Në Bullgari vijojnë hetimet për të zbuluar shkaqet e aksidentit tragjik një ditë më parë, ku humbën jetën 45 shqiptarë të Maqedonisë së Veriut dhe u plagosën 7 të tjerë, por nuk ka ende një përfundim konkret mbi atë se çfarë shkaktoi ngjarjen e rëndë. Mediat vendase hedhin dyshime se në autobus kishte 1 mijë litra naftë dhe 30 mijë fishekzjarrë që do të hidheshin në tregun vendas për festat e fundvitit.
Sipas Drejtorit Ekzekutiv të Administratës së Automjeteve, Bojko Ranovski, autobusi kishte hyrë në Bullgari në orën 21:15 dhe koha prej 5 orësh për kalimin e rreth 320 kilometrave rrugë është normal, pra në një mënyrë bie poshtë hipoteza se automjeti po lëvizte me shumë shpejtësi. Ranovski u shpreh se po hetohet për të kuptuar nëse shoferët i kanë ndërruar vendet në pushimin e fundit, që ka qenë rreth 30 kilometra para vendit të përplasjes. Ai thekson se me rëndësi është të vërtetohet nëse zjarri, që i mori jetën 45 personave, ndodhi para apo pa aksidentit.
Ka komente të ndryshme se çfarë saktësisht mund të ketë shkaktuar zjarrin, si dhe kur ka ndodhur, por nuk ka asnjë informacion zyrtar për të. Të mbijetuarit në aksident raportojnë se kishin dëgjuar një shpërthim të fortë dhe se më pas kishte filluar të përhapej tymi dhe zjarri në autobus.
Zjarri që përfshiu autobuzin ishte aq i fortë sa shumica e viktimave u dogjën aq sa trupat e tyre nuk mund të identifikoheshin. Aksidenti do të hetohet nga Shërbimi Kombëtar i Hetimit (NSS) në Bullgari dhe është nën mbikëqyrjen e posaçme të Prokurorisë së Apelit të Sofjes dhe Prokurorisë së Lartë të Kasacionit.
Deri në përfundimin e hetimeve do të duhen 6 muaj. Paraprakisht, është përjashtuar mundësia se shoferi ka qenë në gjumë dhe se automjeti po lëvizte me shpejtësi, megjithatë, është me rëndësi të zbulohet nëse fillimisht ka pasur një shpërthim dhe më pas autobusi është përfshirë nga flakët. Maqedonia e Veriut, Bullgaria dhe Kosova kanë vendosur ditë zie, ndërsa parlamenti europian ka mbajtur një minutë heshtje në nder të 45 viktimave, ndëer të cilët 12 fëmijë.
Ndërkohë, Ministri i Transportit dhe Lidhjeve në Maqedoni të Veriut, Bllagoj Boçvarski bëri të ditur se ka filluar procedura për pezullimin e licencës të “Besa Transit”, sepse është mësuar se nuk ka pasur licensë për autobusin për udhëtime ndërkombëtare. Ngjarja e rëndë u regjistrua rreth orës 02:00 në autostradën Struma, 40 kilometra në jug të Sofjes, ku mes viktimave ishin edhe 12 fëmijë. Për shkak të ngjarjes së rëndë, Kosova shpalli 24 nëntorin ditë zie, ndërsa Maqedonia e Veriut, ka shpallur tre ditë zie në nder të 45 viktimave që humbën jetën në aksidentin tragjik.
Nënkryetarja e Shkupit nga partia Aleanca për Shqiptarët, Bujare Abazi në një lidhje direkte në T7 ka thënë se sipas informacioneve të para qoftë nga institucionet maqedonase ashtu edhe nga ato bullgare, janë dyshimet se në autobusin e “Besa Trans” nga Shkupi po kontrabandohej naftë dhe mjete piroteknike. Abazi tha se kjo flet për një sistem të korruptuar dhe që ka bërë lëshime.
“Mund të them se ishte një ditë e trishtë jo vetëm për Shkupin dhe për tërë rajonin. Aq më tepër për ne që vijmë nga Çairi dhe rrethi këtu ku kishte shumë nga ta që ndoshta edhe i njohim. Ne e shohim nga informatat që vinë qoftë nga institucionet këtu, qoftë nga ato të Bullgarisë se faktikisht ka pasur një lëshim të institucioneve në zinxhir. Kemi një autobusi pa licencë. Kemi një autobus që ka kaluar në doganë pa u kontrolluar nga asnjëri, pastaj ka kontrabanduar, siç ishin informatat e para, karburant dhe fishekzjarrë. Kjo flet se ne faktikisht kemi një sistem të korruptuar që në vazhdimësi ka bërë lëshime”, ka thënë ajo.
Daver Osmani, kryefamiljari i cili humbi bashkëshorten dhe vajzën e tij në aksidentin tragjik të Bullgarisë, ka treguar momentin kur u informua për lajmin e rëndë. Osmani shprehet se u njoftua nga vajza e madhe e cila jeton në Zvicër se autobusi ku udhëtonin motra dhe e ëma u përplas dhe shpërtheu në flakë, duke e porositur të atin të mos dilte për t’i pritur. Osmani duket tejet i përpmbajtur, ndërsa rrëfen se është në pritje të trupave të të afërmve. Sakaq, mësohet se e bija që humbi jetën në aksident do martohej verën e ardhshme.
“Kam humbur bashkëshorten dhe vajzën vajza e madhe m’u lajmërua nga Zvicra. Babi, tha a erdhën nanushi dhe Alja. Thashë jo babi, s’kanë ardhur, por jam gati me dalë me i pritë te autobusi. Kur tha – babi mos dil atje se një autobus ka bërë aksident dhe është djegur. Aty neve na kapi sikleti”, tha ai për Alsat.
Më tej Osmani rrëfen se në momentet e para shpresonte që të mos ishte autobusi ku udhëtonin gruaja dhe e bija, ndërsa ka treguar edhe kontaktin e fundit me vajzën.
“Pas dy orëve, ramë në kontakt me disa shoferë të atyre që i kemi njohur. Me emër e mbiemër kur i nxorën, thanë ata personat e juaj kanë qenë në qatë autobus aty. Edhe u tronditëm dhe s’ke ç’ka.. Çka të vjen prej Zotit. Herën e fundit me vajzën kam kontaktuar në orën 11 të natës, kur e kanë kaluar kufirin e Turkisë dhe s’kam kontaktuar më”, thotë Osmani.
Shkak i zjarrit që shpërtheu pas aksidentit të autobusit në Bullgari, ku humbën jetën 46 shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, mund të ketë qenë prania e 30 mijë fishekzjarrëve. Kështu shkruajnë mediat vendase. Zjarri që përfshiu autobuzin ishte aq i fortë sa shumica e viktimave u dogjën, sa trupat e tyre nuk mund të identifikoheshin.
Hetimet fillestare thonin se zjarri kishte nisur në anën e përparme të mjetit pas shpërthimit të fishekzjarreve, sipas agjencisë maqedonase Infomax, por konfirmimi ende nuk ka ardhur nga autoritetet. Katër vende të Ballkanit kanë shpallur ditë zie për tragjedinë.
Të mbijetuarit në aksident raportojnë se kishin dëgjuar një shpërthim të fortë dhe se më pas kishte filluar të përhapej tymi dhe zjarri në autobus.Aksidenti do të hetohet nga Shërbimi Kombëtar i Hetimit (NSS) në Bullgari dhe është nën mbikëqyrjen e posaçme të Prokurorisë së Apelit të Sofjes dhe Prokurorisë së Lartë të Kasacionit.
Shkak i zjarrit që shpërtheu pas aksidentit të autobusit në Bullgari, ku humbën jetën 46 shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, mund të ketë qenë prania e lëndëve djegëse në mjet. Ky është mendimi i ekspertes Diana Rusinova nga Qendra Evropiane për Politikat e Transportit.
“Dyshojmë se autobusi ka qenë duke transportuar lëndë djegëse, që me shumë gjasa ka shkaktuar zjarr”, tha ajo.
Rusinova po ashtu ka deklaruar se pasagjerët kanë tentuar të dalin nga autobusi, por bankinat në rrugë kanë bllokuar derën e pasme.
Ajo shtoi se po ashtu janë evidentuar edhe shumë probleme serioze në rrugën në të cilën ka ndodhur tragjedia, por shtoi se shkak i aksidentit me gjasë ka qenë gabimi i shoferit.
“Mundet që shoferi të jetë hutuar dhe vetëm në momentin e fundit ka kuptuar se po hynte në kthesë dhe më pas ka goditur ishullin e trafikut që ndan korsitë e autostradës dhe ka kthyer timonin në drejtim të kundërt”, ka shpjeguar Rusinova.
Të gjithë deputetet e Parlamentit Evropian u çuan në këmbë dhe nderuan me një minutë heshtje 46 viktimat, që humbën jetën nga aksidenti tragjik mëngjesin e djeshëm në Bullgari.Heshtja u mbajt në Parlament pas thirrjes nga Presidenti David Sassoli.
“Me keqardhje të thellë morëm vesh aksidentin e tmerrshëm me autobusin që ndodhej në afërsi të Sofje, Bullgarisë, që shkaktoi humbjen e jetëve të 46 personave, përfshirë shumë fëmijë. Ne emër të Parlamentit Europian dhe timen personale, dëshiroj të dërgoj të gjithê solidaritetin tonë familjeve dhe miqve të qytetarëve tê Maqedonisë së Veriut. Ju bëj thirrje për një minutë heshtje“, tha ai.
Të mbijetosh nga një aksident ku kanë humbur jetën 46 persona është vërtet një mrekulli!
Aksidenti tragjik në Bullgari i regjistruar mëngjesin e ditës së djeshme, nuk i mori jetën fatmirësisht 17-vjeçares Zulejha Jasharovska.
Duke folur lidhur me ekperiencën e frikshme që përjetoi ajo tregoi se ishte në gjumë në sediljet e fundit të autobusit dhe pas zhurmës së madhe u gjend në tokë.
Me sytë të mbushur me lot duke parë thellë në kamera e reja i tha gazetarit disa fjalë:
Gazetari: Si ndjehesh, mban mend ndonjë gjë?
Zulejha Jasharovska: Diçka mbaj mend, por të shumtën jo…nga ky rast dhe kështu.
Gazetari: Në cilën ulëse ndodheshe?
Zulejha Jasharovska: Unë isha mbrapa?
Gazetari: Si ia arrite të dalësh?
Zulejha Jasharovska: Sa mbaj mend, unë isha duke fjetur, dhe kur u zgjova, të gjithë bërtisnin, desha ta marrë atë për të thyer xhamin, por nuk ia dola, provova dhe me duar dhe më pas nuk mbaj mend, kur u zgjova kisha rënë në tokë…kaq.
Iliya Nikollov po punonte 50 metra larg vendit ku ndodhi aksidenti fatal në Bullgari që i mori jetën 45 shqiptarëve nga Maqedonia e Veriut dhe la të plagosur 7 të tjerë. Ai ka treguar se bashkë me kolegun e tij kishin dëgjuar një shpërthim të fortë dhe më pas kishin parë flakë që u intensifikuan brenda shumë pak minutave. Ai tregon se gjithçka ndodhi shumë shpejt dhe se pavarësisht se shkuan të ndihmonin, ishte e pamundur për shkak se zjarri kishte marrë përmasa të mëdha. Ai tregon se rrugë kishin parë copa gome duke u djegur, por se nuk kishin ndjerë aromë nafte.
"Dëgjova një shpërthim, por nuk po e kuptoja se çfarë ishte. Po shihnim flakët që intensifikoheshin, u afruam dhe donim të ndihmonim, por ishte e pamundur. Pashë disa persona që dilnin nga dritaret, kanë shpëtuar për punë sekondash. Në rrugë kishte copa gomash të shpërndara duke u djegur. Nuk kishte erë nafte", ka treguar ai.
Mediat bullgare janë duke i kushtuar hapësirën më të rëndësishme në lajmet e tyre ngjarjes së rëndë ku humbën jetën në aksident 45 persona. Së fundmi, një ekspert bullgar, Dimitar Iliev, ka bërë një analizë përmes një videoje për arsyet që mund të kenë çuar në aksidentin tragjik të ndodhur në autostradën e Strumës.
Iliev ka thënë se një faktor serioz që mund të ketë çuar në aksident është edhe gjendja e shenjave rrugore dhe e sinjalistikës në vendin ku ka ndodhur aksidenti.
Iliev ka realizuar edhe një video përmes të cilës ka paraqitur gjendjen e sinjalistikës në metrat e fundit të autostradës para vendit të përplasjes së autobusit. Ai konstaton se aty ka një sërë parregullsish duke specifikuar se shenjat janë mashtruese, të vjetra dhe jo reflektuese, gjithashtu edhe reflektorët e anësorëve që përshkruajnë rrugën gjatë natës janë të vjetra, të ndryshkura dhe praktikisht të padukshme. Gjithashtu ai thotë se një shenj që tregonte se ka një kthesë ishte rrëzuar potencialisht në muajin maj dhe asnjëherë s’është rivendosur.
Iliev gjithashtu përshkruan atë që mund të ketë ndodhur në sekondat e fundit para aksidentit. Ai thotë se duke e parë në momentin e fundit ndarësen në zonën e pushimit, shoferi mund të ketë bërë përpjekje për t’u shmangur në të majtë, por thotë se anësorja ka të ngjarë që të shkaktojë dëme në autobus në pjesën e gomës, dhe gypat e ajrit që janë të nevojshëm për funksionimin e frenave dhe ndezjes.
SHIKONI VIDEON KETU
7 personat që mbetën të plagosur në aksidentin tragjik në Bullgari, ku humbën jetën 45 shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Kështu deklaroi doktoresha Maya Argirova, shefe e Klinikës së Djegieve dhe Kirurgjisë Plastike në spitalit "Pirgov" ku po kurohen të plagosurit. Ajo sqaroi se janë 6 pacientë në kirurgjinë plastike, për shkak të djegieve që kanë marrë, dhe një në traumalogji pasi ndodhet në gjendje të rënduar psikologjike pas aksidentit.
“6 pacientë janë në kirurgjinë plastike, 1 në traumatologji. Janë kryer ndërhyrjet e nevojshme emergjente. Dy operacione janë kryer ditën e djeshme. Një pacient i operuar kishte një frakturë në pjesën e poshtme të këmbës. Një tjetër prej të lënduarve iu nënshtrua një operacioni për një thyerje të kyçit të gjurit. Pacientët e kaluan natën në qetësi”, tha ajo.
Prof. Xhelal Zejneli, mësuesi i një prej viktimave të aksidentit të tmerrshëm që ndodhi në orët e para të mëngjesit të djeshëm në Bullgari, i ka kushtuar një letër të hapur shumë të ndjerë nxënëses së tij.
Postimi i plotë në Facebook.
… E TI ALBINË, NË VALLEN E YJEVE LASGUSHIANE
Në mediumet e Shqipërisë, lexova emrin Albina. Sakaq, pashë dhe fytyrën e saj engjëllore. Do të jetë ajo, nxënësja ime e para ca viteve. Ngjarjet e tilla janë të trishtueshme.
* * *
M’u fanite, Albinë, e ulur në bankën e tretë, pranë dritareve. Me “Procesin” mbi bankë. Afër librit, edhe fletorja e lektyrës. Në krye të faqes, lexova: “Jozef K., në labirintet kafkiane”.
M’u fanite, Albinë, me dorën përpjetë, për ta marrë fjalën dhe për të më pyetur: “Kush është Estragoni dhe a do të vijë ndonjëherë Godoja?” E hoqe me krah Beketin dhe prite përgjigjen.
M’u fanite Albinë, kur më pyete: “Merso vrau për shkak të diellit, ç’do të thotë, të vrasësh për shkak të diellit?!”
Më dole para, Albinë, në bankën e tretë, pranë dritareve, me Dostojevskin ndër duar dhe pyetjen: “Kush e vrau Raskollnikovin, vrasës?!”
M’u kujtove, Albinë, kur dole para klasës për ta deklamuar Zhak Preverin dhe poezinë legjendare “A të kujtohet Barbara”. Tridhjetë e dy nxënësit e klasës ishin stepur në vend. Dukeshin si të ngrirë. Pas kësaj, shpërtheu një frymëmarrje e thellë. Dhe një duartrokitje frenetike.
M’u kujtove Ti, me buzëqeshjen e padjallëzuar, me fytyrën engjëllore, në bankën e tretë pranë dritareve. Mbi bankë, çanta ngjyrë kafeje. Një fletore me lapsin mbi të dhe “Vallen e yjeve” të Lasgushit.
Erdhi dimri, një dimër i acartë, e ti e brishtë. Ta ndërrova vendin, dole në rreshtin pranë murit. Më the: “Dy herë e lexova Markezin, s’arrij dot ta kuptoj”.
S’më shqiteshin kujtimet Albinë. M’u kujtua hartimi yt. Ishe në vitin e tretë. Kishe shkruar për babanë që s’e kishe parë kurrë.
Në hartim kishe shkruar për vuajtjet tua shpirtërore: Ku e kam babanë? Përse të tjerët kanë baba, e unë jo? Baballarët e shoqeve të klasës shkojnë në mbledhje prindërore, babai im jo? Përse në sofër, ulemi pa babanë?
Jote amë vazhdimisht të kishte thënë se babai yt një ditë do të kthehet.
M’u kujtua hartimi yt, ku shkruaje për çastin plot dhimbje, për një fëmijë të klasës së parë fillore, që mëson nga e ëma se babai i kishte vajtur në dritën e amshimit qiellor dhe se ai nuk do të kthehej më. Në rrëfimin tënd plot dëshpërim, pashë tronditjen e thellë shpirtërore që ti 7-vjeçe, kishe përjetuar në atë çast rrëqethës.
Hartimin tënd Albinë, e lexuan edhe nëpër klasat tjera. E notuan, jo unë por shokët e klasës, të gjeneratës.
Pas shumë kohësh, të takova në sheshin Iliria, me tët amë. Më tha se hartimin e ruanin, sot e gjithë ditën.
Sot Albinë, banka e tretë, pranë dritareve, m’u duk e zbrazët. Mbi të, një çantë, pa ty. Fletorja e mbetur hapur. Një laps, që s’do të lërë më gjurmë. Gjurmët e jetës, të kohës. Një klasë, e mbetur pa frymë, si atë ditë kur deklamove “Barbaranë”. Një klasë, pa një fytyrë engjëllore, pa një buzëqeshje të virgjër. Një ditë e zbrazët, koha ishte ndalur, e Ti Albinë, në vallen e yjeve lasgushiane.
U ngjite në parajsën qiellore, bashkë me yllin e zemrës, pa e kënduar këngën e jetës, pa e luajtur vallen e yjeve. U ngjite në majat e detit të kaltër, pa e ngjeshur fustanin e nusërisë. U shkëpute për t’u ngjitur lartë, atje ku albatrosi me vetëtimë i mpin sytë, me stuhitë përplaset. Ndarje e trishtueshme, në çastin kur pritje të përkundje djepin e frytit tënd, t’i këndoje ninulla, të dëgjoje të shenjtën fjalë – nënë, t’ia tregoje “Kësulëkuqen” dhe “Alisën në botën e çudirave”.
Por jo, Ti kurrë s’do të jesh e brezit të humbur. Do të jetosh Albinë, sot e mot, në kujtesën e shoqeve dhe të shokëve të klasës dhe të gjeneratës. Do të jesh e gjallë në kujtesën e atyre që të njihnin të çiltër dhe zemërbardhë.
Prehu e qetë, Albinë, në gjirin e tokës arbërore, në parajsën e dritës qiellore, aty pranë babait, që kurrë nuk e njohe dhe s’e nxore nga zemra.
Lajm i kobshëm, dy silueta. Mbase, ylli i zemrës sate. Të pikturuara, dy fytyra engjëllore, sy plot shkëlqim, shpirt virgjër. Prehu pranë yllit të zemrës. Të përqafuar, prehuni bashkë. Engjëllorë që ty dy, të virgjër, plot dritë jete, melodi e ndërprerë, shkëlqim bukurie – bodleriane dhe platonike.
Re të zeza kudo pranë nesh. Korba ndjellakeq na ndjekin këmba-këmbës.
Një buzëqeshje plot njerëzi, e kapluar nga heshtja e trishtueshme. Një dritë syri, përjetësisht e shuar. Një lot në mollëzën e nënës, përgjithmonë i ngrirë.
Lulzim Sulejmani nga Presheva, një nga të mbijetuarit në aksidentin tragjik në Bullgari, është ai cili shpëtoi të fejuarën e tij dhe 5 turistë të tjerë, duke thyer xhamin e dritares së autobusit dhe duke i ndihmuar ata të dilnin jashtë.
Veprimi i tij heroik ka tërhequr edhe vëmendjen e mediave serbe. Në një artikull kushtuar të riut, 'Blic' e konsideron atë 'një hero të vërtetë'.
“Një shtetas serb, edhe pse i plagosur, ndihmoi në evakuimin e shtatë pasagjerëve në një aksident të tmerrshëm në Bullgari”, thuhet më tej artikulli.
I riu ndodhet në një spital në Sofje, bashkë me të fejuarën e tij ku po mjekohen për plagët e mara. Ai është vizituar edhe nga ambasadori serb në Bullgari. “Shtetasi ynë Lulzim Sulejmani, vetë i plagosur në një aksident të tmerrshëm në afërsi të Sofjes, ka ndihmuar në evakuimin e pasagjerëve” shkruan ministria e Jashtme serbe.
Artikulli i publikuar nga 'Blic'
Jo vetëm familjarë e të afërm, por të gjithë shqiptarët mbajnë sot zi për viktimat e aksidentit tragjik që ndodhi një ditë më parë në Bullgari. 45 shqiptar të Maqedonisë së Veriut humbën jetën, teksa të mbijetuarit japin dëshmi tronditëse të asaj se çfarë ndodhi. Lulëzimi nga Presheva dhe e fejuara e tij, Medina nga Sopoti i Kumanovës, ishin mes 7 fatlumëve që mundën të dilnin gjallë nga 'ferri' në të cilin u shndërrua autobusi me të cilin ata udhëtonin.
Nga shtrati i spitalit ku po merr mjekim për plagët e shkaktuara gjatë tentativës për t'u larguar nga autobusi, Medina tregon në një intervistë për 'Alsat' se situata kishte qenë e tmerrshme. Ajo thotë se kishte qenë në gjumë, por e kishin zgjuar britmat e njerëzve dhe thirrjet e të fejuarit të saj. Mundi të shpëtojë pasi Lulëzimi theu xhamin e dritares.
"Isha në gjumë dhe vetëm kur i kam dëgjuar njerëzit duke bërtitur. I fejuari theu xhamin dhe më thirrte në emër. Nuk e di si kam dalë. Doli tym i zi, pati një shpërthim si bombë. Dëgjoja thirrjet e fëmijëve, ka patur shumë fëmijë", thotë ajo.
Lulëzimi tregon se ishte ndër të vetmit pasagjerë që kishte qenë zgjuar në atë moment dhe se ka parë çdo gjë me sytë e tij. I traumatizuar ai thotë se e kishte parë autobusin tek shkonte drejt bankinave, por nuk kishte mundur të nxirrte zë. Lulëzimi tregon se mori çekiçin dhe theu xhamin e më pas ndihmoi të fejuarën dhe pasagjerë të tjerë që të dilnin jashtë, teksa tymi dhe zjarri 'përpinin' autobusin.
“I vetmi person që kam qenë zgjuar. Nuk kam fjetur dhe krejt rastin e kam parë me sy. Unë isha në këtë pjesën e majtë të autobusit edhe e kam parë kur shkonte në anën e djathtë autobusi drejt bankina, por nuk munda të lëshoj zë. Goditi bankinën dhe u bë një zhurmë e madhe. Të fejuarën e kapa. Filloi panik i madh. Autobusi u ndal. U bë krejt tym aty unë për fat të mirë e kam marrë at çekiçin e kam thyer xhamin. Kanë zbritur disa persona pastaj edhe e fejuara ime. E kapa dhe e dërgova më larg 20 metra pasi u frikësova nga një shpërthim i mundshëm”, tregon ai.