Qarku i Shkodrës i njohur historikisht si një bastion i djathtë, sot është një ndër qarqet me të polarizuara sa i takon ofertës politike.
Në parlament ky qark do të çojë 11 deputetë, 6 prej të cilëve në 2021-shin ishin produkt i opozitës së bashkuar, ndërsa fronti i majtë përfaqësohej nga vetëm 5 ligjvënës, 3 nën logon e PS, dhe 2 nga PSD-ja e Tom Doshit me një ndikim të fortë elektoral në zonë.
Rrugës, socialistët “rekrutuan” Agron Çelën, deputet i LSI-së dhe biznesmen i njohur në Shkodër. Ndërsa në zgjedhjet vendore të 2023 fituan për herë të parë bashkinë e Shkodrës me një tjetër ish-opozitar, Benet Becin duke rritur ndjeshëm ndikimin e tyre elektoral.
Por Tom Doshi, i cili ka mbështetur hapur socialistët, bëri çmos t’u vinte në dukje atyre, se pesha e partisë së tij, nuk mund të anashkalohet; herë me deklarata e herë me bllokime në Këshillin bashkiak.
Në Shkodër, PS-ja ia besoi drejtimin e fushatës Benet Becit, kryetarit të bashkisë që u solli për herë të parë fitoren, ndërsa në listë të mbyllur spikasin Neomalësorja dhe vajza e ish-deputetit të LSI-së, Agron Çela, Xhenis Çelën që konfirmon vazhdimësinë e aleancës.
Ndërsa PD kërkon të rifitojë Shkodrën me Luçiano Boçin, I importuar nga Elbasani. Berisha e shpërbleu me një vend të sigurt në listë së bashku me dy besnikë të tjerë, Greta Bardelin dhe Ramadan Likën.
4 deputetë nga secila forcë janë në listë të mbyllur, të tjerët do të duhet të luftojnë për 1 ose 2 mandate.
Këtë herë në forcë numërohen edhe emigratët, ndikimi i të cilëve në rezultat mbetet një e panjohur.
Komente
