DURRËS- Kryeministri Edi Rama inspektoi sot (21 prill) edhe Muzeun Arkeologjik në Durrës, i cili po bëhet nga e para pas goditjes nga tërmeti.
I shoqëruar edhe nga ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, si dhe kryebashkiakja Emiriana Sako, kreu i ekzekutivit u njoh me projektin dhe punimet e deritanishme.
“Po rilind nga e para. Një thesar i vyer i historisë sonë të antikitetit me më shumë se 2400 objekte, të cilat me përfundimin e restaurimit do të ekspozohen në pavione tërësisht të reja, me ndriçim dhe kushte bashkëkohore, e që bashkë me rikualifikimin e hapësirës në oborrin e muzeut do të kthehen në një nga atraksionet më të rëndësishme të turizmit historik në vend”, shprehet kryeministri për këtë investim.
Ministri Gonxhja e njohu me historikun e kësaj vepre, duke theksuar se qeverisja e kaluar tentoi që ta shndërronte edhe në një “markatë” këtë vepër historike, që në të kaluarën edhe ka pësuar dëmtime.
“Më 2015 kur u rihap, trashëguam një objekt pothuajse të shkatërruar, pa letra, me probleme ligjore, privat para dhe privat mbrapa, u rregulluan vetëm së fundmi, me shpronësime, që ta bënim projektin brenda dhe jashtë. Kemi katin e parë dhe të dytë, kemi dyfishim të sipërfaqeve. Pjesa e katit të dytë do jetë më inovatore”, tha ministri Gonxhja ndër të tjera, teksa bashkë me kryeministrin inspektonin punimet e deritanishme edhe brenda godinës.
Kryeministri teksa u njoh me projektin dhe hapësirat e brendshme, shtoi:
“Ku u dëmtua nga tërmeti, u prek?”
Kryebashkiakja Sako i shpjegoi pasojat që pati objekti nga tërmeti, ndërhyrjet e kryera deri në investimin aktual.
“Ky muze ka një numër të lartë vizitorësh dhe është e rëndësishme të organizohemi një orë e më parë”, shtoi kryebashkiakja, duke bënë theksin te turizmi dhe përfitimet prej tij.
Muzeu do të ketë edhe një kënd panoramik dhe një sipërfaqe oborri të konsiderueshme gjithashtu.
Komente
