tetor, 00:34

  • Share

VLORË- Rruga “Albano dhe Romina” në Vlorë, mbushet nga uji sa herë ka reshje shiu. Të premten e 4 tetorit, situata ishte më kritike nga çdo rast. Reshjet e shiu siç autoritetet njoftuan vërshuan në pak orë me intensitetin e një muaji.

“Dje kanë ardhur 180 mm shi, sa për 1 muaj, gjithë këto prurje reshjesh erdhën për 3 orë”, tha kryebashkiaku i Vlorës, Ermal Dredha.

Me theksin se jo vetëm rruga Albano dhe Romina, por edhe zona të tjera të Vlorës, shfaqin këtë panoramë të trishtë që përsëritet çdo here që ka prurje reshjesh më shumë se normalet, kryetari i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha, shpjegon disa nga shkaqet e përmbytjeve në qytetin bregdetar.

“Ka zona në Vlorë që janë nën nivelin e caktuar ka disnivel mes rrugëve, ajo pastaj krijon efektin vaskë.”

Siç duket në këto pamje zona më e prekur nga rrjedha e ujit që kanali kullues ktheu në qytet është lagjia Karabash.

Drejtuesi i politik i PS në Vlorë Bledi Çuçi teksa shfaqi pamje të autoriteteve duke u pastruar mbeturinat nga hidrovori i Vlorës, nuk dha përgjigje se kush janë përgjegjësit për mospastrimin e kolektorëve por tha se do të nisë një verifikimin për të gjetur se çfarë çedoi në Vlorë.

'Mësimet që morëm, sidomos në zonat informale, ku ka munguar urbanizimi, kryetari i bashkisë do aprovojë ndërhyrjet, për të pastruar sidomos ato ndërtimet pa leje mbi kolektorë që janë çmenduri dhe që duhet të marrin fund përfundimisht', thekson Çuçi.

Hidrovori ka qenë në punë me kapacitet të plotë – thotë kryebashkaiku i Vlorës, por për të mundësuar tërheqjen e sasive të mëdha të ujit, ai ngre nevojën e investimeve të reja.

“Është në kapacitet të plotë edhe Hidrovori, janë investime të vjetra, duhet parë mundësia që më vonë, të paktën nga 4 pompa, 2 t’i zëvendësojmë, 2 i kemi pak më të reja. Ato punojnë, por dihet edhe vjetërsia që kanë”, tha Dredha.

Edhe ministri i mbrojtjes, Pirro Vengu u ndal te shkaqet e përmbytjeve pas mbledhjes së Emergjencave. Përpos vërshimit të madh të ujit, edhe Vengui ndalet tek hidrovori, duke thënë se nuk ka punuar në kushtet optimale. Edhe ministri ngiti nevojën për investim të ri.

“Ka shkaqe objektive, kemi një situatë ku në shumë pak orë kanë vërshuar 20 cm ujë. Ka dhe shkaqe teknike që lidhen me rrjetin infrastrukturor dhe të evakuimit të ujërave të zeza dhe bardha në nivel bashkie dhe qarku. Janë evidente nga ekipet në terren që po shohin, që nga kolektorët deri te hidrovorët e stacionet e pompimit, situata nuk ka qenë detyrimisht në kushtet optimale. Na duhet të reagojmë dhe përmirësojmë përmes investimeve në javët në vijim”, tha Vengu.

Stacionet e pompave të cilat kanë peshën kryesore të tërheqjes së ujit që kanalet e kullimit kthyen në qytet mendohet të mos kenë punuar në momentet kritike të përmbytjeve kur në gjithë Vlorën u ndërprenë dritat, të cilat mungojnë ende në disa zona.

Megjithatë, autoritetet sqaruan për Report tv se stacioni stakohet sa herë ka tejmbushje dhe uji del mbi të, për të shmangur incidentet.

Ora 19:49
Përmbytjet në Vlorë/ Report Tv sjell pamjet e kanalit të bllokuar të ujrave të shiut! Banori: Ky është krim! Dy muaj më parë kërkuam pastrimin

 

Banorët shprehen se përmbytja është e qëllimshme dhe mos pastrimi i kanalit i ujërave të lartë na shkaktoi dëme të shumta, jemi tmerruar bashkë me fëmijët thonë ata dhe askush nuk na ka ardhur pasi kërkuam ndihmë.

Report Tv sjell pamjet ku tregohet se kanali i ujrave të larta është bllokuar jo vetëm nga mbetjet por dhe nga ndërhyrjet në të. Një burrë tregon si janë vendosur disa tuba të trashë të cilët kalojnë mes për mes kanalit duke penguar në këtë mënyrë dhe rrjedhën e ujit.

Ky është krim. Krim I organizuar. Kaq! Çoje fjalën time. Unë jam 73 vjeç por kam kaluar terror me fëmijët. Çfarë të të them. Nuk përgjigjet policia shtetit. Nuk përgjigjen institucionet. Është raportuar dy muaj para se të ndodhej kjo punë. Ky magjistral (I bie tubave të medhenj me dorë) nuk e lë ujin e mbjetjet të ecë. Nuk punon shteti.  

 Një grua tregon se muri 20 metra beton ngjtiru me kanalin i ka rënë në shtëpi

Muri 20 metra me beton ka rënë në shtëpi. Kam frikë se do më bjerë shtëpia. Të gjitha janë dëmtuar, thotë qytetarja. 
 

Vlora u përmbyt nga reshjet e djeshme si asnjëherë më parë dhe shkaku më kryesor është edhe dëmtimi i kanaleve të ujërave të larta, i cili nuk arriti të dërgoj ujin e shirave në hidrovor si pasojë e ndotjeve dhe më tej uji vërshoi në qytet.

Banorët shtojnë se ky problem është evidentuar me kohë por askush nuk ka bërë asgjë.

SI.E.//ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Jeni dakord që prokurorët e SPAK të kenë mundësinë për një mandat tjetër?