“Europa kishte një përshtypje tjetër para dy vitesh kur kërkoi mbrojtjen e lumit të egër por situata në terren është ndryshe nga sa paraqitet në letra”, tregon gazetari i “Daily Telegraph”, Nick Squires
Një grup gazetarësh të huaj nga Gjermania e Italia, së bashku me gazetarë shqiptarë dhe EcoAlbania, ndërmorën një udhëtim dy ditor në pikat më të nxehta të Vjosës, për të parë konkretisht rreziqet që i kanosen lumit më të egër në Evropë.
Ndalesa e parë ishte pikërisht në afërsi të lumit, ku për vite me radhë mbetjet hidrokarbure të dala nga puset e naftës në Gorrisht derdheshin në lumë, duke rrezikuar çdo gjallesë dhe jo vetëm.
Kjo pikë e nxehtë mjedisore ka qenë në fokus të vëzhgimeve të shpeshta të Report Tv.
Gazetari Armand Xhelili ishte në ditët e fundit të qershorit, ku era e rëndë e gazit ndihej që në rrugën nacionale Selenicë-Tepelenë, segmenti Vllahinë-Poçem. Në grykëderdhjen e Përroit të Madh, siç i thonë vendasit, më shumë se sa ujë, rridhte ‘llumi i naftës’ që del nga puset, lart në kodrën e Gorishtës që më pas përfundon në lumin Vjosë. Kjo situatë ka vazhduar në 30 vitet e fundit.
Pas një inspektimi të bërë më 30 qershor, 3 ditë pasi Report Tv publikoi krimin e rëndë mjedisor, Agjencia Kombëtare e Mjedisit mori një vendim që urdhëronte Albpetrolin “të ndërpresë në mënyrë të menjëhershme çdo rrjedhje të ujërave teknologjike të përziera me hidrokarbure, që vijnë nga argjinaturat e depozitave apo tubacioneve të cilat më pas përfundojnë në përrua dhe më pas në lumin Vjosa”.
Për këtë, kompanisë iu la afat 30 korriku. Pas këtij afati, sipas procedurave ligjore, do t’i komunikohet edhe gjoba 2 milionëshe.
Në përgjigje të një kërkese për informacion të Report Tv, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, thotë se derdhja e naftës në Vjosë ndodh për shkak se në Gorisht, Albpetrol ka depozita të vjetra me rrjedhje të lëndëve hidrokarbure; tubacione të korroduara dhe të dëmtuara që shkaktojnë rrjedhje, struktura të dëmtuara mbrojtëse apo edhe rrjedhje të vazhdueshme. Të tilla ndëshkime e kanë shoqëruar aktivitetin e Albpetrol ndër vite por pa rezultat.
Dy muaj më pas ne rikthehemi në Gorrisht të Selenicës së bashku me grupin e gazetarëve të huaj e vendas, për të cilët është përballja e parë me këtë realitet.
Ajo që vumë re është se kompania naftënxjerrëse në zonën e Gorrishtit, Albpetrol, kishte ndërhyrë në pastrimin e kanalit por kjo sipas drejtuesit të ECO Albania Olsi Nika, nuk është qasja e duhur, pasi këtu ka nevojë për një rehabilitim më të thellë.
Ndërsa sipas ambientalistit nga Gjermania, Leondar Sonten, institucionet shqiptare veprojnë ngadalë dhe nuk kanë një vizion të qartë për menaxhimin e Parkut Kombëtar.
Ndalesa e dytë ishte në një tjetër hot-spot, ku ndotja e shtratit të lumit Vjosë vazhdon të jetë e dukshme. Rërë bituminoze dhe pirgje të mëdha mbetjesh të ndryshme hidhen në shtratin e lumit të Vjosës.
Sipas Olsi Nikës, krijimi i strukturave të betonit me idenë e mbrojtjes së tokave nga vërshimi i Vjosës nuk është mënyra e duhur, pasi për dy vite ato shkatërrohen, ndërkohë që edhe në Shqipëri duhet të aplikohet zgjidhja me bazë natyrën, mbjellja e fidaneve dhe pemëve me qëllim zgjidhjen përfundimtare të mbrojtjes së tokave nga erozioni i Vjosës.
Ambientalistët tregojnë se vitet e shkuara në Selenicë ka pasur në anësitë e lumit pyje të dendura, të ngjashëm me pyjet e Amazonës.
Në brendësi të tyre gjeje plepa, vërri, rrapë dhe bimësi karakteristike breg lumore që shërbenin si habitat për lloje të ndryshme shpendësh e gjallesave të tjera. Sot dora e njeriut ka zhdukur çdo gjë.
Ndalesa e tretë ishte në buronjat e Kuçit, ku projekti i marrjes së ujit vijon të jetë ende në fazë punimesh. Për ambientalisten Kaltrina Hyko, marrja e ujit nga burimet e Lepushës do të ishte një dëm i madh për zonën.
Udhëtimi i gazetarëve vazhdon të ndjekë rrjedhën e ndotjeve në lumin e Vjosës.
Në Tepelenë, Këlcyrë dhe fragmente të ndryshme të tij shohim vendgrumbullime mbeturinash.
Konkretisht në Tepelenë, prej viteve ’90, të gjitha mbetjet urbane të qytetit të dhe fshatrave përreth depozitohen në brigjet e lumit Vjosë.
Kjo problematikë dhe mungesa e një plan menaxhimi nga bashkitë është trajtuar gjerësisht nga Report TV vit pas viti.
Në Tepelenë, tek ish-nënstacioni, u rikthyem bashkë grupin e ambientalistëve dhe gazetarëve. Asgjë nuk ka ndryshuar gjatë dy viteve të fundit, edhe pse Vjosa mori statusin e Parkut Kombëtar.
Olsi Nika drejtues i “Eco-Albania”, i cili shpeshherë ka ngritur zërin për mbrojtjen e Vjosës, thotë se këto problematika ia ka adresuar Qeverisë por ende s’ka asnjë masë konkrete.
“Këtu është një nga pikat e grumbullimit të mbetjeve gjatë Vjosës që kërkon zgjidhje emergjente. Jo vetëm që ujërat e zeza shkarkohen në Vjosë, por uji devijohet në disa zona, duke krijuar probleme të shumta, të cilat i kemi vlerësuar dhe i kemi adresuar tek qeveria. Është e papranueshme”, tha Nika.
Përballë vendgrumbullimit të mbetjeve ka nisur ndërtimi i Qendrës Multifunksionale dhe Stacionet e Informimit për Parkun Kombëtar “Lumi Vjosa” në Tepelenë dhe Përmet me vlerë 5.7 milionë euro.
Leonard Sonten, menaxher projekti në “EuroNatur”, i mban shpresat në përfundimin e ndërtimit të qendrës së vizitorëve pasi pamja e mbeturinave do të jetë e papranueshme për ata që do të zgjedhin ta vizitojnë këtë zonë.
Në fund të korrikut, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit njoftoi zhvendosjen e këtij vendgrumbullimi dhe zbatimin e Planit të Integruar të Menaxhimit të Parkut Kombëtar Lumi Vjosa.
“Pak më tutje ka qenë një vendepozitim aspak i pëlqyeshëm i mbetjeve të bashkisë Tepelenë i cili zhvendoset krejtësisht dhe integrohet në pjesën tjetër të projektit të menaxhimit të mbetjeve për t’i lënë vend këtu një hapësire prej rreth 3.500 metra katrorë në shërbim të vizitorëve, administratës, turistëve e studiuesve, ekspertëve të mjedisit, sidomos atyre të dashuruar me Vjosën që kanë kontribuar në pozicione të ndryshme në 10 vitet e fundit, deri sot që është Park Kombëtar. Me miratimin e planit kombëtar të menaxhimit të Parkut Kombëtar Lumi Vjosa, do të kemi edhe ndërhyrje për rehabilitimet e disa pikave të cilat i kemi trashëgimi të një të kaluare ku aktivitete industriale që sot janë në stade pasive, do të kenë një plan rehabilitimi gradual bashkë me qendrën e Vjosës”, tha Kumbaro.
Nëse gjithçka do të vihet në zbatim, Vjosa do të shpëtojë jo vetëm nga mbeturinat por edhe nga shkarkimi i ujërave të zeza të Tepelenës.
Në urën ikonike të Beçishtit duket qartë shkarkimi nga tubacionet.
“Këtu është një nga pikat e grumbullimit të mbetjeve gjatë Vjosës që kërkon zgjidhje emergjente. Jo vetëm që ujërat e zeza shkarkohen në Vjosë, por uji devijohet në disa zona, duke krijuar probleme të shumta, të cilat i kemi vlerësuar dhe i kemi adresuar tek qeveria. Është e papranueshme”, tha Nika.
Përpjekjet për të mbrojtur Lumin Vjosa kanë një histori të gjatë që nisi në vitin 2013 e përfundoi 10 vite më pas, në mars të vitit 2023.
Një vit më vonë, në shtator 2024, u miratua Plani i Integruar i Menaxhimit të Parkut Kombëtar Lumi Vjosa që ka një kohëzgjatje deri në vitin 2033. Sipas ambientalistëve, nga vëzhgimet e deritanishme, projektet kanë mbetur në letër.
Në fund të udhëtimit, gazetarët zgjidhën dilemën: retorikë apo realitet është gjithçka panë e dëgjuan këto dy vite për Vjosën?
Gazetari i “Daily Telegraph”, Nick Squires, thotë: “Europa kishte një përshtypje tjetër para dy vitesh kur kërkoi mbrojtjen e lumit të egër por situata në terren është ndryshe nga sa paraqitet në letra. Gjatë këtij udhëtimi kam parë nxjerrjen e zhavorrit, diversifikimin e ujit deri në breg për turizëm, ujërat e zeza që derdhen në lumë, bitum dhe naftë bruto. Ky supozohet të jetë një Park Kombëtar?! Është turp i madh dhe Qeveria Shqiptare duhet të marrë masa sa më shpejt”.
Komente
