DRAFTI/ Finalizohen negociatat PS-Rithemelimi, miratohet ngritja e dy komisioneve hetimore për TIMS dhe PPP në Shëndetësi

15 Mars, 16:15| Përditesimi: 15 Mars, 21:47

  • Share

Partia Socialiste dhe Rithemelimi shpallën armë-pushimin në Konferencën e Kryetarëve të premten e këtij 15 marsi pas ditëve të tëra negociata që u finalizuan me ngritjen e dy komisioneve hetimore, për rrjedhjen e të dhënave në sistemin TIMS, si edhe PPP-të në Shëndetësi.

Gazment Bardhi e Bledi Çuçi deklaruan paktin e paqes që krahas dy komisione hetimore përfshin edhe ngritjen e një mekanizmi për reformat e ligjet që kërkojnë 84 vota.

“Ramë dakort që të mandatojmë komisionin e ligjeve për të ngritur një platformë brenda komisionit të ligjeve për të krijuar dialog politik për ligje që janë pjesë e agjendës së BE. Brenda komisionit të ligjeve do ngrihet një platformë një grup pune. Ajo duhet të garantojë dialogun  politik për ligje që kërkojnë 3/5 dhe që kanë të bëjnë me BE", tha Çuçi. 

"Me zgjidhjen e shqetësimeve të paraqitura nga opozita ne rikthehemi në normalitet", tha Bardhi. 

Sipas dakordësise, do të jetë Komisioni i ligjeve që do të ngrejë mekanizmin për Reformat, me në përbërje 2 anëtarë të opozitës e dy të maxhorancës, për t’i çuar reformat drejt seancave plenare me një konsensus paraprak.

E duket se punën në këtë mekanizëm PS do ta nisë me Rithemelimin, pikërisht aty ku u nda me PD e Lulzim Bashës duke e nxjerrë jashtë lojë, Reformën Zgjedhore.

2 komisionet hetimore, për të cilat Rithemelimi rishikoi objektin sipas ligjit të ri të socialistëve, do të ngrihen për të hetuar rrjedhjen e të dhënave nga sistemi TIMS si dhe koncesionet në shëndetësi. Këtu Gazment Bardhi nuk kërkon më hetimin e 4 koncesioneve, por 2: Sterilizimin e Check-up, të dy nën hetim edhe nga insitucionet e drejtësisë, e jo më hemodializën dhe laboratorët mjekësorë.

Komisionet Hetimore me kohëzgjatje 4 muaj pritet të miratohen në seancën e parë plenare dhe do të përbëhen nga 8 anëtarë të maxhorancës dhe 7 të opozitës, mes të cilëve edhe kryetari.

(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë)

Ora 21:32
Ambasada e Italisë dhe Gjermanisë përshëndesin kthimin e Kuvendit në normalitet: Rruga e duhur drejt BE

1710535529_kuvend.jpg

Arritjen e marrëveshjes që do të rikthejë qetësinë në parlament e kanë përshëndetur edhe ndërkombëtarët. Ambasada e Italisë shkruan se përgjegjësia që kanë treguar palët politike për të kthyer Kuvendin në normalitet është në të mirë të vendit dhe shqiptarëve.

“Ambasada e Italisë në Tiranë mirëpret marrëveshjen e arritur nga Konferenca e Kryetarëve e cila do të lejojë rikthimin në normalitet në Parlament. Ndjenja e përgjegjësisë e treguar nga partitë është thelbësore për të garantuar funksionimin korrekt të institucioneve demokratike, në të mirë të Vendit dhe popullit shqiptar”, thuhet në postim.

Një mesazh përshëndetës e pati edhe Ambasada e Gjermanisë, duke thënë se është një shenjë inkurajuese për rrugën drejt BE. Ambaasada shkruan se qytetarët presin që përballje politike të zhvillohen paqësisht dhe sipas rregullave. Vetëm kështu thotë ambasada gjermane, Kuvendi mund të përmbushë rolin e tij.

“Ambasada Gjermane mirëpret marrëveshjen për rifillimin e aktivitetit konstruktiv të Kuvendit me pjesëmarrjen e të gjitha grupeve politike të përfaqësuara. Kjo është një shenjë inkurajuese për procesin demokratik dhe për rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. Qytetarët/et me të drejtë presin që parlamenti i tyre të bëjë të mundur, që shkëmbimi dhe gara e ideve të ndryshme të zhvillohen paqësisht dhe në përputhje me rregullat. Vetëm në këtë mënyrë Parlamenti mund të përmbushë rolin e tij thelbësor kushtetues: kontrollin e pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ në interes të qytetarëve të përfaqësuar nga deputetët”, shkruan ambasada gjermane.

Ora 17:21
Ndërkombëtarët përshëndesin marrëveshjen PS-Rithemelimi për rikthimin e normalitetit në Kuvend

1710521420_beshba.jpg

Ambasada e Shteteve të Bashkuara dhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, kanë përshëndetur arritjen e marrëveshjes mes PS dhe Rithemelimit në Konferencën e Kryetarëve për rikthimin e rendit normal në Parlament.

Në mesazhin e saj ambasada e SHBA shkruan se inkurajon deputetët që vazhdojnë të tregojë përkushtim ndaj demokracisë. Ajo i nxit deputetët e Kuvendit të vazhdojnë të tregojnë përkushtim ndaj demokracisë në dobi të popullit shqiptar.

“Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë mirëpret marrëveshjen e Konferencës së Kryetarëve për rikthimin e rendit normal në Parlament. Ne inkurajojmë deputetët që të vazhdojnë të tregojnë një përkushtim ndaj demokracisë në të mirë të popullit shqiptar.”, shkruan Ambasada e Shteteve të Bashkuara.

Ambasadori i BE Silvio Gonzato thotë se marrëveshja bën të mundur rifillimin e funksionimit normal të parlamentit.

“Mirëpres vendimin e sotëm të konferencës së kryetarëve, i cili bën të mundur rifillimin e funksionimit normal të parlamentit dhe vlerësoj lidershipin dhe përgjegjësinë e treguar nga palët në arritjen e marrëveshjes. Delegacioni i Bashkimit Evropian ka theksuar vazhdimisht se një asamble funksionale është çelësi për procesin e integrimit në BE”, ambasadori i BE-së Silvio Gonzato në X.

Për arritjen e kompromisit ka reaguar edhe ambasadori britanik në Shqipëri, Alastair King-Smith i cili shkruan se është i kënaqur me progresin drejt rikthimit të parlamentit normal.

“E di që kompromiset politike janë të vështira dhe kërkojnë guxim dhe vendosmëri. I kënaqur që shoh progresin e vazhdueshëm sot drejt rikthimit të një parlamenti normal, funksional, i cili është në interesin më të mirë të të gjithë qytetarëve shqiptarë dhe perspektivës së ardhshme të Shqipërisë”, shkroi ai në rrjetin social X.

Ora 17:20
Marrëveshja PS-Rithemelimi, Basha: Revolucioni u flijua, u shit për 2 komisione hetimore! Lepuri fle te pakti i 2008-tës

Kreu i PD Lulzim Basha ka reaguar me tone të ashpra pas arritjes së marrëveshjes mes PS Rithemelimin për ngritjen e dy komisioneve hetimore për rikthimin e normaliteit në Kuvend. Revolucioni u shit tha Basha, për dy komisione hetimore, njëri prej të cilëve sot mbylli hetimet.

“Për fat të keq revolucioni u flijua. Revolucioni i shpallur me bujë u flijua për dy komisione hetimore, njëri prej të cileve sot u njoftua që kanë mbaruar hetimet dhe që do të komunikohen akuzat dhe që me të drejtën e ligjit dhe pritshmëritë e qytetarëve nga Ilir Beqja me shokë, do të shkojnë në burg sepse kanë vjedhur. Këta kanë rënë dakord që të ngrenë komision, ta hetojnë, të shohin çfarë shkeljesh administrative kanë bërë dhe t’i propozojnë Ramës që të ndryshojnë ligjet. Për këtë u shit revolucioni i premtuar kurbinasve dhe gjithë demokratëve shqiptarë. Ka ardhur koha të vëmë gishtin në plagë, ku ndoshta të gjithë kemi gisht në këtë plagë kush më shumë e kush më pak. Shpresa e rreme është lidership i rremë. Ku është revolucioni, ku është përmbysja e Edi Ramës? Cila është fitorja që i shet sot demokratëve të Kurbinit që i more pas vetes me premtimin se do ta rrëzoje Edi Ramën? Ku është bashkia e Kurbinit? Të gjitha kanë avulluar si iluzione, sepse nisen me një pretendim të remë."

Dakordësinë që u arrit sot, Basha e quan vijim të marrëveshjes së 2008-ës. Për kreun e PD, ky ishte një komplot i ri që flijoi të ashtuquajturin revolucion.

"Por diku tjetër fle lepuri, te marrëveshja famëkeqe e kushtetutës 2008-ës për të mbajtur monopolin për kandidatët për deputetë, për të kontrolluar sistemin politik siç u ka lënë trashëgimi Ramiz Alia. Edhe pse kjo në këtë formë mund të vij me një çmim shumë të lartë jo thjesht për demokratët, por për të gjithë Shqipërinë, për të gjithë Kombin me çmimin e lartë të konsolidimit të pushtetit të Edi Ramës dhe rrënimit të opozitës shqiptare. Po kaq u bën atyre që është thënë dhe me të drejtë u katapultuan pas asnjë meritë si kandidat për deputetë dhe që e kanë frikë listat e hapura, sepse kanë frikë të vijnë e të përballen me gjykimin e demokratëve, me gjykimin e qytetarëve, me votën tuaj. Frika ndaj listave të hapura i ka shtyrë drejt këtij komploti të ri ku janë prap bashkë, bashkë për t’i mbajtur listat e mbyllura, bashkë për t’i mohuar shqiptarëve barazinë e votës, bashkë për të mohuar votimin dhe numërimin elektronik që iu heq instrumentet e manipulimeve të tjera zgjedhore, bashkë për t’i mohuar votën diasporës që duan ta degdisin ose në dyert e ambasadave, ose me postë, të Postës Shqiptare, të folesë dhe çerdhes së pushtetit, në fakt ta themi troç, të çdo pushteti".

Për Bashën, marrëveshja e sotme, do të vrasë reformën zgjedhore, e përballë alternativës së PD për të hapur listat, do t’i mbyllë ato, duke mbajtur në sistem kastën e vjetër të politikës.

Përballë grupimit të Rithemelimit e PS, që thotë se janë bërë bashkë në kurriz të interesave të qytetarëve, Basha paralajmëron se javën e ardhshme do të nisë lëvizjen për një koalicion opozitar që do të ketë 3 shtylla: Reformë zgjedhore, partneritet me SHBA dhe mbështetje për SPAK.

Ora 16:57
Spiropali: U dakordësuam shpejtë për komisionet! Të enjten seancat më të plota! Amnistia? S'kemi marrëveshje, do ta diskutojmë

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali në përfundim të mbledhjes së konferencës së kryetarëve foli për finalizimin e negociatave me Rithemelimin duke sjellë ngritjen e dy komisioneve hetimore.

Lajm i mirë. I jemi kthyer normalitetit në Kuvend. I përgëzoj deputetët e opozitës. Gjetëm një dakordësi të shpejtë për komisionet hetimore dhe dialogun që kërkon shumicë të cilësuar. Të enjten seancat do të jenë më të plota më transparente dhe qeveria është e gatshme që të gjithat që janë në parlament ti diskutojë dhe debatojë me opozitën.”

A do bashkojnë deputetët e Rithemelimit votat për amnistinë?

“Ne nuk kemi bërë asnjë marrëveshje. Do ta diskutojmë edhe këtë dhe shpresoj që deputetët e opozitës do ta votojnë”, tha  Spiropali.

Ora 16:42
Dakordësia për komisionet hetimore, Bardhi: I japim fund kaosit në Kuvend, u akuzuam se kishim motive të tjera

 

Deputeti Gazment Bardhi në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve tha se është arritur dakordësia për ngritjen e dy komisioneve hetimore, TIMS dhe PPP në Shëndetësi, si edhe ngritja e një grupi pune mes mazhorancës dhe opozitës për ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar votash.

"Është rënë dakord miratimi i komisioneve hetimore për PPP në shëndetësi, të ngrohet kom hetimor lidhur me TIMS, është ngarkuar komisioni i ligjeve për formimin e një mekanizmi konsensual mes mazhorancës dhe opozitës sa i takon ligjeve me shumicë të cilësuar. Për grupin e PD normalzimi i marrëdhënieve në Kuvend ka qenë një kërkesë e vijueshme", tha Bardhi.

Kjo dakordësi do t’i japë fund kaosit në Kuvend, ku Bardhi hodhi poshtë akuzat se kanë bllokuar punën për arsye të tjera.

“Siç kemi premtuar publikisht, edhe pse jemi akuzuar që aksioni i deputetëve kishte motive të tjera nga ato që ishin shpallur, edhe sot ne provuam se ai zotim publik që kishim bërë që me zgjidhjen e shqetësimeve të paraqitura nga opozita ne rikthehemi në normalitet. Sot po provojmë që kemi bërë atë që kemi thënë gjatë këtyre muajve.

Ka një dakordësi për të kthyer normalitetin në veprimtarinë  e kuvendit, përmes zgjedhjes së tre shqetësimeve të opozitës. Mbledhjet e Komisioneve janë të hapura, transparenca është kush kryesor”, tha Bardhi.

Ende nuk ka emra se kush do jetë bashkëkryetar nga opozita në këto dy komisione. Bardhi tha se kjo do vendoset në mbledhjen e grupit të Rithemelimit.

“Do shkoj me propozime konkrete në grup, është grupi i PD që vendos se kush janë përfaqësuesit e vet”, tha Bardhi.

Ora 16:26
Çuçi: Me Rithemelimin ramë dakord për objektet e Komisioneve! Emrat e anëtarëve javën tjetër! Do ngremë grup pune për ligje që kërkojnë 84 vota

Kryetari i grupit parlamentar të PS Bledi Çuçi në përfundim të mbledhjes së konferencës së kryetarëve ka deklaruar se me Rithemelimin kanë rënë dakord me objektet e Komisioneve Hetimore, konkretisht për Koncesionet në Shëndetësi dhe Komisionin Hetimor për nxjerrjen e të dhënave të sistemit TIMS.

“Përfunduam atë që kishim nisur në mbledhjen e  konferencës së kryetarëve. Është rënë dakord për objektet e dy komisioneve hetimore, për shërbimet në shëndetësi, sterilizimi dhe chechk up dhe TIMS”.

Ai nënvizoi se gjithashtu kanë rënë dakord që të ngrenë një grup pune në komisionin e ligjeve për të garantuar dialogun mes palëve për ligje që kërkojnë tre të pestat e votave.

“Ramë dakort që të mandatojmë komisionin e ligjeve për të ngritur një platformë brenda komisionit të ligjeve për të krijuar dialog politik për ligje që janë pjesë e agjendës së BE. Emrat do i kalojmë javës tjetër. Nuk është nënkomision. Brenda komisionit të ligjeve do ngrihet një platformë një grup pune. Ajo duhet të garantojë dialogun  politik për ligje që kërkojnë 3/5 dhe që kanë të bëjnë me BE.”

Ora 15:14
Dokumenti i marrëveshjes, komision hetimor për TIMS dhe PPP në Shëndetësi! Rithemelimi dakordësi me mazhorancën për objektin

Në orën 16:00 u mblodh Konferenca e Kryetarëve, ku u shqyrtua kërkesa e opozitës për ngritjen e dy komisioneve hetimore. Shqiptarja.com ka zbardhur dokumentin e miratuar nga Konferenca e Kryetarëve që i hap rrugën ngritjes së dy komisioneve hetimore, për rrjedhjen e të dhënave në sistemin TIMS dhe PPP në Shëndetësi.

Opozita dhe PS kanë arritur dakordësinë për objektin hetimor për dy komisionet, të cilët do përbëhen nga 15 anëtarë, 6 nga grupi i PD dhe 8 nga grupi i PS, ndërsa afati i tyre të jetë për një periudhë kohore 4 mujore. 

PPP në Shëndetësi

Lidhur me komisionin për shërbimet publike të sterilizimit dhe të check up në Shëndetësi, objekti i hetimor do jetë:

(i) Shqyrtim i çështjeve të lidhura me kontratat publike për shërbimin publik të sterilizimit dhe atë të check-up në shëndetësi. si dhe zbatimin e tyre:

(ii) Vlerësimi i nevojës për marrjen e masave administrative apo ndërhyrje ligjore në legjislacionin përkatës.

3. Komisioni ka të drejtë të hetojë dhe të bëjë transparencë të plotë për çdo çështje që përfshihet në objektin e punës së tij, në përputhje me parimet kushtetuese, veçanërisht parimin e ndarjes së pushteteve, duke mos iu mbivendosur punës së organeve të drejtësisë, parimin për një proces të rregullt ligjor, parimin e prezumimit të pafajësisë, parimin e paanshmërisë dhe i respektimit të jetës private të individit.

Sistemi TIMS

Ndërkohë, komisioni për trajtimin e të dhënave të sistemit TIMS ka për objekt të veprimtarisë së tij:

(i) Shqyrtimin e çështjeve lidhur me kontrollin e veprimtarisë së institucioneve të ngarkuara me mbrojtjen e sistemit TIMS: dhe

(ii) Vlerësimin e nevojës për marrjen e masave administrative apo, ndërhyrjet ligjore në legjislacionin përkatës në fuqi.

3. Komisioni ka të drejtë të hetojë dhe të bëjë transparencë të plotë për çdo çështje që përfshihet në objektin e punës së tij, në përputhje me parimet kushtetuese, veçanërisht parimin e ndarjes së pushteteve, duke mos iu mbivendosur punës së organeve të drejtësisë, parimin për një proces të rregullt ligjor, parimin e prezumimit të pafajësisë, parimin e paanshmërisë dhe i respektimit të jetës private të individit.

 

(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë)

S.G//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?