TIRANË- Takimin e parë për nisjen e fushatës elektorale të 11 majit, kryesocialisti Edi Rama zgjodhi që ta zhvillojë me gratë dhe vajzat nga 12 qarqet e Shqipërisë, si një mesazh për mbështetjen që kjo forcë politike jep ndaj tyre. Nënat dhe bijat shqiptare, Rama tha se janë të vetmet që garantojnë rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
“Shqipëria është grua, Evropa është grua dhe suksesi i përpjekjes për Shqipërinë 2030 në BE varet në radhë të parë nga nënat, motrat dhe bijat e Shqipërisë. Nuk ka asgjë që mua më bën më shumë krenar për PS sesa fakti që kjo forcë politike mbështetet fuqimisht nga gratë dhe vajzat e Shqipërisë”, tha Rama.
Më 12 maj, Rama nuk ka asnjë dyshim që PS do të marrë fitoren më të thellë, ndërsa për kundërshtarët politikë të cilët i quan një tufë delirantësh, thotë se do zhgënjehen me rezultatin më të keq se nga 1997. Ironizoi edhe këshillarin amerikan të Berishës, Chris LaCivita, 'magjia' e të cilit tha se do u kthehet së prapthi dhe do ulërasin se zgjedhjet u vodhën.
“Erdhi sherifi dhe latifi. Bufi e di më mirë se unë, ju e të gjithë që vetëm një magji mund ta shpëtojë nga disfata dhe disfatën më 11 maj do ta ketë më të madhen që nga 1997. Magjia do t’i ndodhë por për së prapthi dhe pastaj hajde e dëgjoi se na kanë bërë magji, na i morën se i kishim në kuti.”, u shpreh Rama.
Si një piktor, kreu i PS shprehet se Shqipëria më 12 maj do të zgjohet ngjyrë rozë dhe se harta elektorale do mbulohet me flamurin e PS.
“Ai flamur që ju keni qëndisur zonë me zonë, njësi më njësi, do ta mbulojë të gjithë hartën elektorale të 11 majit. Në mëngjesin e 12 majit Shqipëria do ngrihet e mbuluar me rozë, që është ngjyra e grave dhe vajzave, por edhe ngjyra e PS”, tha Rama.
Sali Berishën nuk e kurseu duke i kujtuar vrasjet e 21 janarit, ndërsa tha se sot akuzojnë PS për lidhjet me krimin, por në fakt kjo është forca politike që luftoi korrupsionin.
"I them atyre që ju bien fyellit prej shumë vitesh në të njëjtën vrimë, se kjo parti ka mbështetjen e krimit prandaj është e pathyeshme dhe këtë e thonë njerëz që kanë vrarë në bulevard me pushkët e shteti apo ata që mllefin e kanë si motiv për tu zgjuar në mëngjes. Askush asnjëherë më parë nuk e ka luftuar korrupsion si kemi bërë ne dhe e dyta ata le të vazhdojnë që ti bien atij fyelli", theksoi Rama.
Rama u kërkoi votën grave shqiptare jo vetëm për t’u dhënë në duar fëmijëve pasaportën europiane, por siç thotë ai edhe për të garantuar paprekshmërinë e reformës në drejtësi.
“Si mund t’i lini ju nënat e këtij vendi, fëmijët, në mëshirën e kujt do vijë në qeveri, jo e shkriva SPAK, jo e pranova drejtësinë e pavarur jo se pranova. Ne morën vendim historik, dorëzuam shpatën e ndëshkimit që rrinte tek zyra e kryeministrit që nga 1912. Ne dorëzim shpëton por që ta garantojmë që ajo nuk kthehet më kurrë në duart e pushtetit politik duhet të futemi urgjentisht në BE”, tha Rama.
I porositi gratë që ditën e votimit të marrin këdo për të shkuar të votojnë PS, me një premtim konkret: "Mbajeni mend sot këtë fjalë, dhe në 2030 do të shikojmë se si do të vijnë të mbështesin kryeministren grua…"
Kryesocialisti komentoi raportet e demokratëve me amerikanët.
"Llampa që fiket, nuk është se ai vërtet e mendon këtë. Keni dëgjyuar që thonë se nuk është prioritet hyrja në BE, por Shqipëria madhështore. Por kur thonë se do shkrijmë SPAK më 12 Maj? Por kur flasin për Amerikën dhe presidentin sikur e kanë komshi që hyjnë e dalin për salcë kosi? Edhe për të krijuar idenë se vërtetë hyjnë e dalin për salcë kosi në Shtëpinë e Bardhë, sa në kënetë sa në Shtëpinë e Bardhë, kanë paguar me puplat e kokës dhe të trupit të bufit, një këshilltar që e quajnë magjistari dhe përpiqen të trullosin kë të munden", tha Rama.
Në fund të fjalimit 90 minutësh, i dërgoi këtë mesazh kundërshtarit: "Gratë dhe vajzat do ta prezantojnë bufin me Noc Rrokun".
Partia Socialiste deklaron se ka 38.500 anëtare gra e vajza. 38% e kandidatëve në listën e sigurt janë zonja, ndërsa në garën e hapur, gratë dhe vajzat zënë 56% të listës së hapur gra e vajza.
Kryeministri Edi Rama, nga takimi me vajzat dhe gratë ditën e sotme tha se këto takime do të vijojnë dhe në 12 qarqet e vendit.
Ai tha se do të jenë gratë dhe vajzat që do ta prezantojnë bufin duke iu referuar kreut të PD Sali Berisha, me Noc Rrokun.
‘Me 60 për qind të grave dhe vajzave dhe 40 për qind të burrave dhe djemve ne do bëjmë shumicën që i duhet vendit në 2030. Shqipëria do të bëhet zonjë vetëm kur të bëhet zonjë anëtare e BE. Dhe e ka dashur që të jemi ne ata që fati na e ka dhënë në dorë yllin që na takon ta ngjisim në majën e BE. Për problemet teknike na falni, ai ishte syri i keq që plasi. Po këto takime që janë bërë me do ti bëjmë në të 12 qarqet me të gjitha gratë anëtare të PS dhe do ndezim zjarrin më të madh femëror në historinë e zgjedhjeve dhe do të jenë gratë dhe vajzat që do ta prezantojnë bufin me Noc Rrokun’, tha ai.
Kryeministri Edi Rama thotë se vetëm me integrimin e Shqipërisë në BE garantohet paprekshmëria e reformës në drejtësi.
"Me këtë pasaportë, Shqipëria bëhet sa Bashkimi Europian dhe Bashkimi Europian bëhet sa Shqipëria, sepse nuk kam asnjë pengesë, kufi apo dallim – njësoj si të nisesh nga Shkodra për të shkuar në Korçë, ashtu edhe nga Tirana për të shkuar në Lisbonë apo Berlin. Është e njëjta gjë, komplet. Për fëmijët që sot janë 14, 13 vjeç ose më të vegjël, dhe që nesër prindërit duan t’i çojnë të studiojnë në BE, vajzat dhe djemtë mund të studiojnë në çdo universitet, njësoj, me ato tarifa si studentët vendas – jo si studentë të huaj, me tarifa apo kuota të ndryshme. Edhe për punën, me atë pasaportë, çdo shqiptar mund të shkojë dhe të tentojë të punojë në çdo vend të Bashkimit Europian. Me të njëjtat të drejta, me të njëjtat sigurime shëndetësore dhe shoqërore si çdo qytetar europian. Nëse ne më 11 maj marrim mandat të fortë dhe mbyllim negociatat, pensionet e atyre që jetojnë në BE, shqiptarëve, i njihen automatikisht. S’ke nevojë të marrësh pasaportën italiane që të konkurrosh si qytetar i BE në zgjedhjet vendore atje”, tha Rama.
Në duam që ta sjellim BE këtu, që Shqipëria të jetë pjesë e BE. Duke u bërë pjesë e kësaj familjeje, ne kemi një Shqipëri më të sigurt, më të drejtë dhe më të mirëqenë. Sepse në kohët që po vijnë, për të gjithë botën po shihet se situatat do të jenë shumë sfiduese. Prandaj Bashkimi Europian po forcon radhët dhe po synon të zgjerohet për të rritur kapacitetet mbrojtëse. Si mund ti lini ju nënat e këtij vendi, fëmijët, në mëshirën e kujt do vijë në qeveri, jo e shkriva SPAK, jo e pranova drejtësinë e pavarur jo se pranova. Ne morën vendim historik, dorëzuam shpatën e ndëshkimit që rrinte tek zyra e kryeministrit që nga 1912. Ne dorëzim shpëton por që ta garantojmë që ajo nuk kthehet më kurrë në duart e pushtetit politik duhet të futemi urgjentisht në BE”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama tha se Sali Berisha e di që më 11 Maj do të marrë disfatën më të madhe që nga 1997. Në fjalimin që mbajti para grave dhe vajzave, kryesocialisti u shpreh me ironi se menjëherë pas zgjedhjeve, do të fillojnë edhe të flasin për vjedhje votash pasi s’do pranojnë humbjen.
“Bufi e di më mirë se unë, ju e të gjithë që vetëm një magji mund ta shpëtojë nga disfata dhe disfatën më 11 maj do ta ketë më të madhen që nga ‘97. Magjia do t’i ndodhë por për së prapthi dhe pastaj hajde e dëgjoi se na kanë bërë magji, na i morën se i kishim në kuti.”, u shpreh Rama.
Më tej, kreu i qeverisë ironizoi Aleancën e tyre madhështore. Sipas tij, deri në ditën e zgjedhjeve do të flasin për premtime madhështore, por pas kësaj dite, do të ankohen për vjedhjen madhështore.
“Si mundet seriozisht, se kam me ju por me ata që duhet ta dëgjojnë këtë, si mundet një njeri normal, që ma minimumin e respekti për veten e vet, sidoqoftë deri këtu si mund ta marrin seriozisht dhe t’i japin votën një force politike që e quan veten aleanca madhështore. Të mendosh se çfarë emri do t’i vësh kësaj, ne jemi madhështorë dhe më pas slogani thotë për Peqinin madhështor, për Mamurrasin, për Shkodrën e Vlorën madhështore. Këtë lloj fushate dhe slogani e prodhon vetëm një çmendinë, aty ku njëri thotë jam Napoleon Bonaparti tjetri Gjon Kastrioti.
Si mund të dalë një nga shtëpia, ditë e diel, zgjohet edhe vishet...e kam me burrat se gratë nuk kanë për të shkuar atje, rregullohet edhe vishet dhe hedh votën në një kënetë kaq madhështore dhe kthehet krenar dhe thotë mbaroi sot, u mbyll epoka e Edvin Kristaq Ramës. A i ka Shqipëria vërtet kaq shumë budallenj, që ta bëjnë gjithë këtë. Se që ka në krye të tyre një tufë delirantësh që mendojnë se janë madhështorë, këtë e morëm vesh, por janë kaq shumë budallenjtë që iu shkojnë pas, ky do të jetë kurioziteti i tyre më 11 Maj. Si gjithmonë premtime dhe për betime madhështore deri ditën e zgjedhjeve, më pas fillojnë thirrjet madhështore në darkë, do të dalin edhe disa makina madhështore me flamuj, dhe më pas fillojnë klithmat madhështore për vjedhjen madhështore të një fitoreje madhështore deri në zgjedhjet e tjera”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama ironizoi PD, teksa tha se flasin për SHBA dhe presidentin Donald Trump sikur po komunikojnë me një komshi për salcën e kosit. Një koment bëri edhe për këshilltarin amerikan Chris LaCivita, të cilët iu referua si ‘magjistari’, me të cilin Berisha mundohet të ‘trullosë’ këdo për t’i bindur se do të fitojë.
“Ne populli shqiptar, pa dallim partiake, e duam Shqipërinë sa më parë në BE. Keni dëgjuar bufin kur flet, se për hir të së vërtetës, nuk e ndjek por më vijnë memet. Edhe më thonë që i fiket llampa çdo ditë. Kishte thënë se taksat i vjedhin qytetarët. Llampa që fiket, nuk është se ai vërtet e mendon këtë. Keni dëgjuar që thonë se nuk është prioritet hyrja në BE, por Shqipëria madhështore. Por kur thonë se do shkrijmë SPAK më 12 Maj? Por kur flasin për Amerikën dhe presidentin sikur e kanë komshi që hyjnë e dalin për salcë kosi?
Edhe për të krijuar idenë se vërtetë hyjnë e dalin për salcë kosi në Shtëpinë e Bardhë, sa në kënetë sa në Shtëpinë e Bardhë, kanë paguar me puplat e kokës dhe të trupit të bufit, një këshilltar që e quajnë magjistari dhe përpiqen të trullosin kë të munden. Erdhi sherifi dhe latifi. Bufi e di më mirë se unë, ju e të gjithë që vetëm një magji mund ta shpëtojë nga distafa dhe disfatën më 11 maj do ta ketë më të madhen që nga 97. Magjia do t’i ndodhë por për së prapthi dhe pastaj hajde e dëgjoi se na kanë bërë magji, na i morën se i kishim në kuti.”, u shpreh Rama.
Kryeministri Edi Rama nga takimi me gratë dhe me vajzat, u ndal edhe tek anëtarësimi i vendit në BE.
Ai mori shembullin e Serbisë dhe të Malit të Zi, për të cilët tha se kanë vite që i kanë nisur negociatat dhe janë sot në të njëjtin pozicion me Shqipërinë. Kryeministri tha se vendi ynë është vetëm dy vite larg anëtarësimit në BE.
'Thanë që më kishin lënë pa ngrënë se isha sjell si bandit dhe pastaj u publikua se 14 prilli do të jetë konferenca e 4 dhe do të hapim një seri tjetër kapitujsh. Ju i dëgjoni ata që thonë ca është ky muhabetë Rama kishte kohë që të na fuste në BE dhe tani thotë na jep edhe një mandat.
Po Mali i Zi i ka nisur në 2012 negociatat dhe Shqipëria jo vetëm që nuk ishte vend kandidatë por ishte dele e zeze dhe sot ne jemi në të njëjtin pozicion me Malin e Zi dhe jemi dy vende që jemi kandidatë për në BE.
Thuajini që Serbia i ka nisur në 2014 dhe deri dje ne i shihnim targën Serbisë se ishte para nesh dhe sot është pas nesh, ne jemi vetëm dy vite larg nga mbyllja e negociatave, kemi edhe Maqedoninë e Veriut që ndërruan edhe emër ata, e imagjinon ndonjëra që të ndërrosh emër për të marr burrë dhe burri të thotë nuk të dua, ndërruan emër në 2005 dhe janë mbrapa nesh. Kush e do Shqipërinë dhe këtë vend që të bëjë prokopi duhet ta dojë më shumë se partinë, duhet që ta dojë flamurin më shumë se flamurin e kënetës dhe të çdo moçalishte të re që është krijuar’, tha ai.
Kryesocialisti Edi Rama thotë se Shqipëria ka një mundësi historike për t’u futur në BE.
“Nuk u dorëzuam asnjë ditë, të gjitha ato zhgënjime nga ato refuzime arbitrare dhe atë helmin që përgatitej dhe hidhej në pjatat e shqiptarëve sa herë hapnin penxheret e berberhaneve televizive, e kthyem në forcë të shtuar dhe vazhduam me një ide, ne duhet ti shohim të gjitha hapet që bën një vend kur hap negociatat dhe duhet ti bëjmë të gjitha hapat sikur t’i kemi hapur negociatat. Kështu ndodhi. E ngritëm Shqipërinë çdo vit dhe më larg, emrin e Shqipërisë dhe pozicionin e flamurit të Shqipërisë, deri aty ku s’ka qenë më parë, deri në Këshillin e Sigurimit të OKB. Erdhën në Shqipëri për herë të parë të gjithë udhëheqësit e BE në të parën mbledhje jashtë BE. Por, s’kishim parë gjë akoma as ne vetë se më 16 maj, 5 ditë pasi juve ta keni hedhur atë pëlhurën rozë në të gjithë Shqipërinë, do jenë të ulur për shfaqjen e mirëseardhjes të gjithë udhëheqësit e Europës për samitin e komunitetit politik Europian, në 2027 do zbarkojnë udhëheqësit e vendeve të NATO-s. Sot jemi aty ku as nuk imagjinohej kur morëm detyrën, Shqipëria ishte një vend që u shkaktonte vetëm stres të huajve. Sot e kemi në tavolinë planin e dakordësuar me BE, për ti mbyllur negociatat për dy vjet dhe për herë të parë kemi në dore një mundësi historike për tu futur në BE brenda kësaj dekade. Yjet janë rreshtuar në favorin tonë, për herë të parë nuk jemi vetëm ne që duam të futemi sa më parë në BE, për herë të parë është edhe BE që do të na marrë sa më parë në gjirin e vet”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama tha se ‘qua qua qua-të’ që flasin për shëndetësinë, duhet të bëjnë një pyetje se kur e kanë ndërtuar spitalin e fundit kur ishin në pushtet. Gjatë fjalës së tij në takimin me gratë dhe vajzat në Tiranë, kryesocialisti tha se janë në bisedime me partnerë të huaj për ta shndërruar QSUT në atë që ai e quajti “ekselencën e rajonit”.
Rama tha gjithashtu se edhe Universitetin e Mjekësisë do ta shndërrojnë në një destinacion jo vetëm për studentët shqiptarë por edhe për të huajt.
“Kur ke përballë ose nga pas, specie që qua qua qua për shëndetësinë lind një pyetje na tregoni se kur është ndërtuar spitali i fundit para se të merrnim detyrën. Na tregoni një që është ndërtuar nga e para? Duhet të hedhin vështrimin në vitet më parë, të shkojmë në vitet 70, të zbresim në vitet 60, të kalojmë luftën sepse nuk është aspak humor. Në spitalin e Korçës sot kantieri ynë vë dorë të shteti pas 100 vjetësh. 450 shkolla të reja dhe kopshte, të gjitha evropiane, por shkolla si shkolla të mira të Evropës. 200 të tjera janë në plan të ndërtohen në mandatin e 4.
Jam i energjizuar dhe më vjen mirë ta ndaj me ju sot faktin që e kemi hapur trasenë për të ndërtuar do ose tre aleanca të mëdha strategjike që do ta shndërrojnë, mbajeni mend sot këtë fjalë, dhe në 2030 do të shikojmë se si do të vijnë të mbështesin kryeministren grua…në 2030 falë…ja a mund të imagjinoni të shkoni në një takim të madh me një grua të fishkëllejë. Keni parë? Dihet! Tha Elisa vetëm unë jam këtu, jo mo qenka edhe një bilbil tjetër këtu! O rrush pusho! QSUT do të shndërrojmë në ekselencën e rajonit tonë. Do të bëhet fjalë bazës që kemi vendosur, kemi bërë diskutime, vizita ata me të cilët duam të bëjmë këto aleanca, dhe janë impresionuar nga situata e QSUT por do ta bëjmë që askush të mos ketë nevojë të shkojë askund për të marrë shërbimet më të specializuara. Paralelisht me QSUT do të bashkëngjisim me Universitetin e Mjekësisë një nga universitetet më të mira të Evropës, do të bëhet destinacion akademik jo vetëm për studentët shqiptarë po për nga gjithë Evropë.”, u shpreh Rama.
Kryeministri Edi Rama gjatë takimit me gra dhe vajza u ndal edhe tek arsimi.
Ai tha se shumë shpejt do të nis edhe programi i vaktit të drekës në shkolla gjë që do ti vijë në ndihmë të gjitha nënave që janë të punësuara.
Kemi vite që japim tekste falas dhe duket sikur ka qenë aty dhe nuk ka qenë aty. Të gjitha familjet duhet të blinin librat që kushtonin shumë, ne kemi paguar 80 milion euro për çerek milionë nxënësish që marrin libra falas. Shteti ka dhënë bursa për nxënësit që vijnë nga komunitet rome dhe egjiptiane dhe janë 3500 bursa.
Ne kemi kandidatën e parë rome për deputete, një vajzë e shkëlqyer Ina Majko nga Delvina. Kemi hapur një program të ri të detyrave të shtëpisë në shkollë dhe kjo i ofron një mbështetje të madhe prindërve dhe tani do fillojë programi. Gjatë vaktit të drekës në shkollë, nënat që shkojnë në punë nuk do të kenë nevojë më që të shkëputen nga puna se po del fëmija nga shkolla. Ne do të zgjerojmë programin e arteve dhe zejeve dhe fermës në shkollë.
Kemi futur në shkolla psikologë dhe punonjës social dhe bashkë me oficerët e sigurisë që janë një komponentë i ri. Siguria në shkollë do të mbështetet edhe nga një sistem kamerash jo vetëm në oborrin e shkollës por edhe në çdo klasë’, tha ai.
Kryeministri Edi Rama se gratë dhe vajzat kanë qenë mbështetëset më të mëdha për mbylljen e TikTok. Në eventin me gratë dhe vajzat, kryesocialisti u shpreh "mbështetja e grave për idenë e mbylljes së platformës së TikTok ishte thuajse 100 përqind, ndërkohë që e burrave jo dhe aq".
“Nuk e di nëse do të kishim arritur të mbyllim Tiktok dhe të merrnin në mbrojtje fëmijët tanë nga ato kanosje pa ndjeshmërinë e posaçme të nënave të nxënësve dhe njëkohësisht të grave dhe vajzave mësuese, të cilat përbëjnë 80 përqind të trupës kombëtare mësimore. Por ajo që di është se mbështetja e tyre për idenë e mbylljes së asaj platforme ishte thuajse 100 përqind, ndërkohë që e burrave jo dhe aq. Di se ndotësit më të mëdhenj të rrjeteve sociale nuk janë gratë dhe vajzat, por tjetërkush.
Ashtu sikundër dhe ndotësit më të mëdhenj të gjithë bexhelisit të debatit publik e mediatik i përkasin botës mashkullore. Çfarë thashë dhe çfarë mund të thuhet pët gratë dhe vajzat në raport me burimet e problemet tona sociale, tregon sesa më shumë shoqëria ta pranojë dhe mbështesë potencialin e tyre të jashtëzakonshëm, aq më mirë është edhe për burrat pa diskutim. Njohja, mbështetja dhe promovimi i këtij potenciali nga PS si forca më e madhe e shqiptarëve, ka rëndësi të posaçme për të adresuar problemet ende jo të paktë dhe jo të vogla të botës së grave në tërësi në botën shqiptare”, u shpreh Rama.
Kryesocialisti Edi Rama, teksa po fliste për rëndësinë që PS i ka dhënë grave dhe vajzave, tha se është i bindur që nuk do të jetë e largët dita kur Shqipëria do të ketë një grua kryeministre.
“Sot kuvendi drejtohet nga një grua socialiste, e cila zëvendësoi një tjetëtr grua socialiste. Jam i bindur që nuk është aq e largët dita sa mund të dukej deri dje kur Shqipëria do të jetë edhe gruan e parë kryeministre, dhe as nuk e diskutoj fare se do të jetë socialiste.
Shikoni se si kemi rritur pjesëmarrjen e grave dhe vajzave në kuvendet vendore në këshillat bashkiakë ku ka qenë PS gjatë gjithë kohës, që ka tërhequr të tjerët dhe kur në mënyrë të vazhdueshme ne e kemi vënë si kusht për të kaluar më tej në miratimet e ligjeve zgjedhore”, u shpreh Rama.
Kryeministri Edi Rama nga takimi me gratë dhe me vajzat u përgjigjë edhe akuzave të opozitës se PS ka lidhje me krimin.
Ai tha se këto deklarata vijnë nga ata që kanë vrarë në Bulevard duke iu referuar 21 janarit dhe Sali Berishës.
‘I them atyre që ju bien fyellit prej shumë vitesh në të njëjtën vrimë, se kjo parti ka mbështetjen e krimit prandaj është e pathyeshme dhe këtë e thonë njerëz që kanë vrarë në bulevard me pushkët e shteti apo ata që mllefin e kanë si motiv për tu zgjuar në mëngjes. Askush asnjëherë më parë nuk e ka luftuar korrupsion si kemi bërë ne dhe e dyta ata le të vazhdojnë që ti bien atij fyelli. Arsyeja pse ne jemi të pathyeshëm është se jeni dhe bëheni gjithmonë e më shumë ju, gratë dhe vajzat e armatës sonë fitimtare. Keni 71 përfaqësuese në skuadrën e 11 majit.
Zamira në listën e Vlorës që erdhi nga kampi tjetër nuk është një rastësi dhe asnjë rast i veçuar i një momenti elektoral. Ndërkohë që vajza nga kampi tjetër janë bashkuar PS edhe në disa qarqe të tjera dhe unë ju them që s’do të bëhen kurrë pishman. Në na thanë se dinim se PS, ishte kështu dhe i them s’keni parë gjë akoma’, tha ai.
Kryeministri Edi Rama ironizoi Primaret e PD, duke thënë se 'mbytën' në mënyrë të pabesë fituesit. Kryesocialisti i krahasoi Primaret me një spektakël bizantin hipokrizie politike, që të kujton romanin 'Komisioni i Festës' së Ismail Kadaresë.
“U mbytën në mënyrën më të pabesë fituesit e sinqertë të farsës së primareve. Primaret janë spektakël bizantin hipokrizie politike që të kujton Komisionin e Festës së Kadaresë. Kush nuk e la lexuar, ua sugjeroj ta lexojë. Keni aty primaret nga fillimi deri në fund”, u shpreh Rama.
Kryesocialisti Edi Rama në një takim me gratë dhe vajzat tha se mezi pret të shohë rezultatin në Kavajë që ia ka besuar drejtimin Elisa Spiropalit. Me ironi komentoi edhe faktin që Berisha la jashtë listës kandidatin më të votuar të primareve në Tiranë, Hysen Kadiu.
Është kthyer si hapëse dyersh të pahapura prej vitesh, nga Kamza në Shkodër, me fitore dhe tani në Kavajë. Mezi pres ta shoh çfarë do dalë më 11 maj, aq më tepër në kushtet kur këneta ia gëlltiti Kavajës mu në thellësitë e zorrëve të beta fituesin e primareve të gjithë Tiranës. Mos duartrokisni se është gjynah ai. Ai besoi tek primaret dhe përfundoi duke u bluar në zorrët e kënetës që i la me të dy gishtat demokratët e Kavajës, ndërsa ne i kemi dhënë atij qyteti dy deputete në listë të mbyllur, që i kanë deputete, Elisën dhe Ilvën dhe dy kandidatë burra, ish0kryeministrin Majko dhe një dajë Kavaje, 4 me 0 është niveli i respektit mes Kavajës dhe kënetës madhështore.
Kryeministri Edi Rama tha se numri i grave në PS është rritur nga 15 në rreth 40 përqind, por shtoi se duhet të jetë një shifër që të kalojë 50 mijë. Gjatë fjalës së tij në takimin me gratë dhe vajzat, kryesocialisti përmendi edhe Kamzën, si shëmbëlltyrën më të mirë të “integrimit” të grave dhe vajzave në PS.
Sipas Ramës, përmes përfshirjes së grave dhe vajzave, PS ka krijuar një vlerë të shtuar sociale, duke përmbysur realitetin e zymtë të Kamzës, që dikur ishte shëmbëlltyrë e kënetës.
“Totali i grave dhe vajzave në familjen tonë është rritur edhe pse ende jo plotësisht mjaftueshëm por jo pak. Nga më pak se 15 përqind në thuajse 40%. Kemi sot 38 447 anëtare, për të cilat kërkoj duartrokitje të stuhishme. Por nuk duhet të ndalemi këtu, të pajtohemi me veten deri kur ta bëjmë 50 mijë numrin e grave dhe vajzave në PS. Shembuj të mirë ka plot për sa po them, dhe përsa larg akoma mund të ngjitemi dhe megjithëse shoku Gramoz mua gjithmonë më ka thënë mos lëvdo në publik se nuk do t’i lëvdosh dot të tërë dhe më pas do të hatërmbeten më tepër sesa të gëzohen, unë nuk heq dorë nga ky gabim. Por një shembull dua ta sjell, isha së fundmi në celulën e Kamzës dhe kur shkoj atje në bashki dola me energji pozitive. Në radhë të parë sepse PS e Kamzës është kthyer në një vatër të madhe kulture, politike dhe organizative ku për ata që nuk e dinë duket sikur është zona ku udhëheq Rakip Pasha, por në fakt tonin e japin gratë dhe vajzat.
Nuk është e rastit që sot këtu janë 3 shoqe dhe vetëm një shok nga Kamza, dhe më shumë akoma edhe deputetja më e re e listës tonë një 20-vjeçare e Forumit Rinor të Kamzës. Për të gjithë ata që e kanë idenë se me çfarë lidhej fala Kamzës para ca vitesh, është diçka që nuk mund të imagjinohet. Por kur mendon se në këtë rast nuk është diçka simbolike, por pasqyra e një realiteti komplet të ri, ku falë pranimit, mobilizimit dhe cilësisë shembullore të grave dhe vajzave, PS ka krijuar vlerën e shtuar sociale atje që ka përmbysur realitetin e zymtë të asaj zone që deri dje ishte shëmbëlltyra më triumfale e kënetës. Kjo sot është e prekshme reale, dhe e detyrueshme për të tjerët që ta marin Kamzës si shembull rrezatues për të gjithë organizatat e partisë tonë.
Kamza e burgosur për dekada në muret e një partie...ju të parat, gratë dhe vajzat e PS duhet të jeni të bindura më shumë se kushdo tjetër se nuk ka pikë, mal, luginë qendër e periferi në territorin e 28 mijë km katrorë të Shqipërisë ku nuk mund të ndizet drita e barazisë gjinore që e ka bërë PS e Kamzës jo një skuadër fituese, por kampione. Ajo çka gratë dhe vajzat mund të sjellin për PS dhe Shqipërinë, është vlerë e shtuar, speciale që me gjithë dëshirën e madhe burrat dhe djemtë s’e krijojnë dot pa gratë dhe vajzat. Ndërkohë, që fakti është që kudo dhe kurdo që burrat dhe djemtë ndjekin të njëjtën rrugë që kanë ndjekur Rakip Suli në Kamëz duke mbështetur afrimin e grave dhe vajzave në parti dhe duke iu besuar atyre si dibran i qutë shumë përgjegjësi, rezultatet janë mbresëlënëse.”, tha Rama.
Nga takimi me gratë dhe vajzat, kryesocialisti Edi Rama tha se vite më parë në takimet që zhvilloheshin nuk kishte gra dhe vajza.
Ai tha se qeveria është në 5-shen e parë të klasifikimit për pjesëmarrjen më të lartë të grave në kabinetet qeveritare.
'Para disa vitesh nuk kishte asnjë grua dhe asnjë vajzë në takime, ajo që e bënte dëshpëruese takimin e këtij lloji ishte përgjigja e pyetjes sime pse s’ka asnjë grua këtu. Kur ata nuk reagonin shtoja edhe pyetjen tjetër po në shtëpi kush kujdeset për, ju vetë për veten tuaj. Imagjino sikur të gjitha ju të iknit nga Shqipëria, për pak kohë, kur të ktheheshit ky vend do ishte i mbushur me burra me mjekëra dhe me flokë të gjata, të palarë rrugëve.
Në atë kohë parlamenti nxinte nga burrat dhe qeveria e sapo formuar kishte një grua. Po në këtë parti nisi një revolucion gjinor duke e rritur pjesëmrrjen e vajzave dhe grave në parti. Raporti burra- gra në rolë drejtues u shtri në listat e këshillave bashkiak dhe më pas në kuvend, qeveria jonë është në 5-shen e parë të klasifikimit për pjesëmarrjen më të lartë të grave në kabinetet qeveritare’, tha ai.
Nga takimi me gratë dhe vajzat, kryesocialisti Edi Rama thotë se më 12 maj Shqipëria do të ngrihet e mbuluar me rozë. Rama theksoi se flamuri i PS do mbulojë hartën elektorale.
“Mes dy palëve, unë zgjedh të parat gjithmonë, nënat, bijat dhe motrat. Sot në ditën e rënies së gongut të fushatës zgjedhore, nuk mund ta nisim këtë etapë veçse kështu me gratë dhe vajzat. Meritojnë të quhen komandot e armatës sonë fitimtare që koordinojnë veprimtaritë e të gjitha njësive të skuadrës jo vetëm brenda, por edhe jashtë Shqipërisë. Ai flamur që ju keni qëndisur zonë me zonë, njësi më njësi, do ta mbulojë të gjithë hartën elektorale të 11 majit. Në mëngjesin e 12 majit Shqipëria do ngrihet e mbuluar me rozë, që është ngjyra e grave dhe vajzave, por edhe ngjyra e PS”, tha Rama.
“Shqipëria është grua, Evropa është grua”. Kështu u shpreh kryesocialisti Edi Rama në takimin “Vajzat dhe Gratë Socialiste për Shqipërinë 2030”, ndërsa vlerësoi mbështetjen e madhe të grave dhe vajzave ndaj PS.
Rama tha se në rang vendi partia mbështetet nga 56 përqind e zgjedhësve gra. Sipas tij, kjo do të thotë se 'nëse te gratë dhe vajzat avantazhi ynë ndaj kënetës është i madh, te burrat është më i ngushtë'.
“Shumë faleminderit dhe ndërkohë që do të përpiqem të rregullojnë defektin teknik që unë besoj se ishte i mirëseardhur se ishte orëvajtja e fundit e syrit të keq. Të dashura nëna, motra, bija kudo ku jeni, sot jemi mbledhur njëkohësisht në 12 qarqet e vendit, ku po zhvillohen 12 garat e përballjes elektorale për kuvendin e ardhshëm për të nisur zyrtarisht fushatën e 11 majit. Dhe duke qenë se ishte e vetmja mënyrë për të lidhur bashkë të gjitha forcat komando të forumit të gruas menduam se më e udhës ishte të mblidheshin drejtuesit dhe koordinatoret e çdo qarku për të përcjellë nga këtu dhe bashkë me ju për të gjitha gratë dhe vajzat një mesazh të drejpërdrejtë: Shqipëria është grua, Evropa është grua dhe suksesi i përpjekjes për Shqipërinë 2030 në BE varet në radhë të parë nga nënat, motrat dhe bijat e Shqipërisë.
Nuk ka asgjë që mua më bën më shumë krenar për PS sesa fakti që kjo forcë politike mbështetet fuqimisht nga gratë dhe vajzat e Shqipërisë. PS e mbështesin në rang kombëtar 56 përqind e zgjedhësve gra dhe vajza ndërsa në qarqe të caktuara mbështetja shkon në 65 përqind. Kjo do të thotë se te burrat dhe djemtë mbështetja është më e ulët për ne sesa te gratë dhe vajzat dhe nëse te gratë dhe vajzat avantazhi ynë ndaj kënetës është i madh, te burrat është më i ngushtë. Mbështetjen kuptimplotë prekëse dhe inkurajuese të pjesës më të ndjeshme, më të të arsyeshme, sakrifikuese të popullit, gratë dhe vajzat nuk do ta ndërroja kurrë me mbështetjen e pjesës tjetër”, u shpreh Rama.
Drejtuesja politike e PS për qarkun e Tiranës, Elisa Spiropali tha se ‘sekreti’ i PS është mbështetja e grave dhe vajzave në vend. Gjatë fjalës së saj në takimin “Vajzat dhe Gratë Socialiste për Shqipërinë 2030”, Spiropali u shpreh se vetëm PS iu ka dhënë atyre hapësirën e duhur grave dhe vajzave.
Spiropali nuk kurseu ironinë edhe për opozitën, teksa tha se për herë të parë bie dakord me ta, kur pranojnë se nuk mund ta mundin dot Edi Ramën dhe PS.
“Sa herë Shqipëria hyn në zgjedhje, shtrohet pyetja se si ia bëjnë këta socialistët që fitojnë. Cili është sekreti dhe sot që kemi hyrë në periudhën zgjedhore për fitoren tonë të 10 me PS, besoj se disa përgjigje mund t’i japim. Disa thonë se sekreti e kanë njohur pushtetin shumë gjatë, janë partia e vjetër që ka trashëguar strukturat, frymën dhe është pasardhëse. Disa të tjerë thonë që është dëshira e tyre për pushtet, fakti që nuk i ndajnë fjalët nga veprat dhe distanca e tyre me të vërtetën është e vogël, dinë të korrigjohen, të jenë vetëkritik dhe të jenë më të mirë. Të rinovojnë skuadrat, të kenë alternativa më të mira dhe ja ku janë.
Kundërshtarët tanë e shohin ndryshe, thonë me gojën plotë se Ramës nuk mundet. Për herë të parë jam dakord me ta, s’e mundin dot Ramën dhe PS. E në çdo studio e ekran e kudo ku diskutohet publikisht, këto pyetje shtrohet dhe përgjigjet janë të ndryshme. Por duke parë këtë sallë sot, dhe parë anketimet kyu gratë na mbështesin në masë të madhe dhe entuziazmin me të cilën ato i besojnë PS, dhe Ramën, them se sekreti ynë më i madh nuk është sekret, por është publik, është mbështetja që kemi nga gratë dhe vajzat e republikës së Shqipërisë që më mirë se të tjerët e dinë se është PS që iu ka dhënë hapësirë të madhe komunikimi e drejtimi në çdo nivel.”, u shpreh Spiropali.
Drejtuesja politike për qarkun e Tiranës, Ogerta Manastriliu në një takim me vajzë dhe gratë tha se PS po udhëheq fitoren e dhjetë radhazi. Manastirliu theksoi se në çdo nivel drejtimi gratë përfaqësohen denjësisht.
“Përshëndetje të gjitha atyre dhe vajzave që janë sot në çdo qark të Shqipërisë, një energji që vetëm gratë e PS dinë ta japin. Nuk ka më bukur sa ta nisësh këtë fushatë me ju, që nuk jeni vetëm forca e PS por dhe zemra e saj. Nuk është një klishe por realitet që e ka ndërtuar Edi Rama, duke rritur rolin e grave në vendimmarrje.
Jam vërtetë krenare që jam pjesë e njëjtës skuadër, që ndaj në këtë sallë dhe jashtë saj përgjegjësinë e organizmit elektoral të forcës sonë politike që do të udhëheqë fitoren e dhjetë radhazi.
Në çdo nivel drejtimi gratë përfaqësohen denjësisht. Falë kontributit të çdo njërës prej jush, jo vetëm në Tiranë, por gjithë vendin PS po shkon drejt fitores së mandatit të katërt”, tha Manastirliu.
Drejtuesja e Forumit të Grave Socialiste, Evis Kushi, në nisje të takimit ”Vajzat dhe Gratë Socialiste për Shqipërinë 2030” që po mbahet në TKOB, foli për hapat e saj në politikë dhe ftesën që mori nga PS.
“Pranova për dy arsye sepse kuptova që suksesi i individit është i lidhur ngushtësisht edhe me jetën e fqinjit. Prandaj e vlerësova ftesën si mundësi të mirë që të bëja diçka për qytetin tim të dashur, Elbasanin. Së dyti, pranova të jepja kontributin tim modest në modelin e të bërit politik, pa urrejtje, shpifje dhe baltë, por me komunikim njerëzor dhe këtë jam përpjekur të bëj çdo ditë”, tha Kushi.
Më pas, ajo tha se ka mbajtur detyra të ndryshme në PS, por më shumë rëndësi për të ka posti si drejtuese e Forumit të Gruas Socialiste të Shqipërisë. Kushi shtoi se nga një “shtëpi” burrash, PS tashmë është kthyer në një parti për të gjithë, ku gratë përbëjnë 36 për qind.
“Kam pasur nderin që brenda PS të mbaj detyra të ndryshme por s’ka privilegj më të madh se sa të drejtoj Forumin e Gruas Socialiste të Shqipërisë. Sot jemi rreth 38 500 gra dhe vajza në familjen tonë të madhe socialiste, rreth 36% dhe një nga vendimet më të mira që kemi marrë ka qenë bashkë drejtimi i organizatave nga një burrë dhe grua. Kur Rama lancoi këtë nismë në 2019, shumë pak besuan se mund të bëhej realitet, por sot funksionon në 95 për qind të organizatave në të gjithë vendin. Së bashku ne i kemi dhënë vendit energjinë dhe kreativitetin e grave, delikatesën, qëndrueshmërinë dhe pasionin. E kemi shndërruar PS nga shtëpia e burrave të fortë, në partinë e hapur për të gjithë, në shpresën e të gjithë shqiptarëve për progres.”, u shpreh mes të tjerash Kushi.
Komente
