Kronikë

Metani-politikës: Sulme antikushtetuese drejtësisë! Sadushi ndaj KLGJ e KLP: Të marrin më shumë përgjegjësi! Dumani: S'ndikohemi nga presionet

19 Shtator, 10:31| Përditesimi: 19 Shtator, 12:46

  • Share

Presione të politikës nga të gjitha krahët deri në trysni antikushtetuese i cilësoi Inspektori i Lartë i Drejtësisë, deklaratat dhe sulmet ndaj vendimeve të drejtësisë. 

“U bë kohë që sistemi gjyqësor është nën një trysni, për mua antikushtetuese, për të ushtruar detyrën ose jo, në një formë të caktuar. Nga të gjithë. U bë kohë që fyerjet për magjistratët janë pjesë më e konsiderueshme e artikulimit kur vjen puna tek kritikat për pushtetin gjyqësor. Natyrisht, të papranueshme këto në çdo pikëpamje”, tha kreu i ILD, Artur Metani. 

Para krerëve të institucioneve të drejtësisë, të thirrur nga ambasada holandeze në Tiranë, Metani tha se gjithkush mund ta thotë publikisht pakënaqësinë e tij për vendimet e gjyqësorit por jo kur kalon kufiri. 

“Por kur këto kritika shkojnë përtej kufijve, atëherë këto kritika nuk ndikojnë vetëm mënyrën se si magjistratët i marrin vendimet por gjithashtu minojnë besimin publik tek institucionet e pushtetit gjyqësor. Kjo është kostoja më e madhe”, shtoi Metani. 

Kritik, por këtë herë ndaj institucioneve qeverisëse të drejtësisë ishte kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, të cilave iu kërkoi të marrin më shumë përgjegjësi. 

“Vetëm duke treguar autoritet, vizion dhe koherencë, dy këshillat mund të fitojnë legjitimitet të plotë dhe të shihen si organe që qeverisin drejtësinë në interes të publikut dhe jo si struktura që humbasin besimin e kolegëve të tyre”, u shpreh Sokol Sadushi, kreu i Gjykatës së Lartë. 

Kreu i SPAK, Altin Dumani dhe drejtuesi i GJKKO Bani evidentuan se pavarësisht sfidave, llogaridhënia dhe pavarësia janë të garantuara. 

“Arkitektura e shumëfishtë e kontrollit është e rëndësishme për të garantuar pavarësinë e institucioneve dhe atë të llogaridhënies. Kodet etike janë mure mbrojtëse ndaj çdo presioni dhe ndikim politik apo mediatik.", tha Dumani. 

“Një sistem që korrigjon vetveten është një sistem që fiton besimin e publikut. Jemi të vetëdijshëm që besimi fitohet me punë. Përmirësimi i vazhdueshëm është një detyrim për t’iu përgjigju pritshmërive të larta që ka publiku”, tha drejtuesi i GJKKO, Erion Bani. 

Asli Cetinel, e Ngarkuara me Punë në ambasadën holandeze në Tiranë, vendi i së cilës financon projektin e lançuar këtë të premte për ”Forcimin e Integritetit Gjyqësor”, tha se vetëm një dedikim i institucioneve të drejtësisë garanton një sistem për qytetarët. 

“Holanda do të vazhdojë të kontribuojë për shtetin e së drejtës dhe integrimin evropian”, tha ajo. 

Projekti i ambasadës holandeze vë në dukje rëndësinë e llogaridhënies gjyqësore, etikës dhe trajtimit të shkeljeve disiplinore. 

Ora 11:53
Erion Bani: Ta ruajmë dhe ta mbrojmë pavarësinë e drejtësisë

 

Kryetari i GJKKO-së, Erion Bani në një takim që mblodhi përfaqësues të drejtësisë, u shpreh se duhet ta ruajmë dhe të mbrojmë pavarësinë e drejtësisë. Bani tha se përmirësimi i vazhdueshëm është një detyrim për t’iu përgjigju pritshmërive të larta që ka publiku ndaj drejtësisë.

“Ta ruajmë dhe ta mbrojmë pavarësinë tonë çdo ditë. Për ne transparenca nuk është detyrim ligjor, por kulturë pune. Institucionet si ILD dhe KLGJ luajnë rol thelbësor. GJKKO bashkëpunon ngushtë me këto institucione, duke e parë jo si cenim të pavarësisë, por si pjesë integrale të ekuilibrit. Në fund, një sistem që korrigjon vetveten është një sistem që fiton besimin e publikut. Jemi të vetëdijshëm që besimi fitohet me punë. Përmirësimi i vazhdueshëm është një detyrim për t’iu përgjigju pritshmërive të larta që ka publiku ndaj drejtësisë. Do udhëhiqemi nga parimet e llogaridhënies, pavarësisë dhe integritetit”, tha Bani.

Ora 11:46
Sadushi: SPAK sukses, por puna e Prokurorisë së zakonshme s'duhet të mbetet në hije! Drejtësia nuk ndërtohet nga një institucion i vetëm, të ecim së bashku

 

Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi vlerësoi edhe punën e SPAK, por shtoi se puna e Prokurorisë së zakonshme nuk mund të mbetet në hije. Në takimin me institucionet e drejtësisë, ai tha se pa një prokurori funksionale dhe të besueshme, as suksesi i Prokurorisë Speciale nuk do të kishte efekt të fortë. 

"E pikërisht në këtë klimë pritshmërish, rëndohet edhe barra mbi SPAK-un dhe gjykatat e posaçme. Ato kanë fituar respektin e publikut dhe qytetarët i shohin si shpresën konkrete të reformës. Por ky respekt nuk është garanci e përhershme: ai duhet fituar çdo ditë, me hetime të paanshme, gjykime të shpejta dhe vendime të argumentuara. Në këtë sfond, edhe prokuroria e zakonshme nuk mund të mbetet në hije. Ajo është porta e parë e drejtësisë për qytetarët dhe aty matet çdo ditë besimi real tek shteti i së drejtës. Pa një prokurori funksionale dhe të besueshme, as suksesi i SPAK-ut nuk mund të ketë efekt të plotë.", tha Sadushi.

Ai kërkoi bashkëpunim të të gjithë institucioneve të drejtësisë si e vetmja mënyrë për të ecur përpara dhe  bërë reformën realitet. 

"Në këtë mënyrë, vetëm duke pranuar dobësitë tona, ne mund të bëhemi më të fortë. Të gjitha këto tregojnë se drejtësia nuk ndërtohet nga një institucion i vetëm. Vetëm nëse Gjykata e Lartë, Këshillat, ILD, SPAK, Gjykatat e posaçme dhe Shkolla e Magjistraturës ecin së bashku, reforma bëhet realitet. Nëse secili sheh vetëm detyrën e vet të ngushtë, reforma mbetet letër.", shtoi Sadushi.

Sipas Sadushit, kapitujt e integrimit nuk mund të mbyllen vetëm me fjalime politike por me rezultate të matshme në sundimin e ligjit, dhe një gjë e tillë nuk është një kusht i vendosur nga Brukseli, por edhe i qytetarëve tanë. 

"Brenda kësaj tabloje, vendimet gjyqësore që fitojnë besimin e qytetarëve janë prova e padiskutueshme se reforma po funksionon. Ky nuk është kusht i vendosur nga Brukseli, është kërkesë e qytetarëve tanë, është detyrimi ynë për ta përmbushur.", shtoi ai. 
 

Ora 11:42
Altin Dumani: SPAK i pavarur nga ndikimet politike dhe mediatike! Mungesë të theksuar stafi dhe infrastrukture

 

Kreu i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Altin Dumani vuri theksin e llogaridhënia përpara publikut dhe organeve të tjera shtetërore si një pasqyrim i plotë i punës së sistemit të drejtësisë.

Ndër të tjera, Dumani vuri në dukje se prokurorët e SPAK po përballen me një fluks të lartë pune për shkak të mungesës së theksuar të stafit si dhe të infrastrukturës.

“Në kohën kur besimi te drejtësia është i brishtë dhe pritshmëritë janë të larta, veprimet e SPAK janë mbështetur në ligj dhe parime. SPAK është zotuar për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar duke rritur kështu besimin.

Pavarësia dhe llogaridhënia janë shtyllat kryesore ku mbështetet SPAK. Kushtetuta garanton pavarësinë e jashtme dhe të brendshme të SPAK. Prokurorët veprojnë dhe marrin vendime të pavarura të paanshme.

Ne kemi mekanizmat tanë të mbikëqyrjes për punën e brendshme. Aktualisht SPAK ka miratuar strategjinë e komunikimit me publikun.

Arkitektura e shumëfishtë e kontrollit është e rëndësishme për të garantuar pavarësinë e institucioneve dhe atë të llogaridhënies. Kodet etike janë mure mbrojtëse ndaj çdo presioni dhe ndikim politik apo mediatik.

SPAK përballet dhe me sfida, ngarkesë proceduriale, mungesa e stafit dhe infrastrukturës. sistemi  i administrimit të çështjeve është funskional edhe pse jo në 100% e kapacitetit të tij. Për të përmbushur misionin tonë duhet të tregojmë jo vetëm rezultate, por edhe maturi, etikë dhe integritet në zbatimin e ligjit,” tha Dumani.

Ora 11:33
Sadushi kritika: ILD s'duhet të jetë vetëm një organ ndëshkimi! KLGJ e KLP të marrin më shumë përgjegjësi, të trajtohen dhe nevojat buxhetore e infrastrukturore

Kryetari  i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi tha se sfidë e institucionit që ai drejton është që të shihet si një model që orienton të gjithë sistemin e drejtësisë, ndërsa shprehur kritika edhendaj Inspektoriatit të Lartë i Drejtësisë (ILD) , Këshillit i Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP).  

ILD, tha Sadushi, ka një organ të qartë si organ disiplinor, por nuk duhet të mbetet vetëm si një organ ndëshkimi. 

"Po aq i rëndësishëm është është roli i tij parandalues dhe edukues: të ofrojë udhëzime mbi standardet etike, të nxjerrë mësime nga praktika disiplinore dhe të krijojë hapësira reflektimi për gjyqtarët e rinj. Vetëm duke bashkuar ndëshkimin me parandalimin, disiplinën me edukimin, ky institucion mund të ndërtojë një kulturë të qëndrueshme përgjegjshmërie në gjyqësor dhe kontrolli të shndërrohet nga një instrument frike në një instrument besimi. ", tha ai.


Për KLGJ dhe KLP, Sadushi theksoi se këto organe duhet të marrin më shumë përgjegjësi si qeverisës të vërtetë të drejtësisë. Ai shprehu kritika për ritmin e ngadaltë që kanë ndjekur, duke kërkuar vendimmarrje më të shpejta dhe transparente. U ndal gjithashtu edhe te nevojat buxhetore, njerëzore dhe infrastrukturore, teksa tha se duhet të trajtohhen "si kërkesa kushtetuese e jo si çështje dytësore".

"Nuk i shmangen kritikës as Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Me shumicë magjistratë në përbërje, këto organe duhet të marrin më shumë përgjegjësi si qeverisës të vërtetë të drejtësisë. Ritmi i ngadaltë në procedurat e promovimit, ngritjes në detyrë dhe lëvizjes paralele ka sjellë pasiguri dhe pengesa në punën e gjykatave, ndaj kërkohet vendimmarrje më e shpejtë dhe transparente. Po aq e domosdoshme është ngritja e zërit për nevojat buxhetore, njerëzore dhe infrastrukturore, duke i imponuar këto si kërkesa kushtetuese e jo si çështje dytësore. Magjistratët që sot janë anëtarë të këshillave duhet të kujtojnë se nesër do të kthehen në pozicionet e tyre në gjykata e prokurori dhe do të jenë vetë ata që do të ndiejnë pasojat e një keqmenaxhimi apo mungese vizioni. Edhe anëtarët jomagjistratë, që mbajnë drejtimin e këshillave si kryetarë dhe zëvendëskryetarë, duhet të ushtrojnë lidership të vërtetë, me autoritet dhe integritet, për t’u përballur me pushtetet e tjera në emër të gjyqësorit. Vetëm duke treguar autoritet, vizion dhe koherencë, dy këshillat mund të fitojnë legjitimitet të plotë dhe të shihen si organe që qeverisin drejtësinë në interes të publikut dhe jo si struktura që humbasin besimin e kolegëve të tyre.", shtoi Sadushi.

Ora 11:32
Sadushi: Reforma të guximshme, por ende larg besimit të plotë të publikut! Vettingu s'është certifikatë e përjetshme pastërtie

 

Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi thotë se ndonëse është ecur përpara dhe janë marrë reforma të guximshme për drejtësinë, ende jemi larg besimit të plotë të publikut, duke e cilësuar si "plagën më të madhe". Në një takim të nivelit të lartë me institucione të tjera të drejtësisë, Sadushi, tha se për të arritur besimin e publikut duhet të marrim më shumë përgjegjësi dhe se nuk është koha për lavdërime. 

"Projekti Enhancing Judicial Integrity in Albania vjen në një moment të rëndësishëm. Reforma në drejtësi është në një fazë delikate. Institucionet e drejtësisë janë funksionale, por nëse qytetari shqiptar nuk e ndien se gjykata është vendi ku merr drejtësi, atëherë e gjithë kjo mbetet e paplotë. Raportet e Komisionit Europian e thonë hapur: ka progres, por vetëm “progres i moderuar”. Ka institucione të reja, por ndikimi mbi drejtësinë mbetet shqetësim. Ka vendime, por cilësia dhe koherenca e tyre është ende e ndryshueshme.", tha ai.

Duke e cilësuar vettingun  si hap të guximshëm, Sadushi theksoi se nuk është një certifikatë e përjetshme pastërtie. Sipas tij, vettingu duhet të jetë pika e nisjes së një standarti të ti, ku gjyqtarë e prokurorë duhet të dëshmojnë çdo ditë me vendime dhe me sjellje e qëndrimë se janë të denjë për besimin që iu është dhënë. 

"Megjithatë, të gjithë e dimë se vetingu nuk është zgjidhja përfundimtare. Vetingu u mendua si një masë e jashtëzakonshme dhe si një mjet i përkohshëm. Nëse sistemi ynë do të mbetet peng i masave emergjente, atëherë nuk do të arrijmë kurrë të ndërtojmë një drejtësi që qëndron mbi themele të forta. Sfida jonë sot është të kalojmë nga instrumenti i jashtëzakonshëm tek mekanizmat e përhershëm, nga pastrimi i sistemit tek ndërtimi i tij, nga frika tek vetëdija, nga rregulli i imponuar tek kultura e brendshme. Vetëm kështu reforma nuk mbetet një episod, por bëhet trashëgimi, e cila ndërtohet mbi katër shtylla: llogaridhënie, paanësi, etikë dhe integritet. Këto nuk janë vetëm parime abstrakte, por themelet mbi të cilat ngrihet besimi i publikut tek drejtësia.", shtoi Sadushi. 

Gjyqësori, tha Sadushi, përballet ende me paragjykime të forta për ndikime të jashtme, vonesa apo mungesë qëndrueshmërie në vendime. Sadushi u shpreh gjithashtu se llogaridhënia duhet të jetë e para, dhe nëse gjykata nuk jep llogari për vendimet e saj, atëherë reforma do të mbetet e gjymtuar. Sipas tij, nëse drejtësia do të "mposhtet" nga presionet, atëherë nuk mund të quhet si e tillë. 

"Një nga problemet më të mëdha që ka mbërthyer sistemin e drejtësisë është konformizmi. Një drejtësi që pajtohet me çdo presion, që përshtatet me çdo rrethanë, nuk është drejtësi. Një gjyqësor konformist është një gjyqësor i dobët. Ne nuk duhet të kemi frikë nga e vërteta, edhe kur ajo është e hidhur, sepse vetëm duke e thënë hapur, ne bëjmë hapin për ta ndryshuar.", tha Sadushi. 

Ora 11:15
Bogdani: Mos prisni nga reforma pa reflektuar tek vetja! Magjistratët nuk mund të veprojnë në kushte normaliteti për shkak të vakancave në sistem

 

Drejtuesja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), Mirela Bogdani ka evidentuar disa prej problematikave që hasen sot në sistemin e drejtësisë nisur që nga performanca individuale në profesion e deri tek ngarkesa e lartë që kanë sot gjyqtarët dhe prokurorët  për shkak të vakancave të mëdha.

“Është një realitet që jemi përballur dhe do të vazhdojmë në këtë rrugëtim që duhet të evidentojmë drejt hyrjes në BE. Lidhur me llogaridhënien për punën e prokurorëve, kontrollohen nga gjykatat. Kërkohet një nivel më i lartë profesionalizmi dhe nga prokurorët dhe gjyqtarët.

Mekanizmi tjetër, është nëpërmjet vlerësimit etik dhe profesional që bën KLP. Kemi bërë 34 vlerësime. Është një proces që dikur vlerësohej vetëm nga prokurori i përgjithshëm, ndërsa sot është një këshill i përbërë nga 11 persona që vlerëson punën e magjistratit.

Itegriteti. Ndryshimi i madh që po presim nëpërmjet reformës fillon nga vetja. Nëse nuk reflektojmë, porfesionalizëm, integritet, transparencë, duhet të jetë e vështirë t’i pretendojmë në radhët e magjistratëve.

Këshillë për prokurorët, është ai parimi i Dekartit, dyshoni tek vetja, tek puna juaj. Duhet të analizojmë, të kemi 2-3 versione, të bëjmë atë balancën shkak-pasojë për të qenë të bindur e korrektë si me veten ashtu dhe me publikun.

Ngarkesa e prokurorëve dhe gjyqtarëve është e lartë nga vakancat në sistem. Është e pamundur që një magjistrat të veprojë në kushte normaliteti. Në këtë tusni pune të kemi disa aftësi menaxheriale të zhvilluara, qoftë indivualisht dhe trajnimeve.

Duhet të kuptojmë limitet tona. Gjithësecili të mbajë aq peshë profesionale sa ka mundësi. Duhet të shikojmë të ndajmë përgjegjësinë me të tjerët dhe të bëjmë pjesë të punës tonë pjesëtarë të tjerë që mund të na ndihmojnë në punën tonë", tha Mirela Bogdani.

K.B/Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Niku: 19/09/2025 13:34

    Metani jeni nje bande hajdutash drejtesin e fiton ai qe paguan me shume , populli nuke ka besim tek çeta juaj gjyqesori eshte semundja me e keqe qe ka zene popullin shqiptar duhet reforme..

    Përgjigju
  • Mara emigrante ne Itali: 19/09/2025 13:33

    Kafshata qe nuk kaperdihen nga populli jane justifikimet tuaja , kriminelja e krimit ne liri ndersa i zgjedhuri nga populli ne burg .

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Opozita pengon Ramën të prezantojë programin qeverisës, si iu duket?