Politikë

Shqiptarët votuan, procesi ishte i qetë, pjesëmarrja mbi 47 %, më e lartë se 2017! Problemet vetëm me identifikimi biometrik dhe fotografimi i votës

25 Prill 2021, 06:18| Përditesimi: 25 Prill 2021, 21:39

  • Share

Qytetarët shqiptarë vendosën sot përmes votës së tyre se kush do t'i qeverisë ata në 4 vitet e ardhshme. Nga 5199 qendra votimi që ishin në të gjithë vendin kanë pasur të drejtë vote  3 milionë e 588 mijë e 869 shqiptarë, ndërsa pjesëmarrja në votimet ka qenë mbi 47.94 %, ndërsa aplikacioni i KQZ ende nuk ka bërë një përditësim të situata deri në mbyllje të votimit, kjo pasi ka ende qytetarë në radhë në disa qendra votimi në të gjithë vendin që do të hedhin votën e tyre. Edhe pse rezultati i pjesëmarrjes nuk paraprak, ajo që vihet re është se pjesëmarrja është më e madhe se në zgjedhjet e 2017, ku pjesëmarrja ishte 46.77 % ose 1.613.960 votues.

Që në minutat e para qendrave të votimit iu drejtuar Presidenti i vendit, Ilir Meta, dhe kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi, Edi Rama dhe Lulzim Basha.

Ajo që u vu re në këto votime është pjesëmarrja e lartë e shqiptarëve. Problematika e vetme e hasur kanë qenë të karakterit teknik që kanë të bëjë me pajisjet e leximit të kartave të identitetit.

Në disa 167 qendra votimi nuk është përdorur pajisja e identifikimit elektronik, 86  prej tyre nuk është përdorur se nuk janë paraqitur operatorët dhe në pjesën tjetër se përdorën dot.

Gjatë ditës votimi u ndërpre vetëm në atë të Lekbibajt në Tropojë por më pas rifilloi.

Nga ora 7:00 deri në 19:00 kutitë e votimit qëndruan të hapura për të gjithë ata që do të duan të zgjidhin ligjvënësit e katër viteve që vijnë.

Partia Socialiste kërkon një mandat të tretë, ndërsa opozita, e përbërë nga Partia Demokratike dhe aleatët e saj, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe disa parti të tjera të vogla, kërkojnë të marrin drejtimin e vendit për 4 vitet e ardhshme

107 mijë e 024 do të jenë të rinjtë që votojnë për herë të parë ndërkohë që 1,098 persona nuk mund të votojnë për shkak të ligjit të dekriminalizimit.Për herë të parë futen në garë në një palë zgjedhje të përgjithshme, disa forca të reja politike si Nisma Thurje, Lëvizja për Ndryshim e Jozefina Topallit dhe Bindja Demokratike e Astrit Patozit, Lëvizja Demokratike Shqiptare e Myslim Murrizit apo edhe 3 kandidatët e pavarur që mbështeten nga Lëvizja Vetëvendosje.

Për herë të parë pas zgjedhjeve të vitit 2005, shqiptarët do të mund të votojnë përveç partisë dhe kandidatin që preferojnë, në një fletë votimi të vetme ku vendoset shenja te partia por edhe të numri i kandidatit përkatës.  Për herë të parë në këto zgjedhje aplikohet teknologjia në zgjedhje, përmes identifikimit biometrik. Ndërkohë që, përmes një projekti pilot, në KZAZ Nr. 40, e cila përkon me Njësinë Administrative Nr. 10 në Tiranë, votimi dhe numërim u bë në mënyrë elektronike.

Ora 21:19
Vijojnë dërgimet e kutive të votimit në KZAZ, ja sa kanë mbërritur deri në orën 21:00 në disa qarqe të vendit

SHKODËR

Në KZAZ nr. 1 në Malësinë e Madhe janë dorëzuar 63 qv, nga 72 qendra votimi që janë në total. Kanë ngelur pa mbërritur 9 qendra votimi nga zona e Vërmishit.

KZAZ nr 2 që ka njesite administrative dhe zonat malore kane mberritur 22 kuti nga 109 që janë në total. Ne kete KZAZ është edhe zona e Dukagjinit që pritet të mbërrijë rreth ores 23:00.

Në KZAZ nr 6 në Vaun e Dejës- nga 53 qendra votimi janë dorëzuar 20 kuti. Kanë ngelur pa mbërritur zonat malore ne Shllak dhe Temal , Vig-Mnele

VLORA

Pjesëmarrja në votime në rang qarku 33.2%

Nga 55 kuti që duhet të vijnë në KZAZ 86 dhe KZAZ 84 deri tani 15 kanë kuti mbërritur që i përkasin Bashkisë së Vlorës.

KZAZ 83 që mbledh votat e njesive adninistrative (fshatrat) kanë mberritur te gjitha kutitë në total 66 qendra votimi.

DIBRA

KZAZ numër 18, Bulqiza nga  49 QV deri tani kanë mbërritur kutitë e 28 Qendra votimi.

KZAZ numër 19 që i përket qytetit të Bulqizës nga 101 Qendra deri tani janë dorezuar kutitë e 46 Qendra Votimi.

Në KZAZ 17 të bashkisë së Klosit nga 27 QV jane dorezuar 20 QV.

KORCA

KZAZ 74 në qytetin e Korccës deri në orën 21:00 kanë mbërritur 27 kuti nga nga 103 qendra votimi që janë në total.

Ne KZAZ nr 73 kanë mbërritur 28 Q.V nga 56 që janë në total.

Në Devoll dhe Pustec kanë mberritur të gjitha në KZAZ të gjitha kutitë.

Në Maliq kanë mbërritur 23 Q.V nga 76 totali.

Në Pogradec nga 106 Q.V kanë mbërritur 90.

Ora 20:28
Plagosi me thikë efektivi i policisë jashtë qendrës së votimit në Pukë, arrestohet 32-vjeçari me precedent të mëparshëm penal

Një efektiv policia ka mbetur i plagosur me thikë gjatë mbylljes së procesit të votimit në Qafe Mali në Pukë. I plagosur ka mbetur efektivi Gëzim Osmanaj i cili u dërgua për mjekim në spitalin e Pukës. Mikel Lleshaj, 32 vjeç, është identifikuar si autori i plagosjes së efektivit të policisë. Ai është me precedentë të mëparshëm penale, ndërsa është arrestuar pak orë pas ngjarjes.

Ngjarja nuk kishte lidhje me procesin zgjedhor, por autori është shprehur se është bezdisur nga prania e efektiveve jashtë ambienteve të Qendrës së Votimit dhe ka pasur një konflikt të çastit me Gëzim Osmanaj dhe më pas e ka qëlluar me thikë.

Ngjarja e rëndë ndodhi pas mbylljes së procesit të votimit jashtë ambienteve të qendrës së votimit me numër 0399.

Ora 20:06
Fier, tentoi të djegë kutitë e votimit, arrestohet i riu në Libofshë

1619374054_page.jpg

Mikel Postoli, është arrestuar pasi tentoi që gjatë ditës së sotme të digjte kutitë e votimit në Libofshë të Fierit.

35-vjeçari pak para se te dilnin kutitë e votimit nga qendrat e votimit  ne njësinë administrative Libofshe me një shishe me lëndë djegëse në dorë ka bërë thirrje se do të djeg kutitë e votimit.

Policia njofton se rreth orës 19:10, është marrë njoftim se shtetasi Mikel Postoli, banues në fshatin Havaleas, ka shkuar në kishën e fshatit Agim dhe ka hedhur në oborrin e jashtëm të saj një shishe me molotov e cila ka shpërthyer dhe për pasojë ka pasur vetëm dëme të vogla materiale.

Më pas është larguar dhe në rrugën kryesore të fshatit Agim, në afërsi të qendrës së votimit ka bërë thirrje duke sharë të gjitha subjektet politike duke kërcënuar se do digjte kutitë e votimit.

Menjëherë shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin në Komisariatin e Policisë Fier të shtetasit Mikel Postoli, 37 vjeç.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar tre shishe molotov, dy mjete prerëse (sëpatë dhe thikë) dhe libra të një sekti fetar të cilat i kishte me vete në një çantë.

Po kryhen veprimet procedurale hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Ora 20:01
Mbyllet votimi, qendrat votimit dërgojnë në KZAZ kutitë e para

1619373659_foto.jpg

Mbyllja e procesit të votimit ka bërë që komisionerët të mbyllin procesverbalet, kutitë e votimit dhe t'i dërgojnë ato në KZAZ-të përkatëse. Ky proces po vijon në disa qendra votimi në të gjithë vendin. Në Elbasan dorëzohen kutitë e votimit dhe materialet zgjedhore në KZAZ 47. Edhe në Krujë ka filluar dorëzimi i kutive dhe materialeve zgjedhore në KZAZ  20, ku deri tani janë dorëzuar materialet e 7 qendrave te votimit. Në KZAZ 35 në Tiranë do të dorëzohen kutitë e  95 qendrat e votimit dhe deri tani janë dorëzuar kutitë e 26 qendrave të votimit

Ora 18:43
Votojnë 52 nga 79 të burgosurit në Burgun e Sigurisë së Lartë në Burrel

Në Burgun e sigurisë së lartë në qytetin e Burrelit kanë ushtruar të drejtën e votës deri në këto momente 52 nga 79 të burgosurit që vuajnë dënimin në këtë IEVP.

Deri tani të dënuarit që kanë pasur letërnjoftimet aty kanë votuar, një pjesë nuk i kanë, ndërsa pjesa tjetër nuk kanë shkuar ende.

Ora 18:41
Përfundon votimi në burgun e Drenovës, votojnë 110 të dënuar

Ka përfunduar procesi i votimit në burgun e Drenovës në Korçë dhe nga 465 të dënuar kanë votuar 110 prej tyre. Për shkak të ligjit të dekriminalizimit 110 të dënuar nuk mundën të votojnë. 158 të tjerë nuk kanë votuar sepse s’kanë qenë të pajisur me karta identiteti.

Ora 18:31
Dhunuan kryetarin e PS-së në Lekbibaj dhe e kërcënuan me armë, vihet në pranga komisioneri i PD-së, shpallen në kërkim vëllezërit e tij

1619345918_Capture.JPG

Policia ka vënë në pranga Gjovalin Gjeloshaj, komisioner i PD-së në Lekbibaj, pasi së bashku me vëllezërit e tij Shkelzen dhe Marash Gjeloshaj, kanë dhunuar dhë kërcënuar me armë kryetarin e PS-së Andrea Ndou.

‘Kërcënuan me armë zjarri dhe goditën me sende të forta një shtetas, si dhe nuk iu bindën urdhrit të punonjësit të Policisë, vihet në pranga njëri nga autorët, shpallen në kërkim dy të tjerë (vëllezërit e tij).

Nga Komisioni i Qendrës së Votimit Nr. 0489, e cila ndodhet në shkollën e fshatit Lekbibaj, është kërkuar ndërhyrja e Policisë për një konflikt në ambientet e shkollës.

Pas marrjes së vendimit Nr. 01 datë 25.04.2021, janë afruar shërbimet e Policisë dhe nga kryerja e veprimeve hetimore ka rezultuar se shtetasi Gj. Gj., përfaqësues i një subjekti politik, së bashku me vëllezërit e tij shtetasit Sh. Gj. dhe M. Gj., kanë kërcënuar me armë zjarri të llojit pistoletë, si dhe goditur me sende të forta shtetasin A. N., përfaqësues i një subjekti tjetër politik.

Gjithashtu, këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë dëmtuar dhe shkatërruar pronën e kësaj shkolle, si dhe nuk i janë bindur urdhrit të punonjësit të Policisë.

Në përfundim të veprimeve hetimore u bë arrestimi i shtetasit Gj. Gj., 62 vjeç, banues në Lekbibaj, për veprat penale "Dëmtime të tjera me dashje", "Shkatërrimi i pronës", " Mbajtja pa leje e armëve dhe e municionit luftarak", “Kanosja" dhe "Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të rendit publik".

Si dhe u shpallën në kërkim shtetasit Sh. Gj. dhe M. Gj. dhe po punohet për kapjen e tyre.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tropojë, për veprime të mëtejshme.

Me vendim të Qendrës së Votimit, Nr. 2, datë 25.04.2021, ora 13:35, Policia është larguar nga QV dhe procesi i votimit vijon normalisht.’- tha policia.

Ora 18:17
Përfundon procesi i votimit në burgun e Fierit, votojnë 186 të dënuar, nga 256 me të drejtë vote

Përfundon procesi i votimit në burgun e Fierit.  186 të dënuar dhe të paraburgosur kanë votuar në mjediset e burgut, nga 256 vete me të drejtë vote.  70 të burgosur dhe të paraburgosur me të drejtë vote nuk kanë pasur kartë identiteti apo pasaporte biometrike. Kutitë e votimit do të dërgohen në qendrën e numërimit në Patos.

Ora 18:04
Incident në lagjen ‘5 Maj’ në Elbasan, qytetari thyen xhamat e qendrës së votimit

Një qytetar ka thyer xhamat e një qendre votimi në shkollën ‘Hamit Mullisi’ në lagjen ‘5 Maj’ në Elbasan.

Mësohet se qytetari pasi ka votuar, nën efektin e alkoolit ka qëlluar me gurë në drejtim të qendrës së votimit. Pasi është njoftuar policia, qytetari është shoqëruar nga forcat blu. Procesi i votimit ka vijuar më pas normalisht.

Ora 17:42
Ndërpritet për pak minuta energjie elektrike në Pogradec, nuk pengon procesin e votimit

Është ndërprerë për pak minuta energjia elektrike në qytetin e Pogradecit, por megjithatë kjo nuk ka sjellë pengesë në vijimin e procesit të votimit.

Sipas kryetarit të KZAZ Pogradec në lidhje me këtë defekt u lajmëruar=n KZAZ-të paraprakisht, ndërsa puna vijoi normalisht me aparaturat të cilat janë të pajisura me bateri.

Ora 17:03
Pas Fushë Krujës, një i ri nuk voton dot në Shkodër! Rezulton votues në burg edhe pse është liruar prej muajsh

Arlind Haxhika

Pas Fushë Krujës, një tjetër person në Shkodër ka denoncuar faktin se nuk mund të votojë, pasi rezulton votues në burgun e Reçit, ku ka vuajtur një dënim, por që është liruar që në janar.

I riu Arlind Haxhika thotë se ai ishte paraqitur te qendra e votimit te shkolla "Xheladin Fishta", ku kishte votuar gjithmonë, por komisionerët i kanë thënë se ai rezulton votues ende në qendrën e votimit në Reç. Atij i është kërkuar të ankohet në Gjykatë, por rezulton se gjykata është e mbyllur në fundjavë.

"Ma kanë lënë qendrën e votimit në Reç, ku kam bërë 3 muaj burg dhe më thënë të votoj te burgu i Reçit. Unë jam liruar nga burgu që më 11 janar, më thanë shko te Gjykata, po Gjykata është e mbyllur në fundjavë dhe unë nuk mund të votoj", tha ai.

Ora 16:08
Shpallet në kërkim qytetari që filmoi votën, flet për Report Tv kryetarja e QV në Vlorë: Anëtarët e Komisionit dëgjuan zhurmën e telefonit

Anila Belo, kryetare e Qendrës së Votimit, 4498 në Vlorë në një intervistë për Report Tv foli në lidhje me incidentin e fotografimit të votës në këtë qendër votimi. Belo tha se anëtarët e komisionit konstatuan se qytetari po fotografonte votën dhe më pas lajmëruan policinë.

‘Procesi ka vijuar normalisht, përveç atij incidentit. Mori fletën e votimit, dhe njëra nga anëtarët e komisionit ka dëgjuar zhurmën që bën celulari gjatë fotografimit dhe i ka thënë që është e ndaluar. Kishte aparatin celular dhe në këtë moment është ndërprerë procesi dhe kemi thirrur policinë. Ne nuk kemi të drejtë të bëjmë kontroll fizik, por kemi njoftuar qytetarët që mos të kenë një aparat celular. Më pas vumë re se kishte aparat celular, njoftuam policinë. Ai është larguar me vullnetin e tij nga qendra e votimit.’- tha Belo.

Policia thekson në një njoftim zyrtar se është shpallur në kërkim 54 vjeçari.

‘Më datë 25.04.2021, rreth orës 13:18, është marrë njoftim nga Komisioni i Qendës së Votimit Nr. 4498/1, e cila ndodhet në konviktin e shkollës Industriale "Pavarsia", pasi nga anëtarët e Komisionit është konstatuar një shtetas që po fotografonte votën e tij.

Me vendimin Nr. 1 të datës 25.04.2021, të Qendrës së Votimit, është kërkuar ndihma e Policisë së Shtetit. Pas marrjes së vendimit, shërbimet e Policisë së DVP Vlorë kanë hyrë brenda qendrës dhe nga kryerja e veprimeve të para, shtetasi Sh. T., pas rregjistrimit dhe marrjes së fletës së votimit, dyshohet se ka fotografuar votën e tij dhe ky veprim është parë nga anëtarët e Komisionit, por ka mundur të largohej nga qendra e votimit.

Shtetasit SH. T. i është bllokuar fleta e votimit dhe në vijim të veprimeve nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Vlorë u bë shpallja në kërkim policor e shtetasit Sh. T., 54 vjeç, për veprën penale "Shkelja e fshehtësisë së votës".’- njofton policia.

Ora 15:48
Incident në Korçë, vëzhguesi i PD-së godet me karrike në kokë një çift bashkëshortësh simptizantë të PS-së

Një incident ka ndodhur në fshatin Vashtmi në shkollën ‘1 Maji’ ku janë tre qendra votimi, qarku Korçë. Sipas burimeve për Report Tv, ka qenë një çift bashkëshortësh të cilët kanë kërkuar të votojnë familjarisht.

Në këtë moment ka ndërhyrë vëzhguesi i PD-së Drini Qyllalli. Fillimisht konflikti ka qenë verbal dhe më pas ka agravuar deri në përdorimin e dhunës. Vëzhguesi ka goditur me karrike në kokë çiftin e bashkëshortëve të cilët kanë marrë dëmtime dhe janë transportuar drejt spitalit të Korçës.

‘Ata më goditën. Do të votonte nëna dhe nuk e lejuan në atë moment dhe e shtynë plakën e goditën. Janë dy vëllezër djemtë e kryeplakut.’- thanë çifti i bashkëshortëve.

Ora 15:13
Ka dalë nga burgu prej më shumë se dy muajsh, votuesit në Fushë Krujë nuk i lejohet të votojë edhe pse e ka emrin në qendrën e votimit

Gentjan Shala

Një votues në Fushë Krujë, në KZAZ nr 184 nuk është lejuar të votojë në qendrën e votimit. Gentjan Shala ka dalë nga burgu para më shumë se dy muajsh dhe në qendrën e votimit i është thënë se duhet të votojë në burg. Ai është paraqitur më pas pranë burgut në Fushë Krujë, ku i është komunikuar se është qytetar i lirë dhe se duhet të votojë atje ku ka qendrën e votimit. Dhe ndërkohë atij i figuron emri si votues në qendrën e votimit 184, por sërish nuk është lejuar të votojë.

Ndërkohë  në Fushë Krujë është regjistruar një problem i tillë edhe me persona të tjerë që janë në arrest shtëpie apo që kanë pak kohë që kanë dalë nga burgu, pasi figurojnë si votues akoma në qendrat e votimit në burgje.

Personat të cilët kanë jo shumë kohë që kanë dalë nga burgu, duhet të pajisen me vendim gjykate pranë KZAZ që të mund të votojnë, për shkak se emri i tyre figuron në qendrat e votimeve të burgjeve.

 

Ora 15:07
Kandidati i LSI Prençi shkel rregulloren duke hyrë në qendrën e votimit në Durrës, e largojnë menjëherë dhe procesi vazhdon normalisht

Kandidati i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Shemsi Prençi ka shkaktuar tension në shkollën 9-vjeçare “Njazi Mastori” në Durrës, duke hyrë brenda, ku po votohej për zgjedhjet elektorale.

Ai është shfaqur i shoqëruar nga truproja e tij duke i bërë pritë qytetarëve që i janë drejtuar kutive të votimit.

Shemsi Premci ka shkelur rregulloren, pasi është paraqitur në qendrën e votimit, po menjëherë e kanë larguar dhe procesi ka vazhduar normalisht.

Ora 14:17
Një tjetër person në Vlorë filmon votën dhe shpallet në kërkim, pezullohet votimi në qendër

Pezullohet procesi në qendrën e votimit 4498 në Vlorë. Kapet një tjetër votues duke fotografuar votën në qendrën e votimit. Menjëherë është lajmëruar policia dhe ai është nxjerrë jashtë. personi është larguar por është shpallur në kërkim nga policia. Më parë një tjetër person pranë shkollës industriale k fotografuar votën.

Ora 14:14
Pas pezullimit për disa orë, rifillon votimi në Lekbibaj

Pas një pezullimi për disa orë, rifillon procesi i votimit në Lekbibaj në Tropojë. Procesi u ndërpre pas një përplasje mes votuesve jashtë qendrës së votimit. Pas verifikimeve rezultoi se nuk ka patur shkatërrim të qendrës së votimit, ndërsa bllokimi shkaktoi radhë votuesish, të cilët presin të hedhin votën e tyre.

Ora 12:13
Korçë, tentoi të votonte familjarisht, votuesi në fshatin Vashtmi përplaset fizikisht me vëzhguesin e PD! Largohet duke marrë fletën e votimit me vete

Qendra e Votimit ku u regjistrua incidenti

Një incident është shënuar në qendrën e votimit në fshatin Vashtmi të Korçës. Një votues ka dashur të votojë familjarisht, por është penguar nga vëzhguesi i PD-së, çka ka bërë që mes tyre të ketë edhe konfrontim fizik. Ndërsa votuesi është larguar duke marrë me vete edhe fletën e votimit.

"Disa familjarë erdhën për të votuar familjarisht,, ne nuk e lejuam sipas ligjit, ndërhynë dhe disa familjarë të tjerë, i thamë largoheni, nuk u larguan, vëzhguesi vajti për të mos i lënë të votonin bashkë dhe ata u konfrontuan fizikisht me të. Njoftuam policinë. Votuesi nuk është në qendrën e votimit dhe kur iku mori me vete dhe fletën e votimit", tha sekretari i Qendrës së votimit

Ora 11:38
Votoi PD-në më pas LSI-në dhe fotografoi 2 herë fletën, shoqërohet në komisariat 30 vjeçari në Tiranë! Rast i ngjashëm edhe në Shkodër

Një 30 vjeçar në Tiranë është shoqëruar në komisariat pasi është konstatuar duke fotografuar votën. Kësisoj në qendrën e votimit Nr. 1767, e cila ndodhet në shkollën "Andon Zako Çajupi" se është bllokuar përkohësisht procesi i votimit.

Shtetasi Granit Sulku pasi ka marë fletën e votimit ka votuar subjektin politik PD dhe e ka filmuar votën dhe i ka thënë komisionit se iu prish fleta e votimit. Komisioni i ka dhënë një fletë tjetër votimi dhe ky pasi ka votuar LSI e ka filmuar përsëri votën. Ky veprim është vënë re nga vëzhguesit dhe e kane bllokuar dhe kane njoftuar policinë. Në përfundim të veprimeve, ai është arrestuar në flagrancë.

Një rast i ngjashëm ka ndodhur edhe në Shkodër në lagjen Tophane. Një person ka tentuar të fotografojë votën por është ndaluar nga komisioni dhe më pas është njoftuar policia. Në polici ai ka deklaruar se nuk e dinte se është e ndaluar.

Njoftimi i policisë:

Më datë 25.04.2021, rreth orës 10:10, është marrë njoftim nga Komisioni i Qendës së Votimit Nr. 1767, e cila ndodhet në shkollën "Andon Zako Çajupi" se është bllokuar përkohësisht procesi i votimit, pasi nga anëtarët e Komisionit është konstatuar një shtetas që po fotografonte votën e tij.

Me vendimin Nr. 1 të datës 25.04.2021, të Qendrës së Votimit, është kërkuar ndihma e Policisë së Shtetit.

Pas marrjes së vendimit, shërbimet e Policisë të Komisariatit të Policisë Nr. 4 kanë hyrë brenda qendrës dhe nga kryerja e veprimeve të para ka rezultuar se shtetasi G. S., 30 vjeç, pasi është regjistruar, ka marrë fletën e votimit dhe ka shkuar tek dhoma e fshehtë.

Pasi ka kryer veprimet, ka fotografuar votën e tij dhe ky veprim është parë nga anëtarët e Komisionit.

Shtetasit G. S. i është bllokuar fleta e votimit dhe më pas nga sherbimet e Policisë është bërë shoqërimi i tij në ambientet e Komisariatit, për veprime të metejshme hetimore.

Në përfundim të veprimeve nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.4 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit G. S., 30 vjeç, për veprën penale "Shkelja e fshehtësisë së votës".

Ora 11:10
Qytetarja në Berat: Votova dhe palosa fletën, por komisionerja më tha tregove votën! Më thanë do njoftojmë policinë, por unë nuk kam bërë gjë (VIDEO)

Një qytetare në Berat ka shprehur shqetësimin e saj, pasi tregon se është akuzuar nga komisionerja se ka treguar votën dhe se për këtë do të njoftohet policia. Ajo thotë se kishte palosur fletën pasi kishte votuar, por komisionerj ai kishte thënë se kishte treguar votën dhe për këtë arsye fleta e saj e votimit doli e pavlefshme dhe u gris. Ajo mohon të ketë treguar votën dhe thotë se nuk ka frikë nga policia pasi nuk ka bërë asgjë.

"Votova dhe po palosja fletën, komisionerja më tha që tregove votën, jo i thash po palos fletën dhe më thanë që del e pavlefshme dhe e grisa më thanë do njoftojmë policinë nuk kam frike nga policia se nuk kam bere gjë", tha ajo.

Ora 10:42
Bllokohet votimi në Libonik të Korçës pas debateve, komisionerët e PD marrin vulat dhe ia mbathin (VIDEO)

Në Libonik të Korçës ka rreth 1 ore që është pezulluar votimi, me urdhër nga KQZ. Sipas burimeve bëhet me dije që ka pasur debate midis komisionerëve të PS dhe PD, këta të fundit me pretendimin se administrata e bashkisë është jashtë për presion kanë marrë vulat dhe janë larguar. Bëhet fjalë për qendrën e votimit 3822,3813. Ndërkaq pritet vendim i KQZ lidhur me vijimin e procesit.

Ora 10:33
Probleme me paisjen e identifikimit elektronik, ndërpritet procesi i votimit për 1 orë në Ersekë

1619339635_erseke.jpg

Ndërsa vijon prej orësh votimi në të gjithë vendin në Ersekë është ndalur procesi prej 1 ore për shkak se ka pasur probleme me aparaturën e identifikimit elektronik.

Ora 10:09
Me celularë për të fotografuar votën, pezullohen për pak minuta votimi në 2 qendra, 1 në Gjirokastër dhe 1 Vlorë

Dy persona janë kapur me celularë në duar për të fotografuar votën, duke bërë që të pezullohet procesi i votimit për pak minuta në 2 qendra votimi.

Fillimisht në një qendër votimi në Vlorë një person është kapur me celular, duke bërë që sekretarja e QV të pezullojë për 20 min votimin.

Ndërkohë që në fshatin Dhoksat bashkia Gjirokastër është kapur një person duke fotografuar votën.

Ora 09:45
Policia: Përfundon dorëzimi te qendrat e votimit, jemi në ruajtje që prej mbrëmjes së djeshme

Policia e Shtetit ka deklaruar se ka përfunduar dorëzimi i materialeve të përcaktuara si Qendra Votimi, të cilat ishin marrë në ruajtje që prej mbrëmjes së djeshme. Përmes një njoftimi zyrtar për mediat, ajo bën me dije se punonjësit e Policisë gjatë kryerjes së shërbimit për ruajtjen e Qendrave të Votimit, nuk kanë konstatuar asnjë problem.

Njoftimi i policisë:

Përfundoi në të gjithë vendin, dorëzimi i objekteve të përcaktuara si Qendra Votimi, të cilat ishin marrë në ruajtje që prej mbrëmjes së djeshme.

Punonjësit e Policisë gjatë kryerjes së shërbimit për ruajtjen e Qendrave të Votimit, nuk kanë konstatuar asnjë problem. 

Dorëzimi i Qendrave të Votimit ka filluar që prej orës 06:00 të mëngjesit të datës 25.04.2021, sipas të gjitha kërkesave ligjore, duke i dorëzuar me proces-verbalet përkatëse të lëshuara nga komisionet e votimit. 

Të gjitha objektet zgjedhore që do të shërbejnë si Qendra Votimi, të cilat ishin marrë në ruajtje nga shërbimet e Policisë janë dorëzuar në rregull dhe pa probleme mëngjesin e sotëm, nga ana e punonjësve të Policisë, dhe janë marrë në dorëzim nga komisonet përkatëse.

Marrja në ruajtje e Qendrave të Votimit ditën e djeshme dhe dorëzimi i tyre mëngjesin e sotëm është raportuar në kohë reale nga punonjësit e Policisë, te grupet e drejtimit në DVP dhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nëpëmjet një aplikacioni të posaçëm. 

Punonjësit e Policisë, pas dorëzimit të qendrave të votimit janë grumbulluar në ambientet e përcaktuara për punonjësit e Policisë gjatë procesit zgjedhor, të gatshëm për të ndërhyrë në rast se nga ana e komisioneve të votimit kërkohet ndihma e Policisë.

Ora 08:45
Qendrat e votimit në kat të dytë në KZAZ 59 në Fier, të moshuarit hasin vështirësi në ngjitjen e shkallëve për të votuar (VIDEO)

Në Fier në shkollën “Pinellopi Pirro” KZAZ 59 qendrat e votimit 30131 dhe 3013 janë në katë të dytë. Në këtë mënyrë është thyer rregullorja e ministrisë së shëndetësisë që qendrat e votimit duhet të jenë në katë të parë. Duke qenë se qendrat e votimit janë në kat të dytë të mishuar hasin probleme për tu ngjitur për të hedhur votën e tyre.

Ora 07:58
Zgjedhjet parlamentare, nis votimi në Kukës...Fier, Lezhë, Shkodër, Berat

Ka nisur votimi në të gjitha qarqet e vendit deri më tani pa incidente. Votuesit janë drjetuar drejt qendrave të votimit që prej orës 07:00. Ne Fier, Krujë, Berat, Lezhë, Shkodër nuk ka patur ndonjë probleme gjatë votimit. Është konstatuar fluks qytetarësh por i përballueshëm nga komisionierët.

Në Lezhë ka nisur procesi i votimit në të gjitha qendrat. Ne total jane 249 qendra votimi, 14 më pak se në zgjedhjet e vitit 2017. Ndërsa numri i zgjedhësve që janë thirrur për të votuar është 173.899.

Në Kukës, procesi i votimit këtë të dielë ka nisur qetësisht. Në qytet janë hapur qendrat e votimit dhe kanë mbërritur qytetarët e parë për të votuar. Në të gjitha qëndrat e votimit, krahas paisjeve për identifikimin elektronik të votuesve janë vendosur edhe kamera monitorimi të lidhura në rrjet me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Për herë të parë pas zgjedhjeve të vitit 2005, votuesit do të mund të votojnë përveç partisë dhe kandidatin që preferojnë. Afro 84 mijë banorë të qarkut Kukës kanë të drejtë vote. Në tre bashkitë janë 141 qendra votimi, tre KZAZ dhe tre vendnumërime të votave. Kukës, mbi 44 mijë votues, 73 Qendra Votimi. Tropoja mbi 22 mijë votues, 40 qendra votimi. Hasi 16  mbi mijë  votues, 28 qendra votimi. Në zgjedhjet e 4 viteve më parë në bashkinë e Kukësit kanë marrë pjese 23 mijë votues nga 44 mijë me të drejtë vote. Në bashkinë Tropojë kane votuar 10 mijë e 709 votues nga 23 mijë 871 me të drejtë vote. Në bashkinë Has kanë votuar 8 mijë e 200 nga 16 mijë e 128 votues.

Në zgjedhjet e vitit 2017 në Kukës morën pjesë në zgjedhje 53% e votuesve, të cilët i dhanë një fitore Partisë Demokratike me 47% të votave, ndërsa PS mori 44% dhe LSI, 7%. Partia Socialiste pësoi një rritje të fortë në krahasim me zgjedhjet e vitit 2013, por kjo nuk mjaftoi për të përmbysur rezultatin. Në këtë qark zgjidhen 3 deputetë dhe historikisht, PD ka marrë shumicën. Partia Socialiste kërkon që të fitojë dy mandate në këtë qark, ndërsa përmbysja e rezultatit duket e vështirë, por jo e pamundurm, nëse merret parasysh se avantazhi i demokratëve është ngushtuar gjatë tre zgjedhjeve parlamentare të shkuara.Po ashtu edhe PD kërkon të fitojë dy mandate Deputetësh. Qarku i Kukësit është gjithashtu zona ku gjatë viteve të fundit ka pasur ndryshime të konsiderueshme demografike, emigrim masiv. 

Ora 07:47
Mungojnë komisionerë të saj dhe nuk fillon votimi, LSI jep sqarimin e saj: KZAZ nuk i ka dhënë emërimin

Nga Elbasani raportohet se në qendrën 2351 në Elbasan nuk ka nisur ende procesi i votmit, pasi mungon një nga komisionerët e LSI. Si pasojë e mungesës së tij është shtyrë nisja e procesit të votimit në këtë qendër ndërsa disa qytetarë janë duke pritur për të hedhur votën.

Në lidhje me këtë lajm ka reaguar LSI.  "Duke marrë shkas nga disa lajme për komisionerët e LSI në Elbasan, sqarojmë se janë në total 13 qendra votimi në të 4 KZAZ-të e Elbasanit. Komisionerët e LSI janë në qendrat votimit por po presin t'iu çojë KZAZ emërimin sepse ende nuk iu kanë dërguar vendimin siç kanë bërë për PS dhe PD", sqaron ajo. 

Ora 07:47
Zgjedhjet, Policia e Shtetit në gatishmëri të plotë, 5200 efektivë pranë QV-ve, plan me 4 faza për procesin zgjedhor

1619329730_drejtoria.jpg

Policia e shtetit ka kaluar në gatishmëri të plotë në këtë ditë zgjedhjesh parlamentare në vend.  Më urdhër të drejtorit të përgjithshëm të policisë Ardi Veliu është vendosur që 5200 punonjës policie të jenë pranë qendrave të votimit për ruajtjen e rendit dhe sigurisë në to.

7519 punonjës policie janë trajnuar që prej dhjetorit për t’u angazhuar në këto zgjedhje. Policia po ndjek një plan me 4 faza për të garantuar një proces zgjedhor të qetë.

Rëndësi i është kushtuar ruajtjes së personaliteteve dhe institucioneve ku koordinohen forcat e policisë dhe ato komando.

Policia e shtetit ka referuar në prokurori më shumë se 30 raste që lidhen me krimet zgjedhore.

Në ndryshim nga vitet e tjera KQZ ka kërkuar nga policia të mos lejojë grumbullime 150 metra afër qendrave të votimit si edhe të mos angazhojë punonjës policie me më pak se 4 muaj eksperiencë.

Ora 07:17
Ka nisur votimi, në Gjirokastër në 2 qendra votimi nuk punon pajisja që lexon kartat! Probleme edhe në Fushë-Krujë e Fier

Teksa ka filluar procesi i votimit në të gjithë vendin, nga Gjirokastra raportohet një problematikë e vogël në 2 qendra votimi. Mësohet se në dy vendvotime në qytetin e Gjirokastrës ka probleme me pajisjet që bëjnë leximin e dokumenteve të identifikimit.

I njëjti problem ka ndodhur edhe në Fushë-Krujë ku është bllokuar momentalisht votimi në 3 qendra votimi për shkak të paisjeve ku vihet gjurma e gishtit. Personat që i përdorin nuk janë përshtatur mjaftueshëm me to. Pritet që të rifilloje së shpejti votimi në këto qendra.

Edhe në Fier në shkollën "Janaq Kilica" në qendrën e votimit 3004/1 ne KZAZ 59 është bllokuar pajisja identifikuese e zgjedhësve. Fillimisht në nisje të procesit ishte në rregull. Votuan rreth 10 qytetarë e nuk punoi më pas u rikthye në normalitet.

K.T./I.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Basha kryeminister: 25/04/2021 19:54

    Kjo tregon qe duke llogaritur 40,000 votues me kovid dhe mungesen e emigranteve , Basha eshte Kryeminister në 2021-2025 , dhe shqiperia antare EU Ne 2023! Basha merr sipas ketyre statistikave 66 deputete i duhen edhe 4 , ose nga PSD ose nga LN ose LRE ose Thurja ose LSI ose nga cilado qe nxjerr deputet! PS peson ndarje! Te kemi shendetin uroj tmos jemi prekur me kovid dhe suksese Lulzim Basha !!!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?