Përfaqësues të politikës dhe komuniteteve fetare shqiptare kanë reaguar për ndarjen nga jeta të Papa Françeskut në moshën 88-vjeçare. I pari që reagoi ishte kryeministri Edi Rama, i cili mbajti një minutë heshtje në një takim që po mbante në Kavajë, ndërsa më pas bëri edhe një postim në rrjete sociale për Atin e Shenjtë.
Kreu i qeverisë ndau një foto të Papës me një qeleshe në dorë, në të cilën është gdhendur edhe shqiponja, ndërsa ka shkruar: "Lamtumirë, At i Shenjtë, mik i madh e i paharrueshëm i Shqipërisë".
Në takimin në Kavajë, Rama e kujtoi Françeskun si një Papë ndryshe, me të cilin kishte një raport personal me të. Rama kujtoi vizitën e Papës në Shqipëri në vitin 2014, dhe fjalën e tij që në vend nuk ka bashkëjetesë fetare, por vëllazëri fetare. Kujtoi gjithashtu edhe një bisedë me të se ka krijuar shumë armiq.
“Më kujtohet që në takimin e dytë, jemi takuar disa herë por në Vatikan e pyes dhe i them Ati i Shenjtë më duket se shumë armiq ke bërë, duke thënë gjëra që nuk i ka thënë kurrë një Papë. Edhe se harroj kurrë më tha ‘Kryeministër nëse nuk i them ato që kam për të thënë tani që kam kohën me njerëzit kur do t’i them dhe kujt do t’ia them krimbave kur të shkoj në varr.”, tha Rama.
Presidenti Bajram Begaj, në reagimin e tij, shkroi se do të ruajë në kujtesë takimet me Papa Françeskun. “Do të ruaj thellë në kujtesën time takimet tona. I bashkohem lutjeve të të gjithë besimtarëve shqiptarë që shpirti i tij të prehet në paqe!”, thuhet mes të tjerash në mesazhin e Kreut të Shtetit për ndarjen nga jeta të Françeskut.
Një mesazh lamtumire nga qelia e ka dhënë edhe kreu i PL, Ilir Meta, i cili shprehet se Papa do të mbahet mend për ‘udhëheqjen vizionare të Kishës Katolike dhe tё njerëzimit nё rrugën e paqes, dashurisë, solidaritetit, humanizmit, bashkëpunimit, dialogut dhe vëllazërimit.’
“Përherë falenderues për vëmendjen e veçantë, ndihmën dhe mbështetjen e pakursyer, që Shenjtëria e Tij i dha kombit shqiptar në momentet të vështira, si dhe në kapërcimin e sfidave shpirtërore, sociale e ekonomike. I paharruar do të mbeten për mua takimi dhe bashkëbisedimi me Shenjtërinë e Tij.”, shkroi Meta.
Kryegjyshi botëror i Bektashinjve, Baba Mondi thotë se bota humbi sot liderin e madh botëror të kohës.
“Bota humbi sot Liderin e madh botëror të kohës, flamurtarin e Paqes dhe dashurisë. Papa deshi shume kombin tone, kombin martir të zotit.”
Në përditësim...
Foto: Papa Françesku
Vdekja e Papa Françeskut ditën e sotme ka lënë një boshllëk në të gjithë opinionin publik.
Në një reagim në rrjetet sociale Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë teksa përcjellin ngushëllimet e tyre mes fjalëve të ndjera nënvizojnë se gjatë misionit të tij si prift, peshkop dhe Papë tregoi gjithmonë një përkushtim të madh për të varfërit dhe të margjinalizuarit pavarërisht kulturës dhe pozicionit gjeografik.
Mesazhi i plotë:
MBI FJETJEN E PAPA FRANÇESKUT
Duke marrë pjesë në hidhërimin për fjetjen e Papës së Romës, Françeskut, dëshirojmë të shprehim ngushëllimet tona ndaj klerit dhe besimtarëve të Kishës Romano-Katolike.
Gjatë misionit të tij si prift, peshkop dhe Papë, ai gjithmonë tregoi një përkushtim të thellë ndaj shpalljes së Ungjillit në kontekste të ndryshme gjeografike dhe kulturore, veçanërisht përmes kujdesit të tij të sinqertë për të varfërit dhe të margjinalizuarit.
Veçanërisht vlerësojmë përpjekjet e tij të sinqerta për të nxitur një mirëkuptim më të madh ndërmjet Kishës Orthodhokse dhe asaj Katolike. Sjellim ndër mend fjalët e tij gjatë takimeve me përfaqësuesit e Kishës Orthodhokse: “Ecim së bashku si vëllezër në rrugën e mëshirës dhe të dashurisë”.
Me shpresën tek Krishti i Ngjallur i Cili: “…do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre dhe nuk do të ketë më as vdekje, as zi, as vajtim, as dhimbje, sepse bota e mëparshme mori fund” (Zb. 21:4), lutemi që Zoti ynë, Ati i mëshirshëm, t’i japë prehje shpirtit të tij. I përjetshëm kujtimi!
Nëpërmjet një mesazhi drejtuar krerëve të besimit katolik dhe gjithë besimtarëve, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për ndarjen nga jeta të Papa Françeskut.
Ndër të tjera, në këtë mesazh, Dede Edmond Brahimaj thekson: “Me hidhërim të thellë morëm lajmin e kalimit nga jeta të Papa Françeskut – një prijës i madh shpirtëror dhe zë i paqes, drejtësisë dhe dashurisë. Me shumë vlerësim përkujtoj takimin tonë të fundit më 16 janar 2025 në Vatikan, ku Ai na priti me përzemërsi e dashamirësi, duke theksuar rëndësinë e dialogut ndërfetar dhe bashkëjetesës. Ngushëllimet më të thella shkojnë për gjithë klerin dhe besimtarët katolikë në mbarë botën. Shpirti i Tij u prehtë në paqe! Amin!”
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka kujtuar Papa Françeskun me një mesazh që përcolli ai gjatë vizitës në Shqipëri në vitin 2014.
Në një mesazh nga qelia, Meta shprehet se Ati i Shenjtë do të kujtohet gjithmonë për udhëheqjen vizionare të Kishës Katolike dhe njerëzit në rrugën e paqes, dashurisë dhe dialogut.
Meta kujton gjithashtu takimin me Papën, teksa shkruan se bashkëbisedimi me të do të mbetet i paharruar.
"Thellësisht i pikëlluar nga lajmi për ndarjen nga jeta të Shenjtërisë së Tij, Papa Françesku, i cili do të kujtohet përherë me mirënjohje pёr udhëheqjen vizionare të Kishës Katolike dhe tё njerëzimit nё rrugën e paqes, dashurisë, solidaritetit, humanizmit, bashkëpunimit, dialogut dhe vëllazërimit.
Përherë falenderues për vëmendjen e veçantë, ndihmën dhe mbështetjen e pakursyer, që Shenjtëria e Tij i dha kombit shqiptar në momentet të vështira, si dhe në kapërcimin e sfidave shpirtërore, sociale e ekonomike.
I paharruar do të mbeten për mua takimi dhe bashkëbisedimi me Shenjtërinë e Tij.
Të paharruara do të mbeten mesazhet e vyera dhe frymëzuese të Papa Françeskut për popullin dhe në veçanti për rininë e mrekullueshme gjatë vizitës së tij historike në Shqipëri: "Shqiponjat nuk e harrojnë folenë, por fluturojnë lart. Ju lutem mbajini ata në Atdheun e tyre dhe Shqipëria të shpëtojë nga dimri demografik. Duhet bërë gjithçka për të shtuar shpresën për rininë tonë, sepse ku ka rini, ka shpresë”.
U përcjell ngushëllimet më të sinqerta Selisë së Shenjtë dhe mbarë besimtarëve katolikë.
Të prehet në paqen e merituar!", shkruan Meta.
Federata Shqiptare e Futbollit shpreh keqardhjen për ndarjes nga jeta të Papa Françeskut, një figurë frymëzuese dhe simbol i paqes dhe solidaritetit.
Ati i Shenjtë u nda nga jeta në moshën 88-vjeçare duke lënë pas një trashëgimi të vyer shpirtërore. Federata e Futbollit i shpreh ngushëllime të sinqerta Selisë së Shenjtë, Kishës Katolike dhe të gjithë besimtarëve katolikë.
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka gjithashtu ka shprehur ngushëllimet e tij përmes një statusi të publikuar në rrjetet sociale.
“Lamtumirë Papa Françesku!
Një humbje e madhe për të gjithë botën! Sot humbëm Atin e Shenjtë, një udhëheqës shpirtëror, i cili frymëzoi botën me mesazhet e tij për humanizëm dhe solidaritet.
Në emrin tim dhe të gjithë komunitetit të futbollit shqiptar, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta Selisë së Shenjtë, Kishës Katolike dhe të gjithë besimtarëve katolikë!
Qoftë i përjetshëm kujtimi i Tij!”, shkruan Duka.
Kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu ka reaguar për ndarjen nga jeta të Papa Françeskut. Ai thotë se Papa e vlerësoi shumë dialogun ndërfetar, Shqipërinë si dhe Komunitetin Myslim shqiptar.
Reagimi i plotë:
Sot u nda nga jeta një Papë që e deshi shumë dialogun ndër fetar, e deshi shumë vendin tonë dhe vlerësoi veçanërisht Komunitetin Mysliman të Shqipërisë për rolin që luan në shoqërinë shqiptare.
Kam patur nderin e veçantë të jem kryetari i parë në historinë e KMSH që kam patur një audiecë të posaçme, me ftesë të tij, me Papa Françeskun. Takim që u zhvilluam më 6 maj 2022.
Në takimin kokë më kokë me Papa Françeskun, takim i cili zgjati për më shumë se 30 minuta, patëm një diskutim të gjerë nga i cili, përveç të tjerash, kuptova rëndësinë që ai i kushtonte dialogut dhe vlerësimit të lartë që kishte për Shqipërinë e për rolin e Komuniteti Mysliman.
Sot bota nuk ka humbur vetëm një Papë, por edhe një kryetar shteti e lider fetar që punoi shumë për paqe mes besimeve e për një botë më të qetë e të pa trazuar.
Unë dhe Komuniteti Mysliman kemi humbur gjithashtu një mik.
I shpreh ngushëllimet e mia bashkëpunëtorëve të tij të komunitetit katolik në Shqipëri dhe shtetit të Vatikanit!
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ka përcjellë një mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Papa Françeskut.
Teksa ka ndarë foto nga vizita e Atit të Shenjtë në Shqipëri, ministri shpreh lutjet për shpirtin e tij dhe për një botë më të mirë.
“Lamtumirë, Papa Françesku!
Në këtë çast zie për komunitetin mbarëkatolik dhe për gjithë njerëzimin, lutemi për shpirtin e tij të bardhë dhe për një botë më të mirë, ashtu siç na e mësoi ai.”, shkruan Gonxhja.
Pas ndarjes nga jeta ka regauar dhe Kryipeshkëvi i Kishës Katolike shqiptare imzot Arjan Dodaj.
Dodaj me një status në platformën ‘X’ ka thënë se Papa Françesku ishte revolucionar i butësisë dhe e donte shumë popullin shqiptar.
“Faleminderit i dashur Papa Françesku. Papa i Revolucionit të Butësisë dhe Dashurisë së Zotit! Papa i dashuruar me popullin tonë shqiptar. Papa jonë nga qielli na beko e vazhdo të na shoqërosh me dashurinë tënde”- shkruan Dodaj.
Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë ka përcjellë një mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Papa Françeskut.
Reagimi i plotë:
Sapo na erdhi lajmi i kalimit në amshim të Atit të Shenjtë, Papa Françesku, i cili u kthye në shtëpinë e Atit sot rreth orës 7:35 të mëngjesit, mendjet dhe zemrat tona iu drejtuan Hyjit të Gjithpushtetshëm në lutje për shpirtin e tij.
Na bien ndërmend muajt e fundit të vuajtjes së tij shëndetësore e në të njëjtën kohë këmbëngulja e tij për të qëndruar pranë popullit të tij si Bari i mirë deri në fund edhe përgjatë këtyre ditëve të Pashkëve. Ditën e Pashkës deshi vetë ai të japë bekimin Urbi et orbi si testamentin e tij të fundit. Ai iku duke na bekuar!
Papa Françesku zgjodhi të vizitojë Shqipërinë më 21 shtator 2014 si vendin e parë Evropian pak pasi ishte zgjedhur në krye të Kishës. Në atë vizitë të gjithë kujtojmë fjalët e tij e më pas përkujdesjen e tij të vazhdueshme për Shqipërinë.
Papa Françesku e udhëhoqi kishën në këto vite nëpërmjet një dëshire të thellë ndryshimi dhe reformash. Ai u bë një zë i fuqishëm në të gjithë botën duke shpallur ungjillin e dashurisë ndaj më të varfërve dhe më të përjashtuarve të shoqërisë. Ai ngriti vazhdimisht zërin kundër luftës, armatimeve dhe shkatërrimit të krijimit.
Me fjalë dhe me vepra e udhëhoqi Kishën katolike drejt një trajte më të përulur, më të thjeshtë e më sinodale. Ne i jemi mirënjohës Hyjit që na dha Papa Françeskun në këto vite dhe i lutemi Hyjit që ta pranojë në banesat e amshuara të Mbretërisë së tij.
Si ipeshkvinj falenderojmë të gjithë ata që në këto momente na gjenden pranë në mënyra e forma të ndryshme. U bëjmë thirrje të gjithë komuniteteve Dioqezane, famullitare, rregulltare e çdo besimtari që të luten për Papa Françeskun. Po ashtu, duke filluar nga mbrëmja e ditës sotshme, të organizohen momente lutjeje dhe përshpirtje në të gjitha komunitetet e besimtarëve dhe këmbanat të bien në shenjë zie duke filluar nga momenti i marrjes së kësaj letre.
Krishti e pastë në parriz Papa Françeskun e i dhashtë dritën e amshuar!
Në emër të Ipeshkëvijve të Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë,
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali ka reaguar për ndarjen nga jeta të Papa Françeskut. Teksa ka ndarë një foto nga takimi i familjes së saj me Atin e Shenjtë në vitin 2024, ajo shkruan se do të mbetet një ndër kujtimet më të bukura.
Spiropali thotë se shqiptarët kishin një vend të veçantë në zemrën e Papa Françeskut, dhe kjo u dëshmua edhe me vizitën e tij në vitin 2014, vizita e tij e parë në një vedn evropian që kur mori këtë post.
“Mëngjesin e së Hënës së Engjëllit, përfundoi rrugëtimi tokësor i Papa Françeskut.
Jeta e këtij dishepulli të Jezu Krishtit, iu kushtua shërbimit të Zotit, të Kishës, besimtarëve, njerëzve, bashkëjetesës dhe drejtësisë shoqërore.
Ati i Shenjtë ishte mbrojtës i fuqishëm i më të varfërve, më të dobtëve dhe më të margjinalizuarve, të cilëve u kushtoi gjithë jetën dhe dashurinë e Tij.
Shqipëria dhe shqiptarët kishin një vend të veçantë në zemrën e madhe të Papa Françeskut, të cilën e shfaqi edhe gjatë vizitës në vendin tonë, në 21 shtator 2014, vizita e Tij e parë në një vend europian nga fillimi i Papnisë.
Takimi me Atin e Shenjtë në tetor të vitit 2024 do të mbetet ndër kujtimet më të bukura të jetës sime.
U Prehtë në Paqen e Zotit!”, shkruan znj. Spiropali.
Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, ngushëllon për ndarjen nga jeta të Papa Françeskut. Ati i shenjtë i katolikëve, që mbylli sytë në moshën 88-vjeçare, sapo besimtarët kremtuan Pashkën, ishte një mik i madh i shqiptarëve. Shqipëria ishte vendi i parë që ai vizitoi në Europë kur u zgjodh pas dorëheqjes së Papa Benediktit XVI.
Argentinasi Jorge Mario Bergoglio u bë Papa i parë nga Amerika Latine dhe u shqua për përulësinë dhe përkushtimin ndaj të varfërve. Ai ishte një figurë unifikuese që punoi pa pushim për paqen, drejtësinë sociale dhe dialogun ndërfetar.
"U prehsh në paqe, Papa i Popullit, Papa Françesku, zëri i të varfërve i cili çeli një faqe të re për Kishën Katolike.
Papa Françesku do të kujtohet gjithmonë për dashurinë e tij për jetën, përpjekjet për paqen dhe angazhimin e pandërprerë për drejtësi dhe barazi sociale," shkruan ministri Balla në një postim në Facebook, shoqëruar me një foto që përjetëson vizitën historike të Papa Françeskut, shtatorin e vitit 2014 në Tiranë, ku mbajti dhe meshën në sheshin "Nënë Tereza".
Në Shqipëri, Papa Françesku inkurajoi forcën e dialogut ndërmjet feve, në perspektivën e së mirës së përbashkët, në një vend me shumicë myslimane, dhe inkurajoi gjithë popullin për të vazhduar në udhën e demokracisë.
“Nënë Tereza është bijë e madhe e këtyre trojeve. Paqe në shtëpitë tuaja!”, kështu u lut Papa Françesku në Tiranë më 21 shtator 2014.
Papa Francesku shkeli tokën shqiptare, plot 21 vjet pas vizitës së Papës tashmë shenjtor të Kishës Katolike, Gjon Pali i II-të.
Vdekja e Papa Françeskut ka trishtuar mbarë opinionin publik.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj teksa ka ndarë një copëz fragmenti kur është takuar me Atin e Shenjtë, shprehet se përveçse ishte një udhëheqës shpirtëror i jashtëzakonshëm, Papa Françesku ishte gjithashtu edhe një mik i madh i vendit tonë.
Postimi i plotë:
Lamtumirë At i Shenjtë, Papa Françesku - një udhëheqës shpirtëror i jashtëzakonshëm, që mbushi me dritë zemrat e njerëzve, simbol i përulësisë, dashurisë dhe paqes.
Ai ishte një mik i madh i Shqipërisë e i shqiptarëve e do të kujtohet me nderim për mesazhet e tij të mëshirës, përkushtimin ndaj të varfërve dhe për ndihmesën që dha në afrimin mes njerëzve dhe feve.
Ngushëllime të sinqerta Kishës Katolike dhe të gjithë besimtarëve shqiptarë për këtë humbje të madhe.
Kryeministri Edi Rama mbajti një minutë heshtje në nderim të Papa Françeskut që ndërroi jetë këtë të hënë në moshën 88-vjeçare. Kryeministri po mbante një takim me gratë dhe vajzat në Kavajë, teksa ndërpreu fjalën pasi mori vesh lajmin e ndarjes nga jeta të Papës.
Kreu i qeverisë vlerësoi raportin personal me Françeskun, ndërsa kujtoi edhe vizitën e tij të parë si Papë, të cilën zgjodhi ta bënte në Shqipëri në 21 Shtator të vitit 2014.
“Më vjen keq se më erdhi një mesazh këtu, ka ndërruar jetë ati i shenjtë Papa Françesku, një njeri i jashtëzakonshëm. Unë kam pasur raport personal me të dhe më çonte vazhdimisht mesazhe me Arqipeshkvin dhe më vjen jashtëzakonisht keq. Ai zgjodhi ta vizitonte Shqipërinë, të parin vend jashtë Vatikanit që vizitoi pasi u zgjodh Papë. Pas një takimi që patëm, në Shqipëri kaloi një ditë që ai vetë e konsideronte të paharrueshme. Tha edhe atë fjalën e paharrueshme që Shqipëria nuk ka harmoni fetare, por vëllazëri fetare. Ishte një Papë ndryshe nga të tjerët dhe besoj se kam mirëkuptimin tuaj që ta nderojmë me një minutë heshtje dhe ta mbyllim këtu takimin.”, tha Rama.
Pas një minutë heshtje, kryeministri kujtoi edhe një bisedë me Papën për faktin se kishte bërë shumë ‘armiq’.
“Më kujtohet që në takimin e dytë, jemi takuar disa herë por në Vatikan e pyes dhe i them Ati i Shenjtë më duket se shumë armiq ke bërë, duke thënë gjëra që nuk i ka thënë kurrë një Papë. Edhe se harroj kurrë më tha ‘Kryeministër nëse nuk i them ato që kam për të thënë tani që kam kohën me njerëzit kur do t’i them dhe kujt do t’ia them krimbave kur të shkoj në varr.”, u shpreh Rama.
Pasi ndërpreu takimin, Rama ka bërë edhe një postim në rrjete sociale, teksa ka shkruar: "Lamtumirë, At i Shenjtë, mik i madh e i paharrueshëm i Shqipërisë".
Drejtuesi i Koalicionit Euroatlantik Lulzim Basha ka reaguar për ndarjen nga jeta të Papa Françeskut, duke e cilësuar si një udhëheqës shpirtëror dhe simbol të dashurisë, paqes dhe përkushtimit. Basha ka ndarë momentin kur është takuar me Papën kur vizitoi Shqipërinë në shtator të vitit 2014, kohë kur drejtonte bashkinë e Tiranës, ku edhe i dha titullin e Qytetarit të Nderit të kryeqytetit.
“Ka qenë privilegj për mua t’i jepja Atit të Shenjtë titullin e Qytetarit të Nderit të Kryeqytetit tonë në atë vizitë historike”, shkruan mes të tjerash Basha.
Postimi i Bashës:
Lamtumirë Papa Françesku!
Me dhimbje të thellë mësova lajmin e ndarjes nga jeta të Atit të Shenjtë, Papa Françeskut, një udhëheqës shpirtëror i përulur, simbol i dashurisë, paqes dhe përkushtimit ndaj më të varfërve.
Papa Françesku ishte një zë i fuqishëm për kujdesin ndaj të harruarve dhe të braktisurve, një dritë shprese për të gjithë njerëzimin. Me thjeshtësinë e tij, ai frymëzoi miliona besimtarë dhe jo vetëm, duke predikuar vlera universale të mëshirës, faljes dhe bashkëjetesës mes popujve.
Një vend të posaçëm pati në zemrën e tij Shqipëria dhe shqiptarët, që do ta kujtojnë gjithmonë me mirënjohje vizitën e tij historike më 21 shtator 2014, kur u bëmë vendi i parë evropian që ai vizitoi si Papë. Ka qenë privilegj për mua t’i jepja Atit të Shenjtë titullin e Qytetarit të Nderit të Kryeqytetit tonë në atë vizitë historike.
Në këto momente të dhimbshme, bashkohemi në lutje me besimtarët anembanë botës dhe i shprehim ngushëllimet më të sinqerta Selisë së Shenjtë, Kishës Katolike dhe të gjithë atyre që e nderuan dhe e deshën.
Pusho në paqe, At i Shenjtë! Trashëgimia jote do të jetojë përgjithmonë!
Në një mesazh ngushëllimi pas ndarjes nga jeta të Papa Françeskut, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka vlerësuar figurën e tij si simbol të dashurisë universale, dhembshurisë dhe përkushtimit pa dallim feje apo kombësie.
“Shenjtëria e tij, Papa Françesku, sot u ngjit në qiell, pranë Atit, për të çuar në qiell atë që la trashëgimi në tokë – dhembshurinë, dashurinë dhe përkushtimin ndaj çdo njeriu, çdo besimtari e çdo feje,” – u shpreh Presidenti Begaj, i cili është pritur dy herë në audiencë nga Ati i Shenjtë.
Kreu i shtetit shtoi se do të ruajë në kujtesë takimet me Papën Françesku dhe u bashkua me lutjet e miliona besimtarëve në Shqipëri dhe mbarë botën për paqen e shpirtit të tij:
“Do të ruaj thellë në kujtesën time takimet tona. I bashkohem lutjeve të të gjithë besimtarëve shqiptarë që shpirti i tij të prehet në paqe!” – përfundoi mesazhin e tij Presidenti.
Komente
