VLORË - Policia e Shtetit ka treguar këtë të hënë detaje të reja nga operacioni i arrestimit të Flodian Plakut, i cili u vu në pranga ditën e djeshme nga Forcat Operacionale të Vlorës, pas një kohe të gjatë në kërkim si i dyshuar për vrasjen e Gentjan Bejtjas, më 15 mars 2024, në Larushk të Fushë Krujës.
Në një konferencë të posaçme për shtyp, blutë bënë me dije se në momentin e kapjes "Pole Qorrit", në një operacion të koduar "Eterna", i janë gjetur dhe sekuestruar 17 fishekë, 7 celularë dhe 25 mijë euro cash, krahas 2 amëve të zjarrit që Report Tv arriti të mësojë që në momentet e para të prangosjes së tij. Në raportimin e policisë u theksua se një nga armët të cilat iu gjet ishte me fishek në fole
Po ashtu, janë arrestuar edhe 3 persona të identifikuar Albano Lapshi, Armand Dano dhe Ligor Doko, pasi kanë ndihmuar në strehimin, komunikimin dhe lëvizjen e Flodian Plakut gjatë kohës që ishte në kërkim. Ata u arrestuan ne flagrancë për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.
Së bashku me Flodian Plakun, i njohur edhe me mbiemrat Mamo e Serjani dhe me nofkën “Pole Qorri”. dje u arrestua dhe Julian Aliaj, alias Julian Pasho. Ky i fundit është arrestuar edhe në vitin 2019 në Itali për trafik droge, si anëtar i bandës kriminale të drejtuar nga Flodian Plaku. i cili po ashtu u arrestua asokohe për të njëjtin krim. Gomonet me kanabis ngarkoheshin në Shqipëri dhe dërgoheshin Brindizi. Droga nëpërmjet korrierëve shpërndahej nga Puglia drejt Romës, Napolit, Milanos dhe Firenzes.
Flodian Plaku jetonte kryesisht në Greqi e Itali, dhe ishte shpallur në kërkim pas masës "arrest në burg" lëshuar ndaj tij nën akuzë si një nga tre autorët e vrasjes së ish-policit Gentjan Bejtja, në Larushk të Fushë-Krujës, brenda rrethimit të banesës së tij, teksa ujiste perimet në kopsht dhe në prani të familjarëve.
Krimi dyshohet se ndodhi me motive hakmarrjeje, si pasojë e luftës së për hakmarrje dhe rivalitet mes grupeve kriminale të Fushë-Krujës, Ervis Martinajt, Indrit Dokles dhe Durim Bamit.
Vetëm 4 ditë pasi u vra Gentjan Bejtja, policia arrestoi në flagrancë Ilir Beqarajn - alias Ilir Brahimi, alias Ilir Mançellari - 41 vjeç, dhe Edison Haxhiun, 30 vjeç, si të dyshuar për ekzekutimin mafioz, bashkëpunëtorë. Pas ngjarjes ata dogjën makinën e krimit dhe armët në periferi e u larguan me një tjetër mjet.
Më 9 maj të këtij viti, Gjykata e Tiranës kaloi për gjykim dosjen e të dyshuarve për vrasjen e Gentjan Bejtjas,
Gentjan Bejtja dhe Flodian Plaku
Report Tv mëson se Flodian Plaku, i cili arrestua ditën e djeshme në Orikum pasi ishte shpallur në kërkim për vrasjen Gentjan Bejtjas në Larushk të Fushë Krujës, ka qenë nën vëzhgim për rreth dy muaj nga policia.
Në ditën e ndërhyrjes dhe arrestimit është ndjekur Albano Lapshi, por edhe Armando Dano me origjinë nga Shkodra, berber, që shkonin drejt hotelit ku fshihej Plaku.
Në moment është bërë ndërhyrja e policisë ku u arrestua Flodian Plaku, i njohur edhe me nofkën “Pole Qorii:”, është bërë edhe ndalimi i Julian Aliaj, i cili mbante me vete pistoletë, ndërsa ka qenë i arrestuar më parë për trafik lëndësh narkotike.
Flodian Plaku
Report Tv ka arritur të zbulojë se si Albano Lapshi, Armand Dano dhe Ligor Doko, të cilën u arrestuan dje bashkë me Flodian Plakun, nën akuzë për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, ndihmonin ekzekutorin e dyshuar të Gentjan Bejtjas, gjatë kohës që ishte në kërkim nga autoritetet.
Albano Lapshi mësohet se i çonte ushqimin Flodian Plakut, në hotelin ku ky i fundit ishte strehuar. Ligor Doko është pronari i hotelit ku qëndronte “Pole Qorri”. Ndërsa Armand Dano nga Shkodra, ishte berberi i Flodian Plakut, të cilin besohet se e qethte gjatë kohës që ishte në kërkim.
Policia e Shtetit ka publikuar sot pamjet nga arrestimi i Flodian Plakut në Orikum ditën e djeshme, pasi ishte shpallur në kërkim për vrasjen e Gentjan Bejtjas më 15 mas 2024 në Larushk të Fushë Krujës.
Komente
