Kronikë

Përmirësohet situata e zjarrit në Dukat të Vlorës, nuk rrezikohet Parku i Llogarasë dhe zonat e banuara

23 Korrik, 07:48| Përditesimi: 23 Korrik, 15:52

  • Share

Zjarri në Grykën e Paliskës në Dukat të Vlorës është drejt përmirësimit të ndjeshëm. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile bën me dije se falë punës nga terreni, por sidomos ndërhyrjes nga ajri përmes Mekanizmit Europian të Mbrojtjes Civile, situata është drejt përmirësimit të ndjeshëm. Sipas AKMC, në vijim nga ajri do të ndërhyhet përmes helikopterëve të ushtrisë shqiptare deri në shuarjen e plotë të disa trungjeve që janë duke u djegur.

“Sipas komunikimit të vazhdueshëm me drejtuesin e zonave të mbrojtura dhe shefin e Qendrës së Mbrojtjes Civile (QMC) Jug, të cilët ndodhen në terren bashkë me forca operacionale, situata aktuale është pozitive dhe pa rrezik të shtuar për zonën e Llogarasë apo për banorët e afërt. “Aktualisht, përpjekjet janë përqendruar në shuarjen e plotë të disa trungjeve ende të ndezur brenda vatrave tashmë të kontrolluara. Në vijim, në këtë segment do të ndërhyhet nga ajri me helikopterët “Cougar” të Forcave të Armatosura”, bën me dije Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile.

Pas disa ditësh luftë me zjarret në Dukat, Shqipëria kërkoi ndihmën e BE-së duke aktivizuar Mekanizmin Europian të Mbrojtjes Civile. Nga Greqia, si vend i BE, erdhën dy avionë zjarrfikës që hodhën ujë për të mos lejuar përhapjen e mëtejshme të zjarrit nga Dukati drejt Parkut të Llogarasë.

Zjarri në Dukat të Vlorës vijon prej rreth 18 ditësh, ku pisha e bredha u shkrumbuan nga flakët. Vatra u fik fundjavën që lamë pas, por u riaktivizua. 

Prej orëve të para të mëngjesit të sotëm, në terren u angazhuar rreth 80 forca të ushtrisë të ardhura nga Poshnja e Beratit, 20 zjarrfikës, Emergjencat Civile, ADZM, si edhe banorë të zonës. 

Përmes Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile, BE solli flotën e saj për të shuar zjarret ne Shqipëri. Tre avionë Canadair janë angazhuar deri më tani në operacion, dy prej të cilëve të ardhur nga Greqia, të angazhuar për të shuar zjarrin në Dukat, ndërsa një tjetër nga Italia në Parkun Kombëtar të Lurës. BE theksoi se është e gatshme të ofrojë më shumë mbështetje nëse do të jetë e nevojshme.

Për shkak të situatës kritike në Parkun e Lurës, ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu zhvilloi një ditë më parë një mbledhje urgjente në Prefekturën e Dibrës, ku bëri me dije se zjarri nuk rrezikon zonat e banuara, megjithëse apeloi për vigjilencë, pasi siç u shpreh ai, ditët në vijim do të jenë të vështira për shkak të temperaturave të larta.

Lajm në përditësim...

Ora 15:48
Dy helikopterë nga Hungaria, në ndihmë të Shqipërisë për të luftuar zjarret

 

Dy helikopterë nga Hungaria kanë mbërritur në Shqipëri për të ndihmuar vendin tonë në luftën kundër zjarreve.

Helikopterët e Hungarisë janë aktivizuar në kuadër të Mekanizmit Europian të Mbrojtjes Civile.

Helikopterët hungarezë janë pozicionuar në bazën e Kuçovës dhe janë në gatishmëri pas ndihmës së dhënë nga Italia, Kroacia dhe Greqia.

Kjo ka qenë një nismë e ministrit të Mbrojtjes, Pirro Vengu, që kërkoi ndihmën e BE përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile.

Ora 15:35
Dibër/ Vijon zjarri në Zall Gjocaj, avioni Canadair hedh ujë për shuarjen e flakëve

 

Situata e zjarreve në Bashkinë Mat vijon që të jetë e njëjtë, pasi zjarret vijojnë të jenë aktive në zonën Zall Gjocaj pjesë e Parkut të Lurës.

Në pamjet e siguruara nga Report Tv, shihet momenti kur është bërë hedhja e parë e ujit për të bërë të mundur shuarjen e zjarrit nga avioni Canadair.  

Ora 15:19
Shkodër/ Zjarr në fshtrat Breg dhe Qelëz, forcat zjarrfikëse 'në luftë' me flakët

 

Dy zjarre kanë rënë ditën e sotme njëri në fshatin Qelëz ku është djegur një kabinë elektrike, ndërsa zjarri tjetër ka rënë në fshatin Breg ku po ashtu është djegur një kabinë elektrike.

Nga Qelza u nis një automjet i forcave zjarrfikëse të Pukës, ndërsa për zjarrin në fshatin Breg u kërkua ndihma e MZSH Fushë Arrës, drejt të cilit u nis një mjet zjarrfikës. 

Ora 14:37
Zjarre aktive në Ulëz, Shkopet dhe Lurth, ndërhyrja e vështirë për shkak të terrenit

 

Situata e krijuar nga zjarret në masivet pyjore të Ulzës, Shkopetit dhe Lurthit vijon të jetë problematike. Prej dy ditësh flakët janë përhapur edhe në territorin e Bashkisë Mirditë, ndërsa ndërhyrja nga toka mbetet e vështirë për shkak të terrenit të thyer malor.

Ndërkohë gjatë së martës disa vatra u shfaqën sërish në anë të rrugës nacionale Skuraj-Burrel, pranë zonës së Shkopetit, por falë ndërhyrjes së shpejtë të forcave në terren u bë i mundur izolimi i flakëve brenda një kohe të shpejte, duke shmangur rrezikun për zonën e banuar. Sipas të dhënave zyrtare mbi 150 hektarë janë pyje me pisha dhe bimësi janë shkrumbuar nga flakët e zjarrit në Bashkitë Kurbin dhe Mirditë, ndërsa situata po mbahen nën monitorim të vazhdueshëm dhe Mbrojtja Civile ne Prefekturën e Qarkut Lezhë, mund të kërkojë sërish ndërhyrje nga ajri.

Zjarri në zonën e Shkopetit u shfaq pasditen e 19-korrikut dhe u përhap me shpejtësi në një sipërfaqe të madhe, duke kaluar më pas dhe në territorin e Bashkisë Mirditë, në afërsi të fshatit Lurth.

Ora 14:20
Bie zjarr në afërsi të teleferikut në Tiranë (VIDEO)

Një vatër zjarri është shfaqur në zonën e Linzës në afërsi të teleferikut në Tiranë.

Nuk dihen shkaqet e rënies së zjarrit dhe as çfarë po digjet.

Forcat zjarrfikëse janë njoftuar për rënien e zjarrit dhe janë nisur drejt vendngjarjes.

Ora 13:50
Drejt përmirësimit zjarri në Dukat, nuk ka rrezik të shtuar për Llogaranë dhe zonat e banuara

Situata me zjarret në Dukat të Vlorës, sidomos në grykën e Paliskës, është drejt përmirësimit dhe nuk paraqet rrezik të shtuar për Parkun Kombëtar të Llogarasë dhe zonat e banuara.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile bën me dije se falë punës nga terreni, por sidomos ndërhyrjes nga ajri përmes Mekanizmit Europian të Mbrojtjes Civile, situata është drejt përmirësimit të ndjeshëm.

“Falë angazhimit të koordinuar të të gjitha strukturave në nivel lokal dhe kombëtar, si dhe ndihmës së Mekanizmit Europian të Mbrojtjes Civile, situata në grykën e Paliskës, e cila lidhet me zonën e mbrojtur të Llogarasë, është drejt përmirësimit të ndjeshëm. Sipas komunikimit të vazhdueshëm me drejtuesin e zonave të mbrojtura dhe shefin e Qendrës së Mbrojtjes Civile (QMC) Jug, të cilët ndodhen në terren bashkë me forca operacionale, situata aktuale është pozitive dhe pa rrezik të shtuar për zonën e Llogarasë apo për banorët e afërt”, bën me dije Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile.

Sipas AKMC, në vijim në vijim do të ndërhyhet nga ajri me ndihmën e helikopterëve të ushtrisë shqiptare deri në shuarjen e plotë të disa trungjeve që janë duke u djegur.

“Aktualisht, përpjekjet janë përqendruar në shuarjen e plotë të disa trungjeve ende të ndezur brenda vatrave tashmë të kontrolluara. Në vijim, në këtë segment do të ndërhyhet nga ajri me helikopterët “Cougar” të Forcave të Armatosura, për të përfunduar fazën e pastrimit dhe izolimit të plotë të çdo rreziku të mundshëm. Gjendja në të gjithë zonën mbetet e qëndrueshme, ndërsa strukturat mbeten në gatishmëri për çdo zhvillim të mundshëm”.

Zjarri në Dukat të Vlorës vijon prej rreth 18 ditësh, ku pisha e bredha u shkrumbuan nga flakët.

 

 

Ora 12:10
Zjarri në Dukat, prefekti i Vlorës: Intensiteti ka rënë, po punohet në dy fronte! Policia po heton për shkakun, ka pasur disa ndalime

 

Prefekti i qarkut të Vlorës, Plator Nesturi thotë se intensiteti i zjarrit në malin e Dukatit ka rënë, por shtoi se mbetet ende problematikë për shkak se rrezikon të përhapet drejt parkut të Llogarasë.  Ai tha se forcat në terren po punojnë në dy fronte, në anën e fshatit për të shmangur përhapjen drejt banesave por edhe në anën drejt parkut të Llogarasë. Punohet gjithashtu edhe me ndërhyrje nga ajri.

“Situata me zjarrin në Dukat ka filluar që në datën 6, kemi pasur agravim të situatës që atëherë dhe që pati shuarje. Por kemi riaktivizim të 5 ditëve të fundit. Situata ke qenë e rëndë si në drejtim të banesave, pasi u afrua shumë në banesat e fshatit, ashtu edhe në drejtim të parkut të Llogarasë. Dje është operuar në dy fronte dhe ka pasur ndihmë jo vetëm nga ajri, të avionëve nga ndihmat e partnerëve. Por edhe me forcave të armatosura, që janë ekspertë në këtë gjë. Në këtë drejtim, patëm sukses dje që nuk arrit që të dëmtoheshin shtëpitë dhe pati mobilizim të madh edhe me mjetet zjarrfikëse nga bashkitë e tjera. Kjo situatë u tejkalua. Situata gjithsesi ishte problematike dhe mbetet ende në rrezik krahu nga parku i Llogarasë, ku po punohet edhe sot. Mbrëmë u bë edhe një mbledhje e këshillit të komisionit të Emergjencave Civile në prefekturë me autoritetet vendore. Sot aktualisht kemi 80 trupa të FA në terren, 32 pjesëtarë nga stafi i bashkisë së Vlorës dhe ka pasur fluturime edhe nga ajri me dy helikopterë. Situata ende nuk mund të quhet e kaluar, pasi terreni është i vështirë. 10 forca në majë të malit, ndërkohë që pjesa tjetrër e FA do të mbajë në kontroll edhe një pjesë të zjarrit nga krahu i fshatit dhe do të vijojë ndërhyrja nga ajri. Na raportojnë se intensiteti i zjarrit ka rënë por mbetet ende problematikë se janë trungjet të ndezura, gjë që ende nuk mund të quhet se është kapërcyer faza e rrezikshmërisë.”, u shpreh ai.

I pyetur nëse ka pasur persona të dyshuar për shkaktimin e zjarrit, ai tha se autoritetet policore kanë nisur një hetim dhe ka pasur të ndaluar.

“Për këtë janë thirrur përfaqësuesit e drejtorisë vendore të policisë. Ka hetime për këtë gjë, janë bërë disa ndalime. Duhet të jetë më e ashpër dhe goditja ndaj këtij fenomeni pasi jo gjithmonë ka pasure efektivitet kjo gjë. Edhe forcat e policisë dhe mënyra se si ndikojnë për të evidentuar në terren shkaktarët e këtyre zjarreve, nuk flasim vetëm për zonën e Vlorës, pasi qarku Vlorë është prekur nga shumë zjarre të jetë më efektive.”, shtoi prefekti.

Ora 11:36
Zjarret nuk ndalen, 22 vatra në 24 orët e fundit, 11 janë ende aktive! AKMC: Rrezik i lartë për shkak të temperaturave dhe mungesës së rreshjeve

 

Zjarret në vend nuk kanë të ndalur, duke shkaktuar vatra dhe dëme të reja në dhjetëra e qindra hektarë.

Gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 22 vatra të reja në të gjithë vendin, ku 11 prej tyre janë ende aktive dhe një në monitorim, kurse të tjerat të shuara.

Por rreziku më i lartë vjen nga temperaturat në maksimum dhe mungesa e reshjeve, që nuk favorizon trupat operacionale nga toka dhe ajri dhe gjithashtu ndihmon përhapjen e flakëve.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile bëri sot edhe bilancin e një ditë nga aksionet për shuarjen e flakëve dhe rrezikut të vazhdueshëm.

Njoftimi i plotë i Agjencisë së Mbrojtjes Civile:

"Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 22 vatra zjarri nga të cilat 11 janë ende aktive dhe 1 është nën monitorim. Vatrat janë evidentuar në bashkitë: Dibër, Mat, Vlorë, Elbasan, Kurbin, Lezhë, Devoll, Korçë, Pustec, Pogradec, Gjirokastër, Përmet, Fier, Berat, Tiranë, Dimal, Malësi e madhe dhe  Kukës.

Aktualisht mbeten aktive këto vatra zjarri: .

-              Në vendin e quajtur “Liqeni i Luleve”, pjesë e Parkut Kombëtar Lurë, bashkia Dibër, vazhdon zjarri që po zhvillohet në tre vatra, por me intensitet të ulët gjatë natës. Vatrat janë aktive mbi fshatin Gurë Lurë, rreth Liqenit të Zi dhe në Fushën e Pelave.

-              Në fshatin Ulëz, bashkia Mat, situata është shumë e vështirë pasi zjarri po zhvillohet në drejtim të pyjeve. Për shkak të terrenit dhe përmasave të zjarrit, forcat operacionale nuk kanë mundur të vënë nën kontroll.

-              Në fshatin Zall Gjoçaj, njësia administrative Derjan, bashkia Mat, ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit të rënë në vendin e quajtur “Përroi i Zi”, një sipërfaqe pyjore me pisha dhe ah. Relievi shkëmbor dhe shumë i thyer e bën të vështirë ndërhyrjen me mjete zjarrfikëse. Ditën e djeshme në terren u angazhuan 40 forca bashkiake dhe 30 efektivë nga FA, 1 avion Canadair nga shteti Italian.

-              Në vendin e quajtur “Maja e Pliskës, mbi fshatin Dukat, bashkia Vlorë, zjarr është shumë intensiv në sipërfaqe shkurre, kullotë dhe pylli me pishë. Flakët të ndihmuara nga era përfshinë edhe kurorat e pishës, duke e bërë problematike gjendjen. Ditën e sotme vazhdon operacioni me forcat 32 operacionale të ndihmuar me 80 forca ushtarake, 2 helikopter të FA-së.

-              Në Qarkun Lezhë ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit të rënë në një sipërfaqe pyjore me pisha dhe pemë lisi, në afërsi të tunelit të Shkopetit, në rrugën Shkopet-Burrel. Është shmangur përhapja drejt banesave.

-              Në fshatin Vernik, bashkia Devoll, vijon puna për shuarjen e zjarrit të  rënë në një sipërfaqe me shkurre.

-              Në fshatin Dishnicë, bashkia Korçë, vijon puna për shuarjen e zjarrit të rënë në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Zjarri vazhdon të përhapet në drejtim të verilindjes drejt Ҫardhakut, i ndihmuar nga era dhe bimësia e shumëllojshme.

-              Në fshatin Pustec, bashkia Pustec ka rënë zjarrin e rënë në vendgrumbullimin e mbetjeve  dhe sot vijon puna për izolimin dhe fikjen përfundimtare të tij.

-              Në fshatin Kosinë, bashkia Përmet, ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit të rënë në një sipërfaqe me shkurre dhe pyll. Në fshatin Kutal janë përqendruar pjesa më e madhe e forcave për shuarjen e zjarrit, pasi është ende aktiv. Rrezik për banesa nuk ka.

-              Në malin Sukë, fshati Mamëz, bashkia Kukës, zjarri i rënë në një sipërfaqe me shkurre ka marrë përmasa dhe rrezikon banesat e fshatit Mamëz. Sot vijon operacioni me forcat operacionale dhe me 100 forca ushtarake për shuarjen e zjarrit.

Në monitorim: 

Në vendin e quajtur “Livadhi i Peladhisë”, njësia administrative Zerqan, bashkia Bulqizë,  zjarri i riaktivizuar ka kaluar në fshatin Strikçan, njësia administrative Zerqan, dhe po monitorohet nga Shërbimi vendor i MZSH të bashkisë Bulqizë me 1 automjet zjarrfikës dhe 8 efektivë dhe 8 forca bashkiake.

Si pasojë e zjarreve të rënë,  kryesisht në sipërfaqe me bimësi e pyjore janë djegur rreth 17 hektarë.

Forcat e angazhuara : Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 36 automjete zjarrfikëse dhe 635 forca operacionale. Gjithashtu në operacionet e ditës së djeshme morën pjesë, 190 forca nga FA me 19 mjete dhe 2 Helikopterë, 2 avionë Canadair nga shteti Grek dhe 1 nga shteti Italian. Gjatë ditës sotme janë në operacione 345 forca ushtarake, 2 helikopterë dhe 1 automjet zjarrfikëse me efektivin përkatës.

Kushtet atmosferike dhe rreziku i zjarreve:

Sipas informacionit të nga Instituti i Gjeoshkencave (IGJEO), në Qendrën Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile (QKOEC), sot nuk priten reshje në të gjithë territorin.

Për zjarret në pyje sot pritet nivel rreziku “I LARTË” në të gjitha qarqet, ndërsa në qarqet Durrës dhe Shkodër pritet nivel rrezik “I MODERUAR”. Rrezik “I LARTË” pritet gjithashtu nё zona tё lokalizuara të qarkut Shkodër (Jug)  dhe qarkut Durrës (Jug Lindje).

Strukturat e mbrojtjes civile vijojnë të jenë të angazhuara pa ndërprerje në menaxhimin dhe shuarjen e vatrave të zjarrit në të gjithë territorin. U bëjmë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar dhe të raportojnë menjëherë çdo rast të dyshimtë zjarri pranë autoriteteve përkatëse".

Ora 08:53
Sarandë/ Përsëri zjarr te ‘ish-Bar Lulishtja’, shkrumbohet palma dekorative! Parandalohet përhapja e vatrës, nisin hetimet (VIDEO)

Sarandë- Duket se piromanëve nuk u mjaftojnë pyjet, por po i vënë zjarrin edhe pemëve dekorative në zonat urbane.

Flakët përfshinë lulishten në qytetin e Sarandës. Në rrethana ende të paqarta, ka rënë përsëri zjarr te zona e njohur si ‘ish-Bar Lulishtja Butrinti’.

Gazetari i report Tv, Limos Didani, informon se fatmirësisht ndërhyrja e zjarrfikësve ka qenë në kohë. Nga zjarri është djegur një palmë dhe lule dekorative përreth dhe dëmet janë vetëm materiale. Policia ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet, pasi dyshohet edhe për zjarrvënie të qëllimtë.

Nga pamjet e siguruara nga Report Tv, shihet tymi dhe flakët e fuqishme që përfshijnë palmën dhe zonën përreth saj në lulishte, si dhe zjarrfikësit që përpiqen të shuajnë vatrën.

 Mësohet se fillimisht zjarri ra në një lokal kjoskë ngjitur me bar lulishten dhe më pas u përhap te godina e bar lulishtes.

Më 5 prill 2024, kjo lulishte u përfshi nga flakët, që vijuan për 3 orë duke e shkrumbuar plotësisht çatinë dhe një pjesë të godinës dykatëshe. Në atë kohë forcat zjarrfikëse ndëhynë me vonesë, u pezullua nga detyra shefi i zjarrfikëses në Sarandë.

 

Ora 08:47
Situata nga zjarret në qarkun e Korçës/ Neutralizohet vatra në Vernik, në Dishnicë vijon me intensitet të ulët

Në Qarkun e Korçës, situata e zjarreve paraqitet nën kontroll në disa zona problematike. Zjarri në Vernik është neutralizuar dhe po monitorohet nga MZSH Devoll me një mjet zjarrfikës dhe tre forca në terren.

Ndërkohë, në Dishnicë, zjarri ka intensitet të ulët dhe nuk është përhapur më tej, megjithëse era që pritet rreth orës 11 mund të vështirësojë situatën.

Aktualisht janë angazhuar mbi 80 forca nga ushtria, MZSH, administrata lokale dhe shërbimet pyjore me një numër të konsiderueshëm mjetesh, duke punuar në drejtim të kontrollit të vatrës që po lëviz drejt kishës së Shën Marenës dhe fshatit Barç.

Po ashtu, zjarri i rënë mbrëmë në mesnatë në fshatin Goricë të bashkisë Pustec, në një vendgrumbullim mbetjesh, është izoluar dhe nuk paraqet më rrezik.

Xh.D/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se ka pasur rezultat aksioni për lirimin e hapësirave publike?