Kronikë

Vlora 10 ditë nën flakë, përpijnë mijëra hektarë pyje në Tragjas e Karaburun! Zjarri rrezikon të përparojë drejt zonave të banuara në Dukat! Prefekti: E domosdoshme ndërhyrja nga ajri

31 Korrik 2021, 07:21| Përditesimi: 31 Korrik 2021, 23:15

  • Share

VLORË- Pamjet apokaliptike të zjarreve që përpijnë malet prej 10 ditësh kanë krijuar një situatë katastrofike në qarkun e Vlorës si gjatë natës edhe gjatë ditës. Flakët e zjarrit shfaqen kokëforta teksa nuk 'dorëzojnë' pyjet dhe kullotat, ndërsa vatra të reja shfaqen herë pas herë duke e rënduar situatën.

Për shkak të terrenit të thyer dhe malor marrja nën kontroll e zjarrit bëhet mision i pamundur përkundrejt edhe mjeteve që disponojë zjarrfikësit  teksa shfaqen në këto pamje vetëm me lopata dhe shkurre për të shuar flakët gjigante. Në Karaburun zjarri ka përparuar duke rrezikuar të prek dhe zonat e banuara në Dukata Fushë në lagjen Kanal. Administrata rajonale e zonave të mbrojtura Vlorë ka kërkuar nga zjarrfikëset të jenë në gatishmëri dhe se banorët të jenë vigjilentë.

Prej disa ditësh situata është denoncuar në Report TV, i cili ka ndjekur të gjitha situatat e krijuara me zjarret në Vlorë dhe Sarandë. Për çdo komunikim me Ministrinë e Mbrojtjes dhe Emergjencat Civile gazetarët janë përballur me mbylljen e telefonave dhe refuzimin e përgjigjes për situatën. I telefonuar nga studioja e Report Tv ministri Niko Peleshi nuk është përgjigjur, po ashtu edhe kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako.

Teksa Ministria e Mbrojtjes, disponon 4 helikopterë për situatat e zjarreve dhe emergjencave prej tyre, dy helikopterë Cougar e dy E16, asnjë prej tyre nuk është ngritur për t'i ardhur në ndihmë punonjësve në male që përballë zjarrit kanë vetëm shkurre dhe degë pemësh.

Por duket se situata e krijuar i ka gjetur të pa përgatitur institucionet, kur vetë Prefekti i Vlorës Flamur Mamaj deklaron prej disa ditësh në Report TV se helikopterët janë në remont dhe jashtë funksioni.

'Ne kapacitete e shuarjes së zjarrit nga ajri i kemi shumë të kufizuara, kjo dhe për shkak të zjarrit të njëkohësishëm që ka rënë në gjithë territorin e Republikës. Shuarja e zjarrit ka zgjatur rreth 10 ditë në malin e Tomorit dhe të gjitha kapacitete të aviacionit janë në remont dhe kjo situatë na ndodhi ne për keq.'-tha Mamaj.

Ndërkohë, Lorela Lazaj drejtoreshë e Zonave të Mbrojtura ka folur në lidhje me situatën dhe vështirësitë që paraqiten në këtë mal dhe që kërkohet ndërhyrje urgjente nga ajri. Lazaj tha se situata është shumë kritike dhe se deri tani janë djegur pothuajse 500 ha sipërfaqe.

Mjafton të shohim këto pamje që prej ditësh përcjell Report TV për të kuptuar sesa i madh është dëmi dhe sa i madh kanosja nga flakët e zjarrit. 

VIDEO/ Zjarri ne Tragjas

Harta e zjarreve ne rajon dhe ne vendin tone
 

Video nga zjarret në Vlorë

Ora 23:11
Zjarri në Karaburun, Administrata e Zonave të Mbrojtura paralajmëron: Rrezikon të përparojë në drejtim të zonave të banuara në Dukat Fushë! Banorët të jenë vigjilentë

Zjarri që ka përfshirë gadishullin e Karaburunit rrezikon të përparojë në drejtim të zonave të banuara në Dukat Fushë, pranë lagjes Kanal. Paralajmërimi u bë nga Administrata e Zonave të Mbrojtura Vlorë, nëpërmjet një postimi në Facebook.

Sipas njoftimit, forcat zjarrfikëse janë sinjalizuar për të qenë në gatishmëri, ndërsa i bëhet thirrje banorëve që të jenë vigjilentë.

"Zjarri në Karaburun po rrezikon të përparojë në drejtim të zonave të banuara në Dukat Fushë, pranë lagjes “Kanal”. Forcat e zjarrëfikses janë sinjalizuar tashmë për të qenë në gatishmëri , por njëkohësisht lutemi banorëve të jenë vigjilentë dhe në gatishmëri në rast nevoje", thuhet në postim.

 

Ora 21:22
I 'pushtuar' nga zjarri prej 10 ditësh, pamjet dramatike nga Karaburuni

Flakët vijojnë të 'përpijnë' hektarë të tërë me pemë e bimësi në Karaburun, ndërsa pamjet që vijnë nga gadishulli janë dramatike. Prej 10 ditësh tashmë gadishulli i Karaburunit vijon të digjet, ndërsa duket se tashmë po i 'dorëzohet' flakëve. Forcat zjarrfikëse po punojnë për shuarjen e flakëve me mjete rrethanore, po terreni i keq i vështirëson punën. Për shuarjen e flakëve nevojitet ndërhyrje nga ajri, por  kjo është e pamundur për shkak se helikopteri është dërguar për remont, në kulmin e sezonit.

Ora 21:10
Videolajm/ Zjarri në fshatin Tragjas zbret deri poshtë në bypass-in e Vlorës

Zjarret në qarkun e Vlorës janë përkeqësuar ndjeshëm ku një nga vatrat e aktivizuara në fshatin Tragjas ka dalë jashtë kontrollit ku flakët kanë mbërritur deri poshtë në rrugën e bypass-it të Vlorës. Në video dallohet që flakët kanë mbërritur deri poshtë ku fatmirësisht në zonë nuk ka banesa e shtëpi, por vetëm 3 stane.

Zjarret në fshatin Tragjas vijojnë prej ditësh, ndërkohë që për shkak të terrenit të vështirë nuk mund të ndërhyhet me mjetet zjarrfikëse por vetëm nga ajri. Sipas z.ministres së Mbrojtjes Dallandyshe Bici, helikopterët janë çuar për remont.

Ora 18:04
Zjarret në Vlorë, zv.ministrja e Mbrojtjes tha se s'ka nevojë për helikopterë, Prefekti flet nga terreni: E domosdoshme ndërhyrja nga ajri

 

Ndryshe nga sa tha zv.ministrja e Mbrojtjes, Dallëndyshe Bici se situata me zjarret në Vlorë nuk është jashtë kontrollit, Prefekti i Vlorës, Flamur Mamaj, nga terreni u shpreh se është e domosdoshme ndërhyrja nga ajri për të shuar flakët. Në lidhje telefonike për 'Report Tv', Mamaj u shpreh se situata është vështirësuar edhe nga ndryshimi i krahut të erës, duke shtuar se do të ndërhyjnë në të gjitha vatrat gjatë natës, kur bie edhe intensiteti i flakëve. Ai tha se ditën e nesërme, në ndihmë të zjarrfikësve do të shkojë dhe ushtria, duke shpresuar edhe në riparimin e helikopterëve për të shuar flakët.

"Situata është e vështirë për shkak të ndryshimit të drejtimit të erës. Jemi në terren dh epo përpiqemi të shmangim  përhapjen e flakëve. Nuk e di se çfarë ka thënë zv.ministrja, por besoj që ndrhyrja nga ajri është e domosdoshme. Helikopterët janë në remont pas katastrofën në Malin e Tomorit dhe remontet janë çështje teknike.  Zjarret janë të paparashikueshme dhe nuk e parashikojmë dot nëse e përballojmë me këto forca. Por gjatë natës bie intensiteti i zjarrit dhe do përpiqemi të ndërhymë në të gjitha vatrat që në mëngjes mos të kemi këtë situatë. Ne jemi në vazhdimësi në terren, nesër do të ketë ndërhyrje ushtarake, le të shpresojmë që me punën tonë, mbase riparohen në kohë helikopterët dhe të bëhet e mundur një ndërhyrje nga ajri dhe të normalizohet situata. Zjarri favorizohet edhe nga era. Nesër do ketë përsëri ndërhyrje të forcave ushtarake", tha ai.

Pak më herët, Bici tha për 'Report Tv' se nuk ishte e nevojshme përdorimi i helikopterëve ndërkaq pranoi se ata janë në remont, ndonëse jemi në pikun e sezonit të verës, ku rreziku nga zjarret është mjaft i lartë.

 

Ora 16:29
Tjetër zjarr në Vlorë, përfshihet nga flakët fshati Xhyherinë! Digjen pemë e ullinj, dyshohet zjarrvënie e qëllimshme

Duket se nuk ka paqe për Vlorën. Teksa zjarrfikësit luftojnë prej ditësh me flakët në Karaburun dhe Tragjas, një tjetër zjarr ka rënë pasditen e sotme në fshatin Xhyherinë .

Flakët kanë përfshirë një pjesë kodrinore, duke djegur pemë e ullinj. Në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse dhe po punojnë për shuarjen e flakëve.

Paraprakisht dyshohet se zjarrvënia ka qenë e qëllimshme, por megjithatë nuk bëhen me dije të tjera detaje nga rrethanat e ngjarjes.

Ora 14:35
Shqipëria nën flakë, paralajmëron IGJEUM: Sot pasdite dhe nesër ka rrezik për zjarre në 10 qarqe! Do kemi erë dhe pluhur nga Saharaja

IGJEUM në një njoftim zyrtar, ka parashikuar zonat e rrezikut me rritjen e temperaturave mbi 40 gradë celcius. 10 qarqe të vendit parashikohen me rrezikshmëri të lartë për rënien e zjarreve. Ndërkohë IGJEUM thotë se rreziku do të jetë i moderuar në qarqet e Durrësit dhe Dibrës. IGJEUM parashikon se era që do të fryejë do të jetë tejet e nxehtë dhe e shoqëruar me rërë që e kanë prejardhjen nga Saharaja.

'ZJARRET NË PYJE
Sot pasdite (e shtunë dt.31) dhe nesër (e diel dt.01) pritet nivel “I LARTË” rreziku në pothuajse të gjitha qarqet e vendit. Vetëm në qarqet Dibër dhe Durrës pritet nivel “I MODERUAR” rreziku (siç tregohet në tabelë, respektivisht për secilin qark). Në qarqet Dibër dhe Durrës pritet rrezik “I LARTË” vetëm në zona të lokalizuara, konkretisht: Dibër (perëndim) dhe Durrës (jug).
Rreziku pritet të jetë më i lartë ditën e nesërme.
RESHJET
Sot pasdite (e shtunë dt.31) dhe nesër (e diel dt.01) nuk priten reshje (siç tregohet në tabelë, respektivisht për secilin qark).
TEMPERATURAT
Nesër (e diel dt.01) temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë:
në bregdet: 23 / 36 °C
në vendet e ulëta: 20 / 41 °C
në vendet malore: 16 / 36 °C
Era
Sot pasdite (e shtunë dt.31) dhe nesër (e diel dt.01) era pritet të fryjë e lehtë deri në mesatare. Vala e të nxehtit gjatë ditëve në vijim, përveç temperaturave të larta, do të shoqërohet edhe me pluhur me origjinë nga shkretëtira e Saharasë.'- shkruan IGJEUM.

 

Ora 14:26
Vlora mes flakësh prej 10 ditësh, Niko Peleshi dhe Çako ‘fikin’ telefonat! Zjarrfikësit në mëshirë të fatit

Teksa Vlora është në një situatë emergjente, prej 10 ditësh e ‘mbërthyer’ nga flakët, pa asnjë ndërhyrje nga ajri, Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi dhe Kreu i Emergjencave Kombëtare Haki Çako nuk i janë përgjigjur interesit të Report TV.

Të vetmit përballë kësaj situate në të gjithë qarkun, janë vetëm 30 zjarrëfikës të Vlorës, 8 të zonave të mbrojtura dhe ushtarë e Poshnjës të cilët po "luftojnë" me flakët me mjete rrethanore. Edhe perfekti i Vlorës ngriti shqetësimin për Report TV duke thënë se helikopterët janë në remont, madje theksoi se kishte kërkuar ndihmë por si duket askush nuk e vë ujin në zjarr.

Teksa qindra hektare pyje janë djegur dhe të tjera vazhdojnë të digjen, pse ministria e mbrojtjes dhe ajo e emergjencave civile nuk përgjigjen? Mos vallë kanë filluar pushimet që ‘fikin’ telefonat?

Ora 14:01
2 vatra zjarri në Durrës, po punohet për t'i shuar, nuk ka banesa të rrezikuara

Sot ka pasur 2 vatra zjarri në Durrës, një në Shetaj në njësinë administrative Ishëm dhe një në Rrushkull njësia administrative Sukth. Është përfshirë nga flakët bimësia në të dy rastet. Nuk bëhet fjalë për dëme njerzore apo në banesa. Janë angazhuar 10 forca zjarrfikëse në Shetaj dhe 4 në Rrushkull për të vënë flakët në kontroll. Zjarri në Rrushkull është shuar kurse ai në Shetaj drejt shuarjes.

Ora 13:25
Drejtoresha e Zonave të Mbrojtura në Vlorë, Lazaj: Janë djegur rreth 500 ha sipërfaqe! Kërkohet ndërhyrje urgjente nga ajri

Lorela Lazaj drejtoreshë  e Zonave të Mbrojtura ka folur në lidhje me situatën dhe vështirësitë që paraqiten në këtë mal dhe që kërkohet ndërhyrje urgjente nga ajri. Lazaj tha se përafërsisht llogaritet për një sipërfaqe deri në 500 ha që është dëmtuar nga zjarret kryesisht kullotë.

'Situata është shumë kritike, në krahasim me ditën e djeshme ka një trend përmirësimi, jemi në ditën e 5 të zjarrit dhe e vetmja ndërhyrje është bërë nëpërmjet tokës. Sot janë gati 80 persona që janë shpërndarë në perimetrin e zjarrit dhe po mundohen që ta neutralizojnë ato. Po punojnë në kushte atmosferikë shumë të vështira si dhe në mungesë të pajisjeve teknike të specializuar për ndërhyrje të kësaj shkalle, por edhe të kushteve atmosferike pasi fryn erë dhe favorizon flakët. Dyshojmë se ka një sipërfaqe prej 500 ha. ende nuk kemi një raport përfundimtar. pjesa më e madhe janë fond kullosor dhe shpresojmë që vlera dëmit të këtij zjarri të jetë sa më e ulët. U kemi kërkuar emergjencave Civile ndërhyrjen ajrore por nuk kemi pasur deri tani të mundur për shkak të arsyeve teknike dhe të gjitha përpjekjet tona janë fokusuar në pjesën tokësore. Është e pamundur nëse mbështetemi vetëm në rrugë tokësore.'- tha Lazaj.

Ora 09:54
Zjarri në Ksamil, arrestohet një 25-vjeçar, dyshohet se dogji një sipërfaqe toke me shkurre dhe pemë ullishte

Një 25-vjeçar është arrestuar sepse dyshohet se i ka vënë zjarrin një sipërfaqe toke në Ksamil. Flakët dolën jashtë kontrollit dhe dogjën një sipërfaqe shumë të madhe në këtë zonë, duke shkaktuar dëme të mëdha. Policia prangosi Edmond Zogajn, 25-vjeç, për veprën penale “Shkatrrimi i pronës me zjarr”.

'Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Sarandë, arrestuan në flagrancë për veprën penale “Shkatrrimi i pronës me zjarr”, shtetasin E. Z, 25 vjeç, banues në Ksamil, pasi mbrëmjen e djeshme, në kodrën në lagjen nr.1, Ksamil, ky shtetas dyshohet se ka djegur me zjarr, një sipërfaqe toke me shkurre dhe pemë ullishte. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.'- njofton policia.

Një natë më parë një vatër zjarri u aktivizua në një zonë të gjelbërt në hyrje të Ksamilit, ku flakët u përhapën masivisht, duke shkrumbuar zonën me shkurre.

M.Q.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 01/08/2021 00:00

    Po tani i gjeten t'i cojne per remont helikopteret,c'bene muajt e pranveres?!

    Përgjigju
  • Tulli: 31/07/2021 12:57

    Babloku beri namin per ty letra ne toke dhe thirri Lelin si Akili i zemeruar dhe ndersa difjet vendi ferkon krahet Lali Eri se do mbjell me shume.

    Përgjigju
  • Meti: 31/07/2021 12:33

    Lereni Peleshin dhe Cakon. Keni Kryeministrin apo ministrin e brendshem, me ata merruni. Sidomos Ramen qe veron ne Vlore dhe e keni perdite me fotoshop ne rrjete sociale. Apo keni frike se i prishni planet e djegjes se gadishullit te Karaburunitbper disa resorte?

    Përgjigju
  • Bajoneta: 31/07/2021 12:32

    Prandaj xhaxhi mbante aksioniste.

    Përgjigju
  • Turi: 31/07/2021 12:13

    Skane leke per mjetet e zjarrfikesve se u duhen per fushata legenave lere te digjet vendi vk

    Përgjigju
  • Ardi: 31/07/2021 06:08

    Pseeshte shuar Shqiperia per nje helikopter po avion qe hedh uje nga ajri .Ahh shtet i mbaruar thuaj .Ky problem ka vite dhe asnje zgjidhje

    Përgjigju
  • Arti: 31/07/2021 05:49

    Të rrojë i gjati pa le të digjet Vlora. Të na thotë noi batutë të paktën, se tani është bërë si estradë, psh: "Prift, mos i lër zjarret të digjen se na digjet Vlora"

    Përgjigju
    • cecua nga tropozha: 31/07/2021 16:36

      trroj sali berisha o popull marrte nga ditet e juaja o popull idiot

    • Emigranti: 31/07/2021 13:09

      Te rroje Sala po vari leshte Shqiptareve

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?