Të shtunën mbrëma, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kryer një sulm ajror të koordinuar ndaj tre impianteve bërthamore iraniane: Fordow, Natanz dhe Esfahan. Presidenti amerikan Donald Trump konfirmoi lajmin përmes rrjetit të tij social Truth, duke deklaruar: “Kemi përfunduar me sukses sulmin ndaj tre objekteve bërthamore. Të gjitha avionët tanë janë larguar nga hapësira ajrore iraniane dhe janë në rrugë të sigurt drejt bazave. Fordow, objekti kryesor, është goditur me një ngarkesë të plotë bombash. Asnjë ushtri tjetër në botë nuk do të kishte mundur ta bënte këtë. Tani është koha për paqe”.
Pas këtij deklarimi, një llogari e lidhur me Gardën Revolucionare iraniane publikoi në platformën X: “Tani ka nisur lufta”, duke e konsideruar sulmin amerikan një akt lufte të mirëfilltë.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, e cilësoi sulmin e SHBA si «një sjellje kriminale» që do të ketë «pasoja të përjetshme».
Kreu i diplomacisë iraniane theksoi sërish se programi bërthamor i Iranit ka natyrë paqësore dhe akuzoi SHBA-të për «një shkelje të rëndë të Kartës së Kombeve të Bashkuara». Ai deklaroi: «Ne e rezervojmë të drejtën të ndërmarrim çdo veprim për të mbrojtur interesat dhe sovranitetin tonë».
Në një fjalim të shkurtër nga Shtëpia e Bardhë, Trump sqaroi se sulmi kishte për qëllim ndalimin e kërcënimit bërthamor nga “shteti i parë që sponsorizon terrorizmin”. Ai deklaroi se objektet bërthamore iraniane janë “thuajse plotësisht të shkatërruara” dhe i bëri thirrje Iranit që të zgjedhë paqen, duke përmendur viktimat e shumta që, sipas tij, janë shkaktuar nga veprimet iraniane gjatë dekadave.
Presidenti amerikan theksoi se ndaj objektit të Fordow, të njohur si “mali bërthamor”, avionët B-2 të Forcave Ajrore Amerikane hodhën bomba “bunker-buster” (sipas CNN 14 të tilla) me peshë 14 ton secila. Ndërkohë, ndaj impianteve të Natanz dhe Esfahan janë përdorur 30 raketa Tomahawk, të lëshuara nga nëndetëse amerikane nga një distancë prej 650 kilometrash.
Trump falënderoi kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ushtrinë izraelite për bashkëpunimin, duke deklaruar se “kurrë më parë nuk është vepruar si një skuadër kaq e koordinuar”.
Shërbimet izraelite të emergjencës kanë përditësuar në 86 numrin e të plagosurve nga bombardimi me raketa i kryer nga Irani, si hakmarrje për sulmet amerikane ndaj impianteve bërthamore iraniane. Lajmin e bën të ditur Haaretz.
Nga ana tjetër, Irani reagoi me vendosmëri përmes Organizatës për Energjinë Atomike, duke deklaruar se “zhvillimi i industrisë bërthamore nuk do të ndalet, pavarësisht konspiracioneve djallëzore të armiqve”. Sipas tyre, kjo industri është fryt i punës dhe gjakut të “dëshmorëve bërthamorë”.
Kryeministri izraelit Netanyahu vlerësoi lidershipin e Trump, duke thënë: “Historia do të kujtojë se Presidenti Trump veproi për t’i mohuar regjimit më të rrezikshëm në botë armët më të rrezikshme në botë”. Ai shtoi se kjo goditje mund të hapë një të ardhme të begatë për Lindjen e Mesme dhe falënderoi SHBA-në për aleancën e palëkundur.
lajm në përditësim...
«Fushata nuk ka përfunduar: ditët në vijim mund të jenë të ndjeshme, të ndërlikuara dhe sfiduese». Kështu u shpreh presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, duke e cilësuar “historik” sulmin e Donald Trump ndaj Iranit, sipas asaj që raporton BBC.
Herzog shtoi se deklaratat e presidentit amerikan tregojnë aleancën e thellë dhe të guximshme mes Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit, dhe u bëri thirrje qytetarëve izraelitë që të vazhdojnë të ndjekin me kujdes udhëzimet për sigurinë të dhëna nga autoritetet.
Demokratët në Shtetet e Bashkuara kanë reaguar me forcë kundër vendimit të presidentit Donald Trump për të bombarduar Iranin.
«Një vendim thellësisht antikushtetues», e cilësoi Bernie Sanders gjatë një mitingu në Tulsa, Oklahoma, në një mesazh të publikuar edhe në rrjetet e tij sociale. Ai i referohet faktit që Trump nuk e ka konsultuar Kongresin përpara se të jepte urdhrin për ndërhyrjen ushtarake.
Edhe kongresistja Alexandria Ocasio-Cortez reagoi ashpër në rrjetet sociale:
«Vendimi katastrofik i Presidentit për të bombarduar Iranin pa autorizim përbën një shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe të të drejtave të Kongresit për shpalljen e luftës. Ai rrezikoi në mënyrë të pamatur të shkaktojë një luftë që mund të na mbërthejë për breza».
Ajo shtoi se kjo sjellje përbën një arsye të qartë dhe të justifikuar për fillimin e procedurës së shkarkimit (impeachment).
Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka bërë një thirrje urgjente për qetësi pas sulmeve amerikane ndaj objekteve bërthamore iraniane, duke i ftuar të gjitha palët e përfshira të shmangin përshkallëzimin ushtarak.
«I bëj thirrje të gjitha palëve të bëjnë një hap pas, të kthehen në tryezën e negociatave dhe të shmangin çdo përshkallëzim të mëtejshëm», ka shkruar të dielën Përfaqësuesja e Lartë për Punët e Jashtme të BE-së, në një postim në rrjetin X.
Duke cituar burime anonime, televizioni amerikan CBS News raporton se Shtetet e Bashkuara i kanë dërguar një mesazh Iranit pas sulmeve të natës së kaluar, duke theksuar se sulmet ishin të kufizuara ndaj programit bërthamor të Republikës Islamike dhe se Uashingtoni nuk po kërkon një ndërrim regjimi.
Ky mesazh shihet si një përpjekje e qartë për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit.
Numri i të plagosurve të shtruar në spitalet izraelite pas sulmit me raketa nga Irani ka arritur në 86 persona.
Lajmi është konfirmuar nga Ministria e Shëndetësisë e Izraelit, sipas asaj që raporton Times of Israel.
Shumica e uraniumit që më parë ishte ruajtur në impjantin e pasurimit të Fordow-t është zhvendosur në një vend tjetër, ka zbuluar një burim iranian i cituar nga agjencia Mehr.
Ky zhvendim ka ndodhur në një kontekst tensionesh në rritje dhe pas sulmeve të fundit amerikane ndaj impianteve bërthamore iraniane, përfshirë edhe Fordow-n.
Burimi nuk ka bërë të ditur vendndodhjen e saktë ku është transferuar uraniumi.
This seems important. Before the U.S strikes on Esfahan, Natanz and Fordow, @Maxar satellite images showed a possible increase in logistics at Fordow - 16 trucks gathered on 19- 20 June with heavy machinery near the entrance to the main facility. pic.twitter.com/dakj6aFbVS
— John Pollock (@John_Pollock22) June 22, 2025
Video e transmetuar nga media shtetërore iraniane dhe e verifikuar nga CNN tregon tym që ngrihet nga drejtimi i impiantit bërthamor të Fordow, pas sulmit amerikan
Një video e shpërndarë nga agjencia zyrtare iraniane e lajmeve IRNA, e filmuar nga një automjet në lëvizje dhe më pas e verifikuar gjeografikisht nga CNN, tregon një re të madhe tymi të errët që ngrihet në horizont, në drejtim të impjantit bërthamor të Fordow.
Në video dëgjohet një zë që thotë:
“Tymi i vetëm që shihet në qiell mbi Fordow vjen nga impianti bërthamor i Fordow-t.”
CNN thekson se nuk mund të verifikojë në mënyrë të pavarur burimin e tymit, por bazuar në vendndodhjen gjeografike, videoja është xhiruar nga autostrada Teheran-Qom, rreth 13 kilometra në perëndim të impiantit të Fordow-t.
Presidenti amerikan Donald Trump kishte deklaruar se objektet bërthamore në Fordow, Natanz dhe Isfahan ishin "shkatërruar plotësisht" nga sulmet amerikane.
Por autoritetet iraniane e kanë minimizuar ndikimin e sulmit, duke thënë se nuk ka pasur dëme serioze. Një deputet iranian pohoi se Fordow nuk është dëmtuar rëndë, ndërsa gazetarët e medias shtetërore iraniane kanë deklaruar se goditjet kanë dëmtuar vetëm tunelet e hyrjes dhe daljes së impiantit, por jo vetë strukturën e brendshme.
Impianti i Fordow-t ndodhet thellë nën disa shtresa malore, pranë qytetit të shenjtë të Qom-it.
“Situata në Lindjen e Mesme mbetet e paqëndrueshme dhe stabiliteti në rajon është një përparësi. I bëjmë thirrje Iranit që të rikthehet në tryezën e negociatave dhe të gjejë një zgjidhje diplomatike për t’i dhënë fund krizës” – ka deklaruar kryeministri britanik Keir Starmer, në një postim në rrjetet sociale, në përgjigje të sulmeve amerikane ndaj impianteve bërthamore iraniane gjatë natës.
Sipas Sky News, Mbretëria e Bashkuar nuk ka qenë e përfshirë në këto sulme.
Në ditët që paraprinë sulmet amerikane ndaj impiantit të pasurimit të uraniumit në Fordow, imazhet satelitore tregojnë se mund të jenë bërë përpjekje për të forcuar hyrjet në këtë strukturë nëntokësore të ndërtuar në shpat mali.
Një imazh i datës 19 qershor tregon një rresht prej 16 kamionësh të mëdhenj të ngarkuar me dhe pranë hyrjeve të impiantit, së bashku me makineri për lëvizjen e dheut.
Në një imazh të marrë ditën pasuese, duket se pjesë të rrugës që të çon në tunele janë mbuluar me dhe, ndërsa kamionët e ngarkuar vazhdojnë të lëvizin drejt hyrjeve të kompleksit nëntokësor. Po ashtu, makineri të tjera lëvizëse shihen duke grumbulluar dhe, duke treguar një aktivitet intensiv ndërtimor përreth strukturës.
Sulmi ajror i Shteteve të Bashkuara ndaj impianteve bërthamore iraniane ka qenë "plotësisht i koordinuar" me Izraelin. Kështu deklaroi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu në një mesazh video të shpërndarë nga disa media kombëtare.
Netanyahu e cilësoi presidentin Donald Trump si “një mik i jashtëzakonshëm i Izraelit”. Ai theksoi se operacioni amerikan ishte vazhdimësi e operacioneve ushtarake të Izraelit dhe të shërbimit sekret Mossad në Iran, të cilat kanë pasur si qëllim ndalimin e programit bërthamor iranian, që sipas tij "kërcënonte vetë ekzistencën tonë dhe rrezikonte paqen në botë".
«Presidenti Trump po udhëheq botën e lirë me vendosmëri», u shpreh Netanyahu.
Ai shtoi: «Është një mik i madh i Izraelit, një mik si asnjë tjetër».
Shtetet e Bashkuara kanë nisur një "luftë të rrezikshme kundër Iranit" duke goditur impiantet e tij bërthamore. Kështu deklaron Ministria e Jashtme e Iranit, sipas një njoftimi të shpërndarë nga agjencia gjysmëzyrtare iraniane Tasnim.
«Bota nuk duhet ta harrojë se ishin Shtetet e Bashkuara ato që, në mes të një procesi diplomatik, tradhtuan diplomacinë», thuhet në deklaratë, ku akuzohen SHBA për nisjen e një lufte të rrezikshme kundër Iranit.
Sipas Teheranit, sulmet përbëjnë shkelje të Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe të së drejtës ndërkombëtare, dhe qeveria amerikane mban përgjegjësinë e plotë për pasojat e rënda dhe ndikimet e tmerrshme të këtij akti kriminal.
Në deklaratë theksohet se është “e drejta legjitime e Iranit të rezistojë plotësisht dhe me vendosmëri ndaj agresionit ushtarak amerikan dhe krimeve të këtij regjimi banditesk”, si dhe të mbrojë sigurinë dhe interesat kombëtare të vendit me çdo mjet të nevojshëm.
Teherani gjithashtu u bën thirrje Kombeve të Bashkuara dhe organizmave të saj përkatës, përfshirë Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (AIEA), që është autoriteti ndërkombëtar i mbikëqyrjes bërthamore, të ndërhyjnë menjëherë për të përballuar këtë akt të hapur dhe kriminal të paligjshmërisë.
Administrata Trump po përgatitet për kundërpërgjigje të mundshme nga Irani, dhe 48 orët e ardhshme konsiderohen veçanërisht shqetësuese. Lajmin e raporton televizioni amerikan NBC, duke cituar dy zyrtarë të Departamentit të Mbrojtjes dhe një zyrtar të lartë të Shtëpisë së Bardhë.
Zyrtarët kanë theksuar se nuk është e qartë nëse kundërpërgjigja e mundshme do të ndodhë në territore jashtë vendit, brenda SHBA-së apo në të dyja, por po merren masa për të gjitha skenarët.
Dy zyrtarë të përfshirë në planifikimin ushtarak thanë më herët gjatë javës se Irani ka tashmë një plan të gatshëm për të goditur baza dhe burime amerikane në Lindjen e Mesme, nëse situata e kërkon.
Baza dhe burime shtarake të SHBA-së ndodhen në gjendje gatishmërie të lartë prej muajsh, por pas shpërthimit të konfliktit midis Izraelit dhe Iranit më 13 qershor, shqetësimet janë shtuar edhe më shumë. Sipas zyrtarëve amerikanë, ekziston një rrezik real për sulme ndaj interesave amerikane, si nga vetë Irani, ashtu edhe nga grupet aleate të tij në rajon.
Një zyrtar i NATO-s ka deklaruar se Aleanca po ndjek me vëmendje zhvillimet në Lindjen e Mesme, pas sulmeve amerikane ndaj infrastrukturës bërthamore të Iranit, të kryera gjatë natës.
Lajmi raportohet nga Sky News, që citon deklaratën e zyrtarit për agjencinë Reuters:
«Natyrisht, po e monitorojmë nga afër situatën», u shpreh ai.
Një kanal i lidhur me Gardën Revolucionare iraniane (Pasdaranët) ka njoftuar se “Shtetet e Bashkuara do të përballen me pasojat e sulmit ndaj Iranit. Bazat e tyre në Lindjen e Mesme do të shndërrohen në hi”.
Lidhur me bombardimet e lëshuara mëngjesin e sotëm ndaj Izraelit, Garda Revolucionare ka deklaruar se ka përdorur raketa me rreze të gjatë veprimi, me karburant të ngurtë dhe të lëngshëm, të pajisura me koka luftarake shkatërruese, si dhe ka aplikuar taktika të reja për të shmangur mbrojtjen ajrore të armikut.
Sipas deklaratës, sulmet ishin të drejtuara ndaj aeroportit, një qendre kërkimore biologjike të “entitetit sionist”, si dhe bazave mbështetëse dhe qendrave të komandës.
Shtetet e Bashkuara kanë hedhur 12 bomba të tipit “bunker buster” mbi impiantin bërthamor iranian të Fordow-t, duke përdorur gjashtë avionë bombardues B-2. Lajmi është bërë i ditur nga një burim amerikan për CNN.
E njëjta burim shtoi se nëndetëset amerikane kanë lëshuar 30 raketa cruise Tomahwk (Tlam) ndaj dy impianteve të tjera bërthamore iraniane: Natanz dhe Isfahan. Po ashtu, një nga avionët B-2 ka hedhur edhe dy bomba “bunker buster” mbi impiantin e Natanzit.
Hossein Shariatmadari
Raketa kundër anijeve amerikane dhe mbyllja e ngushticës së Hormuzit – kjo është përgjigjja që Irani kërcënon t’i japë Shteteve të Bashkuara pas sulmit të natës ndaj tre impianteve bërthamore.
«Pas sulmit amerikan ndaj impiantit bërthamor të Fordow-t, tani është radha jonë», ka paralajmëruar Hossein Shariatmadari, kryeredaktor i gazetës konservatore Kayhan, e cila shpesh është identifikuar si “zëdhënëse” e Udhëheqësit Suprem, Ayatollah Ali Khamenei.
Në një mesazh në Telegram, Kayhan citon Shariatmadarin të ketë thënë:
«Pa hezitim dhe pa vonesë, si hap të parë duhet të kryejmë sulme me raketa kundër flotës detare amerikane të vendosur në Bahrein dhe njëkohësisht të mbyllim ngushticën e Hormuzit për anijet amerikane, britanike, gjermane dhe franceze».
Mesazhi përmbyllet me një citat nga Kurani: «Vritini kudo që t’i gjeni».
Komente

Iranit i ngelet vetem opsioni nuklear...ceshtja nuk eshte a do ndodhi, por kur do ndodhi...
PërgjigjuWelcome to ww3.vetem se kte radhe pa arsye fare
Përgjigjuku ka ze nuk eshte pa gje thote populli!!lufta e trete boterore vjen nga lindja e mesme citoi enver hoxha!njeriu kafsha me eger ne bote!!jo covidi jo leshi jo preshi!!!keta i kane gishtat mbi butona thjesht duhet shkaku!!! na kycen neper shtepi qe mos te qelbeshin rruget nga kufomat tona