Ushtria dhe zjarrfikësit në aksion për shuarjen e flakëve

Kronikë

Situata e zjarreve, 14 vatra në 24 orë, 2 janë ende aktive në Vlorë dhe Korçë, 3 nën monitorim!

28 Gusht, 09:52| Përditesimi: 28 Gusht, 14:34

  • Share

Zjarret në vend kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme këtë verë, teksa edhe muaji gusht po del me vatra aktive në disa qarqe.

Orët e fundit kanë qenë kritike për dy zona ku ka pasur vatra zjarri që po vijojnë të djegin pyje dhe bimësi.

Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, nga ora 09:00 e datës 27 gusht deri në orën 09:00 të datës 28 gusht, janë raportuar 14 vatra zjarri, prej të cilave 2 janë ende aktive, 3 janë nën monitorim dhe pjesa tjetër është izoluar dhe shuar.

Më problematike janë vatrat në Akërni të Vlorës, (zona e Poros) dhe ajo në Miras të Devollit, qarku Korçë.

Nën monitorim janë vatrat në Bogovë të Skraparit, në Parkun e Gërmenjit në Korçë dhe ajo në Pezë-Helmës të Tiranës.

Njoftimi i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile:

“Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, nga ora 09:00 e datës 27 gusht deri në orën 09:00 të datës 28 gusht, janë raportuar 14 vatra zjarri, prej të cilave:

-2 janë ende aktive

-3 janë nën monitorim

-pjesa tjetër është izoluar dhe shuar.

Vatrat aktive

-Në fshatin Delisuf, bashkia Vlorë, vatra e nisur më 25 gusht vijon në pyllin e Pishë-Poros. Sot në terren po punojnë 30 forca zjarrfikëse e bashkiake dhe 20 efektivë të FA me 3 automjete. Zjarri ka intensitet të ulët, duke djegur kryesisht trungje brenda vatrës.

-Në fshatin Miras, bashkia Devoll, vijon zjarri në një sipërfaqe pyjore, ku po punojnë rreth 70 forca vendore të MZSH, bashkisë dhe vullnetarë.

Vatra në monitorim

-Skrapar (Bogovë) – Zjarri në pyllin me pisha është vënë nën kontroll, ndërsa po mbahet në monitorim nga forcat zjarrfikëse dhe bashkiake.

-Pezë Helmës, vatra të izoluara në zonën e Kodrave të Caushit po vijojnë të monitorohen.

-Korçë (Parku Natyror Gërmenj)

Vatra e riaktivizuar në zonën e piramidave 14–15 është izoluar dhe po monitorohet nga forcat operacionale.

Strukturat e Mbrojtjes Civile, zjarrfikësit, bashkitë, Forcat e Armatosura dhe vullnetarët mbeten të angazhuar në terren për të kontrolluar situatën dhe për të parandaluar përhapjen e flakëve”.

Ora 14:29
Zjarr masiv në pyjet e Kukësit, flakët i afrohen malit të Gjallicës dhe Parkut Natyror Korab-Kortnik! Nuk ka rrezik për banesat (VIDEO)

 

Një zjarr masiv ka përfshirë fushat e thara dhe pyjet në fshatin Bratë, të Njësisë Administrative Bicaj, në bashkinë Kukës.

Flakët, të favorizuara nga era e fortë dhe terreni i thepisur, po përhapen me shpejtësi.

Në terren ndodhet një mjet zjarrfikës dhe 13 punonjës të shërbimit zjarrfikës, të cilët po mbështeten edhe nga punonjës të njësisë administrative dhe banorë të zonës. Nuk ka rrezik për banesat, por rreziku më i madh, sipas autoriteteve, është afrimi i flakëve drejt Malit të Gjallicës, pjesë e Parkut Natyror “Korab–Koritnik”.

Gazetari i Report Tv, Benet Beqiri, informon se strukturat e mbrojtjes civile janë në gatishmëri, deri në vënien nën kontoll të flakëve.

Gjithashtu Report Tv ka siguruar pamjet nga vatra e zjarrit dhe operacioni për shuarjen e tij.

Ora 13:32
Zjarri në Pishë-Poro të Vlorës, vatrat u rindezën qëllimisht disa herë! Burime: Janë filmuar me dron

1756380787_zjarrinpyllineporosnvlor.pngPrej 3 ditësh vijon të jetë aktiv zjarri në Pishë-Poro të Vlorës, ku për shkak të shtrirjes së gjerë të zonës dhe pyllit me pisha, ka qenë e vështirë fikja e flakëve.

Por burime për gazetarin e Report Tv në Vlorë, Armand Xhelili, kanë thënë se zjarri është vënë nën kontroll 3 herë nga strukturat në terren dhe është riaktivizuar sërish nga dora e njeriut.

Sipas të njëjtave burime, policia ka konstatuar disa raste gjatë filmimeve me dron, ku duken persona që ndezin zjarrin në brendësi të pyllit.

Konkretisht, rastet kanë ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm (28 gusht), në orën 00:00 dhe në 04:30.

Në këto dy raste të ndryshme të ndezjes së zjarrit në këtë zonë janë konstatuar disa persona.

Disa të dyshuar janë shoqëruar mbrëmë nga policia, teksa autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të mos ndezin zjarr.

Aktualisht, zjarri në zonën e Pishë-Poros në fshatin Delisuf të Vlorës po djeg trungje pemësh brenda vatrës aktive.

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Aksidentet e rënda rrugore, a duhen ashpërsuar dënimet në Kodin Penal?