Për rreth 40 minuta, Edi Rama mblodhi strukturat drejtuese të Partisë Socialiste të kryeqytetit për zgjedhjet në Bashkinë e Tiranës.
Takimi mes Ramës dhe socialistëve të kryeqytetit, që nisi në orën 17:00 dhe përfundoi rreth orës 17:40, u zhvillua në një prej hoteleve në qendër të Tiranës.
Partia Socialiste ka zgjedhur Ogerta Manastirliun si kandidate për Bashkinë e Tiranës, ndërsa Belinda Balluku është caktuar si drejtuesja e fushatës së PS për zgjedhjet e parakohshme në kryeqytet.
Të pranishëm në këtë takim ishin ministra, deputetë dhe ish-deputetë socialistë, të cilëve Edi Rama u kërkoi mobilizim maksimal për të mbështetur kandidaten Ogerta Manastirliu.
Report Tv mëson se Kryeministri Rama u ka ndarë detyrat dhe zonat për ekipin e Tiranës. Kushdo nga ministrat, drejtuesit politik dhe deputetët që është rezident në Tiranë dhe që nuk kanë zgjedhje në qarkun që kanë mbuluar më herët, janë vendosur në Tiranë për zgjedhjet e pjesshme.
Kështu, Toni Gogu do të mbulojë zonën e Ndroqit, Fatmir Xhafaj do të jetë i angazhuar në Njësinë 10. Blendi Klosi dhe Eduard Shalsi rikthehen në Tiranë vetëm për fushatën për zgjedhjet e 9 nëntorit. Ulsi Manja po ashtu do të angazhohet në Tiranë. Ish-deputeti i PS, Xhemal Qefalia, do të jetë i angazhuar në zonën e Dajtit, të cilën e ka pasur edhe më herët. Igli Hasani dhe Bora Muzhaqi do të angazhohen në Njësinë Nr.8.
Ndërsa Elisa Spiropali do të jetë e paangazhuar në këto zgjedhje të parakohshme të Tiranës, Rama nuk e ka deleguar në asnjë zonë.
Por teksa mbledhja me strukturat zgjati 40 minuta, Edi Rama vijoi takimin me dyer të mbyllura vetëm me Ogerta Manastirliun dhe Belinda Ballukun.
Shkarkimi i Erion Veliajt dhe debati juridik për zgjedhjet e pjesshme në Bashkinë e Tiranës
Kryeministri duket se është i pashqetësuar nga lëvizjet që ka ndërmarrë Erion Veliaj, i cili bëri ankimim në Gjykatën Kushtetuese kundër vendimit të 25 shtatorit për shkarkimin si kryebashkiak i Tiranës dhe më pas dekretin e presidentit Bajram Begaj për zgjedhjet.
Një ditë më parë, avokatët e Veliajt iu drejtuan sërish Kushtetueses duke kërkuar pezullimin e dekretit të Begajt. Kreu i shtetit i dekretoi zgjedhjet edhe për kryeqytetitin pavarësisht ankimimit të Veliajt me argumentin se ankesën duket ta kishte bërë në Gjykatën Administrative, e jo në Kushtetuese.
Këshilli i Ministrave shkarkoi më 25 shtator nga detyra me kërkesë të Këshillit Bashkiak të Tiranës Erion Veliajn. 4 ditë më vonë kryebashkiaku ankimoi në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Qeverisë. Veliaj pretendon për një proces të parregullt ligjor, pasi jo vetëm nuk është dëgjuar, por sipas tij nuk është marrë në konsideratë neni 115 i Kushtetutës, i cili parashikon se kryetari i bashkisë mund të shkarkohet për shkak të shkeljeve të rënda. Veliaj thotë se jo vetëm që nuk ka shkelje të provuara, por edhe mungesa e tij në punë, që u bë shkak për shkarkim, nuk varet nga vullneti i tij.
Edhe pse neni 115 pezullon shkarkimin e Veliajt, Begaj nuk priti Kushtetuesen dhe dekretoi datën 9 Nëntor për zhvillimin e zgjedhjeve në Tiranë. Presidenca argumenton se pezullimi i shkarkimit do të vinte vetëm në rast se Veliaj do ishte ankuar në një Gjykatë Administrative, e do të kishte një vendim prej saj.
Por teksa socialistët po vijojnë punën për zgjedhjet në Tiranë dhe kanë zgjedhur Ogerta Manastirliun si kandidate, nga ana tjetër opozita po vijon takimet negociuese për të përzgjedhur një kandidat të përbashkët.
Mati është një nga 6 bashkitë e vendit që do të shkojnë në zgjedhje të parakohshme më 9 nëntor, sipas dekretit të Presidentit Begaj.
Gazetarja e Report Tv, Raziela Myslimaj, ka mundur të mësojë emrin e kandidatit të PS që është propozuar për Bashkinë e Matit. Ai është Altin Bojni.
Emri i tij u propozua nga Asambleja e PS-së së Matit, që diskutoi për kandidaturën për të garuar në zgjedhjet e parakohshme.
Propozimi i emrit të Altin Bojnit si kandidat për Bashkinë e Matit do të duhet të miratohet nga Kryesia e PS.
Altin Bojni është me profesion financiar dhe aktualisht mban postin e drejtorit të Shëndetit Publik. Më herët ka mbajtur postin e drejtorit të Postës dhe drejtorit të burgut të Burrelit.
Bashkia e Matit mbeti pa kryetar pasi Agron Malaj dha dorëheqjen sepse u zgjodh deputet i PS në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025.
Komente
