Ekskluzive/ Malko 4 muaj në kërkim askush nuk e prangosi, një muaj para vrasjes i hapi gjyq policisë

3 Tetor 2019, 18:27| Përditesimi: 3 Tetor 2019, 21:21

  • Share

Santiago Malko, personi që u ekzekutua me 9 plumba mbrëmjen e 27 gushtit 2019, në zonën e Porcelanit në Tiranë, ishte shpallur në kërkim policor për një periudhë prej katër mujore, pasi ishte personi kryesor që dyshohej për plagosjen e rëndë të dy vëllezërve Mumajesi në Tiranë. Malko ka qenë në kërkim por çuditërisht askush nuk e ka ndaluar në kryeqytet, duke e lënë të lirë edhe pse ai nuk i fshihej drejtësisë apo dhe policisë.

Santjago Malko, rezulton se është vënë në dijeni sipas një lajmi që ka qarkulluar ne median audio vizive, se ai ishte shpallur në kërkim. Duke qenë se në lidhje me këtë lajm Santiago Malko, nuk ka marrë ndonjë njoftim zyrtar i është drejtuar me 5 kërkesa Drejtorisë së Policisë Tiranë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë,ku në thelb ka kërkuar informacion nëse ky lajm i mediave ishte i vërtete pasi në asnjë moment nuk ka kryer ndonjë veprim të kundraligjshëm për tu bërë objekt kërkimi apo njoftimi në Pikat e Kalimit Kufitar dhe për me tepër në asnjë rast nuk i ishte shmangur organeve ligjëzbatuese.

Por Malko, jo vetëm që nuk është arrestuar, por Malko ka pasur kohën e mjaftueshme për tu impenjuar dhe në një proces gjyqësor në gjykatën Administrative të Tiranës, ku kishte paditur Drejtorinë e Policisë Tiranë dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Padia në sekretarinë e gjykatës është dorëzuar nga Malko vetëm një muaj para se ai të ekzekutohej, pasi rezulton se në 9 korrik 2019 ai ka paraqitur padinë kundër Policisë së Shtetit dhe Policisë së Tiranës dhe çështja ishte marrë në shqyrtim nga gjyqtari Semiramis Hoxholli. Konflikti gjyqësor mes Policisë dhe Santiago Malko kishte të bënte me anulimin e një akti administrativ të nxjerrë nga Policia e Tiranës, e cila kishte urdhëruar një masë pengimi në kufi të Malkos, duke vendosur në sistemin TIMS shënimin “njoftim në kufi”. “Shqiptarja.com” mëson se përpara kësaj mase, ka rezultuar se Santiago Malko, ka qenë në kërkim policor nga policia e Tiranës, për ngjarjen e datës 27 qershorit të vitit 2018, ku mbetën të plagosur dy vëllezërit Rivelino dhe Juxhin Mumajesi, dhe një person tjetër i quajtur Ibrahim Durollari.

Sipas materialit që ndodhet në gjykatën Administrative të Tiranës, rezulton se Departamenti i Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, thotë se Santjago Malko, është shpallur në kërkim policor më datë 31 dhjetor 2018 nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, në kuadër të proçedimit penal nr.5113 të vitit 2018 dhe më datë 5 prill 2019, është anulluar nga kërkimi për kalim afati kërkimi policor. Por nëpërmjet lidhjeve të veta në polici, në rrugë konfidenciale Santiago Malko ka mësuar se ndaj tij rezulton në sistemin TIMS një “njoftim në kufi”. Ka rezultuar se Santjago Malko, ka kërkuar informacion Drejtorisë së Policisë Tiranë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, nëse për të ekziston njoftim në kufi dhe nëse cila është arsyeja që ai rezulton në sistem TIMS me njoftim, si dhe fshirjen apo anulimin e njoftimit në kufi. Edhe pas disa pesë kërkesash zyrtare nëpërmjet shërbimit postar nga ana e këtyre organeve administrative, nuk është kthyer asnjë informacion zyrtar.

Më tej Santiago Malko në 8 maj 2019 rezulton të ketë marrë një vërtetim në prokurorinë e Tiranës, ku thuhej se prokuroria s’ka nisur asnjë procedim penal kundër tij për plagosjen e kryer në Tiranë. Nisur nga kjo situatë ai në muajin korrik 2019 ka depozituar padinë në gjykatën administrative Tiranë duke hapur një betejë ligjore me policinë dhe kërkuar në gjykatë, detyrimin e policisë që ti hiqte emrin nga sistemi i kërkimit kufitar në TIMS. Por vetëm një muaj pas kësaj padie, Santiago Malko është vrarë me 9 plumba nga klani “Duka” i përbërë nga Leonard dhe Elis Duka, Oltian Loka, Ilir Selmani,Fatmir Hyseni, Bledar Teta dhe Aleksandër Maxhaku, Dritan Agaj ose “Gabeli”.

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Erik: 04/10/2019 14:27

    Perse ta prangosnin, qe t'i merrnin prokuroret dhe gjykatesit leket e ta lironin sic bene me Martinaj etj?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?