Qazim Mulleti

Roland Qafoku: Qazim Mulleti i gënjeshtër dhe Qazim Mulleti i vërtetë

25 Gusht 2023, 20:09| Përditesimi: 25 Gusht 2023, 20:12

  • Share

Gjatë punës për përgatitjen e librit “100 vrasjet më të bujshme në historinë e shtetit shqiptar 1912-2017”, emri i Qazim Mulletit më doli dy herë. Herën e parë i përfshirë në atentatin ndaj mbretit Zog më 21 shkurt 1931 në Vjenë në të cilin mbeti i vrarë adjutanti Llesh Topollaj dhe u plagos ministri i Oborrit Mbretëror, Eqrem Libohova. Si referencë kisha jo vetëm dokumente arkivorë shqiptare dhe austriake, por edhe disa gazeta vjeneze të kohës, veçanërisht “Wiener Neuse Nachrihten”, e cila pak ditë pas ngjarjes kishte publikuar një listë të pjestarëve të komplotit që policia i kishte futur në qeli. Përveç dy vrasësve Ndok Gjeloshi dhe Azis Çami, në listën e organizatorëve, bashkë me Hasan Prishtinën, Rexhep Mitrovicën, Angjelin Sumën, Sejfi Vllamasin, Menduh Angonin dhe Luigj Shkurtin, ishte edhe Qazim Mulleti. Më 15 maj 1933 Gjykata Ushtarake e Tiranës, e dënoi me vdekje në mungesë Qazim Mulletin bashkë me 8 bashkëpuëntorët dhe ekzekutuesit. Ishte një vendim që në fakt nuk u ekzekutua asnjëherë, sepse Mulleti jetoi në Vjenë derisa filloi Lufta e Dytë Botërore dhe u kthye në atdhe vetëm kur u sigura mirë që Zogu nuk kthehej më në Shqipëri.

Në vrasjen e dytë më rezultoi i përfshirë në vrasjen e Mine Pezës më 12 shtator 1942 në Tiranë, para burgut të kryeqytetit, aty ku është sot burgu 302. Prefekti Qazim Mulleti ishte ai që urdhëroi hapjen e zjarrit në ajër për rojet si reagim ndaj një grupi grash që ishin të revoltuara aty dhe thërrisnin “Lironi djemtë tanë”. Një plumb që bëri rikoshetë në murin e burgut plagosi 70-vjeçaren Mine Bilali Peza nga Ndroqi i Tiranës dhe pas dërgimit në spital vdiq nga plaga e marrë. Ndërkohë që po nga plumbat rikoshetë mbetën të plagosur edhe dy xhandarë, mes tyre edhe ndihmësi i prefektit Mulleti. Në asnjë rast nuk vërtetohet se protesta më e guximshme në Shqipëri e 60 grave, kryesisht nga fshatrat e Tiranës dhe që kërkonin lirimin e djemve të tyre të arrestuar, të ishte e organizuar nga komunistët. Mine Peza nuk ishte as komuniste dhe nuk kishte asnjë lidhje me komunistët, por sot ajo që dikur quhej rruga e Shkodrës dhe rruga “Princi i Piemontit” mban të çimetuar emrin e saj. Edhe për ngjarjen e dytë Qazim Mulleti u dënua me vdekje në mungesë. I larguar pas tetorit 1944 nga Shqipëria, emri i ish-prefektit dhe ish-kryebashkiakut u vendos në listën e kriminelëve të luftës dhe kërkohej me qiri nga regjimi i Enver Hoxhës për ta ekzekutuar. Por edhe ky vendim nuk u ekzekutua asnjëherë. Qazim Mulleti u largua drejt Italisë sapo përfundoi lufta dhe vdiq në një provincë të Romës më 28 gusht të vitit 1956 në moshën 63-vjeçare duke lënë në Shqipëri bashkëshorten dhe djalin e vetëm. Pra Qazim Mulleti ishte antizogist ekstrem ashtu siç ishte Enver Hoxha dhe regjimi i tij pas lufte. Për atë që i bëri Ahmet Zogut në Vjenë ai ishte një hero për kundërshtarët. Por Qazim Mulleti ishte antikomunist po ekstrem siç ishte Ahmet Zogu. Në dallim me rastin e parë, në ngjarjen e dytë prefekti i Tiranës nën pushtimin italian zyrtarisht ishte profashist. Hajde ta ndajë shqiptari i viteve 2000 se çfarë ishte Qazim Mulleti i vitit 1933 dhe Qazim Mulleti i vitit 1942. E vështirë, shumë madje. Në rastin e parë një hero fannolist që deri në Vjenë synoi të eleminimin fizik të Zogut. Në rastin e dytë një bashkëpunëtor me fashistët. Pra, shqiptari që kishte luftuar me armë në dorë kundër forcave serbe, pjesmarrës aktiv në ngritjen e flamurit në Tiranë më 26 nëntor 1912, pjesmarrës në Kongresin e Lushnjes në 1920 dhe “tironsi” që hapi shtëpinë e vet për qeverinë e Sulejman Delvinës duke e kthyer në ministri të Bujqësisë, në tallazet e Shqipërisë, befas u shndërrua në një personazh me dilemën se çfarë përfaqëson ai për historinë. Por çfarë ishte në të vërtetë Qazim Mulleti? A ishte hero, tradhtar, antizogist, patriot, antishqiptar, fashist, antikomunist, atdhetar, administrator i mirë lokal apo kriminel lufte? Zor se në botën e kohës që jetoi të ketë një personazh që mori mbi kurriz të gjitha këto epitete e sharje sa mori Qazim Mulleti, në të gjallë dhe në të vdekur. E pavarësisht kësaj epitetnaje, dilemat për të nuk mbarojnë këtu.

KOMEDIA QË E DENIGROI RËNDË

Në vitin 1974 në artin komunist ndodhi një ngjarje që konvergjoi në një figurë të vetme Qazim Mulletin. Në Teatrin Kombëtar dhe më pas në një ekranizim u vu në skenë komedia me titull “Prefekti” që e portretizoi figurën e Mulletit ashtu siç regjimi komunist dëshironte që ajo të ishte dhe jo siç ishte në të vërtetë. Asnjëherë nuk e kam arritur të kuptoj autorin Besim Levonja për atë produkt të tij. Më shumë kam prirjen se vepra kishte bashkëautorësi dhe redaktim dogmatik se sa një fantazi e shrenuar e Levonjës sado komunist e antimulletian të ishte ai. Nuk janë të paktë ata që tregojnë se ndërhyrjet në një vepër arti gjatë regjimit ishin puna më normale që bëhej dhe nuk përjashtohej nga kjo sindromë as “Prefekti” i Levonjës. Megjithatë, për faktin se ajo që i është bërë Qazim Mulletit me emër konkret dhe me një denigrim ekstrem që nuk i është bërë kujt, nuk ka justifikim. Përveçse antikomunist, antikombëtar, tradhtar dhe lloj-lloj epitetesh, Qazim Mulleti aty dilte i deformuar, injorant, anadollak, i prapambetur, frikacak deri në palcë dhe një figurë që thjesht të shkaktonte humor edhe falë zhargonit aspak zyrtar të të folurit. Pra nga një figurë nga më të arsimuarat që si rrallë kush në Shqipëri që startonte me gjimnazin “Zosimea”, i diplomuar në kolegjin perandorak të Stambollit, i diplomuar nw Vjenw për diplomaci ushtarake dhe një poliglot po aq i rrallë, Qazimi Mulleti u bë sinonimi i një regjimi të shkuar që të krijonte impresionin se ishte fati ynë i madh që e kishim lënë pas. Për ata që nuk e njihin fare Qazim Mulletin kjo komedi ishte një ilaç idiot për shpirtin e sëmurë se sa mirë jetonin ne në komunizëm, i cili kishte përmbysur të vjetrën, injorancën dhe antishqiptarizmin. Por ama për ata që e njihin figurën e tij, nën zë edhe me zë, e dinin mirë se ajo komedi ishte një turp letrar dhe kombëtar sëbashku. Komedia “Prefekti” e trazoi shpirtin e Qazim Mulletit, por edhe të shumë familjarëve që la në Shqipëri, pse jo edhe të “tironsve” që nuk e njihnin ashtu beun e tyre. Qazimi Mulleti jo vetëm nuk e meritonte atë trajtim, por duhet të merrte edhe disa merita për atë që kishte bërë në jetë. Por kur? Gjatë komunizmit? As që bëhej fjalë. Pas vitit 1990 publikut iu dha mundësia ta njohë pak nga pak figurën e tij dhe media i ka lënë jo pak hapësirë historisë reale në faqet e gazetave. I biri, Reshiti, ka qenë pjesë e shumë intervistave dhe ata që e kanë njohur nga afër e kanë mësuar jo vetëm pasurinë shpirtërore të të atit, por edhe vuajtjet që ai dhe e ëma pësuan nga regjimi për shkak të Qazimit dhe sidomos për shkak të komedisë “Prefekti”. Po a kishte ilaç për të shëruar plagën që ua kishte shkaktuar regjimi komunist? Kurrë nuk mund të kurohej ajo plagë. 

PËRSËRI PËR FILMAT E DIKTATURËS

Komedia “Prefekti” nuk ishte e vetmja që gjatë regjimit komunist denigroi figura që ishin antikomunistë. Më shumë se 20 vite më parë unë jam shtangur teksa zbulova në SHBA personazhin real Sali Protopapa dhe sa i ndryshëm ishte nga filmi “I teti në Bronx” që ne e kishim parë e stërparë në kinema dhe televizor me një personazh jo vetëm ishte tradhëtar por një personazh groteskt mishëngrës dhe një i fort fshati që vriste partizanë në bashkëpunim me gjermanët. Në fakt Protopapa i vërtetë ishte një inxhinier që kishte punuar për 30 vjet në laboratorin sekret të bombës bërthamore “Los Alamos”. “Po çfarë i kam bërë unë Shqipërisë që më bëri këtë”, më përsëriste shpesh profesor Protopapa për personazhin në film. Dhe si për ironi me Protopapën këto ditë në Shqipëri është rikthyer sërish debati për filmat e kohës së komunizmit. Sigurisht që ka shumë propagandë në ato filma dhe vepra si “Prefekti”, “I teti në Bronx” e të tjerë nuk duhet të jenë pjesë e transmetimeve publike, por vetëm pjesë e studimeve. Por prisni! Kjo nuk do të thotë se bashkë me këta të gjithë filmat e Kinostudio “Shqipëria e re” nuk duhet të transmetohen.

Filmi “Nusja dhe shtetrrethimi” ishte poster i festivalit ndërkombëtar disa vite më parë në Vjenë me temë nga rezistenca e luftës së Dytë Botërore. “Dimri i fundit”, “Malet me blerim mbuluar”, “Tomka dhe shokët e tij”, pavarësisht ndonjë sekuence me indroktrinim kanë në thelb temën e rezistencës dhe kaq. Por, që të fshish të gjithë krijimtarinë e asaj kohe është po aq kriminale sa bëri ai regjim me artin dhe kulturën përpara vitit 1944 që e zhduku të gjithë. Madje ai regjim fshiu edhe vepra të prodhura edhe gjatë vetë komunizmit vetëm se kishin autorë armiqtë e rinj. Pak e dinë sot se në vitet ‘70-‘80-të ishin të ndaluar të shfaqeshin filmat “Skënderbeu”, “Tana”, “Vitet e para”, “Ngadhnjim mbi vdekjen”, “Skëterrë 43” e të tjerë, pikërisht sepse në stafet që i kishin prodhuar ishin një tufë me armiq të Hoxhës. Për të mos shkuar te kolonat zanore që janë pasuri më vete dhe kryemjeshtri Kujtim Laro mbetet një Hans Zimmer i filmave shqiptarë. Por sot ne nuk kemi asnjë film që jep një version ndryshe të rezistencës së Luftës së Dytë Botërore dhe që i hedh poshtë filmat e komunizmit. Ne sot nuk kemi asnjë aktor me peshën dhe autoritetin e Robert Ndrenikës, Sandër Prosit, Sulejman Pitarkës, Margarita Xhepës, Tinka Kurtit, Edi Luarasit e të tjerë. E kam shkruar edhe më parë. Bëjini filmat më të mirë dhe unë nuk do t’i shikoj fare më ata të vjetrit! Por, ama që të nxjerrësh një ligj që ndalon çdo film të prodhuar në diktaturë është njësoj siç u fshinë të gjitha librat dhe arti dhe kultura gjatë kohës së Zogut. Kishim kryeveprën “Lahuta e Malcisë” të Gjergj Fishtës por nuk e njihnim se u ndalua nga regjimi komunist. Kishim kryeveprën “Shqipëria, kopshti shkëmbor i Evropës Juglindore” të Faik Konicës, por nuk e njihnim sepse u ndalua nga regjimi komunist e shumë e shumë vepra të tjera. Kishim libra, kishim teatro dhe kinema dhe në 1944 befas u fshinë të gjitha dhe u duk se era e re nisi të fryjë pas patur asnjë traditë. Jo! Arti është art prandaj ndahet në etapa. Ky i viteve 1944-1990 ishte art komunist i indroktrinuar, në funksion të regjimit gjakatar të Hoxhës dhe pa vlerë në shumë raste. Por zhdukja dhe fshirja do të ishte një vendim absurd që jo vetëm nuk ndihmon por e dëmton memorien e shoqërisë. Brezi i ri duhet ta njohë komunizmin në radhë të parë nëpërmjet studimeve dhe arkivave dhe jo duke i fshirë këto arkiva si një shirit bosh. Kjo do ishte e pafalshme. Studiues, mësues dhe profesorë duhet t’ia shpjegojnë brezit të ri se çfarë ishte ky art, çfarë syonte dhe çfarë solli, por ama jo që ata të mos shikohen fare sikur të mos kenë ekzistuar.

KOMEDIA QË NA KTHJELLON MË SHUMË SE NA NGATËRRON

Në komedi del gysmë budalla dhe në realitet Qazim Mulleti kishte një IQ që linte pas çdokënd në kohën që jetoi. Po duhet ta themi se antizogist dhe antikomunist ishin dy cilësitë e tij më të spikatura. Dhe ne asnjëherë nuk kemi guximin ta themi se ai ishte i tillë me të gjitha të vërtetat që jetoi. Palët ndahen; ose Qazim Mulleti ishte i miri, i dituri, i drejti, jomëkatari dhe tjetri se Qazim Mulleti ishte armiku, vrasësi, antishqiptari. Tamam me të njëjtën gjuhë që politika lufton edhe sot. Për të majtët çfarë është Sali Berisha dhe Lulzim Basha? Secili është antikombëtar, antishqiptar, vrasës, tradhtar e të tjerë epitete të rënda. Për të djathtët çfarë janë Fatos Nano, Edi Rama, Ilir Meta? Tradhtarë, hajdutë, kriminelë, antishqiptarë, grabitës territoresh e të tjera e të tjera. E pra, ky është stili dhe metri se si përcaktojnë sot ne politikanët tanë njëri-tjetrin duke u kthyer në kulturën tonë dhe mos prisnin që me atë të para një shekulli duke përfshirë edhe Qazim Mulletin të ketë metër tjetër. Ai ishte edhe i gënjeshtër edhe i vërtetë, tamam sikur të jetonte edhe sot. 

Ndërkohë Teatri Kombëtar ka disa kohë që kishte nisur nga puna për ta rivënë në skenë “Prefektin”. Këtu si fillim ka një problem madhor, se pa e parë versionin e ri, të 3 milionë shqiptarët japin mendimin e tyre. Hervin Çuli ishte i qartë kur tha se figura e Mulletit në këtë vepër vjen e rishikuar dhe në një version komplet tjetër. Por hajde ta besojnë Çulin dhe aktorët kur u janë turrur i madh e i vogël si komunistët e pas 1944-ës Qazim Mulletit. Aktori Arben Derhemi që rrjedh nga një familje thelb i Tiranës kishte një reagim akoma edhe më të fortë teksa më gjuhë ironike komentoi:

“Unë e di që ne sot jetojmë në botën e internetit dhe rrjetet sociale i kanë dhënë të drejtë çdo “qenie intelektuale” të sajojë e shpifë ç’i intereson dhe i vjen për shtat, por nuk i kuptoj ku i ka prekur këta tironcat e vërtetë, leximi që ne i bëmë veprës groteske “Prefekti”, në një këndvështrim tjetër dhe për ta evidentuar si figurë historike të madhe Ju që i bini tam-tamit te patriotizmi ojf-ist meritoni vetëm një batutë me të cilën mbyllet vepra. U ulen malet, u ngritën halet”. Por, as Çuli e as Derhemi nuk e përballojnë dot lukuninë e kritikëve në facebook.

Ndërkohë që Qazim Muleti ishte ai që ishte. Mund ta duash figurën e tij, por edhe mund ta urresh. Por ama dreqi e mori një copë tokë 2 metra katrorë për tu prehur trupi i tij në Shqipëri ky njeri i meriton që çke me të. Ata që ulërijnë në facebook përveç djersës që derdhin çurk me të shkruarën është mirë të bëjnë ndonjë punë konkrete me figurën e Qazim Mulletit. Ky shtet nuk e rehabilitoi figurën e tij në këto 31vjet. Nuk e solli ashtu sic duhet dhe ky është një gabim i rëndë. Por së paku këta intelektualët e facebook-ut të grumbullojnë disa para me të ardhurat nga trojet private që japin për gradaçiela dhe me to të sjellin eshtrat e tij në Tiranë. Është turp shtetëror por edhe shoqëror që eshtrat e Qazim Mulletit nuk janë as të futura në tokë, por qendrojnë prej dekadash në një arkë alumini dhe të vendosur në një depo në varrezat e provincës Rocca di Pappa të Romës ku ai ndërroi jetë 65 vjet më parë. Është minimumi i nderit që duhet ti bëjnë Qazim Mulletit. Për të gjithë këtë debat që u hap e u mbyll, përgjigjen më të saktë e dha mbesa e tij Fatbardha Mulleti me një nënqeshje që duket se i ngjan xhaxhait të vet: “Qazimi qesh nga parajsa se si ky vend që përjetoi 50 vjet komunizmin kërkon ta denigrojë përsëri figurën e tij”. Këtyre fjalëve mund t’i shtojmë edhe frazën lapidar të dalë nga goja e personazhit Qazim Mulleti: “Unë ju thërrita këtu për të mbajtur partizanët, po ju dulët vetë partizanë”! Kjo batutë ishte nga komedia e vjetër e “Prefektit”. Këtë të renë nuk e dimë nëse do kemi fat ta shikojmë.

(Shkrim i publikuar më 6 dhjetor 2021 në gazetën “Fjala”, në rubrikën Vera e re në fuçinë e vjetër).

G.MO/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Alma Shkurti: 22/12/2023 08:41

    Komedia eshte komedi .Persona te tille qe ishin vegla te fashizmit behen shkas per tu bere personazhe komedie Historia behet nga historiane .

    Përgjigju
  • A. N.: 02/09/2023 09:07

    Duke marre parasysh qe po te ishim nen fashizmin ndoshta do kishim qene me mire se sa nen komunizmin atehere cdo bashkepunetor i fashizmit mund te ishte me pozitiv se sa nje bashkepunetor i komunizmit. Me pak fjale mund ta quajme nje person me teper pozitiv se negativ :)

    Përgjigju
  • Sadiu: 27/08/2023 18:48

    Qafore paske qënë koqe o koqe, me një fjalë bashkpuntorët e fashizmit duhet ti nderojmë, jo që ke të drejtë ti je mik dhe mbështetës edhe i vrasësve të sotëm, se u mbanë çdo ditë temena atyre. Pika

    Përgjigju
  • Tahip: 25/08/2023 21:04

    Ca ishte qazimi vertete? Kolaboracionist qe ne cdo vend te civilizuar do ta kishin denuar ne cdo kohe, do tja kishin fshire emrin. Ju i rehabilitoni kokrrat e legenave

    Përgjigju
  • Patrioti: 25/08/2023 20:43

    O Qafok aje gazetar,a historian?Të paktën mos e shkruaj bistorin siç ke dhe llagapin.Lëria historin historianëve!Ku izoti shtëpis ulet në sofër me këlyshë ashtu dotë lehë.Je turpi igazetaris sps edh servili ka personalitet qoftë dhe njëherë të vetme,por sahanlëpirsit janë jashtëqitja e kombit në çdo kohë.

    Përgjigju
    • Shaqo: 28/08/2023 12:52

      Qafokut i mungojne ca vertebra te qafes, prandaj quhen qafoke, nuk kane mjaftushem oksigjen ne tru, prandaj gflasin si budallenj, te certifikuar tashme nga me i "mencuri" Roland.

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?